40-vjetori i pushkatimit të Fadil Kokomanit, Vangjel Lezhos dhe Xhelal Koprenckës më 28 maj 1979 rikthen vëmendjen te krimet që përjetoi vendi për rreth 45 vite me radhë gjatë diktaturës së Hoxhës. Të tre u burgosën për qëndrimet e tyre dhe për dëshirën për të jetuar të lirë dhe gjetën kurajën që brenda burgut të kritikonin me shumë kurajë regjimin. Kokomani e Lezho ishin komunistë, madje përpara se të arrestoheshin ishin dhe anëtarë partie, por fakti që ata e kishin jetuar rininë në Bashkimin Sovjetik dhe kishin parë atje ndryshimet me realitetin komunist shqiptar i bënte skeptikë për gjithçka që diktatori Hoxha propagandonte në Tiranë.
Qenë arrestuar njëri pas tjetrit në verën e vitit 1963 pas tentativës për arratisje nga Pogradeci. Edhe pse u dënuan me burgim në Spaç, ata vazhduan kritikat ndaj regjimit dhe diktatorit, njësoj si edhe i burgosuri tjetër Xhelal Koprencka (letra e tij ende nuk është bërë publike). Dhe të tre paguan në fund një çmim të lartë, me jetën e tyre. Ky ishte regjimi i Hoxhës, një regjim burracak që frikësohej edhe nga të burgosurit e tij.
Ditët e sotme është zbardhur letra drejtuar Komitetit Qendror, më saktësisht Hysni Kapos dhe Ramiz Alisë, nga Kokomani e Lezho. Ata zbërthejnë në mënyrë të përkryer gjithë situatën që kalonte vendi. Me një gjuhë jashtëzakonisht të pasur, letra e gjatë mbi 30 faqe drejtuar Komitetit Qendror mbetet një dëshmi e pastër disidence.
1
“Perandorinë e Enverit e mban në këmbë armata e spiunëve”, shkruanin në letrën e tyre Kokomani dhe Lezho, të cilët denonconin me forcë faktin se në vitin 1962 kishin pasur të drejtë me qëndrimet e tyre pro ndryshimeve që kishin ndodhur në Moskë. “Kulti i Sekretarit të Parë me kompani, shteti jam unë”, në një komunizëm që kurrë nuk pati “fytyrë njerëzore”. Kokomani dhe Lezho paralajmëruan vetizolimin e Hoxhës pas prishjes me Bashkimin Sovjetik dhe Kinën.
“‘Olimpi’ i Tiranës i ka kthyer të gjitha tragjeditë eskiliane të lashtësisë në komedi alla ‘Epopeja e Ballit’! Ky ‘Olimpi’ ynë e ka mbushur Shqipërinë pëllëmbë e burg, që ua kalojnë edhe atyre të fashizmit… Gënjeshtra e madhështisë së fituar qysh në Luftën Nacional Çlirimtare… Në Shqipërinë socialiste fëmijës, qysh kur del nga barku i nënës, i japin pushkën dhe këtë e bëjnë vetëm me të njëjtin qëllim ‘humanitar’ që ai, (fëmija) kur të rritet, të vrasë veten! Në vend të mirëqenies ofrohen parullat patriotike…
Për shoqëri ideale, për të cilën Sekretari i Parë ka plot 35 vjet që shurdhon veshët e popullit shqiptar. Krijuat një fe të re të perëndive të Tiranës, krijuat Zotin e ri në personin e Enver Hoxhës, të cilin e kanë tmerr dhe frikë të gjithë, pasi ai është bërë Zot i familjes, i ndarjeve dhe martesave, i aksioneve dhe i zboreve sfilitëse, i kafshatës së bukës dhe – çka është më tronditësja – ai është kapitalisti dhe punëdhënësi primar dhe permanent i kësaj toke shqiptare”, shkruanin Kokomani dhe Lezho, duke denoncuar kultin e individit dhe gjendjen ku popullsia brohoriste në “agoni shpirtrash të sfilitur”.
