Mbylli sytë në Zagreb në moshën 80 vjeçare Zef Mirdita, dijetar i shquar me një profil të përvetshëm, historian, hulumtues i mitologjive, kërkimtar i etnogjenezës iliro-shqiptare, historive të popujve antikë të Ballkanit, krishterimit të hershëm dhe mesjetar. Zef Mirdita ka lindur më 13 Mars 1936 në Prizren të Kosovës. Në vitin 1958 studioi në Zagreb të Kroacisë për filozofi, më 1972 doktoroi për “Dardanët dhe Dardania në antikë”. Nga viti 1993 ka punuar si këshilltar shkencor në Institutin Kroat të Historisë ku ka ushëhequr projektin shkencor “vllehët, popullsi e vjetër ballkanike nga fillet historike deri në ditët tona”. Zef Mirdita është specializuar në universitetin “La Sapienza” në Romë, pastaj në Heidelberg në 1991 dhe në Mynih të Gjermanisë më 1992. Livrat dhe punimet shkencore të Zef Mirditës janë botuar në shqip, kroatisht, frëngjisht, anglisht, gjermanisht, italisht. Unë i kam librat e shkruar nga Zef Mirdita të dhuruara me dedikas prej tij dhe e kam takuar dy herë. Në fillim në vitin 1973 kur ai erdhi në Shqipëri për herë të parë, madje mori pjesë edhe në një ekspeditë arkeologjike shqiptare sepse mbështeste tezën e etnogjenezës iliro-shqiptare. Unë punoja në gazetën “Drita” si redaktor letrar dhe u takova në Institutin Arkeologjik të Tiranës, ku së bashku me prof. Selim Islamin patëm një bisedë për ilirologjinë dhe arkeologjinë. Herën e dytë Zef Mirdita erdhi në Tiranë në vitin 2004, më takoi në zyrën time në Muzeun historik kombëtar, pastaj në një ceremoni në Presidencën e Shqipërisë ku u dekorua nga presidenti Alfred Moisiu. Vlerësime të larta Zef Mirdita ka marrë edhe nga Akademia kroate e shkencave dhe arteve në Zagreb si dhe nga presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga. Kam patur letërkëmbim me Zef Mirditën gjatë viteve. Në vitin 1979 kam shkruar për librin e tij “Studimet dardane”. Në vitin 1981 në revistën “Iliria” kam botuar një recension shkencor për veprën shumë të rëndësishme të Zef Mirditës “Antroponimia e Dardanisë në kohën romake”. Kam shkruar dhe shkrime të tjera po për të. Lajmi i vdekjes së Zef Mirditës më ka pikëlluar shumë, jam i bindur se vlerësimi real për këtë figurë të jashëzakonshme shkencore të kombit shqiptar do të bëhet më shumë në të ardhmen. Zef Mirdita qe një mjeshtër i madh i analizës, i referencës shkencore bibliografike dhe arkeologjike si dhe i metodologjisë moderne të parashtrimit dhe të sintezës së mirëfilltë. Studimet e tij për Dardaninë dhe iliricitetin e Kosovës në antikitet janë substanciale dhe të patjetërsueshme. Dhe të mos harrojmë që një vështrim të tillë historik dhe konceptual ai e ka bërë dhe e ka botuar shumë më përpara arritjes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Për të patur një ide më të thugët dhe më konkrete për natyrën shkencore të veprës së Zef Mirditës së madh po parashtroj më poshtë një nga studimet e mia për të, pikërisht për kultet e lashta të dokumentuara në Dardani.
Dr. Zef Mirdita më ka dërguar me postë në Muzeun Historik Kombëtar librin e tij “Religjoni dhe kultet e dardanëve dhe Dardanisë në Antikë”, Zagreb, 2001, me këtë dedikim “Dr. Moikom Zeqos, me një respekt të veçantë dhe të përzemërt, nga autori – Zef Mirdita, Zagreb 12.03.2002”. Tek Zef Mirdita është sinteza e historianit që njeh dhe shtjellon arkeologjinë.
Ai është figurë e shquar e shkencës shqiptare, por i njohur edhe në metropolet e shkencë historike europiane. Përgatitja e tij, erudicioni, metodologjia moderne e bëjnë Zef Mirditën një emër të madh për kontributin serioz në etno-gjenezën iliro-shqiptare, sidomos për origjinën etnike të shqiptarëve në Dardani, Kosovën e sotme. Modest, larg bujës mediatike ky dijetar race, ka këmbëngulur për gjetjen e fijeve të këputura midis shekujve dhe mijëvjeçarëve për të rikonstruktuar një histori të besueshme të antikës në Dardani, bazuar në një burimologji të dhënash të pafund arkeologjike dhe historike, por edhe në rrafshin kulturologjik, ose të aspekteve të spikatura të qytetërimit iliro-shqiptar.
