Pas publikimit të një tjetër video-skandali ku përfshihet shefi i policisë së zonës Gruemirë, që ngacmonte seksualisht një 15-vjeçare, ministri i brendshëm Sandër Lleshaj shkoi sot për një vizitë në Malësinë e Madhe.
Në kontaktin me gazetarët duke u gjendur përpara një prove faktike eklatante, e cila vërteton katërcipërisht akuzën për shpërdorim detyre dhe ngacmim seksual ndaj një minorene, ministrin Lleshaj e shqetëson fakti se sipas tij “për rastin në fjalë problemi më i madh që duhet zgjidhur për momentin është të gjendet denoncuesi, pasi nuk dihet kush është personi që ka bërë denoncimin për policin.”(!!!!)
Ministri Lleshaj nuk e konsideron denoncuese as nënën e vajzës dhe fokusohet tek denoncuesi në mungesë.
Përse, çfarë i duhet denoncuesi ministrit, kur ka provën materiale!
Është e qartë se denoncuesi nuk ka besim tek shteti, sepse kryepolici i Gruemirës është fytyra e pisët e shtetit!
Denoncuesi nuk ka besim tek asnjë segment shtetëror përfshi edhe vetë ministrin e brendshëm i cili është duke e humbur kredibilitetin sikur ministrat e tjerë pararendës.
Imazhi i Policisë të Shtetit është në nivel underground, për shkak se ky institucion është drejtuar nga njerëz me lidhje të tërthorta me mafien dhe krimin e organizuar.
Policia e shtetit ka humbur tërësisht integritetin, kur oficerët e policisë që kanë denoncuar mafien në rastin e Dritan Zaganit apo shpërdorimin e pushtetit nga politika në rastin e Emiliano Nuhut janë detyruar të kërkojnë azil jashtë Shqipërie pasi janë konsideruar “kriminelë most wanted” nga vetë kryeministri i Shqipërisë, që ka marrë në mbrojtje krimin dhe ka sulmuar ata pak policë që kryer detyrën ndaj shtetit dhe qytetarëve!
Ministri Sandër Lleshaj do t’i duhej të bënte një reformë rrënjësore, por nuk ka se me kë dhe si, sepse nëse do të fillonte pastrimin, shpejt do të detyrohej edhe Sandër Lleshaj të largohej nga Shqipëria, sepse Edi Rama do ta deklaronte edhe atë “most wanted”!
Më mirë të të quajë Edi Rama “most wanted” se sa të vihesh në shërbim të tij!
Në rastin në fjalë, kur ministri e ka në dorë provën, ai fokusohet tek personi që e bëri atë publike, kur dihet se dëshmitari është i rrezikuar dhe nuk ka besim se ministri Lleshaj nuk mund t’i ofrojë siguri, pasi shefi i policisë të zonës Gruemirë është fytyra e policisë shqiptare sot!
Një nga gazetarët në kontaktin që pati sot i kujtoi se zoti Lleshaj paska thënë “se fytyra e policisë ështe fytyra e vetë Ministrit të Brendshëm”!
Shumë bukur e paska thënë Sandër Lleshaj !
Por ministri e korigjoi aty për aty atë që kishte thënë dhe u përgjigj: “Po, fytyra e policisë është fytyra ime dhe e gjithë shoqërisë!
Jo zoti ministër, këtu gabohesh!
Fytyra e shtetit nuk është fytyra e shoqërisë!
Fytyra e kryepolicit të Gruemirës nuk është fytyra e shoqërisë,
por fytyra e shtetit, dmth edhe fytyra juaj!
Shteti mafioz ia nxin fytyrën shtetarëve të vet dhe sterros jetën shoqërisë, ndërsa shteti i së drejtës ia zbardh fytyrën shtetarëve të vet dhe ia zbukuron jetën shoqërisë!
Fytyra e shtetit shqiptar është e nxirë dhe e urryer, sikur edhe fytyra e shtetarëve.
Ju mund të bënit një përjashtim, por jo kësisoj!
Në rastin e kryepolicit kriminel të Gruemirës, ju largoni vemendjen nga e keqja dhe krimi tek personin që bëri trimërinë, që denoncoi!
Mos do ta shpallni “most wanted”!!!
Sikur shteti ka shpallur Zoganin dhe Nuhu, kur denoncuan krimin!
Kërkoni denoncuesin që të vrisni dhe eleminoni përfundimisht guximin qytetar, veprimi i fundit që vendi të shkojë në një diktaturë mafioze!
Ju bëj një thirrje, se duke i shkuar bisht Edi Ramës, shkelni Kushtetutën, sepse Policia e Shtetit është institucion i pavarur!
Ju bëj thirrje të kujtoni se Edi Rama sot nuk do të duhej të ishte kryeministër në mandatin e dytë sepse shkeli Kushtetutën kur përpara kamerave i kërkoi policisë të shtetit që të involvohej direkt në zgjedhjet e 2017 duke mbledhur vota për kryeministrin në fuqi! Policia e shtetit është kthyer në yesman i bindur urdhërave të Edi Ramës!
Sepse nëse nuk do t’i bindej, do të duhej të zbarkonte e gjitha në Zvicër me azil politik, por ajo është bërë pjesë e krimit!
Ardhja juaj nuk ka ndryshuar asgjë!
Unë do t’ju ftoja të jepnit dorëheqjen, të mbronit emrin tuaj, sepse për sa kohë që do të rrini, fytyra juaj, dashur pa dashur do të jetë e njëjtë me kryekomisarin kriminel të Gruemirës!
Në vend të shkaktonit tërmet në këtë institucion të kalbur, kur provën e ka parë e gjithë Shqipëria dhe bota, ju kërkoni dëshmitarin e video skandalit!
Pse ju duhet dëshmitari ? Që ta ndëshkoni ? Që të nxjerrin mësim të gjithë qytetarët e të mos kenë guxim më të denoncojnë krimet e Policisë së Shtetit!
Kjo nuk ju falet!
Prandaj ju bëj një apel, z.Sandër Lleshaj, jeni dorëheqjen!
Nuk ju drejtohem si Ministër i Brendshëm, sepse figura e Ministrit të Brendshëm është e diskretituar,
por ju bëj thirrje si një njeri që keni qenë gjeneral i NATO-s dhe duhet të keni integritet personal!
Komentet