Agjencitë amerikane të zbulimit nuk kanë gjetur lidhje mes shteteve kundërshtare dhe sulmeve të ashtuquajtura “Sindroma e Havanës”. Personeli amerikan jashtë Shteteve të Bashkuara ka raportuar disa qindra raste të problemeve shëndetësore, kryesisht në tru, përfshirë trauma, ankth dhe depresion.
Raporti i publikuar të mërkurën nga zyrtarë të zbulimit amerikan hedh dyshime mbi akuzat e mëhershme se Rusia apo një vend tjetër mund të fshihen pas një fushate globale për të ngacmuar ose sulmuar amerikanët duke përdorur një lloj forme energjie të kontrolluar.
Shumica e rasteve të hetuara duket se kanë shkaqe të ndryshme, që nga faktorët mjedisorë e deri tek sëmundjet e padiagnostikuara, thanë zyrtarët, të cilët u shprehën se nuk kanë gjetur një shpjegim të vetëm për shumicën ose të gjitha rastet e raportuara.
Zyrtarët e zbulimit thonë se ka prova që vendet e huaja nuk ishin të përfshira.
Në disa raste, Shtetet e Bashkuara zbuluan konfuzion mes qeverive kundrështare në lidhje me pretendimet dhe dyshimet se “Sindroma e Havanës” ishte një komplot amerikan. Hetuesit nuk gjetën “asnjë provë të besueshme” se ndonjë vend kundërshtar kishte një armë që mund të shkaktonte simptomat e raportuara ose një pajisje dëgjimi që mund të lëndonte pa dashje njerëzit.
Administrata e Presidentit Biden ka qënë nën trysni për të reaguar ndaj rasteve të quajtura “Sindromi i Havanës” nga punonjës të qeverisë amerikane që kanë raportuar lëndime, avokatët e tyre si dhe ligjvënës amerikanë.
Presidenti Joe Biden nënshkroi vitin e kaluar ligjin “HAVANA” i cili siguron kompensim për individët që mendohet se kishin pësuar lëndime të cilat qeveria i cilëson si “incidente jonormale shëndetësore”.
Mark Zaid, një avokat për më shumë se njëzet individë që kanë raportuar lëndime, tha se vlerësimit të ri i mungonte transparenca duke mos u dhënë përgjigje pyetjeve kryesore.
“Derisa të hiqen perdet e fshehtësisë dhe të bëhen të disponueshme analizat që çuan në këto konkluzione dhe t’i nënshtrohen shqyrtimeve të duhura, përfundimet e supozuara janë të pavlefshme”, tha ai përmes një deklarate. “Por dëmi që i ka shkaktuar moralit të viktimave, kryesisht duke shmangur dështimin e qeverisë për të vlerësuar të gjitha provat, është real dhe duhet dënuar”.
Dy zyrtarë me njohuri për raportin informuan gazetarët të mërkurën në kushte anonimiteti, në bazë të rregullave të vendosura nga Drejtori i Inteligjencës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Hetuesit shqyrtuan rreth 1500 raste në 96 shtete. Shumë prej rasteve, thanë zyrtarët, kanë lidhje me shpjegime të tjera të mundshme si sëmundje, mosfunksionimi i sistemit të ajrimit dhe ventilimit, ose valë elektromagnetike nga pajisjet kompjutetike.