Pas muajsh zvarritje dhe shtyrje, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dhënë ditën e djeshme pretencën për Emiljano Shullazin dhe katër persona të tjerë, të akuzuar për gjobëvënie në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Prokuroria kërkoi 64 vjet burg në total për grupin me pesë anëtarë të Emiljano Shullazit, që e akuzon për të paktën katër episode. Në këtë seancë, Prokuroria e Krimeve të Rënda përfaqësohej nga prokurorët Gentian Osmani, zv/ drejtues, Anton Martini dhe Besnik Muçi. Drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, mungoi në seancë për shkak të një angazhimi jashtë vendit.
Kështu, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi 17 vjet burgim për Emiljano Shullazin, 15 vjet burgim për Gilmando Danin, nga 11 vjet burgim për Endri Zelën dhe Endrit Qyqen dhe 10 vjet burgim për Blerim Shullazin.
Vetë të pandehurit nuk ishin në seancë, por kishin kërkuar që të përfaqësoheshin vetëm nga avokatët e tyre. Seanca u shoqërua me debate mes mbrojtjes dhe akuzës për leximin e pretencës ndaj të pandehurve. Ashtu sikurse edhe herën e mëparshme, seanca u zhvillua nën masa të rrepta sigurie, me forca të shtuara policore, brenda dhe jashtë sallës.
Ajo zgjati plot tri orë, ndërsa nuk munguan edhe përfaqësues nga Ambasada Amerikane dhe Gjermane në sallën e gjyqit. Sipas Prokurorisë, Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Endrit Qyqja, Endri Zela dhe Blerim Shullazi kanë kryer të paktën katër episode të kanosjes dhe gjobëvënies.
E para është renditur ajo ndaj biznesmenit Ylvi Beqja, që është edhe dëshmitar i mbrojtur i drejtësisë. Më pas, rasti i Jani Zakjes, për shpërthimin në një garazh në ish-“Parkun e Autobusëve” në Tiranë; kërcënimin e Mynyr Konit dhe Dhori Kules, si edhe tritolin e vendosur në një firmë profilesh alumini në Lushnje.
ISH-HOTEL VOLLGA
Prokuroria e Krimeve të Rënda e nisi pretencën me faktin e parë penal, siç është ai i kërcënimit të biznesmenit Ylvi Beqja për çështjen e ish-hotel “Vollgës” në Durrës. Kështu, Prokuroria e pranon se ka qenë vetë biznesmeni Ylvi Beqja, i cili mbronte interesat e “Saudi Brothers”, që ka kërkuar ndihmë te Emiljano Shullazi për regjistrimin e ish-hotel “Vollgës” në Durrës. Sipas Prokurorisë, Ylvi Beqja kishte disa procese gjyqësore për regjistrimin e ish-hotel “Vollgës”, pasi godina pretendohej edhe nga një palë tjetër, shtetasi Zamir Hasa. Në vitin 2014, sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Ylvi Beqja, përmes një personi, ka zhvilluar një takim me Emiljano Shullazin.
Takimi është zhvilluar në një makinë përpara shtëpisë së Shullazit tek ish- “Parku i Autobusëve” në Tiranë. Beqja i ka kërkuar Emiljano Shullazit që ta ndihmojë që të regjistrojë ish-hotel “Vollgën” në Hipotekën e Durrësit. Në këmbim të kësaj ndihme që i pandehuri do t’i jepte, do të përftonte 20 për qind të pjesës së pasurisë. Ky vullnet i shprehur në bisedë është bërë dhe me akt noterial, ku nënshkrues janë shtetasi Ylvi Beqja dhe i pandehuri Emiljano Shullazi.
Më vonë në kohë, pas lidhjes së kësaj marrëdhënieje kontraktuale, i pandehuri Emiljano Shullazi ka ndërruar mendje dhe me kanosje, duke përdorur dhunën verbale dhe fizike, ka kërkuar që vlera e pasurisë që do t’i kalonte nuk do të ishte më në vlerën e caktuar prej 20 për qind, por do të ishte në vlerën prej 30 për qind. Kundrejt përdorimit të armës dhe me kërcënim, shtetasi Ylvi Beqja është detyruar të nënshkruaje para noteres Aida Spahiu kontratën e dhurimit në vlerën prej 30 për qind.
Në të gjitha rastet e takimit të shtetasit Ylvi Beqja me të pandehurin Emiljano Shullazi, ky i fundit ka qenë i shoqëruar me disa persona, të cilët lëviznin me disa makina. Edhe në momentin e përpilimit të kontratës së dhurimit, shtetasi Ylvi Beqja ka parë që Emiljano Shullazi të ketë qenë i shoqëruar me shumë persona, të cilët ruanin vendin dhe personat. Ndër personat që kanë shoqëruar të pandehurin Emiljano Shullazi në takimet e tij me shtetasin Ylvi Beqja, ky i fundit ka mundur të identifikojë të pandehurit Gilmando Dani, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela.
