Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ritheksoi të hënën se vendi ka nevojë për një qeveri të stabilitetit, unitetit dhe të jetë gjithëpërfshirëse.
Ai i bëri këto komente nëpërmjet një komunikate pas takimit me diplomatët e pesë vendeve kryesore perëndimore dhe shefen e zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë me të cilët, siç thuhet, i informoi për hapat që do t’i ndërmarrë pas shkarkimit të qeverisë së Kosovës javën e kaluar.
Në komunikatë ai citohet të ketë thënë se do të marrë hapa gjithnjë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, me ligjet e saj dhe detyrat e tij si president i Kosovës dhe se gjatë javës do të ketë këshillime me të gjitha partitë parlamentare, për t’i marrë sugjerimet dhe këshillat e tyre se cilën rrugë duhet ndjekur.
Sipas tij Kosova ka nevojë për një qeveri që do të sjellë stabilitet, unitet sa më të madh politik dhe qytetar, që do të jetë gjithëpërfshirëse dhe e orientimit të qartë euroatlantik, thuhet në komunikatë.
Paralajmërimet e tij për këshillime me partitë politike për formimin e qeverisë së re, janë kundërshtuar nga lëvizja Vetëvendosje e cila i sheh ato si shenja të “përpjekjeve të tij jo kushtetuese”.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se para se të kërkojë emrin e kandidatit nga Lëvizja Vetëvendosje, presidenti duhet të mendojë për datën e zgjedhjeve pas pandemisë së coronavirusit.
Në një postim më të gjatë në rrjetet sociale ai shkroi “Porsa të mbarojë pandemia Covid-19 – të cilën duhet ta luftojmë të gjithë bashkë duke mbështetur dhe ndihmuar e jo duke penguar a sabotuar qeverinë në detyrë – ne duhet të zbresim te populli si burim sovraniteti, për zgjedhje të reja, të lira e demokratike”.
Më 25 mars, parlamenti i Kosovës miratoi mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë, i cili u hodh nga Lidhja Demokratike, pjesë e koalicionit qeverisës.
Kushtetuta e Kosovës parasheh që “nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”.
Por, po ashtu sipas Kushtetutës, “Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë”.
Presidenti Thaçi, i cili javën e kaluar tha se do të përqendrohet që mos të lejojë që vendi të shkojë në zgjedhje dhe të shpërndahet parlamenti, po i referohet shpjegimit të parë të Kushtetutës kur “posti i kryeministrit mbetet i lire”.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti shkroi se “Neni më i rëndësishëm i Kushtetutës së Republikës së Kosovës për ecjen përpara është ai 82.2: “Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë”. Këtu, folja jokalimtare ‘mund’ nuk është ajo e një mundësie subjektive të zgjedhjes, por e lejes për të proceduar nga një autoritet. Nuk është e rastësishme që në versionin në anglisht të Kushtetutës sonë, fjala ‘mund’ nuk është ‘can’ por ‘may’. Së këndejmi, neni 82.2 është dispozitë e lejimit dhe jo e përzgjedhjes”, shkroi ai, duke ju referuar faktit se në vitin 2010 dhe në vitin 2017 qeveritë në Kosovë u rrëzuan me mocion mosbesimi dhe në të dyja rastet u organizuan zgjedhje të jashtëzakonshme.
Komentet