Me shumicë votash, parlamenti i Kosovës miratoi tri ligje: atë për ministrinë e Mbrojtjes, për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe ligjin për shërbimin në këtë forcë, duke i hapur rrugë procesit të themelimit të ushtrisë së saj.
Forca e Sigurisë së Kosovës e cila do të vazhdojë më emrin e njëjtë, pritet të ketë 5 mijë trupa aktiv dhe 3 mijë rezervë, të armatosur lehtë.
Votimi i sotëm u cilësua historik nga përfaqësuesit politik të Kosovës por edhe ambasadori amerikan, Philip Kosnett i cili pak para votimit tha se “se siguria e një vendi varet nga cilësia e marrëdhënieve të tij të sigurisë, marrëdhëniet paqësore dhe bashkërisht të dobishme me fqinjët e saj, por edhe nga forca dhe profesionalizmi i forcave të saj të armatosura.
Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe i dhanë mbështetje votimit të sotëm, ndërsa javën e kaluar, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se Kosova “do të përballet me pasoja serioze nëse vazhdon me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të saj”, ndërsa theksoi se “ky proces po ndodhë në një “periudhë të papërshtatshme”.
Votimi nxitit zemërimin e Beogradit, i cili shfaqë frikën se qëllim kryesor i ushtrisë së Kosovës është që “të marr veriun e Kosovës me shumicë serbe dhe të dëbojë serbët prej andej”.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, është zhvendosur në afërsi të kufirit me Kosovën për të ndjekur siç thuhet, zhvillimet në Kosovë.
Prishtina i ka siguruar serbët e Kosovës se ushtria nuk është e drejtuar kundër asnjë qytetari të saj dhe se pohimet tjera janë “propagandë e qëllimshme nga ana e Serbisë”.
Autoritetet në Kosovë pohojnë se krijimi i ushtrisë do të jetë një proces që do të zgjasë 10 vjet dhe nuk do të zëvendësojë forcat e NATO-s që vazhdojnë të kenë rreth mijë trupa, disa qindra prej të cilëve janë amerikanë.
NATO-ja u vendos në Kosovë në vitin 1999 në përfundim të ndërhyrjes së saj ajrore për t’u dhënë fund mizorive të forcave serbe në Kosovë.
Nëntë vjet pas ndërhyrjes, në shkurt të vitit 2008, Kosova shpalli pavarësinë e saj më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian.
Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e saj por është përfshirë në një proces normalizimi marrëdhëniesh me Kosovës si kusht për integrimet evropiane. Por bisedimet për këtë normalizim kanë ngecur dhe një krizë e re i ka përfshirë ato pas vendimit të Kosovës për t’u vendosur një tarifë prej 100 për qind mallrave serbe si kundërpërgjigje ndaj siç thuhet, fushatës agresive të Serbisë kundër shtetësisë së Kosovës.
Komentet