Uniteti i faktorit politik shqiptar në Luginën e Preshevës ka kohë që është lëkundur. Liderët partiak, ka vite që vuajnë nga përçarjet për pushtet, karrierizmi, nepotizmi, lokalizmi, krahinizmi etj.
Lakmia për të qenë të parë, liderët e Luginës i ka shëndrruar në servil ndaj shtetit ku ata jetojnë dhe veprojnë. Në tri komunat shqiptare, sot kemi më shumë bajraktarë se sa institucione.
Serbia përmes përçarejeve nga mbrenda, i ka forcuar liderët politik, duke i shkatërruar nga brenda strukturat partiake, duke i ndarë në klane dhe grupe të interesit.
Kjo më së miri e vrejtë në momentin kur pushtuesit serb hoqën lapidarin e dëshmorëve të UÇPMB-së, jo vetëm që liderët e Luginës nuk u zgjuan nga gjumi, nuk u duk asnjë shqiptar i zgjuar mëngjesine e së dielës me 20 janar 2013-të.
Qetësinë “mortore” gjatë heqjës së lapidarit, policëve serb ua prishën vetëm disa lehje qenësh endacak apo zëra korbash shtegtar.
Mirëpo qetësia nuk iu prish për asnjë moment as kryeministrit të Kosovës në bisedimet me Daçiqin në Bruksel.
Nga ajo ditë e deri me sot asnjë përpjekje serioze e faktorit politik shqiptar për kthimin e lapidarit në vendin e vet, si dhe për avancimin e të drejtave kombëtare si; përdorimi i lirë i simboleve kombëtare, gjuhës dhe arsimit shqip, të drejta këto të garantuara me konventat ndërkombëtare.
Përdrisa në bisedimet e Brukselit Daçiqi mbronte dhe realizonte interesat e serbëve në Kosovë, kryeministri ynë jo vetëm që nuk që i zoti të mbrojë interesat e shqiptarëve të Kosovës, injoroi në tërësi ato të shqiptarëve të Luginës !
Përderisa shqiptarët e Luginës e ndjejnë dhe e trajtojnë atdheun e tyre si pjesë të Kosovës veriore, liderët shtetëror të Kosovës dhe Shqipërisë asnjëherë dhe në asnjë takim diplomatik me ndërkombëtarët nuk e trajtojnë si të tillë territorin nën pushtimin serb !
Në fillim të negociatave me Serbinë në Bruksel, kryeministri i Kosovës z. Hashim Thaçi thoshte (gënjente) se nuk do vie në shprehje asnjë lloj asociacioni serb,…kompromisi i vetëm për ne është pakoja e Ahtisarit, e shprehur në deklaratën e “pavarësisë” së 17 shkurtit 2008-të.
Lugina, tashmë e harruar nga dy qeveritë shqiptare (Kosovë e Shqipëri), e ndodhur mes dy opsionesh; të hesht apo të pranoj nënshtrimin ndaj pushtuesit serb apo të vetorganizohet për të marrë fatin e vendit në duart e veta,…po e bënë më të keqën e mundshme, atë të veprimeve improvizuese siq ishte rasti i fundit me krijimin e Asociacionit të komunave shqiptare në Luginë, apo siq po e quajnë disa “Zajednica” e Ragmi Mustafës.
Shkaku i anomalive te shumta , “Zajednicës” së Ragmi Mustafës i mungojë përkrahja dhe mbështetja institucionale e Tiranës dhe Prishtinës, injorimi i skajshëm bashkësisë ndërkombëtare.
Në anën tjetër Beogradi edhe pse në parim e kundërshtoi “Zajednicën”, madje edhe e kërcënoi një akt të tillë, për qëllim ka zhvendosjen e vëmendjes së opinionit nga “Zajednica kosovare” në drejtim të “Zajednicës së Ragmi Mustafës”.
“Zajednica e Ragmi Mustafës” nuk e ka as fuqinë juridike e as politike që e ka “Zajedina” kosovare për arsye se serbët e Kosovës janë kategori e veqantë kushtetuese në Kosovë, të privilegjuarit e intsitucioneve vendore dhe ndërkombëtare, përderisa shqiptarët në Serbi janë pakicë kombëtare, njëjtë si romët, boshnjakët, hungarezët etj.