Ai i takon qarkut shkencor të Zagrebit, ku objektiviteti shkencor ngrihet lart, në ndryshim nga shumë skajëzime subjektiviste, madje edhe shoviniste të disa dijetarëve jugosllavë, që për arësye politike e mohonin përkatësinë iliro-shqiptare të popullit të Kosovës. Përkundër kësaj trysnie të ideologjizmit absurd të shkencës, dr. Zef Mirdita, sëbashku me ilirologun e madh dr. Aleksandër Stipçeviç, po në Zagreb, ju përkushtua të vërtetës objektive në histori dhe në arkeologji.
Libri i tij “Religjioni dhe kultet e dardanëve dhe Dardanisë në Antikë” është vepra e tij më e rëndësishme në këtë hulli. Libri është një sintezë e konstruktuar qartë shkencërisht. Në pjesën I të librit flitet për “Kultet epihorike (vendase) të dardanëve”. Të dhënat për këto kulte burojnë nga dëshmitë e përmendoreve përgjithësisht të epokës romake perandorake. Në këtë epokë kemi mbijetesën e kulteve ilire edhe sipas “interpretatio romana”. Në thelb kemi idenë e paraleleve mitologjike për të arritur në një njësim sinkretik. Pra mitet dhe simbolet e tyre emërore janë dygjymtyrësh, dmth krahas emrit vendas dardan kemi edhe emrin kultik romak. Një bashkëjetesë si bashkëpërfshirje mitologjike, formë e njëjtë e një identiteti të dyfishtë. Kjo tregon se panteoni romak ishte i hapur për mitet e popujve që nuk ishin romakë. Romakët e lashtë duke pranuar nderimin e kulteve të popujve të tjerë, që i sundonin, pranonin një lloj “nacionalizmi rilegioz” të të tjerëve. Kjo dukuri sinkretike përveç anës mitologjike kishte edhe kuptim politik dhe shoqëror. Në aspektin historik arrihet kështu në një “kujtesë mitologjike” të ilirëve dardanë, që vjen “e balsamosur” në mbishkrimet e hershme dhe rafigurimet përkatëse. Po katalogoj disa nga hyjnitë vendore të Dardanisë, sipas librit të cituar të dr. Zef Mirditës.
I.ANDINUS
Tek ilirët ka ekzistuar hyjnia e plleshmërisë dhe e vegjetacionit. Tek dardanët është quajtur ANDINUS. Dëshmohet në dy ara votive. Në Kaçanik gjejmë këtë dëshmi: – Deo Andino l sevir [aug(ustalis?)] l sc(rum) Tib(erius) l Cl(audius) certus l b(e)n(eficiarius) co(n)s(ularis) leg(ionis) VII Cl(audiae) v(otum) s(olvit) l’(ibens) m(erito) l Clem(ente) et Prisco co(n)s(ulibus). Ndërsa ajo e Vuçitërnës (Vushtria e sotme) është si vijon:
– Deo IIIII l [An(d)[in]o)] IIII l VI. P IIIII DA.
Mbishkrimi i Kaçanikut është i qartë dhe i lexueshëm, ai i Vuçitërnës është i paqartë dhe vështirë lexohet. Pastaj nuk dihet as identiteti i dedikuesit. Të dy mbishkrimet janë të shekullit I.
Sipas M. Garašaninit, kjo hyjni mund të identifikohet me Vidasus Magla, kurse në interpretatio romana edhe me Silvanin. I pranueshëm del mendimi i A.Mayerit, sipas të cilit ky kult do të mund të paraqiste zotin e shigjetës, plleshmërisë, gjeneratave ose vendit.
II ATTA
Kulti i hyjnisë vendëse ATTA. Në një arë votive të gjetur në Nish, lexojmë:
-Attae I Sac(rum) I Melio(ris) v(otum) s(olvit).