Edhe prania e këtyre shtetasve të tjerë të marrë si të pandehur, por dhe personave të tjerë që vazhdojnë të jenë në hetim, ka ndikuar në krijimin e një situate të posaçme për kërcënim për shtetasin Ylvi Beqja. Emiljano Shullazi ka kërkuar nga shtetasi Ylvi Beqja shuma të mëdha parash. Në kërkimin e bërë për këto shuma parash ka marrë pjesë dhe shtetasi Gilmando Dani, si dhe persona të tjerë, të cilët kanë rolin e tyre në kryerjen e veprimeve. Në këtë mënyrë, Gilmando Dani ka pasur kontakte telefonike me shtetasin Ylvi Beqja, ku i ka kërkuar dhënien e sasisë monetare.
Sipas deklarimeve të dhëna nga shtetasi Ylvi Beqja, ky shtetas pretendon t’i ketë dhënë sasi të mëdha monetare shtetasit Emiljano Shullazi dhe bashkëpunëtorëve të tij, si Gilmando Dani etj. Ndër personat e përfshirë në këtë veprimtari janë dhe shtetasit Endrit Qyqja dhe Endrit Zela. Këta kanë qenë të pranishëm në disa momente, kur shtetasi Emiljano Shullazi ka bërë kërkimin e padrejtë të sasisë monetare.
Ata kanë përfituar sasi monetare me çek nga Ylvi Beqja nëpërmjet bankës dhe konkretisht te një bankë ku rezulton që, më datë 05.12.2014, ka tërhequr një sasi monetare prej 25.000 eurosh dhe më datë 15.12.2014, i pandehuri Endrit Zela ka tërhequr një sasi monetare prej 25.000 eurosh, i pandehuri Gilmando Dani, më datë 04.12.2014, ka tërhequr një sasi prej 25.000 eurosh dhe ka tërhequr më datë 15.12.2014, sasinë monetare prej 40.000 eurosh, i pandehuri Endrit Qyqja, më datë 16.12.2014, ka tërhequr sasinë monetare prej 16.000 eurosh.
Nga ana tjetër, shtetasi Ylvi Beqja deklaron t’u ketë dorëzuar kundrejt kërcënimit shuma të mëdha parash jo nëpërmjet bankës. Prokuroria përmend episodin te noteri në Durrës, ku Ylvi Beqja është kërcënuar nga Emiljano Shullazi me pistoletë që të bëhej bashkëpronar i ish-hotel “Vollgës”. Gjithashtu, dyshimet bazohen edhe mbi dëshmitë e Besnik Musait, kunatit të Beqes, ish-badigardit të tij etj.
KËRCËNIMI I JANI ZAKJES
Sipas Prokurorisë, rezulton se shtetasit Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Blerim Shullazi, në muajin janar-shkurt 2016, kanë kanosur dhe ushtruar dhunë psikologjike ndaj shtetasit Jani Zaka dhe Mitri Prifti, me qëllim marrjen dhe përfitimin në mënyrë të padrejtë të pronës së fituar prej tij nga blerja dhe konkretisht të një sipërfaqeje nëntokësore prej 1200 m2 të shfrytëzuar për parking automjetesh, në pallatin e ndodhur në vendin e quajtur rruga “Sali Butku” ish-Neshraku.
Autorët e veprave penale, duke vepruar në kuadër të grupit të strukturuar, i kanë thirrur në takime shtetasit Jani dhe Mitri dhe kanë ushtruar dhunë psikike ndaj tyre për dorëzimin e pronës së mësipërme, kundrejt kanosjes për jetën e tyre dhe të familjarëve të tyre, ku për këtë arsye, pas disa ditëve, shtetasi Jani, nga kanosja e ushtruar, është larguar jashtë vendit dhe nuk dihet vendndodhja e tij. Në lidhje me këtë fakt, rezulton se më datë 13.03.2016, rreth orës 00:05, në vendin e quajtur rruga “Sali Butka” në zonën e ish-“Parkut të Autobusëve” (Neshraku), është vendosur dhe ka shpërthyer lëndë plasëse me eksploziv, në portën e qepenit të parkingut nëntokësor në pallatin 12-katësh, i njohur me emrin “Pallati i Sinanajve”, parking i cili është në posedim të shtetasit Arjan Zakja, si formë kanosje dhe kërcënimi për marrjen e pasurisë.
Nga veprimet e para hetimore ka të dhëna dhe dyshime se ngjarja e ndodhur është kryer nga i njëjti grup personash, pasi në mënyrë të vazhdueshme shtetasit Emiljano Shullazi, Gilmando Dani dhe Blerim Shullazi dhe persona të tjerë, kanë kërkuar takime me të dëmtuarit, me qëllim plotësimin e dokumentacionit për kalimin e pasurisë në emër të tyre. Për këtë fakt penal, është marrë si bazë dëshmia e Jani Zakjes, i cili ka pohuar në Prokurori se ka takuar Emiljano Shullazin për konfliktin që kishte me Fatmir Sinanajn lidhur me parkingun në fjalë. I ndjerë i kërcënuar, ai nuk ka shkuar më në takim dhe kur ka ikur jashtë vendit ka mësuar për shpërthimin në parking. Konflikti mes tij dhe Sinanajt ka lindur te blerja e parkingut, ku pasi ka dhënë paratë për blerjen e tij, Sinanaj i ka kërkuar më shumë para në këmbim të certifikatës së pronësisë.
