Në Shqipëri, disa përgjime pjesë e dosjes hetimore për grupin e vëllezërve Avdylaj, të dyshuar për aktivitet në fushën e drogës, e të botuara gazetën gjermane Bild, kanë rikthyer dhe një herë temën e lidhjeve të zyrtarëve socialistë në Durrës me elementë të krimit dhe ndikimin e këtyre të fundit në fushatën zgjedhore të vitit 2017. Përgjimet vënë në dukje lidhjet direkte që Astrit Avdylaj, kreu i grupit, mbante me kryetarin e Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, por dhe me kandidatin aktual të Partisë socialiste për Bashkinë e Shijakut Elton Arbana, si dhe angazhimin e Avdylajt për të siguruar vota për Partinë socialiste dhe një prej kandidatëve të saj, deputetin aktual Ilir Ndraxhi
Pas publikimeve të përgjimeve të para, në mënyrë të përsëritur kryetari aktual i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka mohuar njohjen tij me drejtuesit e grupit të Avdulajve, duke deklaruar se gjatë një fushate zgedhore ai takohet me shumë njerëz. Në të njejten linjë, atij i ka dalë në mbrojtje dhe kryeministri Edi Rama, duke folur gjithashtu për kontakte rastësore gjatë aktiviteteve elektorale. Por publikimi nga gazeta gjermane Bild, i bisedave të përgjuara nga Prokuroria shqiptare, dëshmojnë se zoti Dako kishte shumë më tepër se një njohje rastësore me Astrit Avdulajn, madje dhe me një ish të dënuar për vrasje Vath Alla. Madje Avdulaj rezulton të ishte në dijeni dhe të takimeve që Dako zhvillonte me kryeministrin
Astrit Avdylaj: A të ka zënë gjumi mbrëmë mo vëlla, se ke takuar Ramën dje, keni ndejtur jeni kënaqur
Vangjush Dako: Ça bone
Astrit Avdylaj: Ça bëhet
Vangjush Dako: Mirë, mirë
Astrit Avdylaj: Nga je vëllai…
Vangjush Dako: Dëgjo
Astrit Avdylaj: Hë vëlla…
Vangjush Dako: Thuaj byrazerit që unë po iki në Ishëm tek ata çunat atje
Astrit Avdylaj: Jo pra tashi se do ta lemë një çik më vonë, se jam këtu me çunat unë (Vath Alla).
Vangjush Dako: Ku je ti?
Astrit Avdylaj: Këtej nga hipoteka me Anin (Ani Dyrmishi, drejtor në Durrës), Ani do vij të takoj një çik drejtorin apo…..?
Vangjush Dako: Ato Allat janë aty apo…?
Astrit Avdylaj: Po Vath Alla është këtu me mu drejtëpërdrejtë, e kam këtu live, përballë në tavolinë, po na dëgjon tashti.
Vangjush Dako: Epo mirë takohemi në Durrës atëherë.
Përgjimet zbulojnë se Avdulaj kishte kontakte të ngushta dhe me drejtuesë të tjerë socialistë dhe drejtues institucionesh. AI komunikon lirshëm me kryebashkiakun e Shijakut ndërsa koordinon me të një takim së bashku me zotin Dako dhe persona të tjerë, mes të cilëve dhe Ilir Ndraxhin, person që do të përfshihet në listat e kandidatëve të Durrësit dhe do të zgjidhet më pas deputet
Astrit Avdylaj: Nesër kemi një takim në orën 10 të mëngjesit…alo?
Kryebashkiaku i Shijakut: Po, po, të dëgjoj, po.
Astrit Avdylaj: Unë, ti, Gjushi, Liri, vllai i Lirit dhe Jupi. Do pim një kafe nesër në Durrës në orën 10:00. Prandaj të mora sot me një fjalë.
Kryebashkiaku i Shijakut: Atëhere, nesër në 10:00 do jemi 5 minuta te Pallati i Kulturës…. Pa merak pa merak.
Një tjetër përgjim tregon angazhimin direkt të Avdulajt për të mbledhur vota për kandidatin socialist, ndërsa flet me një votues
Astrit Avdyli: Rrofsh edhe ti. Të kam marrë për votën, e din vetë me një fjalë.
