Presidenti Volodymyr Zelensky tha të mërkurën se Ukraina do të nisë së shpejti kundërofensivën dhe se ai është i sigurt se Perëndimi do të furnizonte Kievin me avionë luftarakë modernë më pas.
Duke folur në një konferencë shtypi në Finlandë, e cila së fundmi u bë anëtare e NATO-s, Zelensky tha se një nga arsyet që ai kishte shkuar në Helsinki ishte se Ukraina dëshironte të bëhej anëtare me të drejta të plota e aleancës ushtarake.
Presidenti ukrainas përmendi shembuj të mëparshëm të sukseseve në fushën e betejës që u pasuan nga lloje të reja të ndihmës ushtarake për Ukrainën.
“Kjo është arsyeja pse unë jam i sigurt se së shpejti do të kemi avionë. Sepse së shpejti do të kryejmë një ofensivë dhe pas saj jam i sigurt që do të na jepen avionë. Do të preferoja të ishte anasjelltas, pasi kjo do të ishte më e lehtë për ne, por gjithsesi ne jemi mirënjohës për gjithçka”, tha presidenti ukrainas.
“Ne kemi nevojë për avionët luftarakë. Me të vërtetë kemi nevojë për avionët e Perëndimit”, tha presidenti Zelensky.
Presidenti finlandez Sauli Niinisto tha se Finlanda nuk mund të ofronte avionët e saj luftarakë “Hornets”, të prodhuar në Shtetet e Bashkuara, sepse ata janë të vjetër dhe pak vende të tjera në Evropë kanë modele të ngjashme avionësh, kështu që nuk do të kishte kuptim të krijohej një proces i ri i mirëmbajtjes së tyre.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mbërriti në Finlandë të mërkurën për bisedime me udhëheqësit e vendeve nordike mbi mbështetjen për luftën e vendit të tij ndaj Rusisë dhe për marrëdhëniet e saj me Evropën, thanë qeveritë e rajonit.
Qindra njerëz u mblodhën në qendër të Helsinkit për të parë zotin Zelensky, duke brohoritur në mbështetje të tij ndërsa ai u shfaq para pallatit presidencial.
Në takimin më të gjerë rajonal në Helsinki morën pjesë presidenti finlandez Niinisto si dhe kryeministrat e Suedisë, Norvegjisë, Danimarkës dhe Islandës. Në takim u diskutua mbi ndihmën ushtarake të vendeve nordike për Ukrainën në përballjen e saj me agresionin rus, dhe përpjekjen e Kievit për integrim në BE dhe NATO.
Vizita e presidentit ukrainas në Finlandë, një nga udhëtimet e pakta që ai ka bërë jashtë vendit që nga pushtimi i Rusisë vitin e kaluar, u njoftua vetëm pas mbërritjes së tij mes masave të forta të sigurisë në kryeqytetin finlandez.
Finlanda së fundmi u anëtarësua në NATO, duke u bërë anëtarja e saj e 31-të, në përgjigje të sulmit rus ndaj Ukrainës. Finlanda ndan një kufi të gjatë me Rusinë.
Kremlini tha më 4 prill se pranimi i Finlandës në NATO ishte një gabim i rrezikshëm historik që do të dobësonte sigurinë në rajon dhe do ta detyronte Moskën të merrte masa kundër këtij veprimi.
Duke i bërë jehonë këtij këndvështrimi, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova tha në një konferencë shtypi të mërkurën se “Ndërsa vëzhgojmë planet e NATO-s për Finlandën, ne konfirmojmë se Rusia do të detyrohet të hakmerret, si ushtarakisht ashtu edhe në mënyrë të tjera, për të frenuar kërcënimet ndaj sigurisë sonë kombëtare.”