Nga Fadil Paçrami
Pjesa e dhjetë
Memorie.al / Ç’është burgu? Është vendi ku mbahen ata që janë dënuar me heqje të lirisë, do të thoshim duke lexuar çdo fjalor. Por kaq është pak. Burgu dhe liria – dy të kundërta. Më parë: ç’është liria? Me pak fjalë: të jesh i lirë do të thotë të bësh atë që do, të mendosh e të veprosh sipas dëshirës në ushtrimin e përmbushjen e lirive e të drejtave të tua, si njeri e si shtetas, por gjithmonë pa cënuar e dhunuar të tjerët. Përsërit: të mendosh e të veprosh. Fjala është për liritë demokratike, nga ajo e fjalës, e shtypit, e tubimit dhe e organizimit në partira e shoqata të ndryshme, sigurimin e kushteve, ku të gjejnë shprehje e konkretizim idetë, kërkesat e vullnetet njerëzore, nga ato të planit biologjik-lidhur me vetë qenien, tek ato të planit social, lidhur me mënyrat e të jetuarit.
Kaluan kështu mbi 15 vjet. Megjithëse dihej që akuzat si qenë ndërtuar, nuk qëndronin, që procesi hetimor dhe ai gjyqësor, vërtetuan të kundërtën, që u shkelën ligjet e të gjitha procedurat ligjore, që koha – kjo gjykatëse e drejtë, e rreptë dhe e pagabueshme, foli fort, nga qe dhe si qe e vërteta, që ranë ligje edhe nene të Kushtetutës, që u tundën themelet e tiranisë dhe u përmbysën shumë dogma e tabu nga e shkuara- Perënditë e Olimpit, s’deshën t’ia dinin e, bënë veshin të shurdhër, nuk luajtën nga bëmat e paligjësitë e tyre dhe unë vazhdoj të ndodhem në burg, i dënuar pa ligje, i fyer me emërtime gjithfarësh, i moshuar si krijues, por jo i nënshtruar e i dëshpëruar, përkundrazi akuzues e krenar.
Asnjëherë nuk e humba besimin, se e drejta qe nga ana ime dhe se e vërteta, do të dalë në shesh një ditë. Pra edhe gjeta forca, vullnet e gjithë ç’më duhej, për t’i bërë ballë së keqes dhe mos i’u ndarë punës krijuese, si dhe për t’i shërbyer edhe në këto kushte vendit. Për këtë, le të flasin dramat që kam shkruar këtu në burg, të cilat i përshkojnë idetë e lirisë dhe ato kundër tiranisë aq zhuritëse, për cilindo, po në mënyrë të veçantë, ata që ditë e natë, për shumë vjet, u vranë sytë hekurat e kryqëzuar të dhunës, padrejtësisë e të shtypjes.
Fundja, derisa kam patur mendime, të shprehura ose të pashprehura këto hapur, në mbledhje partie e të tjera, si dhe në krijimtarinë letrare, me prirje demokratike, tolerancë e debati (paçka se në mënyrë spekulative e mashtruese u quajtën liberale), që binin ndesh me ato diktatoriale e centralizuese të tejskajshme, me mohimin e nëpërkëmbjen e të drejtave e të lirive të njeriut, izolimin nga bota e mbylljen brenda guaskës e telave me gjemba, burokratizimin partiak e shtetëror, ndrydhjen e mendimit pluralist e të krijimtarisë letrare, me prirje demokratike, tolerance e debate, vihet pyetja: pse mbahem në burg akoma, kur të gjitha këto e shumë të tjera, quhen tashmë si gabime fatale, që e çuan vendin atje ku ndodhet sot, si mund të pajtohet kjo me kushtet e pluralizmit edhe partiak e me zhvillimet demokratike?!
Më ka ndodhur kohët e fundit të lexoj në gazetat dhe të dëgjoj në emisionet radiotelevizive, se të burgosurit politikë, meqë kanë grumbulluar shumë mllefe, janë të prirur të shpërthejnë në eksese edhe hakmarrëse, si dhe të bëhen thirrje, për të mbyllur arkivat e së shkuarës (pra edhe dosjet e proceseve gjyqësore- fjalën e kam kryesisht për këto), për 50 ose më shumë vjet, për hir gjoja të unitetit kombëtar, sado që disa fjalë si; “pajtimi kombëtar”, i kanë zët t’i zënë në gojë. Më lejoni të shpreh mendimin tim të hapur, për të dyja këto çështje, që s’janë veç shfaqje të asaj psikologjie demoniake, të atyre forcave që i matin edhe të tjerët me metrin e tyre dhe i ka zënë frika, për të këqijat e krimet që kanë bërë. Rrini të qetë, zotërinj.
