Momente të forta tensioni sot në shumë qytete të Shqipërisë ku opozita ka kontrollin e bashkive. Mbështetës të saj janë grumbulluar pranë mjedisve ku janë vendosur Komisionet zonale të administrimit të zgjedhjeve (KZAZ), duke kërkuar ndërprejen e procesit. Situata ka kaluar në përballje me policinë në Kamëz dhe në Burrel, ku është tentuar hyrje në mjediset e KZAZ-ve. Mësohet se policia ka përdorur gazin lotsjellës për të shpërndarë mbështetësit e opozitës, të cilët megjithatë kanë mundur që më vonë të hyjnë brenda Pallatit të Sportit duke nxjerrë prej andej dhe shkatërruar materialet zgjedhore, të cilave ju vu flaka.
Drejtuesit e djathtë të Bashkive prej ditësh po këmbëngulin në lirimin e mjediseve të cilat janë vënë në dispozicion të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve (KQZ) për procesin e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit. Sipas të djathtëve, dekreti i Presidentit Ilir Meta për anullimin e 30 Qershorit duhet respektuar, e për pasojë nuk mund të ketë asnjë proces zgjedhor. Ndërkohë që KQZ e ka konsideruar të pavlefshëm vendimin e kreut të Shtetit dhe ka vijuar me përgatitjet e zgjedhjeve.
Tension të forta u rregjistruan dje dhe në Tropojë, ku mbështetësit e opozitës hynë brenda KZAZ-ës në qendër të qytetit. Ndërsa në Shkodër përplasjet me policinë përfunduan mbrëmjen e së martës me thyerjen e xhamave në një shkollë të qytetit dhe vënien zjarr në mjediset ku ndodheshin materialet zgjedhore të një prej KZAZ-ve të Shkodrës. Policia njoftoi sot se të paktën 13 persona janë arrestuar për ngjarjet e dhunshme dje në Tropojë dhe Shkodër.
Komentet