Konsensusi mes maxhorancës dhe opozitës për projektligjin e dekriminalizimit, nuk ka arritur të finalizohet vetëm në një pikë, në atë të futjes së testit të drogës. “Panorama” zbardh debatin të zhvilluar me dyer të mbyllura mes deputetëve të maxhorancës dhe opozitës në Komisionin e Posaçëm.
Neni 15 i testit të drogës është rrëzuar me 4 vota kundër të shumicës, dhe vetëm 3 vota pro të pakicës. Por palët janë përfshirë në debat lidhur me domosdoshmërinë e futjes së kësaj mase penguese për të pastruar administratën dhe zyrtarët e lartë të të gjitha niveleve nga përdoruesit e substancave narkotike. Pjesë e ideve ka qenë dhe lejimi i përdorimit të drogave kur ato jepen nga doktori, por vetëm nëse kanë kupon tatimor. Ajo që bie në sy nga diskutimet ishte fakti se deputetët e opozitës kanë konfliktuar me njëri-tjetrin.
Kreu i Komisionit, Oerd Bylykbashi, në disa raste ka kërkuar që nisma të hidhet në votim për të mos prishur dakordësinë e arritur, pasi qëndrimet janë të qarta. Por demokrati Gent Strazimiri ka thënë se “ndërkombëtarët i ulën me dhunë palët në tavolinë”, ndaj dhe çështja e testit të drogës duhet të diskutohej pa emra konkretë, por në fokus kishte punonjës e administratës shtetërore.
Në diskutim, kryetari i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, ka thënë se në rast se do të pranohet testi i drogës, atëherë ai do të kërkojë që të shtohet një pikë e veçantë për testin mendor të politikanëve dhe deputetëve. Sipas tij, nëse futet ky test, gjysma e tyre do të dalin të “çmendur”.
Komentet