Nga Leonora Laçi
-Dosja e rrallë e gjyqit të 10 priftërinjve; si u pushkatuan 4 prej tyre dhe dënimi i parë i At Zef Pllumit e, fjalët e fundit para ekzekutimit-
Për herë të parë, publikohet e plotë dosja gjyqësore e një prej proceseve më të bujshme të diktaturës komuniste, ajo e Monsinjor Frano Gjinit. Ky proces, dënoi Monsinjor Gjinin dhe 3 priftërinj të tjerë, me vdekje dhe 6 të tjerë, me burgim dhe me punë të detyruar. Me i riu ndër ta, At Zef Pllumi, mori dënimin e parë në vitin 1948, në këtë proces gjyqësor, duke e dënuar me 3 vjet heqje lirie dhe punë të detyruar. Proces-verbalet e plota, janë marrë nga dosja e gjyqit të Mons. Frano Gjinit, e gjetur në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Dokumentet janë përshkruar siç ndodhen në versionin origjinal të tyre në dosjet përkatëse.
Vendimet e gjykatës për dënimin e 11 klerikëve katolik
Vendimi që u mor në fillim të marsit të 1948, ishte; Për Monsinjor Frano Gjinin, Dom Nikoll Deden, Padër Mati Prendushin dhe Dom Tom Lacen, dënim me vdekje. Për Padër Gjon Karmën me 20 vjet privim lirie e, punë e detyruar, për Dom Ndoc Sahatçin, me 15 vjet privim lirie e punë të detyruar, për Padër Mhill Miraj-n me 10 vjet privim lirie e punë e detyruar. Ndërsa për të pandehurin Zef Haxhia dhe Dom Nikoll Shelqetin, me nga 5 vjet privim lirie e, punë të detyruar. Për Atë Zef Pllumin, me 3 vjet privim lirie e punë të detyruar.
Kjo dosje, përmban procesin, nga akuzat e Prokurorit ushtarak Namik Qemali dhe vendimin e gjykatës, me kryetar Misto Bllaca dhe anëtarët; Anastas Koroveshi dhe Xhemal Bejtja. Përmes një procesi dhe akuzash të pabaza, proces-verbalet, japin dinamikën e plotë të dënimit kriminal, të françeskanëve shqiptarë si dhe fjalën e tyre të fundit në gjyq, kundër procesit politik ndaj tyre.
Dosja e plotë;
Shkodër me 2/I/ 1948
Akt-akuzë
Gjykatës Ushtarake
Këtu
Siç rezultonte dhe nga aktet që bashkangjitur po u paraqesim të pandehurit:
Monsinjor Gjini,
Dom Nikoll Deda,
Pader Mati Prendushi,
Dom Tom Laca,
Zef Haxhija,
Dom Ndoc Sahatçija,
Pader Gjon Karma,
Pader Mhill Miri,
Xhakojt; Zef Pllumbi dhe Dom Shelqeti, akuzohen se:
Kanë punuar për ardhjen e fashizmit dhe për okupacionin e vendit t’onë, nga imperializmi Italian. Qysh para okupacionit, kanë qenë agjentë politikë dhe spiunazhi t’imperializmit Italian. Gjatë okupacionit, kanë punuar për fashizmin e vendit.
Kanë punuar për të legalizuar okupacionin armik. Me anë të agjitacionit e të propagandës fashiste, janë përpjekur të shuajnë ndjesitë patriotike dhe nacionale të popullit. Kanë qenë pengës serioze e Luftës Nacional-Çlirimtare.
Kanë punuar për eliminimin e kësaj lëvizje. Kanë ndihmuar dhe kanë bashkëpunuar me gjithë organizatat kriminale gjat okupacioneve. Kane përkrahur dhe ndihmuar tërë qeveritë kuislinge të kohës okupacioneve si dhe politikën e tyre renegate. Kanë praktikuar të gjitha mjetet e mundshme dhe çdo lloj metode, për të shuar ose penguar deri në fund, rezistencën e popullit.
