Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky zhvilloi një vizitë zyrtare ne Itali. Ai u prit nga kryeministrja, Giorgia Meloni dhe presidenti italian, Sergio Mattarella i cili u zotua se Italia do i ofrojë mbështetje të plotë Ukrainës. Pas takimeve me udhëheqësit italianë, zoti Zelensky vizitoi Vatikanin, ku u takua me Papa Françeskun.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky zhvilloi bisedime me Papa Françeskun në Vatikan të shtunën, duke thënë se për të ishte një nder i madh takimi me kreun e kishës katolike, i cili më parë është shprehur i gatshëm të bëjë gjithçka që mundet për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë.
“Faleminderit për vizitën tuaj”, tha Papa Françesku, në fillim të takimit me Presidentin Zelensky, i cili zgjati 40 minuta.
Në një deklaratë me shkrim, Vatikani tha se të dy udhëheqësit folën për “situatën humanitare dhe politike në Ukrainë, të shkaktuar nga lufta që po vazhdon ende “.
“Papa ofroi lutjet e tij të vazhdueshme për Ukrainën, e ka dëshmuar angazhimin e tij përmes thirrjeve të shumta publike për paqe, që nga shkurti i vitit të kaluar”, tha Vatikani.
“Të dy ranë dakord për nevojën për të vazhduar përpjekjet humanitare” për të ndihmuar popullatën. “Papa nënvizoi veçanërisht nevojën urgjente për të ndihmuar personat më të pambrojtur, viktimat e pafajshme të konfliktit”, thuhet në deklaratë.
Muajin e kaluar, kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal, u takua me Papa Françeskun në Vatikan dhe tha se ai i kërkoi Papës të ndihmonte Ukrainën të kthente fëmijët e marrë ilegalisht nga Rusia gjatë pushtimit.
Komunikata e së shtunës nga Vatikani nuk e përmendi këtë dhe nuk kishte detaje të menjëhershme nga ana e Presidentit Zelensky për takimin e tij me Papën.
Presidenti Volodymyr Zelensky zhvilloi më herët një vizitë zyrtare në Itali ku pati takime me udhëheqësit kryesor të vendit. Ai fillimisht u përcoll nga avionët luftarakë tajfun të Forcave Ajrore Italiane sapo u fut në hapësirën ajrore të Italisë.
Në Romë, Italia e siguroi se do të vazhdonte ta mbështeste plotësisht Ukrainën në rezistencën e saj kundër agresionit rus.
“Ju u kthyet në Pallatin Presidencial dhe është një nder për mua që ju kam këtu dhe është një nder për Italinë që jeni këtu në Romë. Jam i kënaqur t’ju takoj përsëri pas takimit tonë të fundit tre vjet më parë, megjithëse kushtet me të cilat po përballeni tani janë të ndryshme. Ne jemi plotësisht në anën tuaj”, tha presidenti italian, Sergio Mattarella gjatë takimit me homolgun ukrainas, Zelensky.
Gjatë takimit me homologun italian, presidenti Zelensky u shpreh mirënjohës për përkrahjen italiane.
“Fatkeqësisht, nuk kam kohë të shtrëngoj duart me të gjithë, t’i falenderoj për mbështetjen e madhe që Italia i ka dhënë Ukrainës që në fillimet e këtij agresioni, duke mbështetur popullin tonë, në Ukrainë personat e shpërngulur, për shkak të kësaj të keqeje që Rusia ka sjellë në tokën tonë, në kontinentin evropian, në mbarë botën”, tha presidenti Zelensky.
Kryeministrja Meloni e vizitoi presidentin Zelensky në Kiev në shkurt për ta siguruar atë për mbështetjen e vazhdueshme të Italisë për Ukrainën, pavarësisht se disa nga partnerët e saj në koalicionin qeverisës, veçanërisht ish-kryeministri Silvio Berlusconi, kanë lidhje të ngushta me Moskën.
Takimi me Papa Francesku përfaqeson momentin me te rendesishem te vizitës së zotit Zelensky.