Regjimi iu përgjigj letrës. Kurrë me shkrim, por me veprat e makinacionit të saj. Të tre u arrestuan sërish, edhe pse në burg. Njëherë u dënuan për agjitacion e propagandë, kjo sa për t’u dhënë kohë xhelatëve që të formulonin akuzat e reja, akuza që më saktë ishin të vjetra. Në vitin 1963, Kokomani e Lezho qenë akuzuar njëherë për organizatë kundërrevolucionare, ndaj sistemi riprodhoi akuzat e vjetra dhe kësaj here shkrehu armët.
LETRA QË TRONDITI UDHËHEQJEN
Letra është e gjatë. Lezho e Kokomani ishin gazetarë dhe zotëronin jo vetëm artin e të shkruarit, por edhe analizën e mprehtë. Të dënuar në burgun e Spaçit, për ta thuajse nuk kishte më të ardhme, ndaj edhe menduan që në kushtet e izolim.
it dhe mungesës së plotë të lirisë të ndiheshin të lirë, duke thënë të vërtetat e tyre në lidhje me udhëheqjen, regjimin, zhgënjimin ndaj parimeve marksiste-leniniste, të denonconin tradhtinë që udhëheqja i bëri popullit të vetë e duke ua përplasur në sy kalbjen e sistemit, qeverisjen sipas stilit të Luigjit XIV, diferencat e mëdha mes “bllokmenëve” dhe njerëzve që nuk ngrysnin dot muajin… Një letër e guximshme, vetëvrasëse, e cila u ndëshkua me dënimin kapital.
Më poshtë, një pjesë nga letra që Vangjel Lezho e Fadil Kokomani i dërguan Hysni Kapos, e cila u botua disa vite më parë, e plotë nga gazeta “Panorama”.
Letra
Hysni Kapo
Sekretar i KQ të PPSH
(Për Komitetin Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë) Një shtet, ku në rendin e ditës janë parullat patriotike (“për flamurin” “për atdheun” “për trojet e shenjta” etj., etj.), ai as nuk ka vdekur dhe as nuk është vrarë, por është kalbëzuar. Në vijim të këtij gjykimi, në një shtet ku jeta e përgjithshme dhe e veçantë i nënshtrohet “mendimit” dhe rrugës politike të një suite të përjetshme dhe kur ky “mendim” permanent dhe politik – bëhet qëllim jete për popullin, pa dyshim që ky shtet është pushtuar (si në formacionin shoqëror, ashtu edhe në atë familjar) nga një humnerë amoraliteti. Këtë e ka vërtetuar historia e “kolltukëve” obskurantistë të shumë mbretërive e sundimtarëve të së kaluarës dhe të kohës që jetojmë, pavarësisht se këta “udhëheqës” e të “zgjedhur” të popullit janë munduar të notojnë me të gjitha metodat e demokracisë, lirisë e barazisë.
Në epokën tonë, në shekullin e kozmosit të komunizmit, natyra më e thellë, më serioze ose më e cekët dhe më pak serioze e një shteti a shoqërie që pretendon se ndërton socializmin, varet nga raporti dhe qëndrimi që ai shtet( në rastin tonë udhëheqje) mban ndaj kozmosit të komunizmit, ndaj Bashkimit Sovjetik, ndaj Tetorit të madh. Tetori i Madh, Bashkimi Sovjetik, Partia Komuniste Bolshevike e BS-së janë tri nocione që mbeten ndër shekuj gur themeltar i kozmosit komunist.
Po mbushen 18 vjet që udhëheqja shqiptare, duke e çuar vazhdimisht popullin, gjithmonë kurrizpërkulur në greminën më të turpshme që ka parë historia, sulmon pa pushuar, si kukuvajka në errësirë vendin dhe popullin e madh të Tetorit me shigjetat më të pështira e të helmuara! Përse vallë? Sepse ajo vuan nga kolltukomania shekullore “alla mbret”, “alla Ali Pashë” e kompani. Nuk thonë më kot: në qoftë se aksiomat gjeometrike prekin interesat dhe parimet e personave të posaçëm, këta nuk lënë shtyllë pa ngjitur e kullë pa ndërtuar me qëllim që t’i eliminojnë këto aksioma. Kur dialektika jonë socialiste kërkonte që Sekretari i Parë të hiqej mënjanë si figurë që e kishte kryer misionin në parti, ai dhe kompania e tij duket kujtuan gjakun stërgjyshor të sulltanëve e të mbeturve të Francës dhe kërkuan ndihmën e Vatikanit të Perëndimit plak dhe më në fund e më në bisht dhe të djallit vetë, vetëm e vetëm që ata të mbeteshin në fuqi.
