Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, tha të dielën se operacioni i guximshëm ushtarak në rajonin Kursk të Rusisë, synon të krijojë një zonë neutrale për të parandaluar sulmet e mëtejshme të Moskës që përtej kufirit.
Kjo është hera e parë që presidenti Zelensky deklaroi qartë qëllimin e operacionit, i cili filloi më 6 gusht. Më parë, ai kishte thënë se operacioni kishte për qëllim mbrojtjen e komuniteteve në rajonin kufitar Sumy nga bombardimet e vazhdueshme.
Presidenti Zelensky tha se “tani detyra jonë kryesore në operacionet mbrojtëse në përgjithësi është të shkatërrojmë sa më shumë potencialin luftarak rus dhe të kryejmë sa më shumë kundërsulme. Kjo përfshin krijimin e një zone neutrale në territorin e agresorit – operacionin tonë në rajonin e Kurskut”, tha ai në fjalimin e tij të përnatshëm.
Këtë fundjavë, Ukraina ka shkatërruar një urë të rëndësishme në rajon dhe ka goditur një të dytë aty pranë, duke ndërprerë linjat e furnizimit për forcat ruse, ndërsa ka vazhduar me operacionin që filloi më 6 gusht, thanë zyrtarët.
Blogerët ushtarakë pro-Kremlinit pranuan se shkatërrimi i urës së parë në lumin Seim pranë qytetit të Glushkovo, do të pengojë furnizimet për forcat ruse që përpiqen të zmbrapsin sulmin e Ukrainës, megjithëse Moska mund të përdorë ende kalime të improvizuara dhe ura më të vogla. Shefi i forcave ajrore të Ukrainës, Mykola Oleshchuk, publikoi të premten një video të një sulmi ajror që shkatërroi urën.
Më pak se dy ditë më pas trupat ukrainase goditën një urë të dytë në Rusi, sipas zotit Oleshchuk dhe guvernatorit rajonal rus, Alexei Smirnov.
Deri tani nuk ka pasur njoftime zyrtare se ku ka ndodhur saktësisht sulmi i dytë i urës. Burime ruse në aplikacionin Telegram thanë se ishte goditur një urë e dytë mbi Seim, në fshatin Zvannoe. Sipas faqes ruse të lajmeve Mash, tani në zonën e Kurskut ka mbetur vetëm një urë funksionale.
Agjencia e lajmeve Associated Press nuk mundi t’i vërtetonte menjëherë këto pretendime – por nëse konfirmohen, kjo do të thotë se sulmet ukrainase do të ndërlikojnë më tej përpjekjet e Moskës për të ripërtërirë forcat e saj në Kursk dhe për të evakuuar civilët.
Glushkovo është rreth 12 kilometra në veri të kufirit me Ukrainën dhe afërsisht 16 kilometra në veriperëndim të zonës kryesore të betejës në Kursk. Zvannoe ndodhet 8 kilometra më tej në veriperëndim.
Kievi më parë ka folur pak për qëllimet e operacionit të tij në Rusi me tanke dhe automjete të tjera të blinduara, sulmi më i madh në vend që nga Lufta e Dytë Botërore, i cili befasoi Kremlinin dhe gjatë të cilit shumë fshatra dhe qindra të burgosur ranë në duart e Ukrainës.
Forcat ukrainase hynë thellë në rajonin e Kurskut në disa drejtime, duke hasur pak rezistencë dhe duke shkaktuar kaos dhe panik, ndërsa dhjetëra mijëra civilë u evakuuan nga zona.
Komandanti i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase gjenerali Oleksandr Syrskyi, pretendoi javën e kaluar se forcat e tij kishin përparuar në 1000 kilometra katrorë të rajonit. Pohimet nuk ishte e mundur të vërtetoheshin në mënyrë të pavarur.
Zonat neutrale synohen nga të dyja palët
Në deklarimet e tij për krijimin e një zone neutrale, presidenti Zelensky tha se forcat ukrainase “arritën rezultate të mira dhe shumë të nevojshme”.
Analistët thonë se megjithëse Ukraina mund të përpiqet të konsolidojë përparimet e saj brenda Rusisë, kjo do të ishte një manovër e rrezikshme duke pasur parasysh burimet e kufizuara të Kievit, sepse linjat për furnizimit në thellësi të Kurskut, do të ishin të brishta përballë sulmeve ruse.
Operacioni ka rritur moralin e Ukrainës, që ishte dobësuar nga një kundërofensivë e dështuar verën e kaluar dhe përparimet e forcave ruse në rajonin lindor të Donbasit.
Nga ana e tij, presidenti rus Vladimir Putin tha gjatë vizitës në Kinë në muajin maj se ofensiva e Moskës atë muaj në rajonin verilindor të Kharkivit të Ukrainës, kishte për qëllim krijimin e një zone neutrale.
Sulmi i asaj kohe që hapi një front të ri dhe zhvendosi mijëra ukrainas, ishte një përgjigje ndaj bombardimeve ukrainase të rajonit të Belgorodit të Rusisë, tha presidenti Putin.
