Rusia duhet të përballet “vetëm me ndëshkim” për shkak të pushtimit të Ukrainës, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Përmes një videoje të incizuar paraprakisht, lideri ukrainas ka bërë thirrje për krijim të një tribunali special për luftën, dhe ka përmendur krimet e supozuara të luftës, të kryera nga Rusia.
Ai ka prezantuar edhe një “formulë” për paqe, që përfshin më shumë mbështetje ushtarake dhe ndëshkim të Rusisë në skenën ndërkombëtare.
Fjalimi i tij është përcjellë me duartrokitje nga shumë prej pjesëmarrësve të takimit.
Në deklaratat hyrëse, Zelensky ka akuzuar Rusinë për shkaktim të “turbulencave katastrofike” përmes “luftës së saj ilegale”.
Ai ka folur ditën e njëjtë, kur presidenti rus, Vladimir Putin, ka thirrur rreth 300.000 rezervistë ushtarakë në detyrë, një vendim që ka nxitur protesta të rralla në rrugët e Rusisë.
Zelensky ka thënë se ky vendim ka treguar se armiku i tij nuk është serioz rreth bisedimeve për paqe.
Ai i ka dënuar planet e bëra publike së fundi nga pala ruse që të mbahen të ashtuquajturat referendume në disa qytete ukrainase që ka pushtuar Rusia, prej nisjes së luftës.
Perëndimi dhe Kombet e Bashkuara kanë dënuar po ashtu diçka të tillë.
Zelensky ka thënë se një tribunal special do të ndihmonte që Moska të mbante përgjegjësi për vjedhje të territorit dhe vrasje të mijëra personave.
Ai ka përmendur zbulimin e 445 varrezave të reja në Izjum, qytet verilindor, kontrollin e të cilit e kanë kthyer forcat ukrainase, në kuadër të një kundërofensive të nisur në fillim të këtij muaji.
Zelensky ka përmendur edhe detaje tjera të krimeve të supozuara të luftës në këtë qytet, duke thënë se një burrit i janë hequr të gjitha organet mashkullore dhe më pas është vrarë.
“Pse ushtria ruse është kaq e obsesionuar me heqjen e këtyre organeve?”, ka pyetur ai.
Fjala “ndëshkim” është përmendur 15 herë në fjalimin e Zelenskyt, dhe ka qenë një prej pesë kushteve të panegociueshme për arritje të paqes.
Rusia duhet të përballet me pasoja për agresionin e saj, ka thënë ai, duke përmendur sanksione shtesë dhe që OKB-ja t’ia pezullojë Rusisë rolin e anëtares së përhershme në Këshillin e Sigurimit.
Ai po ashtu ka bërë thirrje që të mbrohen jetët ukrainase, dhe që të respektohen kufijtë ndërkombëtarë të shtetit.
Si kushtin e katërt dhe pestë, ai ka kërkuar garanci të reja të sigurisë për Kievin, dhe që bota që bashkohet për të dënuar agresionin e armatosur të Moskës.
Më 21 shtator, kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se shtetet e BE-së janë pajtuar të godasin Rusinë me sanksione të reja.
Borrell u ka thënë gazetarëve se kufizimet e reja do të shënjestrojnë individët rusë dhe sektorët ekonomikë shtetërorë.
I paraqitur me bluzën e gjelbër në video, Zelensky ka falënderuar 101 shtetet që kanë votuar në OKB, që prezantimi i tij të jetë përmes videos, në vend të prezencës fizike.
Ai ka kritikuar shtatë shtete, përfshirë Rusinë, që kanë votuar kundër paraqitjes së tij, ashtu sikurse vendet që janë duke mbajtur qëndrim neutral për konfliktin.
Pavarësisht sugjerimit të Zelenskyt se Rusia nuk është serioze për negociata, dy shtetet kanë kryer një këmbim të madh të të burgosurve të luftës më 21 shtator.
Ukrainës i janë kthyer 215 luftëtarë, përfshirë 10 të huaj, derisa Rusia ka pranuar 55 ushtarë dhe politikanin pro-rus, Viktor Medvechuk, i cili është përballur me akuza për tradhti në Ukrainë.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
Komentet