Ama, komunistë! Vallë, a ka gjë të përbashkët këtu me figurën e komunistit?! Vetëkuptohet, këtu zien kolltukomania “alla monark” dhe Sekretari i Parë i përjetshëm i Partisë së Punës, që zgjidhet kongres pas kongresi pa asnjë diskutim (ka rrezik të zgjidhet edhe pas vdekjes si sekretar nderi)-u prek në egon dhe sedrën e tij stërgjyshore si bej, çifligar a fajdexhi dhe lëshoi tirandën e shëmtuar politike kundër Bashkimit Sovjetik, tirandën më monstruoze që ka parë njerëzimi qysh nga Tetori i Madh i ‘17-s, megjithëse sa e sa herë kishte fjetur dhe ishte prehur në gjirin e mrekullueshëm të natyrës ruse. Madje, si armiqtë e komunizmit, Perëndimi kapitalist nuk ka përdorur shprehje kaq barbare. Duket se Sekretarin e Parë e preku në thembrën e Akilit udhëheqësi i madh i popullit dhe i Partisë Bolshevike, leninisti i shkëlqyer, Nikida Hrushov, dhe atij “iu dhimbs” populli dhe tha: “Jo, populli shqiptar do të hajë edhe bar, por nuk do të përkulet kurrë!” Dhe ja, sot, populli shqiptar, duke punuar me tri turne, merr aq sa të ketë bukë për tri-katër ditë (vallë a bëhet fjalë për bukë në shekullin e XX-të?!), kurse udhëheqja shqiptare dërgon korrierë të posaçëm në dhera të huaja për të blerë një dorezë a bravë dere për këtë apo atë dhomë gjumi a prehje, që t’i shkojë ngjyrës, shijes dhe impulsit vetjak e kapriçoz të mbretëreshës, kushërirës së saj e gjithë kompanisë që mbajnë disa tesera të kuqe e që vetëquhen anëtarë partie, anëtarë të KQ-së ose anëtarë të Byrosë Politike. Me një fjalë: Oborrin e monarkut të madh të një populli të nënshtruar e të vogël, ju e keni mbiquajtur KQ, Parti Pune e të tjera fetishe të tilla që u përngjajnë aq shumë atyre organizmave socialiste e socialdemokrate të Europës, që Marksi e Lenini i godisnin si vegla të kapitalit.
Ne, si komunistë e publicistë, të brumosur me idetë e Tetorit të Madh, të Leninit e të Partisë Bolshevike qysh në vegjëli, duke vuajtur nëpër burgjet e kampet tuaja, të cilat ia kanë kaluar përsosmërisë barbare të burgjeve e kampeve fashiste e naziste, pavarësisht se struktura njerëzore e KQ-së ka ndryshuar rrënjësisht, ligji mbetet po ai i Sekretarit të Parë, do ta titullonim këtë letër, drejtuar Juve e nëpërmjet jush, KQ të PPSH-së, duke e shtuar në formën e dy pyetjeve të mëdha dhe kyçe: “Que Vadis?” dhe “Kush është demingu i kozmosit të komunizmit?”. Zbërthimi i këtyre dy pyetjeve (që do të formulonin faktikisht edhe titullin fillestar e konkludiv të kësaj letre) nën dritën e metodës së materializmit dialektik dhe historik, si dhe të teorisë së komunizmit shkencor, përbën kuintesencën e pikëpamjeve tona të së kaluarës, të së sotmes dhe së ardhmes.