KËRCËNIMI I KONIT DHE KULES
Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Mynyr Koni është kërcënuar më 14 prill 2016, teksa gara për rektor në UT ishte hapur. Atë ditë në mbrëmje, Mynyr Koni po kthehej në shtëpi rreth orës 20:30, ku sapo kaloi rrugën nga një lokal ku ndodhej, një person i paidentifikuar e thirri në makinë në emër. Sipas dëshmisë së Konit, ai hipi në makinë dhe pa dy persona, njëri si shofer dhe tjetri si pasagjer që rrinte pas. Ai që ishte pas i kërkoi që të tërhiqej nga gara. Koni i tha se do të mendohej. Biseda zgjati vetëm pak sekonda dhe Koni u largua. Ai tregoi se shqetësimin e ndau edhe me Dhori Kulen, në atë kohë ishte rektor i UT dhe më pas, paraqiti dorëheqjen.
Gjithashtu, sipas Prokurorisë, e njëjta gjë i ndodhi edhe Dhori Kules, ku një person i paidentifikuar i kërkoi që të mos e ndalonte dorëheqjen e Mynyr Konit. “Kam qenë rektor për 8 vite dhe në prill të 2016, universitetet ishin në proces zgjedhjesh. Atë ditë e kisha lënë më Mynyrin të takoheshim tek Fakulteti i Ekonomisë në orën 11:00, që z.Koni të bënte prezantimin. E telefonova në darkë për t’i kujtuar që do të takoheshim të nesërmen dhe më tha “OK”, por të nesërmen më tha se nuk mund të takoheshim sepse kishte shqetësime shëndetësore, tension të lartë. Fola me ato të fakultetit dhe më thanë se gjithçka është anuluar, as unë nuk vajta te fakulteti. Vajta te shtëpia e Mynyrit dhe ai ishte shumë i tronditur dhe më tregoi për ngjarjen.
U largova nga shtëpia e tij për të vajtur në zyrë dhe afër rrugës së UT-së u ndaluan 2-3 makina dhe më thirrën në emër, më thanë që mos e pengo Mynyr Konin të dorëhiqet. Unë u thashë që Koni është burrë i mirë dhe makina u largua me shpejtësi. Në darkë vajta te shtëpia e Konit, folëm dhe i thashë se duhet të njoftojmë Kryeministrin, por ai ishte në Amerikë. Të nesërmen jam takuar me ministren e Arsimit, ministrin e Brendshëm, drejtorin e Policisë së Tiranës dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Çakon. Drejtues të Policisë morën Konin, ministri i Brendshëm tha se do të mbrojmë, mos dil nga gara, se do të mbrojmë ne. Kjo e bëri Konin të tërhiqte dorëheqjen dhe të vazhdonte garën sepse u ndie i sigurt nga mbrojtja që i dha ish-ministri”, ka thënë Dhori Kule në Prokurori, e cila thotë se kërcënuesi ka qenë Emiljano Shullazi, pavarësisht se dy dëshmitarët janë tërhequr nga dëshmitë e mëparshme në gjyq.
TRITOLI NË LUSHNJË
Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, më datë 25.01.2016, rreth orës 18:30, është paraqitur në Komisariatin e Lushnjës Adriatik Kërçuku, banues në Lushnje, i cili ka kallëzuar se ka gjetur në oborrin e ambienteve të biznesit të tij, që ndodhet në autostradën Lushnjë- Tiranë, në lagjen “18 Tetori” të Lushnjës, një sasi lënde plasëse e mbështjellë me izolant. Biznesi i këtij shtetasi konsiston në shitjen e varkave, gomoneve, paneleve diellore, dyerve të blinduara, alumin etj.
Objekti është i siguruar me kamera sigurie dhe ka të punësuar një roje, i cili është familjar i Adriatik Kërçukut. Më datë 22.01.2016, Adriatik Kërçuku ka marrë një telefonatë nga magazinieri i tij, Ismail Dervishi, i cili i ka thënë që t’i fliste një shoku në telefon, që ndodhej te biznesi në Lushnjë. Në telefon ka folur me një person, i cili i është prezantuar si Emiljano Shullazi, ai e ka sharë e fyer, si dhe i ka kërkuar të shkojë ta takojë në Tiranë, duke e kërcënuar. Këta persona kishin ardhur te biznesi i Adriatikut me dy makina, njëra e markës “BMW” dhe tjetra “Wolksvagen”, me disa persona.
Më datë 25.01.2016, shtetasi Adriatik Kërçuku, pasi është kthyer së bashku me vëllain e tij D. Kërçuku, në orën 18:00, në ambientet e biznesit të tij është kontaktuar nga roja, i cili i drejtohet vëllait të tij, duke i thënë se kishte harruar këtë aparatin poshtë gomones dhe e mbante në dorë një send të mbështjellë me izolant. Adriatiku e ka parë mirë sendin në fjalë dhe i ka thënë rojës ta largojë nga objekti, pasi ishte një pako me dinamit.
Komentet