Veç boll, mos bëni të tjera.
– Dihet sa shumë është folur e shkruar, me ç’gjuhë të hidhur e mashtruese dhe nga sa shumë persona, duke filluar nga udhëheqësit kryesorë partiakë e shtetërorë, e deri te shkrimtarë e artistë, punonjës shkencorë, gazetarë e të tjerë, prej më se dhjetë vjetësh, për “herezinë” time, aq sa s’mbahet mend ndonjëherë. E megjithatë ja po deklaroj: Gjithë sa janë gjallë nga këta, le të merren vesh me ndërgjegjet e tyre, nuk do të ngacmoj asnjë, aq më pak më shkon mendja për hakmarrje.
Mjaftohem me një deklaratë publike nga Gjykata e Lartë, se dënimi ka qenë i padrejtë dhe kjo të shpallet, siç thotë edhe ligji, në një mbledhje, bie fjala me shkrimtarët e artistët. Përsa i përket Plenumit të IV-të të Komitetit Qendror të Partisë, ku zë fill kjo e keqe, tashmë atë e ka hedhur poshtë koha, ç’ka është bërë e qartë për të gjithë.
Nuk më bëhet vonë, as dua t’ia di, por them se është në të mirën e vetë, PPSH-së, të mos e mbajë atë barrë që i solli aq të këqija dhe e pengon të ecë, siç i shkruaja edhe në një letër të fundit, dërguar Ramiz Alisë, në nëntorin e vitit që shkoi, ku i bëja dy pyetje, duke nisur me: pse nuk u shkua në mbledhjen e KSBE-së, pse nuk njihen e thuhen hapur gabimet e bëra, pse nuk pranohet pluralizmi partiak, etj., deri pse mbahem në burg edhe sot; a mund të hidhen hapat që priten, me trashëgimi e mbetje të tilla, nga një e shkuar me pa ligjësitë prej të cilave duam të shkëputemi; krijimin e shtetit juridik e, zhvillimin e proceseve demokratike?!
Por kjo është puna e tyre, le të bëjnë si të duan. Proceset gjyqësore politike, për çështje të ndërgjegjes e të mendimit, theksoj ato të viteve ’70-të, janë nga faqet më të zeza të historisë së këtij kombi, arbitraritet e paligjësitë e periudhës diktatoriale (pa harruar edhe ato para tyre) dhe numri i madh i familjeve, me nëna e baballarë, bij e bija, vëllezër e motra, nëpër internime, e kanë rënduar e i kanë sjellë shumë dëme vendit. Ajo që u bë keq, duhet ndrequr e vënë në vend, kjo kërkohet.
Dhe kjo është krejt e drejtë dhe e domosdoshme. S’është fjala për t’u marrë me autorët e tyre. Janë pra, dy gjëra që nuk duhen ngatërruar. Çdo vendim, që nuk do ta bënte këtë, i kujtdo qoftë, edhe i vetë Kuvendit Popullor, si organi më i lartë ligjvënës, do të ishte i padrejtë dhe i papranueshëm, një provë qëndrimi të pasinqertë e mashtruese, që synon të frenojë proceset e demokratizimit të vendit.
Dhe e fundit: se ç’mund të bëhet e çdo të bëni ju, si Forum i të Drejtave të Njeriut e Lirive Themelore, për sa ju shkruajta më lart, nuk e di dhe përmbahem të shtroj ndonjë kërkesë, sepse nuk dua – nuk e kam bërë këtë, as gjatë hetuesisë e procesit gjyqësor, të ngatërroj dhe t’i vë të tjerët, cilëtdo qofshin, në vështirësi, e detyrime çfarëdo. Kjo është e para.
E dyta: ju lë dorë të lire, të bëni për sa ju shkruajta gjithë çdo të quhet e drejtë e, në të mirë të çështjes së proceseve të demokratizimit, të jetës së vendit.
Shtoj se si person, kur do të dal nga ky varr ku ndodhem, kam në mend të qëndroj i pavarur, të jem një zë kurdoherë në mbrojtje të të drejtave e lirive të njeriut, kurdo e për cilindo. Në këtë kuptim, shumë gjëra më afrojnë me forumin tuaj, si një organizëm i thirrur, të luajë një rol me vlera të çmuara, në interes të vendit e të zhvillimeve demokratike, sot e në të ardhmen.