“E kam thënë publikisht se nëse vazhdon, do të detyrohemi të krijojmë një zonë sigurie…”, tha ai. “Kjo është ajo që po bëjmë”.
Zelensky kërkon leje për të përdorur armët perëndimore për të goditur më thellë në Rusi
Të shtunën presidenti Volodymyr Zelensky u kërkoi aleatëve të Kievit të heqin kufizimet e mbetura për përdorimin e armëve perëndimore për të goditur objektivat më thellë në Rusi, përfshirë ato në Kursk, duke thënë se trupat e tij mund të paralizojnë mundësitë e Moskës “për të përparuar dhe shkaktuar shkatërrime” nëse u jepen armë të mjaftueshme me rreze të gjatë veprimi.
Është thelbësore që partnerët tanë të heqin pengesat që nuk na lejojnë të dobësojmë pozicionet ruse. Trimëria e ushtarëve tanë dhe qëndrueshmëria e brigadave tona luftarake kompensojnë mungesën e vendimeve thelbësore nga partnerët tanë”, tha zoti Zelensky në një postim në platformën sociale X.
Ministria e Jashtme e Rusisë dhe blogerët pro Kremlinit kanë pretenduar se raketat HIMARS të prodhuara nga SHBA janë përdorur për të shkatërruar urat në Seim. Këto pretendime nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.
Udhëheqësit e Ukrainës kanë kërkuar vazhdimisht leje për sulme me rreze të gjatë veprimi mbi bazat ajrore ruse dhe infrastrukturën tjetër që shfrytëzohet për të goditur objektet energjetike të Ukrainës dhe civilët.
Moska gjithashtu duket se ka shtuar sulmet ndaj Kievit, duke e shënjestruar atë të dielën me raketa balistike për të tretën herë këtë muaj, sipas shefit të administratës ushtarake bashkiake Serhii Popko. Ai tha në një postim në Telegram se në sulmet e të gushtit në kryeqytet, forcat ruse “me shumë gjasa kanë përdorur” raketa KN-23 me të cilat janë furnizuar nga Koreja e Veriut.
Një tjetër përpjekje për të goditur Kievin pasoi rreth orës 7 të mëngjesit, tha zoti Popko, këtë herë me raketa Iskander. Mbrojtja ajrore e Ukrainës rrëzoi të gjitha raketat e hedhura në të dy sulmet në qytet, tha ai.
Rriten shqetësimet rreth centralit bërthamor në Zaporizhia
Të shtunën shefi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (IAEA), së tha se situata e sigurisë në termocentralin bërthamor Zaporizhia të pushtuar nga Rusia po përkeqësohet.
Shefi i agjencisë Rafael Grossi, bëri thirrje për “përmbajtje maksimale nga të gjitha palët ” pasi një ekip i IAEA në central, raportoi për shpërthimin e një droni jashtë zonës së tij të mbrojtur.
Sipas zotit Grossi shpërthimi ndodhi rreth 100 metra larg linjës së vetme të energjisë që furnizon centralin. Ekipi i agjencisë në central ka raportuar veprimtari të ngjeshura ushtarake në zonën përreth tij javën e kaluar, tha ai.
Kievi dhe Moska kanë shkëmbyer akuza për sulmet pranë termocentralit, që kur ai u pushtua nga forcat ruse në fillim të agresionit në vitin 2022, duke përfshirë një zjarr në objekt fundjavën e kaluar. Zoti Grossi tha se zjarri kishte shkaktuar “dëm të konsiderueshëm”, por nuk përbënte rrezik të menjëhershëm për sigurinë bërthamore.
Bjellorusia thotë se po vendos më shumë trupa në kufirin me Ukrainën
Bjellorusia, aleate e Moskës, ka grumbulluar “gati një të tretën” e ushtrisë së saj përgjatë kufirit me Ukrainën, sipas presidentit të saj autoritar Alexander Lukashenko.
Ai i tha televizionit shtetëror rus se Minsku po i përgjigjej vendosjes së më shumë se 120,000 trupave ukrainase në kufirin prej 1,084 kilometrash. Ushtria profesionale e Bjellorusisë numëron mbi 60,000 pjesëtarë.
Zëdhënësi i forcave kufitare ukrainase Andrii Demchenko, tha të dielën se nuk kishte vërejtur asnjë shenjë të shtimit të trupave të Bjellorusisë.
Lukashenko, i cili mban pushtetin për tre dekada, është mbështetur në përkrahjen ruse për të shtypur protestat më të mëdha në historinë post-sovjetike të Bjellorusisë pas rizgjedhjes së tij në vitin 2020, në një palë zgjedhje që u panë si mashtrim, si brenda dhe jashtë vendit. Ai lejoi trupat ruse të shfrytëzojnë territorin e Bjellorusisë për të pushtuar Ukrainën dhe i lejoi Moskës të vendosë armë taktike bërthamore në tokën e saj.