Kemi të bëjmë me hyjninë Atto patrius. Nuk mund të konsiderohet si hyjni frigase – Attis. Dativi duhet të jetë: Atti, Attini, Attidi. Në një mbishkrim nga Aquileia na dëshmohet:
-ATTE PA ΓA
H.Steudingu e lexon si Atte Papa. Leximin e tillë e pranon edhe F.Cumon. Kemi të bëjmë me një hyjni vendëse. Atta, në të gjitha gjuhët indoevropiane është hipokoristikë për at që do të thotë babë. Kemi të bëjmë me kultin epihorik, përkatësisht të pajtorit të vatrës shtëpiake. Atta si antroponim është i dëshmuar në Moesia Superior, si p.sh. në Naissus, pastaj në territorin e Municipium Ulpianum.
III DARDANIA
Përveç personifikimit hyjnor të provincave ka ekzistuar edhe personifikimi hyjnor i qyteteve. Kështu ekziston kulti i Britanisë, por edhe kultet pajtorë të qyteteve, siç ishin ato të Nereut dhe të Celit, me epitetet Augusta dhe Santa, pastaj është edhe Dii-deae Dacaiarum, e siç do të shohim më vonë edhe Dea Syria, Dea Vocontiorum, Celeia Sancta, Norea Sancta, Dea Brigantia, Dea Mogontia, etj.
Në Banjën e Kurshumlisë (Aquae Bassinae?), më 1937 u zbulua një altar votiv, nga mermeri i bardhë, në të cilin dëshmohet kulti i hyjneshës DARDANIAE. Këtë altar e ka ngritur një i huaj dhe në të lexojmë:
-Dar(daniae) Sac(rum) l Philoxenus Aug(ustorum) l n(ostrorum trium) ser(vus) vilic(us) l stat(ionis) Aquar(um) Bas() I0 templum ex voto l a solo restituit l v(otum) l(ibens) s(olvit) l (±5] V G Senec(ione) et Aemiliano co(n)s(ulibus).
Më 1984, në fshatin Smirë te Vitia, sërish u gjet një arë votive kushtuar hyjneshës së Dardanisë:
-Deae Dard(aniae) I Artor(ius) I Heracli I tus spec(ulator) leg(ionis) IIII Fl(aviae) I v(otum) s(lvit) m(erito) I Gentiano et Basso I co(n)s(ulibus).
Po ashtu, në Gllavnik është gjetur një arë e thyer, në pjesën e epërme të së cilës lexohet: DEAE DARD(ANIAE). Kjo, deri më tani nuk është botuar dhe gjendet në lapidarin e Muzeut Arkeologjik në Prishtinë. Kulti i Dardanisë është dëshmuar edhe në Daki, në Romula Malva, më 1969, në një fragment të një relievi:
-[Da]rdanic(a)e posui(t);
dedikues i të cilit ka qenë Aureliusi, dekurion municipal. Këtë kult e kanë bartur me vete emigrantët dardanë.
Në Apulum, hyjnesha është paraqitur në një trajtë romake, me një qingj në duar, pranë një altari, në të cilin shihet gjeli i gatshëm për flijim. Në figurën e dytë, ku edhe gjendet mbishkrimi, që përmban të njëjtin përkushtim, paraqitet hyjnesha e ngjashme. Pranë saj shihet një shportë me bukë dhe fruta. Dea Dardaniae apo Dardanicae është hyjneshë e tipit sinkretik, e natyrës dhe plleshmërisë, e ndoshta edhe e karakterit Ktonik.
Është adhuruar në trevën e Dardanisë. Supozohet se ka qenë hyjneshë e shëndetit, ngjashëm me ato të Eskulapit dhe të Hygisë.
– Dedikuesi Philoxenus, e ka ripërtëritur tempullin e saj që gjendet te burimet termale, sot Banja e Kurshumlisë, ashtu siç është rasti i altarit nga Smira, i cili lokalitet nuk është shumë larg nga Banja e Kllokotit. Dedikuesi i altarit të parë, Philoxenusi, ka qenë nëpunës i stacionit doganor, atëherë mund të konstatohet se kjo hyjneshë ka qenë edhe pajtore e stacioneve doganore, përkatësisht personifikim i Genius loci ose Genius stationis. Në vendin e zbulimit të altarit të parë, ka qenë edhe stacioni doganor. Ndërkaq, ky i dyti, nga Smira, meqenëse dedikuesi i tij ka qenë speculator leg(ionis) IIII Fl(aviae), mund të konsiderohet edhe si personifikim i Geniusit të njësisë ushtarake. Paraqitet si hyjni karakteristike për trevën dardane. Kulti i saj mund të konsiderohet si pajtor i tërë territorit dardan, në kohën romake.