Gjat okupacionit Gjerman, janë bërë agjentë të Gestapos, duke denoncuar në zyrat sekrete të saj, militantët e L.N.Ç. Kanë ndihmuar repartet dhe formacionet armike e, bashibozuke kur shkonin nder krahina, për të luftuar partizanët.
Mbas çlirimit të Shqipërisë, të tmerruar nga Pushteti në dorë te popullit, hidhen me egërsi dhe ma me tërbim, kundër popullit dhe Pushtetit. Me qellim që ta godasin Pushtetin ma me forcë, ja fillojnë organizmit të tyre, përbrenda Klerit Katolik nën kryesin e Monsinjor Gjini, të Dom Nikoll Dedës, Padër Mati Prendushi, të Monsinjor Volaj, etj., krerë klerikal.
Organizmin e tyre, e fillojnë duke e transformuar gjithë klerin katolik, në një organizatë fashiste, të quajtur Demokristiane. Zgjedhin Komitetin Qendror, me elementët e sipërpërmendur, si; Monsinjor Gjini, Monsinjor Volaj, Dom Nikoll Deda, Padër Mati Prendushi, etj., si dhe civilët Zef Haxhija me shokë.
Në vendimet e Komitetit Qendror, kanë specifikuar formimin e Komiteteve e N/Komiteteve të kësaj organizate, ndër famullia të ndryshme, nder krahina. Lidhjen me t’arratisur, brenda dhe jashtë shtetit, si dhe me çdo organizatë terroriste, brenda Shtetit. Lidhjen me imperialistët e huaj dhe me çdo armik të vendit t’onë. Koordinimin e luftës kundër Pushtetit, me çdo kundërshtar të Pushtetit. Pregatitjen e një kryengritje imediate, t’armatosur, për kundër Pushtetit.
Të gjithë këto vendime, të pandehurit bashkë me shokët e tyre, kanë vënë në zbatim, duke u lidhur me t’arratisurit, duke dërguar memorandume imperialistëve të huaj. Formuan Komitetin e Përbashkët t’organizatës terroriste për Shkodrën, duke u përfaqsuar në ketë organizatë terroriste për Shkodrën, duke u përfaqësuar në këtë organizatë, nga Dom Nikoll Deda. Kanë zhvilluar propagandë të gjerë për formimin e kryengritjes, kundër Pushtetit (karakteristik), përpjekja e 9 Shtatorit ‘46.
Nga të pandehurit, Zef Haxhija, ka qenë anëtar i Komitetit Qendror të Demokristianes. Ka tradhtuar besimin e popullit, si përfaqësues i popullit, në Kuvendin Popullor, duke u lidhur me organizatat terroriste fashiste, e profashiste, të cilat ishin për rrëzimin me dhune te Pushtetit Popullor. Faje këto, që parashikonin prej nenit 2,3, pikës 1,2,4,6,7, 8 e 14 dhe nenit 4 të Ligjës Nr. 372, mbi fajet penale, kundra Shtetit dhe Popullit.
Prokurori Ushtarak i Z.U.SH
Kapiten
Namik Qemali
Proces-Verbal
Prokuroria Ushtarake e Zonës Ushtarake të Shkodrës, me akt-akuzën e sajë, me Nr.2 datë 2/I/1948, i solli kësaj gjykate aktet hetimore, të rrjedhura kundra të pandehurve: Monsinjor Gjini, Dom Nikoll Deda, Padër Mati Prendushi, Dom Tomë Laca, Zef Haxhija, Dom Ndoc Sahatçija, Padër Gjin Karma, Padër Mhill Miraj, Xhakoj, Zef Pllumbi dhe Dom Shelqeti, për fajin se:
Kanë punuar për ardhjen e fashizmit dhe për okupimin e vendit t’onë, nga imperializmi Italian. Qysh para okupacionit, kanë qenë agjentë politike dhe spiunazhi t’imperjalizmit Italian. Gjat okupacionit, kane punuar për fashistizimin e vendit.
