Këtë vit akademik, kremton 80 vjetorin e lindjes. Shkolla e muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë ka organizuar dy manifestime mbi krijimtarinë e kompozitorit.
Në tribunën muzikologjike u mbajt ligjëratë me temën: ”Zeqirja Ballata, personaliteti dhe gjuha muzikore në veprat pianistike”, nga Dr. Indira Çipa. Ndërsa nxënës të shkollës së muzikës në Prishtinë, mbajtën koncert me këngë korale e vepra instrumentale të luajtura nga artistët e rinjë.
Dr. Çipa në fjalën e saj u shpreh se Ballata shquhet si kompozitor i veçantë i muzikës bashkëkohore. Veprat e tij janë shfaqur, pothuajse në tërë botën dhe janë cilësuar si arritje dhe kontribut dhënë jetës muzikore në përgjithësi.
“I falënderohem përkushtimit të profesorit, energjisë krijuese dhe personalitetit intelektual, vullnetit që të jetë i qëndrueshëm në krijimtarinë e tij, që së bashku me krijimntarinë që ka e ka deponuar në trashëgiminë tonë kulturore dhe ka bërë që nderi i zhvillimit muzikor të ngritet nga një hiq, në bashkëkohësinë muzikore. Sa i përket veprave të kompozuara, të dokumentuara janë 162, por fatkeqësisht ne kemi konstatuar me profesorin se janë disa vepra të humbura dhe për analizë neve na mbeten 167 vepra. Por sipas bisedave, ka gjasa që ky numër të arrijë 180 në bazë të titujve që profesori i ka përmendur”, ka thënë Çipa.
Ajo ka shtuar se nga modernizmi dhe elementet e caktuara i ndërthur dhe i punon në stil vetanak.
Vet kompozitori i cili këtë vit shënon jubileun e 80-të të lindjes tha se kemi nevojë për përkushtimin e profesionistëve në mënyrë që puna e kompozitorëve tanë të dalë në dritë.
“Dua t’ju falënderoj për këtë organizim pasi që më keni nderuar fort. Mendoj se kompozitorët duhet të vlerësohen, sepse mbajnë gjallë shpirtin krijues dhe kulturën e një kombi. Sado që investohet në kulturë, prapë se prapë nuk është mjaft. Sepse, nuk thuhet kot, popujt zhduken për shkak të kulturave e jo për shkak të politikave. Kemi nevojë për përkushtimin e profesionistëve në mënyrë që puna e kompozitorëve tanë me dalë në dritë në çfarëdo lloj forme“, ka thënë Ballata.
Nga ana tjetër përmes një performance që u duartrokit gjatë nga të pranishmit e shumtë, kori dhe orkestra e shkollës me solistë, artistë të ardhshëm interpretuan vepra të kompozitorit Zeqirja Ballata, Antonio Vivaldi e Camille Sain Saens.
Drejtoresha e shkollës ”Prenk Jakova”, Jeta Dida Bujari ndau mirënjohje në nderim të veprës, kontributit dhe krijimtarisë së begatë të kompozitorit.
Zeqirja Ballata u lind në Gjakovë më 1943. Pas Shkollës së mesme të muzikës në Prizren (’63), u diplomua me sukses të shkëlqyer (’67) dhe u magjistrua (’69) për kompozitor në Akademinë e muzikës në Lubjanë te akademikët Matija Bravniçar dhe Lucijan M. Shkerjanc. Ka studiuar edhe muzikologjinë (1965-69) në Fakultetin filozofik të Universitetit të Lubjanës. U specializua në Venecia te Virgilio Mortari (’69 e ’70), në Accademia musicale Chigiana në Sienë (Itali) te Franco Donatoni ( ’72 e ’73) dhe në Romë te Gofredo Petrassi (tetor ’72 – maj ’73).