IV MELCIDI, si hyjni dëshmohet në Ulpiana, në një arë votive me mbishkrimin:
I(ovi) O(ptimo) M(aximo)
Melcid All(cius) Octa
Vianus veteranus cum
Suis v(otum) p(osuit)
Për Melcidin si hyjni vendase e Dardanisë ka folur për herë të parë vetëm dr. Zef Mirdita. Ai e botoi mbishkrimin në “Novitas epigraphicae e Dardania collectae” në revistën Avest (Arheološki Vestnik. Slovenska Akademia), 1980, nr.31. f. 186.
Dr. Zef Mirdita nuk e përcakton rolin e këtij hyu, por mendon se duket të kishte një ekuivalencë të lartë të njëllojtë me Jupiterin në panteonin romak.
Ai shënon: “nuk kam guxim të lëshohem në supozime linguistike me përfundime kategorike, por prap se prap jam i mendimit se këtu është fjala për emrin e një hyjnie epihorike, me kuptimin Culminalis, apo Aepifius, por në gjuhën vendase.
Sidoqoftë, përkundër kësaj hipoteze, MELCIDI do të jetë hyjni e lartë epihorike dardane” (shih faqet 49-50 të librit të Mirditës).
VEZZAIOS
Në territorin e Dardanisë, por jo edhe në territorin e gjerë të Moesia Superior, është kulti i EZZAIOS. Ky kult i dedikohet Zeusit. Mirëpo, me një epitet të tillë Zeusin nuk e ndeshim, përveç si Zeus Aseis. A.Mócsy mendon se kjo hyjni mund t’i takojë panteonit semit *Ba’al Hezza – zoti i kohës. Mirëpo ky, duke u nisur nga fakti se emrat trakas, me prapashtesën –zaios dhe emri Izaios, janë të karakterit të emrave teoforikë trakas, mendon se këtu ka të bëhet me një hyjni trakase. S.Dušanići, është i mendimit se këtu mund të vendoset një lidhje me tempullin e njohur të Zeusit në qytetin Aizanoi. Në këtë tempull përmendet epiteti Aezanensis për Jupiterin, kurse në tekstin grek për Zeusin, jo. Në monedhat e hershme të Azisë së Vogël, përmendet etniku EZEANITΩN. Sipas Herodotit, emri etnik Azanoi rrjedh nga Aizena, përndryshe i biri i Tantalit. Kjo dëshmohet edhe në mbishkrime dhe në monedha. S.Dušanići, emrin AΪξανοί, në kuptim të mirëfilltë e trajton si etnik, të nxjerrur nga toponimi *Aiza ose *Aizos, i cili me prapashtesën –αΪος, formon teonimin ‘ΕζζαΪος. Prandaj konstaton se kjo është hyjni trakase dhe se aty ka ekzistuar tempulli kushtuar Zeusit.
Po qe se merret si i saktë interpretimi i lartpërmendur, atëherë, dedikuesi Apolon Menelau është një imigrant nga Frigia, i cili lidhjen me vendlindjen e mban përmes adhurimit të këtij kulti.
Ardhja e tij në Dardani, me siguri ka të bëjë me veprimtarinë e xehetarisë. Ky kult është dëshmuar në një arë votive, të gjetur në Ulpianë:
– ‘Aπολλώνιος I Mενελάου ‘αlνεστησε τόν βlωμόν ΰεώ Διί l ‘Εζζαιώ εύχήν;
e cila është e fundit të shekullit I
IV IUPITER ULPIANENSIS
Kulti i IUPITERIT është dëshmuar edhe me epitetin e emrit të qytetit, sikur është rasti edhe me emrin e qytetit të Ulpianës. Në Dardani, është fjala për arën votive, të gjetur në Batushë:
-I(ovi) O(ptimo) M(aximo) l VPP l d(omini) d(ivinae) et Gen[io] l Stationis pro s(alute) d(omini) n(ostri) imp(eratoris) l Severi Ale – l XANDRI l Aug(usti) l Valerianus l specul(ator) leg(ionis) IIII F[laviae] S(everianae) A(lexandrianae) v(otum) s(olvit) I(ibens) m(erito) Aug(usto) (sic!) Severo Alexand(ro) Aug(usto) [II] et Aufid[io] Marcello [II co(n)s(ulibus).