Kanë punuar për të legalizuar okupacionin armik. Me anë të agjitacionit dhe të propagandës fashiste, janë përpjekur të shuajnë ndjesitë patriotike dhe nacionale të popullit. Kanë qenë pengës serioze e L.N.Ç. Kanë punuar për eliminimin e kësaj lëvizje.
Kanë ndihmuar dhe kanë bashkëpunuar me të gjith organizatat kriminale, gjate okupacioneve. Kanë përkrahur dhe ndihmuar terë qeveritë kuislinge të kohës okupacioneve, si dhe politikën e tyre renegate. Kane praktikuar të gjitha mjetet e mundshme dhe çdo lloj metode, për të shuar ose penguar deri në fund, rezistencën e popullit.
Gjat okupacionit Gjerman, janë bërë agjentë të Gestapos, duke denoncuar në zyrat sekrete të saj, militantët e L.N.Ç. Kanë ndihmuar repartet dhe formacionet armike e bashibozuke, kur shkonin ndër krahina për të luftuar partizanët. Mbas çlirimit të Shqipërisë, te tmerruar nga Pushteti në dorë të popullit, hidhen me egërsi dhe ma me tërbim, kundër Popullit dhe Pushtetit.
Me qellim që të godasin Pushtetin, ma me forcë, i’a fillojnë organizmit të tyre, për brenda Klerit Katolik, nën kryesin e Monsinjor Gjinit, Dom Nikoll Dedës, Patër Mati Prendushit, Monsinjor Volaj, etj., krerë klerikale. Organizmin e tyre, e fillojnë, duke transformuar gjithë Klerin Katolik, në një organizatë fashiste, të quajtur Demo-kristjane.
Zgjedhin Komitetin Qendror, me elementët e sipërpërmendur, si Monsinjor Gjini, Monsinjor Volaj, Dom Nikoll Deda, Padër Mati Prendushi, etj, si dhe civilët Zef Haxhija, me shokë.
Në vendimet e Komitetit Qendror, kanë specifikuar formimin e Komiteteve e N/Komitete të kësaj organizate, nder famullia të ndryshme ndër krahina. Lidhjen me t’arratisur, brenda dhe jashtë shtetit, si dhe me çdo organizatë terroriste, brenda shtetit. Lidhjen me imperialistët e huaj dhe me çdo armik të vendit t’onë. Koordinimin e luftës kundër Pushtetit, me çdo kundërshtar të Pushtetit.
Përgatitjen e një kryengritje imediate t’armatosur, për kundër Pushtetit. Të gjith këto vendime, të pandehurit bashkë me shokët e tyre, i kanë vënë në zbatim, duke u lidhur me t’arratisurit, duke dërguar memorandume imperialistëve të huaj.
Formuan Komitetin e Përbashkët t’organizatës terroriste për Shkodrën, duke u përfaqësuar në këtë organizatë, nga Dom Nikoll Deda.
Kanë zhvilluar propagandë të gjerë për formimin e kryengritjes kundër Pushtetit (karakteristik përpjekja e 9 shtatorit 46’). Nga të pandehurit, Zef Haxhija, ka qenë anëtar i Komitetit Qendror të Demo-kristjanes.
Ka tradhtuar besimin e Popullit, si përfaqësues i popullit në Kuvendin Popullor, duke u lidhur me organizatat terroriste fashiste, e profashiste, të cilat ishin për rrëzimin me dhunë të Pushtetit Popullor.
Faje këto, të parashikuara prej neneve 2,3 (pikat 1,2,4,6,7,8 e 14) dhe nenit 4 te Ligjit Nr.372, mbi fajet penale kundra Shtetit dhe Popullit.
Këto akte, mbasi u regjistruan nën Nr.17 te Radhorit Themelor, për ditë gjyqi, u caktua data 6 Janar 1948, ditën e Martë, ora 10 para dreke, Shkodër, me 2/I/ 1948.