Juve si “udhëheqje”, u plakët fiziologjikisht, por për faktin mashtrues dhe vetëmashtrues, keni plakur edhe popullin me rininë e tij të përjetshme në gji. Juve, fatin tuaj nuk e tradhtuat, por tradhtuat aspiratat dhe frymëzimin fillestar të popullit, i cili në sfondin e luksit dhe veseve tuaja doktrinare, po hiqet siç thotë filozofi i madh romak, Seneka, – zvarrë! Kësaj i thonë ironi e fatit, si në adresën tuaj të “oborrit” të KQ, ashtu edhe në adresën e popullit. Juve i premtuat popullit socializmin shkencor dhe i servirët një socializëm feudal, doktrinar, që ditaditës më shumë po e jep vetë fytyrën e maskuar dhe po nxjerr në pah kriminalitetin historik dhe paaftësinë dështake për të mos kuptuar rrjedhën dialektike dhe materialiste të historisë njerëzore në tërësi dhe të kampit socialist me Bashkimin Socialist në ballë, në veçanti. Sharlatanizmi nuk ka brirë. Ndaj, edhe lodra e gjoja tradhtisë së BS-së, nuk kishte nevojë për brirë. Mjaftonte vetëm të dilej në tribunën e 81 partive në Moskë dhe t’u njoftohej botës për disa muhabete rreth grurit që e hëngërkan minjtë nëpër hambarët e Bashkimit Sovjetik për të nxjerrë konkluzionin “shkencor” dhe “marksist”, se N. Hrushovi i PKBS-së denigroi në tradhti revizioniste.
Më tej!
Mjaftonte vetëm të dilej në këtë tribunë dhe të thuhej se, BS-ja i imponon mendimet dhe veprimet e veta, gjoja skllavëruese, për të kuptuar sesa antishkencore janë konkluzionet e “udhëheqjes” së PPSHsë dhe sa të drejta janë studimet dhe parashikimet aktuale, thellësisht leniniste të filozofëve dhe ideologëve të të gjitha partive komuniste të globit.
E pse, ç’u bë Bashkimi Sovjetik, që kaq lehtë e me një “deus ex machina” tradhtoi në revizionizëm? Mos ishte vallë ky shtet i fuqishëm, në kohë e në histori si komuna jetëshkurtër e Parisit që u mbyt nga tradhtia e nga grindjet e brendshme dhe nga vërshimi prusian? Juve e dini mirë se shteti i sovjetëve lindi dhe u konsolidua (qysh nga të shtunat komuniste e deri te gjigantët pesëvjeçarë në luftë kolosale me presionet e kapitalit shumëshekullor botëror dhe doli fitimtar në luftën për pavarësi dhe socializëm të vërtetë e avangardeskë. Sot, populli sovjetik gëzon frytet e para të komunizmit modern dhe shkencor. Kurse populli i vogël shqiptar po gëzon frytet e para dhe të fundit të mjerimit e të varfërisë si rezultat i zhgënjimit dhe çbetimit të bërë nga “udhëheqja” e tij e zgjedhur, gjoja me vota të lira e demokratike periodë pas periode. Ky popull po vuan përditë që të shohë pakëz nga premtimi i bërë solemnisht nga PPSH-ja, që pretendon se ka unitet me masat, por ai (populli), nuk ka parë veçse tradhti, keqbërje, degjenerim, vrasje të kuadrove të dalë nga zjarri i Luftës Antifashiste, kurban të përhershëm për altarin e një farë Perëndie, i cili, pas Leninit, qenka “Gjeniali i epokës”.
Ky virtuoz veteran e zhongler i sprovuar, i cili gjatë luftës mbante këshilltarë anglezë, gjatë 35 viteve (si në kohën e jugosllavëve, të sovjetikëve e të kinezëve), nuk ka bërë tjetër, veçse e ka zhvatur në mirëbesim këtë fuqi socialiste dhe ka sajuar mbi gjakun e dëshmorëve situata tragjike, gjoja të Atdheut e të flamurit në rrezik dhe, si shpërblim dhe vërtetim juridik, i ka hedhur opinionit vendas e ndërkombëtar tradhtinë e një sërë anëtarësh të thjeshtë partie, të KQ e të Byrosë Politike, ish-partizanë e komunistë të devotshëm.
