Edhe në Zvicër shqiptarët janë bërë faktor dominues në trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe heroinës. Ata janë të mirëorganizuar dhe i kanë shkaktuar jo pak probleme policisë zvicerane. Andrea Lurati, Shefi i Policisë së Antidrogës së rajonit Ticino shprehet se situata është përkeqësuar më shumë gjatë 5 viteve të fundit dhe se lënda narkotike sigurohet nga Afganistani, duke bëtë një tur të gjatë deri në mbërritjen e saj në Zvicër.
Në median e përditshme, “Ticino”, të kantonit me këtë emër në jug të Zvicrës, Andrea Lurati, Shefi i Policisë së Antidrogës së këtij rajoni shpreh shqetësimin se tregu i trafikut të heroinës në këtë territor gjatë 5 viteve të fundit është në duart e trafikantëve shqiptarë.
“Prej vitit 2013-2014 trafikimi i heroinës në kantonin Ticino është në duart e shqiptarëve – thotë ai – vijnë e qëndrojnë në territorin tonë për 1-2 muaj e nëse arrestohen zëvendësohen nga shqiptarë të tjerë, por nëse nuk kapen kthehen në Shqipëri pas 6 ose 8 muajve. Të tjerë vijnë përsëri në Ticino për të trafikuar heroinë. E ky është një fenomen që prek dhe kantonet e tjera zvicerane” , deklaron shefi i Antidrogës. “Heroina, thotë ai, vjen nga Afganistani, magazinohet në Turqi e më pas përmes rrugës ballkanike mbërrin në Ticino. Çdo pako me 5 gram heroinë kushton më pak se 200 franga.”
“Në Ticino mbi 80 % e trafikantëve të heroinës janë shtetas shqiptarë, të cilët vijnë për një qëndrim të përkohshëm me qëllimin e vetëm të trafikimit të heroinës.” Shefi i antidrogës së kantonit zviceran, hedh alarmin se pas një mungese prej gati 10 vitesh, gjatë 5 viteve të fundit fenomeni i trafikantëve shqiptarë që zotërojnë tregun e heroinës është shfaqur mjaft preokupues.”
“Janë korrierë të thjeshtë, trafikantë e bosa të trafikut të heroinës”, thotë ai. Nuk ka një regji të vetme , janë shumë mendje, e veprojnë shumë grupe trafikantësh. Truri i trafikut janë shqiptarët që në shumicën e rasteve e organizojnë trafikun e heroinës nga Shqipëria e në disa raste nga Italia e Veriut. Trafikantët shqiptarë mbajnë lidhje me konsumatorët e heroinës në Ticino e shpesh mikpriten nga ata kur mbërrijnë në territorin tonë”, shprehet shefi i Antidrogës. “Sa herë që i arrestojmë, thotë ai, versioni i cdo korrier është i njëjtë. Thonë në Shqipëri nuk kemi punë, nuk kemi të ardhura e detyrohen të trafikojmë për të fituar pak para.”
Kreu i antidrogës së kantonit zviceran tregon se sot çmimi i heroinës ka rënë. Nëse vite më parë 5 gramë heroinë kushtonin 250-300 franga zvicerane, sot shkon nga 150-170 franga.
Heroina e tregtuar nga shqiptarët në Ticino, shpesh është në rrugë kalimtare për të mbërritur më pas në kantonet e tjera zvicerane e deri në Italinë Veriore. Shefi i anti-drogës së Ticino, informon se pas disa javësh pritet të dalin statistikat zyrtare të operacioneve antidrogë mbi sasinë e heroinës së sekuestruar përgjatë 2018 e trafikantët e arrestuar./Ora News
Komentet