Ajatollah Ali Khamanei thyen heshtjen
Udhëheqësi suprem iranian flet për herë të parë pas vdekjes së të resë Mahsa Amini – Vazhdojnë protestat në universitet
Asnjë shenjë keqardhjeje apo faljeje nga Udhëheqësi Suprem i Iranit. Përkundrazi, pasi heshti deri tani, Ayatollah Ali Khamenei mori fjalën të hënën, duke akuzuar armiqtë historikë, Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, se kishin nxitur protestat antiqeveritare të shkaktuara nga vdekja e Mahsa Amini.
“Unë them qartë se këto trazira dhe pasiguri janë vepër e SHBA-së, regjimit uzurpator sionist, mercenarëve të tyre dhe disa iranianëve tradhtarë që i kanë ndihmuar nga jashtë”, tha 83-vjeçari Khamenei.
Mahsa Amini, vajza kurde iraniane 22-vjeçare, vdiq më 16 shtator, tri ditë pasi u arrestua për shkelje të kodit të rreptë të veshjes së Republikës Islamike, i cili kërkon që gratë të mbajnë shami. Vdekja e saj ndezi një valë demonstratash në Iran dhe mitingje solidariteti me gratë iraniane në shumë qytete anembanë botës.
Një protestë që ka vijuar sot, të hënën, në universitete të ndryshme të vendit, thotë portali iranian me qendër në Londër “Iran international”. Studentët demonstruan në universitetet e Shirazit dhe Birjandit, si dhe në disa universitete në Teheran, duke kërkuar lirimin e disa bashkëmoshatarëve të arrestuar ditët e fundit në Universitetin Sharif, po në kryeqytet. rsi-eb
Komentet