Ditën dhe orën e sipërme, trupi gjykues, u formua si vijon:
Kryetar Kapiten I-rë Misto Bllaca
Antar N/Toger Anastas Koroveshi
Antar N/Toger Xhemal Bejtja
Duke qenë gadi Prokurori, Kapiten Namik Qemali dhe Sekretari i Gjykatës, Shaban Qamil Dautaj.
U suallën të pandehurit nga burgu:
U pyet, identiteti i tyre dhe thanë se quhen:
Monsinjor, Frano Pjeter Gjini, i biri i Pjetrit dhe i Dranes, vjeç 62, shqiptar i pa martuar, i pa dënuar, i varfër, ka mbaruar Theollogjia, me profesion Ipeshkv, lindur në Shkodër dhe banues në Shkodër, i rreshtuar me datën 15/XI/ 1946.
Dom Nikoll Zef Deda, i biri Zefit dhe i Ages, vjeç 58, i pa martuar, i pa dënuar, i varfër, ka mbaruar Theollogjin, famullitar, ka vëllaun në burg dhe një vëlla t’ekzekutuar, lindur në Shkodër dhe banues në Hajmel, i rreshtuar me datën 13/X/1946.
Padër Mati Prendushi, i biri i Kolës dhe i Prendës, vjeç 66, i pa martuar, i pa dënuar, shqiptar i varfër, prift, ka mbaruar Theollogjinë n’Austri, në burg ka nipin e tij Paolin Prendushin, lindur dhe banues në Shkodër, i rreshtuar me datën 15 /XI/1946.
Dom Tom Laca, i biri Palokës dhe i Dranes, vjeç 51, i pa martuar, i pa dënuar, nga gjendja ekonomike të mesme, ka mbaruar Theollogjin në Romë, me profesion prift, në burg ka djalin e motrës Zef Palin, nga Shkodra, i rreshtuar me datën 14/X/1946.
Zef Kol Haxhija, i biri Kolës dhe i Gjystes, vjeç 58, i martuar me 8 fëmij, i varfër, ka mbaruar shkollën Teknike Tregtare, mandej ka vazhdue Gjimnazin Ushtarak Turqisht, nga Shkodra, i pa prekur nga reforma, ish deputet, i rreshtuar me datën 20/XI/1948.
Dom Ndoc Sahatçija, i biri i Rrokut dhe i Nushes, vjeç 41, i pa martuar, i pa dënuar, i varfër, ka mbaruar Theollogjinë, me profesion Ipeshkv, lindur ne Breg te Matës, i rreshtuar me datën 26/6/ 1947.
Pader Gjon Karma, i biri Franos dhe i Diles, vjeç 52, ka mbaruar Theollogjin në Austri dhe Romë, i pa martuar, i padënuar, shqiptar, me profesion famullitar, lindur në Gur i Zi, i rreshtuar me datën 10/XI/1946.
Dom Nikoll Shelqeti, i biri Hilës dhe i Diles, vjeç 55, i pa martuar, i pa dënuar, i varfër, ka mbaruar Theologjin dhe fillosofin në Austri, me profesion prift e famullitar, lindur në Shelqet, i rreshtuar me datën 20/XII/46.
Padër Mhill Miraj, i biri Pjetrit dhe i Prendës, vjeç 39, shqiptar i pa martuar, i padënuar, i varfër, ka mbaruar Theologjin në Rome, ish-profesor e zëvendës famullitar, nga Shkodra, i rreshtuar me datën 20/X/1946.
Zef Gjeto Pllumbi, i biri i Gjetos dhe i Lukes, vjeç 22, i pa martuar, i pa dënuar, lindur ne Bogë të Koplikut dhe banues në Mal të Rencit, me profesion xhaku, ka krye të tretin kurs Theollogjik, ka t’ekzekutuar, Mark Mirin e Zef Mirin, dhe t’arrestuar, djalin e dajës, i varfër, i rreshtuar me datën 15/X/1946.
U kandua akt-akuza e Prokurorisë, përmbajtja e së cilës është përshkruar në parathanjen e këtij procesi. /Memorie.al/