Kosove e Madhe, 6.3.1991
***
Marrin:
Ramiz Alia, Sekretar i parë i Komitetit Qendror të PPSH-së
Sali Berisha, Kryetar i Komisionit Drejtues të PD-sē
Sabri Godo, Kryetar i Komisionit Nismëtar të PR-së
Po ju drejtohem të treve së bashku, duke ju dërguar këtë letër, veç e veç, me të njëjtin tekst.
Po qartësoj që në fillim: do të përqendrohem e kufizohem vetëm në një çështje – lidhur me pas 31 marsit.
Ju lutem më kuptoni drejt, ju flas:
– Thjesht si një shtetas cilido.
– Si një që diç i dhëmb dhe e shqetëson, si një që nuk niset, në rastin e dhënë, nga një prapamendim as keqdashës as pretendues, si një që gjen forca, të hedhë prapa shpine, gjithë sa i kanë ndodhur dhe shikon përpara,
– Edhe si një krijues letrar.
Mbase ajo për ç’ka mora pendën t’ju shkruaj, është menduar (fushatat elektorale, nuk i zbulojnë të gjitha katërtat, është e njohur kjo), si në mundësi qoftë edhe e fundit, pra nuk them asgjë të veçantë. Ashtu qoftë! Me që është e nevojshme kjo hyrje, dhe më falni nëse e tjerra pak, por e quajta me dobi, duke patur parasysh, vendodhjet: ju, në majat e Olimpit, unë në rrethin e nëntë të ferrit dantesk.
Po filloj:
Kam ndjekur, me sa ka qenë e mundur, dhe përkrah proceset e demokratizimit të vendit. Kam bindjen se ato tashmë, janë të pakthyeshme e të pandalshme. Jam gjithashtu i vetëdijshëm, se rruga e nisur s’është e lehtë, i ndërgjegjshëm edhe për gjendjen e vështirë, e plot turbullira që po kalojmë.
Nuk po hyj në vlerësime e konsiderata, për ç’është bërë, sa e si po bëhet, sepse nuk është rasti. Nuk dua edhe të krijoj keqkuptime, për anësi e preference (jo se nuk kam), edhe se nuk do t’i shërbenin qëllimit të kësaj letre.
Konkretisht:
– Zgjedhjet e 31 Marsit, do të na japin, pas kaq dekadash, një Kuvend Popullor (parlament) pluralist dhe kjo do të jetë fitorja më e madhe e të gjithëve.
– Zgjedhjet e 31 Marsit do t’i japin më shumë ose më pak vota e vende në parlament njërës ose tjetrës parti politike, pra do të ketë edhe fitore ose jo të pjesshme-partiake.
– Mbi këto baza (po vij të çështja për të cilën fola që në krye, lidhur me pas 31 Marsit), pse të mos kemi edhe një qeveri pluraliste multipartiake ose koalicioni, siç quhet, tani në fillim – për një kohë (sa, atë do e thonë zhvillimet e ardhshme). Në kushtet e sotme, kur duhen bashkuar të gjitha forcat, për të dalë nga gjendja ku ndodhemi, përmbajtur konfliktet e ashpra sociale dhe përshpejtuar hapat e ecjes përpara drejt Evropës, më duket me dobi, se vendi ka nevojë për këtë, e kërkon, i duhet.
Po përpiqem të argumentoj:
– Cilado qoftë partia, që do të fitojë shumicën e vendeve në parlament, do ta ketë vështirë të shërojë e vetme, plagët e rënda të sotme dhe ta çojë përpara vendin me ritmet që kërkohen, për të dalë nga gjendja, në të cilën ndodhemi. – Në kushtet e një qeverie njëpartiake, cilado qoftë ajo, lufta politike me eksese, përdorime të forcës, greva, manifestime masive e të tjera, do të vazhdojë dhe nuk dihet ç’forma e përmasa mund të marrë më tej. Pra destabilizimi, mund të thellohet.
– Nëse ajo do të jetë Partia e Punës, me si kanë rrjedhur ngjarjet, nuk do të mund ta drejtojë më vendin e vetme, sepse ka nevojë të ndryshojë mendësi e praktika pune, të njohë e të ndreqë gabimet e bëra, të qartësojë e kristalizojë programin e saj të reformuar e, të tjera, për ç’ka i janë të domosdoshëm, dialogu e toleranca edhe në gjirin e qeverisë.