Kompozitor me opus bashkëkohor prej më se 160 veprash pianistike, korale, solistike-instrumentale, kamertale, vokalo-instrumentale e simfonike të botuara në Slloveni, Kosovë, Holandë… të ekzekutuara në festivale/ koncerte në Kosovë, Shqipëri, Slloveni, Itali, Kroaci, Austri, Bullgari, Gjermani, Maqedoni, Francë, Mal të Zi. Ka realizuar koncerte autoriale në vend e jashtë (Lubjanë, Prishtinë, Maribor, Ulqin, Prizren, Gjakovë, etj.). Pianist me pjesëmarrje në koncerte/ festivale në Kosovë, Slloveni, Itali, Kroaci, Shqipëri, Serbi, Vojvodinë, Austri.
Pedagog në Shkollën muzikore “F. Shturm” në Lubjanë (1965-70) dhe në Shkollën e lartë pedagogjike në Prishtinë (1971-75). Koautor i Elaboratit për themelimin e Degës së muzikës (1975) të Fakultetit të arteve; doc. (1975-79), prof. inord. (1980-85) e prof. ord. (1986-91). Në vitet 1991-2007 këshilltar në Liceun artistik/ Konservatorin muzikor në Maribor. Që nga viti 2007 sërish prof. ord. për lëndët Kompozicion e Orkestracion në Fakultetin e Arteve në Prishtinë.
Veprimtar aktiv në jetën muzikore: në vitet 1971-91 kryetar i Pleqësisë (1975-77), prodekan (1977-79) e dekan Fakulteti (1979-81); bashkëthemelues i Shoqatës së kompozitorëve të Kosovës (1972). Kryetar i Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës (1977-80 e 1990-91). Bashkë- themelues e kryetar i Festivalit “Ditët e muzikës kosovare” (1979). Kryetar i Bashkësisë së Akademive muzikore të RSFJ (1979-80). Kryetar i Shoqatës së pedagogëve muzikorë të Kosovës (1983-85). Kryetar i Garave federative të nxënësve/studentëve të muzikës (1984). Anëtar korrespodent i (1996) dhe i rregullt (2000) i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Publicist me veprimtari studimore librash/ tekstesh universitare e shkollore, punimesh profesionale-shkencore në shtypin kombëtar e ndërkombëtar, kumtesash në simpoziume, konferenca, kongrese, tribuna muzikologjike. Eshtë i përfshirë në shumë publikime, leksikone, enciklopedi.
Ballata ka një opus të pasur të krijimtarisë si pianistike, korale, për kor meshkujsh, për kor të rinjsh/femrash, pastaj për kor pionierësh. Ka kompozuar dhjetëra pjesë solistike instrumentale, romanca për zë e piano, pjesë kamertale, vokalo instrumentale, orkestrale-koncertante e muzikore-skenike.
Kompozitorit Ballata I janë ndarë çmime e mirënjohje të shumta gjatë viteve. Dy çmime në Konkursin e B.K. të Shoqërive Muzikore të Kosovës, ’66, ’68. Çmimi universitar i Preshernit në Lublanë (1967). Çmimi I Festivalit Ndërkombëtar të Koreve në Celje, 1967, Shpërblimi i Dhjetorit i Kosovës, 1968. Dy çmime në Konkursin e RTV Prishtina, 1974, 1977. Dy çmime vjetore të Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës, 1977, 1989. Medalje me kurorë të argjentë e Presidiumit të RSFJ, 1981. Karta e Takimeve të Akademive Muzikore të RSFJ, Rovinj, 1981. Mirënjohja “Dr. Roman Klasinc” e Liceut artistik, Maribor (’03) dhe e Lidhjes së Pedagogëve Muzikorë të Sllovenisë, Maribor. Mirënjohja nga Colegium musicum i qytetit Malmo, Suedi, 2006. Pllaketa për vepër jetësore e Drejtoratit për kulturë, KK i Gjakovës, 2007. Çmimi për vepër jetësore “Dr. Roman Klasinc” e Konservatorit muzikor, Maribor, ’08. Mirënjohja e Ministrisë së Kulturës e Kosovës (2008).