Identifikimi i Iupiter Ulpianensis e ka bërë E.Čerškovi, i cili shkronjat VPP i lexon si VLP(IANENSIS), gjë që është shumë afër realitetit.
Nga kjo shihet qartë se kjo hyjni vendëse që është identifikuar me Jupiterin, ka qenë karakteristike për Ulpianën, si pajton i këtij qyteti.
Kemi kështu një panteon të fragmentuar të hyjnive vendase që nderoheshin në Dardani.
Përveç emrave të njohur epigrafikisht të hyjnive vendase në Dardani, dr. Zef Mirdita flet edhe për një hyjni pa emër.
VII KULTI I HYJNISË SË PANJOHUR
Në Ravne është gjetur busti prej bronze me diademë, për të cilin mendohet se mund të paraqet hyjneshën e plleshmërisë.
E njëjta figurinë i mban bustet e perandorit dhe të perandoreshës, ndoshta të Antonin Piut dhe të Faustinës, dhe konsiderohet si hyjnesha Roma ose Tutella.
Sidoqoftë, meqë nuk kemi diçka më të saktë, sipas së cilës dëshmi do të ishte përcaktuar natyra dhe funksioni i kësaj hyjnie, ndonëse ekziston mundësia e përkatësisë hyjneshës së plleshmërisë këtë hyjni e radhitin në kuadër të HYJNISË SË PANJOHUR.
Hyjnia e Panjohur është një subjekt tepër interesant dhe joshës, sepse është hyu i mungesës së emrit.
A përfaqëson ky Hy i Panjohur një simbol kryesor panteonik? Nëse e kemi paraqitjen skulpturore të tij, pse nuk e kemi emrin?
Tek Aktet e Apostujve thuhet se shën Pali kur ishte midis filozofëve paganë në Athinë e pa një monument ku shënohej Hyu i Panjohur.
A ka lidhje kjo gjë me rastin e Hyut të Panjohur në Dardani. Për mendimin tim është shumë e vështirë që të vërtetohet një identifikim edhe në sfondin e krishterimit të hershëm të paktën si ndikim tek banorët e Dardanisë. Por problemi mbetet i hapur padyshim.
Në faktet e mësipërme më tepër flet arkeologjia dhe epigrafia.
Por duket qartë mungesa e dijes për ritualet që shoqëronin kultet, pra gati nuk dimë asgjë për institucionin funksionues ceremonial dhe me tërësinë e sistemit mendor mitologjik të dardanëve si ftillëzues dhe praktikues të miteve të tyre. Theksoj se:
- Është e qartë se kultet ilire në Dardani janë formuar shumë më përpara sundimit romak, por në periudhën perandorake romake këto kulte mbijetojnë si përshtatje por edhe si modifikime të një lloj lirie religjioni e cila paracaktohet edhe si një mirëkuptim politik zyrtar i pushtetit perandorak për shumë arësye substanciale të ekuilibrave të brendshëm të kohës për popujt e ndryshëm etnikë brenda suazës shtetërore të perandorisë.
- Sinkretizmi mitologjik në këtë rast duhet konceptuar si pranim i hapur i individualitetit etnik ilir të dardanëve dhe ky “zyrtarizim” nënkupton se në kalendarin e tyre mitologjik dardanët ishin të lejuar, pra kishin emërtimet përkatëse të ceremonialeve sëbashku me tekstet orale (kujtesore) për hyjnitë e tyre.
- Kulti i Jupiter Ulpianensis duket si titullar panteoni, emri autokton i këtij hyu ka humbur.
Dokumentimi në Shqipëri i hyut ilir Jupiter Parthinus, pra i fisit ilir të parthinene, tregon se ilirët e kanë patur një kryehyjni qendrore të panteonit të tyre.
- Kulti i Dardanisë, si hyjneshë pajtore paraqet një interes maksimal dhe emërtues për provincën, pra njeh de facto dhe de jure një komunitet të qëndrueshëm dhe krejt të dallueshëm ilir të Dardanisë antike.
Karakteri femëror i hyjneshës Dardania duket ta ketë fillesën shumë të hershme, që nga mitologjia e matriarkatit. Unë personalisht do të shihja një lidhje të largët të rafigurimit femëror të hyjneshës Dardania me statuetat prehistorike të idhujve të çuditshëm dhe të jashtëzakonshëm të Dardanisë. Por kjo është një temë studimore më vete që kërkon një hulumtim të shumëanshëm dhe të saktë.
