Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë thirrje për krijimin e një ushtrie të bashkuar evropiane, duke thënë se kontinenti evropian duhet patjetër vetëmbrohet ndaj kërcënimeve të vazhdueshme nga Rusia, si dhe për shkak të paqartësisë në lidhje me mbështetjen nga Shtetet e Bashkuara.
Në fjalimin e tij në ditën e dytë të Konferencës së Sigurisë në Munih të shtunën, Zelensky e përshkroi gjendjen e tanishme se “realitet të ri”.
“Ne duhet t’i ndërtojmë patjetër Forcat e Armatosura të Evropës, në mënyrë që e ardhmja e Evropës të varet vetëm nga evropianët dhe vendimet për Evropën të merren në Evropë”, tha Zelensky.
Në Kiev dhe në Bruksel janë ngritur shqetësime se ata mund të anashkalohen në përpjekjet për t’i dhënë fund pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, dhe se marrëveshja për përfundimin e luftës mund t’i leverdisë Moskës.
Zelensky e përsëriti se Ukraina dhe Evropa duhet të jenë të përfshira në bisedime.
“Ukraina kurrë nuk do të pranojë marrëveshje pas shpinës sonë dhe pa përfshirjen tonë”, tha Zelensky.
“I njëjti rregull duhet të vlejë për të gjithë Evropën. Asnjë vendim për Ukrainën pa Ukrainën – asnjë vendim për Evropën pa Evropën”, nguli këmbë ai.
“Ne duhet të veprojmë si Evropë, jo si disa popuj të ndarë”, shtoi ai.
Duke folur gati tre vjet pasi Rusia e nisi pushtimin e plotë të vendit të tij, ai tha se “nuk do ta heq nga tryeza e bisedimeve kërkesën për anëtarësimin e Ukrainës në NATO” dhe theksoi se Kievi nuk do të pranojë asnjë armëpushim pa garanci të mirëfillta sigurie.
“Nëse jo anëtarësim në NATO, atëherë kushte për ta ndërtuar një NATO tjetër në Ukrainë”, theksoi ai.
Ai vuri në dyshim përkushtimin e SHBA-së ndaj Evropës, duke pyetur: “A i nevojitet Amerika Evropës? Si treg, po, si aleat – nuk e di”.
Zelensky i mbajti fjalimin një ditë pasi u takua me zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë nënpresidentin JD Vance, i cili në fjalimin e tij në konferencë më 14 shkurt theksoi nevojën për “paqe të qëndrueshme dhe të përhershme” në Ukrainë.
Zelensky i tha nënpresidentit Vance se Ukraina dëshiron “garanci sigurie” nga Uashingtoni para fillimit të bisedimeve me Rusinë për t’i dhënë fund luftës gati trivjeçare.
Shtetet e Bashkuara kanë dërguar sinjale të përziera për strategjinë e tyre, duke nxitur shqetësime në Kiev se Ukraina mund të detyrohet ta pranojë një marrëveshje të keqe, e cila do t’i jepte guxim Putinit.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, u tha ministrave të mbrojtjes të NATO-s më herët këtë javë se është “jorealiste” të pritet që kufijtë e Ukrainës të kthehen në gjendjen e para vitit 2014 dhe shtoi se Shtëpia e Bardhë nuk e sheh anëtarësimin e Ukrainës në NATO si pjesë të zgjidhjes së konfliktit.
Ukraina kërkon që Rusia të tërhiqet nga territoret e pushtuara dhe thotë se duhet të anëtarësohet në NATO ose të marrë garanci për sigurinë e saj për të parandaluar një tjetër sulm nga Moska.
Duke folur në Varshavë më 14 shkurt, Hegseth paralajmëroi përsëri se partnerët evropianë të SHBA-së në NATO do të duhet të bëjnë shumë më tepër për mbrojtjen e tyre dhe për të siguruar paqe për Ukrainën në të ardhmen.
Ai gjithashtu argumentoi se nuk është e nevojshme t’i “besosh” presidentit Vladimir Putin për të negociuar me Rusinë.
Dy ditë më parë, presidenti amerikan Donald Trump tha se zhvilloi një telefonatë “të gjatë dhe shumë produktive” me Putinin dhe se u pajtua me të që ekipet e tyre t’i fillojnë menjëherë negociatat.
Zelensky u përgjigj duke thënë se nuk do ta pranonte asnjë marrëveshje të bërë pa përfshirjen e Ukrainës.
I pyetur në intervistë nëse beson se Ukraina do të ishte e cenueshme pas disa vitesh nëse arrihet një armëpushim, Zelensky tha: “Po, mendoj se kjo mund të ndodhë”.
Ai tha se Putini dëshiron të ulet në tryezën e negociatave jo për t’i dhënë fund luftës, por për të arritur një marrëveshje armëpushimi që do t’i lehtësonte disa sanksione ndaj Rusisë dhe do t’i jepte mundësi ushtrisë së Moskës të rigrupohej.
“Kjo është ajo që ai dëshiron vërtet. Ai dëshiron pauzë, përgatitje, stërvitje, heqjen e disa sanksioneve, për shkak të armëpushimit”, tha Zelensky.
Vance, i cili përfaqëson Trumpin në këtë tubim të nivelit të lartë të liderëve botërorë dhe ekspertëve të politikës së jashtme, tha se Shtetet e Bashkuara duan “një lloj paqeje që nuk do të çojë në një konflikt të ri në Evropën Lindore pas disa vitesh”.
Ka pasur një numër “bisedash të mira” me Ukrainën, dhe të tjera do të pasojnë “në ditët, javët dhe muajt në vijim”, tha Vance.
Zelensky u pajtua, duke e quajtur takimin me Vance si “bisedë të mirë” dhe tha se Kievi dëshiron të punojë për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë, por shtoi se “na duhen garanci të mirëfillta sigurie”.