“Ilinden është garanci edhe për Maqedoninë multietnike. Maqedonia Ilinditase është shtet, shoqëri, por edhe mirësi dhe zhvillim nën të cilën janë të angazhuar edhe maqedonasit, edhe shqiptarët, edhe turqit…”
SHKUP – Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, pas takimit me krerët shtetëror dhe liderët e partive politike në Klubin e deputëve në Shkup, deklaroi se “Republika Ilinditase e Maqedonisë (Republika Ilindenska Makedonija – Republic of Ilinden Macedonia) është emri për kompromis të mundshëm me Republikën e Greqisë”.
“Informova se qeveritë e Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë biseduan për opsion dhe zgjedhje që mund të jetë e pranueshme për të dyja anët. Republika Ilindenska Makedonija është emri për kompromis të mundshëm me Greqinë, në anglisht Republic of Ilinden Macedonia, në shqip Republika Ilinditase e Maqedonisë”, deklaroi kryeministri Zaev, pas takimit tre orësh me krerët shtetëror.
Kryeministri maqedonas shtoi se Ilinden është e kaluara e lavdishme e vendit dhe Ilinden është e ardhmja e ndritshme e vendit. Ai poashtu theksoi se se me këtë zgjidhje të mundshme vendi e ruan dinjitetin, si dhe dëshmon dhe përforcon identitetin maqedonas.
“Ilinden është garanci edhe për Maqedoninë multietnike. Maqedonia Ilinditase është shtet, shoqëri, por edhe mirësi dhe zhvillim nën të cilën janë të angazhuar edhe maqedonasit, edhe shqiptarët, edhe turqit, edhe serbët, vllehët, romët, boshnjakët, si dhe të gjithë të tjerët që kanë luftuar për Maqedoni të lirë dhe të pavarur”, u shpreh Zaev, duke iu referuar historisë së vendit.
Në vijim, duke dërguar mesazh ndaj qytetarëve të Greqisë, kryeministri Zaev tha se, “Me këtë emër bëjmë dallim të plotë me rajonin e Maqedonisë në Greqi, dallim në çdo aspekt. Kryengritja e Ilindenit është luftë e përbashkët e popullit tonë multietik për të drejta dhe liri sociale, dhe nuk ka kurrë far aspirata territoriale ndaj asnjë vendi fqinj, përfshirë edhe Greqinë”.
Zaev poashtu bëri të ditur se me marrëveshjen e mundshme do të marrin konfirmim për gjuhën maqedonase, garanci për identitetin dhe kodet ndërkomëbëtare.
Duke paralajmëruar referendum të cilin pala greke e ka pranuar, Zaev tha se “do të pranojmë përdorimin e përgjithshëm të këtij emri, ndërsa për përdorim të brendshëm do të zbatohet në faza”.
Ndryshe takimi vjen pas takimit të së enjtes mes kryeministrit Zaev dhe kryeministrit Alexis Tsirpas në kryeqytetin bullgar, Sofje, pas të cilës kryeministri maqedonas deklaroi se të dy vendet kanë një opsion për zgjidhjen e çështjes së emrit, që mund të jetë i pranueshëm për të dyja palët.
Në takimin e inicuar nga Zaev në Shkup i pranishëm ishte edhe presidenti i shtetit, Gjorge Ivanov, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov, ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti dhe lideri i partisë opozitare VMRO-DPMNE, Hristian Mickovski.
Presidenti Ivanov, pas takimit nuk tha se propozimi i ri për emrin është i pranueshëm nga ana e tij, por shtoi se pasi të marrë propozimet në formë të shkruar do të dalë me qëndrim.
“Siç edhe u paralajmërua, ky takim ishte i karakterit informativ në të cilën kryeministri dhe ministri i jashtëm informuan për ngjarjet e fundit të procesit për gjetjen e zgjidhjes së mundshme për problemin që ka fqinji ynë me emrin tonë kushtetues. U informuam për disa çështje të cilat për herë të parë i dëgjojmë. Ata janë transmetuar gojarisht, kështu që presim që të gjitha këto ide dhe propizime t’i marrim në dokument të shkruar, që të mund të ndërtohet një qëndrim”, deklaroi Ivanov.
Ndërkaq, kreu i opozitës maqedonase, Hristijan Mickovski, tha se partia e tij mban qëndrimin e njëjtë dhe nuk do të pranojë ndryshim të Kushtetutës së vendit me qëllim ndryshim të emrit. Ai shtoi se propozimi do të paraqitet dhe prezantohet para organeve të partisë dhe të njëjtin do ta shqyrtojnë.
Komentet