– Nëse ajo do të jetë Partia Demokratike ose, Partia Republikane (qoftë edhe në koalicion dypalësh, siç kam patur rast të lexoj), prapë edhe këto, nuk do të mund ta drejtojnë vendin të vetme, sepse kanë nevojë t’i qartësojnë e kristalizojnë programet e tyre, të fitojnë eksperiencë qeverisjeje dhe të rinovojnë aparatin shtetëror, që në gjendjen e sotme, me mendësi e praktika pune burokratike, do t’u kundërvihet dhe do i pengojë (Që tani ky fenomen po duket, me shkrehjen e administratës).
Vetëkuptohet:
– Kryeministri, do të jetë i asaj partie që do të ketë fituar shumicën edhe mjaft nga ministrat, do të jenë të saj. Pro do të ketë nën-kryeministra e ministra edhe nga partitë e tjera. Madje edhe të pavarur. Në të gjitha rastet, qeveria të përbëhet doemos nga njerëz të aftë, sipas profileve e të rinj të moshës më vitale, që kanë fituar ose do të fitojnë besimin e, autoritetin e duhur.
– Që lufta politike do të vazhdojë ashtu si në parlament edhe në qeveri, edhe jashtë tyre me shtyp, për fitoren dhe vënien në jetë të programeve partiake në tërësi dhe çështje të veçanta, kjo dihet, por në kushtet e me mjetet që garantojnë republika parlamentare, kushtetuta, parlamenti e qeveria multipartiake, edhe shteti juridik.
Ka precedentë që flasin për këtë:
– Pas Luftës së Dytë Botërore, siç dihet, kur shumë vende të Evropës, u ndodhën para vështirësive të mëdha ekonomike dhe krizash shpirtërore, me përçarje të brendshme, si Franca e Italia, krijuan qeveri koalicioni (multikolore, siç u quajtën), me pjesëmarrje nga partitë kryesore të kohës, veç degolistëve e demokristianëve, edhe komunistë e socialistë e tjerë. Sa zgjatën? Për një kohë sigurisht. Ç’bënë? Kapërcyen vështirësitë e para.
-Kështu ndodhi deri diku edhe në disa nga vendet e Lindjes, ku në qeveritë e para, hynë edhe nga partitë socialiste, agrare, etj. Madje, edhe në vendin tonë, fill pas Çlirimit, në qeveri bënë pjesë veç komunistëve, edhe të tjerë pa parti, me pikëpamje të ndryshme (parti politike të tjera s’pati atëhere). Pse u bë kjo? Nga kushtet e vështira, ndasitë që kishte në popull, nevojës për njerëz të aftë, e specialist, etj. A u bë mirë? Pa dyshim. Nuk po flas për si u veprua, e çfarë ndodhi më pas.
Ka këtu një kusht, që duhet theksuar: domosdoja e respektit të ndërsjellë – duke njohur dobinë e përgjithshme, në të mirë të Atdheut, të njihen e respektohen edhe interesat e palëve. Sot në botë, kjo është bërë një si normë në koalicionet, në marrëdhëniet ekonomike e kudo, në të mirën e përgjithshme, të paqes, stabilitetit e zhvillimeve në tërësi, por edhe në përfitim të palëve. Kërkohet pra, një qëndrim serioz, në raporte tolerance; pabesitë dhe hilerat nuk shkojnë, askush të mos kujtojë, se nuk merren vesh ato sot dhe se mund t’ua hedhësh të tjerëve.
Përfundimisht:
– Shpreha një mendim, kaq.
– Mund të jetë kjo një alternativë – ia vlen të shikohet.
– E mira e madhe e vendit, mbi ato të veçanta partiake.
U mundova të jem i qartë, konkret e korrekt, nuk e di sa ia arrita.
Kosovë e Madhe, 11.3.1991
SFIDË
Po, kjo qe e vetmja mundësi reagimi, në ato kushte që u ndodha, nga koha kur filloi odisea, për të cilën fola: së pari në parti, ku për shpjegime, nuk deshën të dinin; më pas në hetuesi e në gjyq, ku për mbrojtje, as që bëhej fjalë, se nuk kishte ligje; edhe në burg, ku qe menduar për një izolim të plotë e, të më mbyllej goja përfundimisht.
Por si në të dy të parat, edhe në të tretën, zgjodha sfidën. Letrat nga burgu që radhita më sipër, për atë flasin. Si flasin edhe për bindjet, të cilave u përmbahesha, besimin se një ditë e drejta do të dilte, si dhe aspiratën për një të ardhme tjetër demokratike të vendit. Sigurisht nuk qe e lehtë, por…!
