Kjo ndodh vetëm në botën shqiptare nën traumë, nën depresion nga pesha e regjimeve totalitare dhe tranzicionit posttotalitar, ku shoqëria tërhiqet për kapistalli, kur ia shterrin energjitë për t’u rebeluar, në kërkim të lirisë dhe të një shteti demokratik të vlerave.
Edhe në rastin e aktorit të shquar Zef Deda, sot po përsërisin të gjithë “Mjeshtri i Madh” dhe po rreshtojnë të gjitha, a nuk është shumë vonë, talentin, vlerat dhe meritat e Zef Dedës, i cili në kulmin e diktaturës, i fshiu të gjitha barrierat e retushimeve, censurës dhe autocensurës dhe na bëri të qeshnim me artin e një gjeniu që e krahasojnë me të drejtë me Charlie Chaplinin. Charlie Chaplini shqiptar, me tiparet e hallet shqiptare, që arriti t’i kalonte kufijtë dhe izolimin duke i shërbyer shqiptarëve në vendin e tij.
Por nëse Zef Deda i theu barrierat e shtetit diktatorial dhe na bëri të qeshnim, se edhe e qeshura ishte nën kontroll, e trishtueshme është se gjatë postdiktaturës, tranzicionit 32 vjeçar në ekranet e televizioneve vendin e estradës dhe aktorëve të shquar komikë e uzurpuan politikanët, opinionistët dhe shpura e tyre, shkak edhe që depresioni i shoqërisë shqiptare veç rritet. Nëse skena e cirkut kolkozian e politikës do ta zëvendësohej me skenën e aktorëve tanë të shquar, kemi patur një elitë aktorësh për çdo skenë të botës së qytetëruar, Zef Deda patjetër do të gjente mënyrën për t’iu thënë shqiptarëve “çonju shqiptarë nga gjumi çonju”! Për këtë arsye e gjithë elita e artistëve përfshi edhe akttorët e humorit u zhduk nga skena, duke iu hequr e drejta shoqërisë shqiptare që të qeshë! Tani i marrin aktorët nëpër konferenca si dekor, si qyqanë! Skena politike për aktorët është vdekja e tyre. Ata duan lirinë e skenës së madhe të publikut! Rrënuesi i Teatrit Kombëtar, që për fatalitet kombëtar prej 1997 është ulur në kolltukun e Ministrit të Kulturës, atë të kryetarit të bashkisë më të madhe të vendit, është kryetar mavrie i mavisë dhe kryeministër duke postuar një foto me Aktorin e Madh bënte ngushëllimin e rradhës duke e ngritur në apoteozë hipokrizinë dhe cinizmin.
Është një gjëmë për kulturën shqiptare e dyfishtë se Zef Dedën e lanë jashtë skenës për 32 vjet tranzicion dhe se tani e qajnë me lot krokodili!
Qajnë me lot krokodili Mjeshtërin e Madh! Po përse vetëm Mjeshtër i Madh!
Zef Deda i dha kulturës shqiptare dhe shoqërisë shqiptare atë që ajo kishte nevojë, ironinë, të qeshurën, talljen, sarkazmën. Dalja në ekranin e vogël të televizorit e Zef Dedës mezi pritej, sepse shqiptarët e dinin se Zef Deda do t’i ngrinte peshë, që ata të qeshnin me shpirt. “Një ditë pa qeshur është një ditë e humbur e jetës”, thosh Chaplini. E qeshura e largon dimrin nga fytyra e njerëzimit, thosh Hygoi. Nën dimrin diktatorial komunist Zef Deda i jepte jetë kombit të tij.
Në një vend të izoluar, të mbyllur e të harruar Zef Deda me artin e tij na bëri të ndiheshim gjallë. Prej asaj kohe Zef Deda kishte hyrë në Panteonin e Nderit të Kombit. Ndërsa dëbimi i Zef Dedës për 32 vjet të tranzicionit nga skena shqiptare është krim.
Tani që i madhi Zef Deda ka marrë rrugën për tek Zoti, rrjeti social gëlon nga fotot ku kanë dalë me Artistin e madh të Skenës Shqiptare të Humorit, por asnjë kryepartiak apo lider nuk e propozoi se iu duk sakrilegj që Zef Deda të nderohej në gjallje me të gjitha nderet e shtetit shqiptar, duke nisur nga dekorata si Nderi i Kombit, sepse Zef Deda i shërbeu Kombit të tij.
Ndërkohë titullin e Nderit të Kombit e kanë plot kallamkusure, personazhe groteske, askusha, hiça, që pa dyshim Zef Deda do t’i tallte, do t’i kthente në personazhe estradeske me skeçet dhe humorin e tij, por nuk e lanë, ia vodhën edhe skenën barbarisht duke i mbushur programet televizive me injorancë, vulgaritet, banalitet, trash, idiotësira si malli i duhur për të shparë dhe e lënë të fjetur në gjumë të thellë trurin e popullit shqiptar! Sepse politika shqiptare, që identifikohet vetëm me pushtetin e krijuar jo prej kontributeve por si zvarritje që i bën shqiptarëve prej 32 vitesh i tutej të madhit Zef Deda!