Çfarë cirku i mrekullueshëm! Me sa lehtësi sekretari i parë i ka hedhur këta shokë përtej, në kafazin e tigrave të kopshtit zoologjik fashist botëror! Na u kujtua një moment i lashtësisë: në një nga ishujt e Greqisë së vjetër kultivohej Perëndia e Diellit, e quajtur Moloh. Populli ishullar ishte i detyruar t’i bënte herë pas here kësaj perëndie, kurban në njerëz, ndryshe ai (populli) nuk do të shihte diell. Po kështu, ky popull i këtij vendi që quhet Shqipëri apo Republikë Socialiste, është i detyruar të bëjë kurban e theror mbas therorësh pambarimisht, sepse kështu e dashka kauza e “socializmit”, e pse të mos e saktësojmë, sepse kështu e do kulti i Sekretarit të Parë me kompani, i cili me “guximin” që mori, duke i shpallur luftë vendit të parë komunist, nuk bëri tjetër, veçse çoi në vend amanetin e Mustafa Krujës, “për rrezikun sllav dhe luftën kundër tij”, si dhe amanetin e gjithë obskurantistëve dhe shovinistëmëdhenjve shqiptarë kundër sllavëve, si në të kaluarën, ashtu edhe në të sotmen.
Ama, marksistë!
Çfarë i shtyn këta doktrinarë dhe eklektikë të mos bëjnë dallimin e kohës së para revolucionit socialist me atë të kohës së komunizmit shkencor sovjetik dhe të jetës së gjithë familjes së vendeve socialiste?! Për aparencë të fakteve, sulmi u krye vetëm se na u prek kolltuku! “L’etat, c’est moi” “Shteti jam unë dhe pikë”! Kështu thotë Sekretari i Parë, i cili, mbi kurbanet e vetë, mbi kockat e tyre, kërkon të ngrejë një kështjellë të pamposhtur dhe veten ta japë si demurg i kësaj kështjelle, që i përngjan aq shumë asaj kalasë dhe jetës së Ali Pashës, i cili qe i detyruar të vdesë si qen, i rrethuar vetëm nga 20 veta besnikë. Nga na doli ky feniks-demagog, që fryhet e dikton ligjin e parë e të fundit komunistë në të gjithë globin?!
A nuk të kujton historia e kombit shqiptar, që qysh nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, nuk po gjen fytyrën e vet njerëzore të erës së komunizmit, por nën këtë maskë, ka formuluar në vetvete një katrahurë të përbindshme vëllavrasjesh e varfërie të përhershme (të kamufluar me ca fabrika, uzina, hidrocentrale, traktorë dhe këto të ndërtuara me djersën e popullit të mbetur gjithmonë në strehën e varfërisë dhe të investimeve të BS-së dhe të vendeve të tjera socialiste. A nuk të kujton ky nocion atë panoramën tragjikomike trepjesëshe të Dantes, ku varkëtari i palodhur ka dalë prej kohësh të presë “udhëheqjen” që ta përcjellë për në ferr?!
Ose më tej!
A nuk ju kujton panorama e sotme shqiptare atë tragjedi të Greqisë së lashtë (këtu e tre mijë vjet më parë), kur Atreu, për të sunduar, theri bijtë e vëllait dhe i serviri këtij të fundit mishin e pjekur në sofër?
Programet subjektiviste (qofshin këto ekonomike apo kulturore) të “udhëheqjes” së konservuar e konservatore, nuk i kanë sjellë tjetër këtij nacionaliteti veçse thellimin e filistizimit të degradimit shoqëror, të shthurjes familjare (kësaj bërthame engelsiane të shoqërisë në përgjithësi dhe asaj socialiste në veçanti, duke e mbajtur rininë me gënjeshtrën e madhështisë së fituar qysh në Luftën Nacionalçlirimtare, kurse popullit, duke i imponuar gatishmërinë patriotike dhe duke i servirur në vend të mirëqenies, parullat patriotike dhe kohë më kohë, programet stereotipe me premtime pompoze për të ardhmen.



Komentet