E paralajmëruar që para disa orësh nga SYRI.net, është zbardhur edhe përbambajtja e letrës së Sparta Brahos që ua ka dërguar krerëve të shtetit, ku shkruhet se po synohet destabilizimi i vendit duke akuzuar Ilir Metën.
Burime për SYRI.net kanë konfirmuar faktin se kreu i Komisionit të Sigurisë në Kuvend, njëkohësisht edhe deputet i LSI-së, Spartak Braho letrën ja ka drejtuar vetëm Presidentit Bujar Nishani, Kryeministrit Edi Rama dhe Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta.
Në letrën e tij, deputeti Braho akuzon Tom Doshin dhe Dritan Priftin se kanë ushtruar presion ndaj familjarëve të Kastriot Ismailajt për të dhënë dëshmi kundër Ilir Metës.
Braho shkruan për një komunikim me familjarët e Kastriot Ismailajt, posaçërisht gruan e tij Vojsava Ismailaj. Sipas Brahos Doshi dhe Prifti kanë takuar në Sheraton bashkëshorten e Ismailaj, ku i kanë premtuar mbrojtje dhe dërgim jashtë shtetit në këmbim të deklaratave kundër Ilir Metes.
Në letrën e tij, deputeti Spartak Braho “kërkon që Vojsava Ismailaj të merret në mbrojtje nga policia dhe prokuroria”.
Nderkaq, të kontaktuar nga Top Channel, kanë reaguar edhe dy personazhet e përmendur në letër, Dritan Prifti dhe Tom Doshi. Në lidhje me takimin me bashkëshorten e Kastriot Ismailajt, Doshi tha:
“Kam 15 vite që njihem me bashkëshorten e zotit Ismailaj. Unë jam deputet dhe mund të takohem me këdo. Po, jam takuar me kërkesë të saj. Le të kontrollohen tabulatet e mia dhe të shikohet se kush e ka kërkuar takimin”.
Doshi në prononcimin e tij thotë gjithashtu se ai nuk ka asnjë dijeni për bizneset e mundshme që mund të ketë patur Ilir Meta me Kastriot Ismailajn. Por ai the se ka dy pyetje për Ilir Metën nëse ai ka vizituar zyrtar e Kastriot Imailajt tek ish Radio Tirana përpara zgjedhjeve lokale të 2011 dhe a ka shkuar në Çeki për të lobuar në marrjen e kontratës nga DIA.
Ndërsa Prifti shprehet se nuk ka njohje me bashkëshorten e Ismailajt dhe shton se e do këtë vend më shumë se Ilir Meta, dhe se nuk do të dëshironte asnjë lloj destabiliteti. Sipas Priftit, asnjë presion nuk do të bëjë që ai të tërhiqet nga e vërteta. Nëse do të hapet një hetim serioz për CEZ dhe DIA-n Prifti deklaron se do të dëshmojë të vërtetën, sidomos kur, sipas tij po kërkohet t’i zhvaten vendit 130 milionë euro.
Komentet