Forcat e policisë arrestuan të mërkurën në mëngjes deputeten e parlamentit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi.
Arrestimi i saj pasoi njoftimet se një gjykatë në Prishtinë kishte lëshuar urdhër arresti për katër deputetë të parlamentit, Albin Kurtin, Albulena Haxhiun dhe Faton Topallin nga lëvizja Vetëvendosje dhe deputeten Kadaj-Bujupi.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kërkoi lirimin e deputetes Kadaj-Bujupi ndërsa u bëri thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë, që “të mos shndërrohen në vegla të pushtetit duke zbatuar urdhëra politike të të korruptuarve dhe kriminelëve institucional: Mustafës, Thaçit dhe Veselit”.
Në reagimin e kësaj partie thuhet se “AAK së bashku me opozitën është e vendosur të mos lejojë kalimin e dy marrëveshjeve: Asociacionin dhe Demarkacionin, përkunder shantazheve të pushtetit të korruptuar dhe kriminal, i cili është vënë në tërësi në funksion kundër interesave të shtetit duke cenuar rendin kushtetues dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”.
Për gati dy muaj, partitë opozitare po pamundësojnë mbajtjen e seancave të parlamentit në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve të arritura në bisedimet me Serbinë në fund të muajit gusht, me të cilat komunave me shumicë serbe u ofrohet një shkallë e gjerë autonomie si dhe marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi.
Deputetët e opozitës hodhën në disa raste gaz lotsjellës në mjediset e parlamentit për të pamundesuar mbajtjen e seancave të tij.
Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtim të tensioneve politike ndërmjet koalicionit qeverisës dhe partive opozitare, ishin pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve që janë edhe kusht për afrimin e tyre me strukturat evropiane. Ato i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, e cila u nënshkrua me 27 tetor.
Komentet