Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ndodhet në Hagë për t’u intervistuar nga Prokuroria e Posaçme, që është një nga dy dhomat e Gjykatës së Posaçme që do të trajtojë pretendimet për përfshirjen e ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.
Kjo është hera e dytë që zoti Haradinaj jep dorëheqje nga posti i kryeministrit. Ai dha dorëheqje nga ky post më 8 mars të vitit 2005 për t’u dorëzuar vullnetarisht në gjykatën për krime lufte ne hapësirat e ish Jugosllavisë, prokuroria e së cilës e akuzonte atë dhe dy bashkëluftëtarë të tij për krime lufte.
Procesi kundër zotit Haradinaj filloi më 5 mars të vitit 2007 dhe përfundoi në prill të vitit 2008 me pafajësinë e tij. Zoti Haradinaj u rikthye ne rigjykim të pjesshëm në korrik të vitit 2010, që ishte rasti i parë i atij lloji në veprimtarinë e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë.
Më 29 nëntor të vitit 2012 ai sërish u shpall i pafajshëm.
Të premten e kaluar ai paraqiti dorëheqjen e pakthyeshme, meqë, siç tha, nuk dëshironte të çonte në Hagë shefin e qeverisë.
Të martën para se të arrinte në kryeqytetin holandez, ai shkroi në rrjetet sociale se “si Ramush Haradinaj, qytetar i Republikës së Kosovës, i përgjigjem ftesës për intervistim nga Dhomat e Posaçme në Hagë. Tërësisht në të drejtën e Kosovës, i palëkundur për vendimet e mia jetësore dhe i patrazuar e ballëlartë. Kosova ka ecur përpara në rrugëtimin euro-atlantik dhe është më e fortë se kurrë, në rreshtin e paqes dhe miqësi të përhershme me SHBA-në. Kosova është e gatshme të dialogojë me Serbinë deri në arritjen e një marrëveshjeje finale ligjërisht obliguese, përfshi njohjen reciproke në kufijtë ekzistues. Por, tregun e japim vetëm për njohje…”.
Zoti Haradinaj refuzoi thirrjet dhe trysninë edhe të diplomatëve evropian e amerikan për pezullimin e tarifave me të cilat Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Beogradi sërish e ka përsëritur kërkesën për heqjen e tarifave si kusht për fillimin e bisedimeve, ndërsa ka theksuar se dorëheqja e zotit Haradinaj mund të zvarris edhe më tej procesin, meqë mund ta çojë Kosovën në zgjedhje të parakohshme.
Vet zoti Haradinja ka bërë thirrje për zgjedhje të reja dhe ka theksuar se partia e tij, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk do të jetë pjesë e asnjë ideje tjetër për daljen nga situata aktuale në Kosovë.
Edhe partitë tjera në pushtet, përfshirë Partinë Demokratike të Kosovës, pohojnë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja të cilët kryetari i kësaj partie, Kadri Veseli, i cilësoi të “pashmangshme”. Opozita pret që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të fillojë këshillimet për të caktuar datën e tyre.
Por, presidenti Thaçi, i cili tha shkurt në një njoftim fundjavën që lamë pas se do të veprojë bazuar në kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore, për të cilat qytetarët e Kosovës do të njoftohen me kohë, nuk ka bërë asnjë veprim dhe asnjë koment rreth kësaj çështjeje.
Heshtja ka nxitur spekulime për ndonjë përpjekje tjetër për të tejkaluar situatën, ndonëse duket shumë e vështirë duke pasur parasysh qëndrimet e partive politike.
Thirrja në Hagë e zotit Haradinaj ndodhi në të njëjtën kohë kur thirrje të tilla morën edhe ish zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, ish shefi i Shtabit të Përgjithshëm të kësaj ushtrie, Bislim Zyrapi, ish anëtari i këtij shtabi Sokol Bashota, ish shefi i një zonë operative të UÇK-së, Shukri Buja, por edhe pjesëtarë të tjerë të kësaj ushtrie.
Gjykata e Posaçme e cila me emrin dhomat e specializuara vepron në Hagë, me ligjet e Kosovës dhe me prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë, u miratua në fillim të muajit gusht të vitit 2015 nga parlamenti i Kosovës.
Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Martty, për përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.
Hetimet sikurse e dhe ngritja e gjykatës kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999 që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.
Komentet