Draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, po vazhdon të jetë në qendër të diskutimeve. Ndonëse ky draft-statut ende nuk është publikuar zyrtarisht, zëdhënësi i BE-së ka lënë të kuptohet se nuk i zbulojnë dokumentet. Ndërkohë, drafti-statuti nga njohës të Kushtetutës po konsiderohet i pafavorshëm për Kosovën.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano në një përgjigje për Rtv Dukagjinin, ka thënë se propozimi i BE-së për Asociacionin nuk është bërë publik.
Stano ka thënë se nuk i zbulojnë dokumentet dhe nuk marrin pjesë në debatin që bëhet për to. “Ne kurrë nuk i zbulojmë dokumentet zyrtare publikisht dhe as nuk marrim pjesë në shkëmbime publike për to, ndërkohë që ato diskutohen.” – ka thënë ai.
Stano ka thënë se ndërmjetësimi ndërkombëtar është proces që zhvillohet në konfidencialitet, teksa ka thënë se propozimi i ri është më i balancuar. “Lidhur me draft-statutin e Asociacionit të Komunave Serbe, mund të kujtojmë vetëm se një propozim i ri i balancuar evropian për themelimin e Asociacionit të Komunave iu paraqit partnerëve përkatës nga EUSR për dialogun e Beogradit në Prishtinë gjatë vizitës së tij në rajon në fund të muajit tetor. Më pas u diskutua me të dyja palët gjatë takimit të liderëve në margjinat e Këshillit Evropian.” – ka thënë ai. Ndërkohë, në Kosovë janë publikuar disa drafte por deri më tani nuk janë zyrtarizuar si dhe janë mohuar nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Megjithatë këto drafte po komentohen e analizohen nga njohësit e fushës. Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, ka komentuar draft-statutin e Asociacionit të propozuar nga Perëndimi, duke thënë se Rezoluta 1244 dhe Arbitrazhi, janë ndër pikat e kuqe në këtë draft. Hasani ka thënë se Asociacioni krijon autonomi politiko-territoriale dhe ka kompetenca të theksuar shtetërore.
“Kjo përmbajtje e këtij statuti është derivat i drejtpërdrejtë i Marrëveshjes së Brukselit, përkatësisht aneksit të Ohrit. Do të thotë, është i dedikuar për zbatimin e një autonomie politiko-territoriale, e cila ka autorizime të theksuara kushtetuese, përmbajtje shtetërore. Pjesa e kompetencave, që ka të bëjë me zhvillimin ekonomik, kulturor, përfaqësimin politik, të gjitha ato janë përgjegjësi të Republikës së Kosovës dhe përgjegjësi me Kushtetutë, sikurse në të gjitha vendet tjera të rajonit, dhe tani ato kompetenca i uzurpon Asociacioni. Mbi këtë bazë, kjo është tërësisht Kushtetutë e re, bëhet fjalë për shkrimin e një Kushtetute të dytë të Kosovës, që vlen vetëm për serbët.” – ka thënë ai për draftin e Asociacionit.