Votuesi: Ma the një dite tek shpija.
Astrit Avdyli: Që ta kesh të qartë, nuk duhet t’i thuash asnjërit, as Gon Dukës. Ne jena për PS-në, për Ilir Ndraxhin.
Ndërsa në bisedë me vëllanë e kandidatit socialist, Avdylaj flet për angazhimin e tij për një fitore 10 me 0 në zgjedhje, aq “sa të habitet dhe ail art”
Në një rast tjetër Astrit Avdylaj, telefonon Ivo Doçin, drejtor i kompanisë së ujësjellësit dhe kanalizimeve në qytetin e Durrësit, të cilit i kërkon listën e punonjësve që mund të jenë kundër kandidatëve socialist, të cilëve sipas tij u duhet bërë e qartë se mund të hiqen nga puna
Astrit Avdylaj: I du të gjithë ata emra që mund të kesh kundra.
Drejtor i Ujësjellësit në Durrës: I kam nda unë, i ke të ndarë komplet.
Astrit Avdylaj: A ashtu, këtë kërkoj unë.
Drejtor i Ujësjellësit në Durrës: I kam bërë para unë, kshu që i ke gati
Astrit Avdylaj: Eee ashtu. Kur të kesh kohë, se duhet me i thirr atyre që ti tundim nga një çik.
Drejtor i Ujësjellësit në Durrës: E kuptoj, s’bëhet fjalë fare.
Astrit Avdylaj: O te puna, o të na japin votën, ose të ikin te shpija.
Drejtor i Ujësjellësit në Durrës: As bëhet fjalë fare.
Avdylaj duket qartë se ka një ndikim të fortë te drejtuesit socialist lokal, ndërsa i telefonon me tone urdhëruese kryetarit socialist të Shijakut duke i kërkuar të ndërhyjë pranë drejtorit të Inspektoriatit të Ndërtimit në mënyrë që ai të anullonte një gjobë vendosur një biznesi.
Astrit Avdylaj: Po merre o vlla se ska qenë aty Vangjushi, ka shku ka vënë gjoba në fermë të Sukthit. Merre o vlla, thuj o ….. ke shku aty ke vënë gjoba ka 5 milion. Vangjushi s’është aty është në Zvicër ne Edin
Elton Arbana: Ke nai emër konkret? Kujt i ka von
Astrit Avdylaj: Kujt konkret? Thuj ke vonë gjoba në Fermë, ktheje gjobë. Se nuk është aty Vangjushi. Je tu bo gabim thuj or pis.
Elton Arbana: E mor unë tani direkt. E more vesh që më hoqën mua para na 1 javë.
Astrit Avdylaj: Unë se di kur kush si qysh tek
Elton Arbana: Më hoqën isha unë tek INUK, bëra dhe unë si këto edhe më hoqën fare.
Astrit Avdylaj: Nuk e di unë, po merre atë thuaj se Vangjushi është në Zvicër me Edi Ramën dhe s’du me e marr vetë.
Në një regim në Facebook, kryetari demokrat Lulzim Basha u shpreh se përgjimet e publikuara “janë radiografia e pushtetit mafioz dhe ilegjitim të Edi Ramës. Bisedat tregojnë fuqinë e krimit të organizuar, Për të ndikuar në emërimin e deputetëve dhe të kryebashkiakëve të PS; Për të blerë votat për llogari të Edi Ramës sipas objektivit të caktuar prej tij; Për të urdhëruar administratën publike të identifikojë kundërshtarët politikë të Edi Ramës, që t’i kërëcënojë për votën e tyre; Për të marrë favore shtetërore në kundërshtim me ligjin; Për t’u informuar për axhendën politike brenda dhe jashtë vendit të kryeministrit”.
Sipas zotit Basha “përgjimet që mbahen peng nga prokuroria e kontrolluar prej Edi Ramës, janë konfirmim i pakundërshtueshëm se parlamenti i dalë nga zgjedhjet e vitit 2017 është produkt i krimit të organizuar, Qeveria e Edi Ramës është ilegjitime dhe se me Edi Ramën nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme”, shkruan zoti Basha.
Komentet