Nga Isabela Çoçoli
VOAL – Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë në krah të Ukrainës për të luftuar agresionin rus, që e ka vënë në rrezik sigurinë evropiane, tha nënpresidenti amerikan Xho Bajden të mërkurën.
Duke folur në Institutin Brookings në Uashington, Bajden tha se mbështetja ndaj Ukrainës është e rëndësishme për të ardhmen e vendit, për të ardhmen e sigurisë evropiane dhe për të ardhmen e rendit ndërkombëtar.
“Për sa kohë që udhëheqësit e Ukrainës do të vijojnë me projektin e reformës, SHBA do të vazhdojë të qëndrojë me ta,” tha Bajden. Sanksionet amerikane ndaj Rusisë duhen dhe do të vazhdojnë deri sa marrëveshja e Minskut të zbatohet plotësisht, shtoi Bajden.
Marrëveshja e Minskut, që u arrit në shkurt nga Franca, Gjermania, Rusia, Ukraina dhe separatistët pro-Rusi, bëri thirrje për një armëpushim dhe tërheqje të trupave të huaja dhe të armëve të rënda me qëllim arritjen e një zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit në Ukrainë.
Fokusi i SHBA do të jetë direkt në trajtimin e tragjedisë humanitare krijuar nga agresioni rus, tha Bajden.
Është një nga fjalimet e formuluara më fuqishëm dhe me tone të forta nga ana e një zyrtarë i lartë amerikan, ku nënpresidenti tha se “Rusia po ndërmerr hapa për të minuar fqinjët e saj evropiane dhe për të forcuar pozitën e saj hegjemoniste”, të cilën Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi dënojnë fuqishëm.
Që prej marrjes së presidencës ruse, Vladimir Putin ka ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme, tha Bajden. Ai tha se Putin kishte treguar përbuzje për sovranitetin e fqinjëve të Rusisë, dhe për këtë arsye “bota duket më ndryshe sot se ajo para se Putini të merrte presidencën… Sepse ka ndryshuar, prandaj është në fokusin tonë dhe ne do të vazhdojmë ta ekspozojmë Rusinë në botë. “
Bajden tha gjithashtu se vizioni i Putinit “ka shumë pak për t’i ofruar popullit rus, përveç miteve” dhe prandaj është i dënuar të dështojë. /VOA
Komentet