- Por është me rëndësi kryesore të thuhet se rafigurimi skulpturor i hyjneshës Dardania është deri më sot dëshmia më e patjetërsueshme e artit skulpturor të ilirëve për panteonin e tyre të humbur dhe të zhbërë në mijëvjeçarë.
Libri shkencor i dr. Zef Mirditës përfshin në fund edhe mendimet e dy specialistëve të spikatur, diturakë të mëdhenj që janë marrë seriozisht me problemet historike dhe kulturologjike të ilirëve.
Prof. dr. Aleksandër Stipçeviç shkruan kështu:
“Ky libër është fryt i një pune shumëvjeçare të hulumtimeve të autorit mbi dardanët e në veçanti jetës së tyre shpirtërore.
Para se t’i hynte punës së shkrimit të kësaj sinteze autori ka publikuar një sërë artikujsh mbi këtë problematikë, në gjuhën shqipe dhe në gjuhë tjera, mirëpo tek tani në dorë kemi studimin i cili përbashkon të gjitha rezultatet e tij të gjertanishme dhe e cila lexuesve do t’u jetë burim i pamënjanueshëm i informatave për hulumtime të mëtejme.
Religjioni i dardanëve, si ai kohëve parahistorike po ashtu dhe ai i antikës, është një temë e frytshme për çdo historian të religjionit, sepse në hapësirën dardane janë kryqëzuar shumë sisteme religjioni qysh në parahistori, e në veçanti pas ardhjes në kontakt me popujt përreth dhe religjionet e tyre, të cilat Dardaninë e kanë kthyer në një vend jashtëzakonisht interesant për studim. Të gjithë ata që në të ardhmen do të merren me fenomenet e religjionit në atë hapësirë do të kenë në këtë libër një themel solid mbi të cilin do të mund të ndërtojnë njohuritë e reja eventuale, ose të ndërthurin zbulime të reja, të cilat me siguri do të pasojnë në të ardhmen.
Zhvillimi i hovshëm i jetës së pasur shpirtërore në Dardani shihet më së miri nga lista e emrave të hyjnive të cilat autori i ka përpunuar në mënyrë sistematike dhe me themel.
Pa marrë parasysh se merret me të kaluarën e kamotshme, ky libër ka dimensionin e tij aktual që shihet nga gjendja ende e parregulluar në të cilën ndodhet sot ajo hapësirë.
Nuk guxojmë të harrojmë se këtu flitet mbi jetën shpirtërore të hapësirës e cila në shekujt e mëvonshëm do të përjetojë ndryshime të mëdha disa nga të cilat nuk kuptohen dot nëse nuk njihet gjeneza e tyre e largët parahistorike dhe antike.
Libri është shkruar në gjuhën shqipe, mirëpo do të duhej përkthyer edhe në ndonjërën nga gjuhët botërore, do t’ishte e udhës në anglisht, sepse ka edhe nga ballkanologët, e jo vetëm nga politikanët, të cilët nuk i njohin proçeset të cilat kanë ndodhur këtu dhe që kanë sjellur shumë halle të cilat i mundojnë banorët e sotëm të Dardanisë së dikurshme.”
Kurse prof. dr. Marin Zaninoviç shënon:
“Vepra ka një vlerë të jashtëzakonshme shkencore, e punuar me bazë në burime (material epigrafik) dhe literaturë të pasur shkencore.
Edhe pse e kufizuar vetëm në territorin e Dardanisë, duke patur parasysh se ajo ishte pjesë përbërëse e Perandorisë Romake, vepra për nga tematika megjithatë bën pjesë në historiografinë europiane e më gjerë dhe trajton fenomenin e rëndësishëm shpirtëroro-fetar të njerëzve të këtij territori nga koha e Neolitikut e deri te antika e vonshme.
Me këtë vepër prof. Zef Mirdita ka treguar dhe vërtetuar se zotëron shkëlqyeshëm me materien dhe metodologjinë shkencore e cila mund t’u jetë udhërrëfyes të tjerëve në trajtimin e problematikës së lartpërmendur për territore tjera.
Edhe pse e shkruar në gjuhën shqipe, duke iu falënderuar përmbledhje së gjerë të përmbajtjes në gjermanisht, ajo do t’u jetë e përdorshme edhe shkencëtarëve të cilët nuk e njohin këtë gjuhë.
Me këtë prof. Zef Mirdita ja ka prezantuar pasurinë shpirtërore të dardanëve dhe Dardanisë shkencës europiane dhe asaj më të gjerë.”
Komentet