- Sado që e dija se gjithçka ndodhi me mua, ishte vepër e Enver Hoxhës;
– Sado që isha i bindur, se edhe dënimi me 25 vjet burg, qe dhënë jo nga gjyqi, por nga ai;
– Sado që mund të them, se e njihja nga afër portretin e tij, si një personazh i tipit të Rikardit të III-të, shekspirian;
– Sado që nuk ushqeja iluzione, se mund te kthente rruge, se këtë e kishte treguar prej vitesh;
– Sado që e dija edhe se hakmarrja e tij, nuk njihte kufi, sa më i fuqishëm bëhej edhe më shumë; prapë mendova, të mos hesht, edhe në kushtet e burgut.
Zërat që arrinin deri atje, – në qelitë e ferrit të Burrelit, për krizat e tij, si infarkti i vjeshtës së ‘73-së dhe neurozat me halucinacione e turbullira, që vinin duke iu shtuar, në vitet e mëvonshme, më nxitën edhe më shumë të këmbëngulja, në denoncimin e të pavërtetave, akuzave, intrigave dhe gjithë si qe vepruar me mua, t’i drejtohem për këto edhe atij vetë, sa qe gjallë.
Nënshtrimin dhe heshtjen pat dashur ai, që në fillim, nga të dilte: se kishte të drejtë si përherë, se liberalizmi, qe vërtetë një rrezik për vendin në atë kohë, se politika e mbylljes dhe e izolimit nga bota, ishte rruga që duhej ndjekur, se masat shtrënguese të mëtejshme, qenë të domosdoshme. Nuk i vajta në atë shteg, pra edhe zemërata e tij, mori ato përmasa, jo vetëm për gjithë sa më ndodhën, por siç del edhe nga trajtimi që i bën çështjes, duke iu rikthyer disa herë në fjalimet e shkrimet e botuara, në veprat shumëvëllimëshe të tij.
- Pas vdekjes se Enver Hoxhës, ndërmora një denoncim edhe më të gjerë kryesisht të dhunimeve antiligjore, dënimeve të pabazuara në ligj me burg e internime, shkeljeve të procedurave dhe interpretimeve arbitrare të ligjeve në fuqi, veprimeve jashtëligjore të organizmave shtetërore, etj. E fillova me hedhjen poshtë të vendimit gjyqësor, duke kërkuar mbrojtje të ligjshmërisë, duke iu drejtuar se pari Gjykatës së Lartë, më pas edhe Presidiumit të Kuvendit Popullor (shih tekstin e botuar më lart). Rezultati?
Sado që theksoja se përgjigjen e prisja tani nga organi më i lartë i shtetit, pas ca kohësh, më erdhi kjo letër nga Kryetari i Gjykatës së Lartë Aranit Çela, ku tekstualisht thuhej: “Shqyrtuam çështjen tuaj, e rezulton se vendimi i gjykatës me të cilën jeni dënuar për krimet e parashikuara, nga Nenet 72 e 73/2 të Kodit Penal, është i bazuar. Fajësia juaj për këto krime, është vërtetuar me prova bindëse, prandaj nuk ka vend për t’u bërë kërkesë, për mbrojtje të ligjshmërisë, kundër vendimit të gjykatës”.
Është e pamundur që Presidenti Ramiz Alia, të mos ishte njoftuar për këtë. Asgjë, pra, s’kishte ndryshuar, as kish në mend, vazhdohej në rrugën e shkeljes së ligjeve dhe të krimit, si më parë. Në gusht të ’91-së, pasi dola nga burgu, iu drejtova po me të njëjtën kërkesë dhe pak a shumë, të njëjtin tekst, përsëri Gjykatës së Lartë. Ngulja këmbë prapë, për hedhjen poshtë të vendimit të gjyqit, si jashtëligjor. Çështja kësaj radhe, u pa me përgjegjësi (diçka kishte nisur drejt ndryshimeve dhe ishte në proces). Kështu që u hodh në Plenumin e Gjykatës së Lartë për shqyrtim, si; “Kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë”.
Në raportin që u paraqit me firmën e vetë kryetarit të Gjykatës së Lartë të kësaj kohe, Kleanthi Koçi, thuhet: “Me vendim Nr.2, datë 31.3.1977, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, është vendosur deklarimi fajtor i të gjykuarit Fadil Paçrami, për krimet e sabotimit dhe agjitacionit e propagandës dhe në bazë të neneve 72 dhe 73/2 të Kodit Penal, e ka dënuar përfundimisht me 25 vjet heqje të lirisë. Memorie.al