Kosova nuk arriti të sigurojë votat e mjaftueshme për t’u bërë anëtare e organizatës ndërkombëtare të policisë.
Në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit,që po mbahet në Dubai, kërkesa e saj u hodh dy herë radhazi në votim.
Herën e parë në votimin e hapur, nga 156 vende që morën pjesë në votim, 76 mbështetën Kosovën, 56 ishin kundër ndërsa 22 abstenuan.
Në raundin e dytë të votimit që ishte i fshehtë, Kosova mori mbështetjen e 68 vendeve, kundër ishin 51, ndërsa abstenuan 16 nga 135 vendet sa morën pjesë në votim.
An application for membership by Kosovo was rejected by the INTERPOL General Assembly. #INTERPOLGA
— INTERPOL (@INTERPOL_HQ) November 20, 2018
Zyrtarët serbë që ndodhen në Dubai e cilësuan fitore dështimin e Kosovës, kundër anëtarësimit të së cilës ata kishin shtuar përpjekjet tashmë një kohë të gjatë.
Reagime në Prishtinë
Qeveria e Kosovës, nëpërmjet një komunikate shprehu zhgënjimin e saj të thellë që, sic thuhet, “Kosovës i është pamundësuar të jetë pjesë e familjes botërore të Policisë, që lufton krimin transnacional. Fushata e egër e Republikës së Serbisë dëshmoi edhe njëherë karakterin e saj kundër Kosovës dhe kundër idesë për normalizim të raporteve me Republikën e Kosovës, aq më parë, kur ky anëtarësim ishte teknik dhe jo politik. Votimi kundër pranimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare i bën shërbim vetëm krimit dhe kriminelëve dhe askush nuk do të duhej t’i gëzohej këtij fakti”, thuhet në reagimin e qeverisë së Kosovës.
Një vit më parë, Kosova hoqi dorë nga kërkesa për anëtarësim, për shkak të mungesës së votave të mjaftueshme, ndërsa sivjet autoritetet në Prishtinë besonin se mund të siguronin përfshirjen në këtë organizatë, që sipas tyre do të ndihmonte forcimin e sigurisë, të luftës kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit ndërkombëtar.
Serbia kishte ngulur këmbë se hyrja e Kosovës në Interpol “do të paraqiste dhunë ligjore”.
Ambasada amerikane: Humbje për të gjithë
Ambasada amerikanë në Prishtinë e cilësoi humbje për të gjithë dështimin për anëtarësimin e Kosovës në Interpol.
Në një komunikatë të ambasadës amerikane thuhet se “Policia e Kosovës është plotësisht e integruar dhe institucion i aftësuar dhe i dëshmuar në luftën kundër terroristëve ndërkombëtarë, krimeve kibernetike, narkotikëve, armëve dhe rrjeteve të trafikut me njerëz. Shumica e vendeve e kanë të qartë këtë dhe e mbështetën kërkesën e Kosovës për t’u anëtarësuar në Interpol, përballë fushatës së udhëhequr nga Serbia për të ushtruar trysni kundër kërkesës së Kosovës. Mbështetja e anëtarësimit të Kosovës në Interpol nuk kishte të bënte me njohjen e pavarësisë së saj, por më forcimin e bashkëpunimit të forcave të rendit dhe tejkalimin e boshllëkut të sigurisë në në Ballkan. Me këtë rezultat, të gjithë ne humbim”.
Extremely disappointed at the outcome of the #INTERPOL vote. It was always about better security in the Balkans, Europe, and the world. With this outcome, we all lose. #Kosovo should remain focused on its European future and coordinated with its allies. https://t.co/fG1fiMGmU6
— Chargé d’Affaires Colleen Hyland (@USAmbKosovo) November 20, 2018
Në komunikatë, ambasada amerikane thekson mbështetjen e plotë ndaj bisedimeve Kosovë – Serbi të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
“Tash më shumë se kurrë, të dyja pakët duhet të shtojnë përpjekjet e tyre për të arritur një marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, që është rruga e vetme për të dyja palët që të cojnë përpara aspiratat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Të dyja vendet, Serbia dhe Kosova duhet ta kenë të qartë se rruga e tyre drejt ardhmërisë evropiane është normalizimi. Së këndejmi u bëjmë thirrje që të shmangin provokimet dhe të punojnë së bashku për një marrëveshje”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.
Beogradi është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, që është kusht për integrimet evropiane, ndonëse kundërshton pavarësinë e saj që u shpall në shkurt të vitit me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian.
Komentet