Edhe pse javë më parë sponzorizuesi kryesor i “Zajednicës” në Luginë, zoti Ragmi Mustafa e nderoi me “zahvalnicë” (mirënjohje) kryeministrin serb Aleksander Vuçiq, me motivacionin për “trajtimin e mirë” të shqiptarëve në Republikën e Serbisë, kur këta të fundit (shqiptarët), akoma nuk e kanë të drejtën e përdorimit të lirë të simboleve kombëtare, gjuhës së tyre amëtare nëpër institucionet shtetërore.
Pra, këtu shifet qarte se “Zahvalnica” për Vuçiqin dhe ankesat Ragmi Mustafës për diskriminim nga ky i fundit janë në kundërttjënje të plotë me njëra me tjetrën. Në fakt, “Zajednica” mbetët vetëm një demagogji politike e Ragmi Mustafës dhe liderëve tjerë shqiptar të Luginës..
Po të ishte lider i përgjegjshëm, besnik dhe njeri i fjalës, Ragmi Mustafa që moti do të ishte larguar nga skena politike në Luginë të Preshevës, pikërisht atëherë kur kishte thënë se do të dorëhiqej nëse hiqet lapidari i dëshmorëve të UÇPMB-së. Lapidari ka dy vite e gjysmë që është hequr, mirëpo Mustafa është ende aty, në krye të Komunës së Preshevës.
Në të njëjtin nivel moral dhe politik janë edhe liderët e tjerë të Luginës; Jonuz Musliu, i cili udhëheq Këshillin Nacional të Shqiptarëve, bashkë me kryetarin e Bujanocit, Nagip Arifi, po u hedhin “pluhur syve” shqiptarëve me Asociacionin, ndonëse “tortën” e pushtetit lokal në Komunën e tyre e ndajnë me partinë e Vuçiqit dhe Daçiqit!
Liderët e Luginës edhe më joseriozë me veprimet e tyre u treguan kur deklaruan se Asociacioni i Shqiptarëve në Serbi do të ketë kompetenca sa edhe Asociacioni i Serbëve në Kosovë. Ky krahasim mes dy asociacioneve është i pabazuar në fakte dhe realitet.
Degradimit të të drejtave të shqiptarëve në Serbi i kanë kontribuar vet liderët shqiptar me luftën e mbrendshme për pushtet, me tekët dhe inatët personale ndaj njëri-tjetrit. Këtë që themë e argumenton mosbashkimi i partisë së Rizah Halimit në themelimin e Asociacionit është pikërisht për shkak të inateve partiake, e jo pse ky i fundit ka ofruar ndonjë alternativë më të mira politike për shqiptarët e Luginës.
“Zajednica” e shqiptarëve të Luginës jo vetëm që shtë e vonuar në aspektin kohor, është e padobishme, pa efekte politike në përmirësimin e jetës së popullatës shqiptare në ato hapsira,…do të thoja e dështuar apo siq po i thonë disa “Abort politik”, jo vetëm shkakun e Beogradit, por të vet faktorëve politik shqiptar në Luginë.
Koha më e përshtatshme për krijimin e Asociocionit të komunave shqiptare në Luginë ka qenë fillimi i dialogut serbo-shqiptar në Bruksel, ndërsa afati i fundit ishte momenti me rastin e heqjes së monumentit të dëshmorëve të UÇPMB-së në Preshevë,…rezistenca përgjithshme do të riaktualizonte çështjen e Luginës në arenën ndërkombëtare, kur në të njëjtën kohë zhvilloheshin bisedimet për “Zajednicën” kosovare në Bruksel.
Më mirë vonë se kurrë, na mbetët të shpresojmë se kësaj radhe shqiptarët e Luginës të vetëdijësohen në bashkimin e forcave, në unifikimin e veprimeve për jetësimin e Asociacionit të komunave shqiptare në Luginë, e të mos mbetët sikurse këshilli nacional, i pafuqishëm dhe i pavlerë përballë lapidarit të UÇPMB-së.
Rivënja e lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së në vendin ku ishte më parë, do të ishte hapi i parë i demonstrimit të ekzistencës dhe veprimit të Asociacionit të komunave shqiptare në Luginë, për kthim të besimit në mesin e popullatës,…në të kundërtën do të mbetën lojë djallëzore dhe fasadë mashtruese e liderëve kontravers shqiptar për mbajtjen e pozicioneve nën pushtetin serb.
Komentet