Kiev, Ukrainë – Presidenti i Ukrainës u zotua se do të vazhdojnë përpjekjet për fitore në vitin 2023, ndërsa ai dhe ukrainas të tjerë të premten përkujtuan përvjetorin e parë të pushtimit rus që ai e quajti “dita më e gjatë e jetëve tona”.
Në një fjalim sfidues në video, Presidenti Volodymyr Zelenskyy kujtoi terrorin që nisi një vit më parë nga sulmi rus, duke shkaktuar luftën më të madhe dhe më vdekjeprurëse të Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore.
Ndërsa zbardhi agimi në një ditë përkujtimore dhe sfidash, Presidenti Volodymyr Zelenskyy shkroi në Twitter se ukrainasit e kishin dëshmuar veten se ishin “të pathyeshëm” në atë që ai e quajti “një vit dhimbjeje, pikëllimi, besimi dhe uniteti”.
“Ne e dimë se viti 2023 do të jetë viti i fitores sonë!” thuhej në Tweet.
“Më 24 shkurt, miliona prej nesh bënë një zgjedhje. Jo një flamur i bardhë, por ai kaltër e verdhë. Jo duke ikur, por duke u përballur. Duke rezistuar dhe luftuar. Ishte një vit dhimbjeje, pikëllimi, besimi dhe bashkimi. Dhe këtë vit, ne mbetëm të pathyeshëm. E dimë që viti 2023 do të jetë viti i fitores sonë!”
Ukrainasit planifikuan memorialë, ndezje qirinjsh dhe përkujtime të tjera për dhjetëra mijëra të vdekurit e tyre – një numër që rritet gjatë gjithë kohës ndërsa luftimet janë ndezur në veçanti në Ukrainën lindore.
Kishte shqetësime se Rusia mund të lëshonte një breshëri tjetër raketash kundër Ukrainës për të sjellë akoma më shumë trishtim këtë ditë.
Fatmirësisht, alarmet e sulmit ajror nuk ranë brenda natës në kryeqytetin, Kiev, dhe mëngjesi i hershëm filloi i qetë.
Megjithatë, qeveria rekomandoi që shkollat t’i zhvendosin orët e mësimit në internet dhe punonjësve të zyrës iu kërkua të punonin nga shtëpia.
Homazhe për qëndresën e Ukrainës u bënë edhe nga jashtë vendit. Kulla Eifel në Paris ishte ndër monumentet e ndriçuara me ngjyrat e Ukrainës – të verdhë dhe blu.
Zelenskyy tha se sulmi rus i 24 shkurtit 2022 ishte një moment kur “miliona prej nesh bënë një zgjedhje”. Ukrainasit zgjodhën jo flamurin e bardhë të dorëzimit, por atë blu dhe të verdhë. Jo duke ikur, por duke u përballur. Duke rezistuar dhe duke luftuar”, thuhet në postimin e tij në Tëitter.
Një vit më pas, shifrat e viktimave janë të tmerrshme nga të dyja palët, me përllogaritje nga vendet perëndimore për qindra mijëra të vrarë dhe të plagosur.