Z. Escobar,
lexova intervistën tuaj tek BBC ku apostrofoni kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin, çka, për banalitet, tek opozita në Kosovë, për interesa politike, përkthehet sikur SHBA është antiKurti ose sikur Kurti është antiAmerikan!
Nuk ka si të jetë Albin Kurti antiAmerikan! Liderët e rinj të Kosovës Vjosa Osmani dhe Albin Kurti janë proAmerikanë, proNATO dhe proBE dhe, si të tillë, ata kërkojnë vetëm zbatimin e ligjshmërisë dhe kushtetueshmërisë së shtetit demokratik të Kosovës.
Më 18 maj, bashkë me z.Chollet, ju patët një seancë dëgjimore të thirrur nga Kryetari i Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë, Senatori Bob Menendez, i cili bashkë me lobistët më të mirënjohur Amerikanë, ish kongresmeni Joe DioGuardi dhe bashkëshortja e tij Shirley DioGuardi, ekspertë të Ballkanit kanë shprehur në mënyrë eksplicite dyshim të thellë ndaj Asosacionit. Gjithashtu Senatori Menendez, po citoj VOA, “shprehu kritika ndaj zyrtarëve amerikanë, duke thënë se i është krijuar përshtypja se Kosovës po i bëhet presion për të krijuar Asociacionin, ndërsa pak presion po i bëhet Beogradit, pak presion po i bëhet një udhëheqësi, që, siç u shpreh Senatori, gazeta Nju Jork Times, e karakterizoi si një politikan me lidhje të thella me botën e krimit të organizuar.” Dhe më tutje Senatori Menendez shprehu shqetësimin se si mund të ketë marrëdhënie të normalizuara midis dy vendeve kur Aleksandër Vuçiç nuk e nënshkruan marrëveshjen, kur Serbia kundërshton anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës apo inkurajon serbët të bojkotojnë zgjedhjet në veri të Kosovës.”.
Qendrime kritike ndaj Serbisë si aleat i Moskës mbajnë edhe ekspertë dhe think-tank Amerikanë. Po përmend këtu Janusz Bugajski, Daniel Serwer, Ivana Stradner etj. të cilët shohin si shkaktar të destabilizimit të rajonit njeriun me emrin Aleksandër Vuçiç dhe, pothuaj, ndajnë të njëjtën shqetësim me Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin.
Por të kthehem tek intervista juaj tek BBC, ku thoni se Albini ka “provokuar tensionet, në mënyrë të panevojshme, duke insistuar në shfrytëzimin e objekteve komunale.”
Ju jeni një diplomat karriere me eksperiencë të gjatë në rajon. Më lejoni t’ju pyes.
Pse ky qenka dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, ish viktimës me ish agresorin, që bashkë me BE keni mbi 10 vite që e nxisni?!
A nuk i ngjan një mullari me kashtë që mjafton një bisht cigareje e Aleksandër Vuçiçit për ta bërë shkrumb!
Po si është e mundur që, midis vendeve fqinjë, të vijë e të diktojë fqinji tek i zoti i shtëpisë! Dhe jo një fqinj i zakonshëm, por i një vendi ish-agresor që më 1999 detyroi NATO-n të ndërhynte për të ndaluar genocidin dhe spastrimin etnik të një milion shqiptarëve të Kosovës, që braktisën me dhunë vatrat e tyre dhe gjetën strehë si refugjatë në Shqipëri, Maqedoni, Europë, SHBA e botë.
“Albini ka provokuar tensionet, në mënyrë të panevojshme, duke insistuar në shfrytëzimin e objekteve komunale.”
Unë mendoj se tensionet i kishte provokuar dhe i mban të ndezura Aleksandër Vuçiç pa e prishur terezinë fare as për Brukselin dhe as për Ohrin, as për z.Lajçak dhe as për z.Borell, dy zyrtarë që vinë nga dy shtete të BE-së që nuk e njohin Kosovën.
Mendoni sikur Albin Kurti gjatë dialogut të kërkojë ato të drejta që i gëzon pakica serbe në Kosovë, për pakicën shqiptare në Luginën e Preshevës, për barazi dhe reciprocitet! Kështu ndërtohet themeli i një dialogu demokratik midis dy vendeve fqinje.
A mund të thuhet rishtas se Albin Kurti është provokator sepse po kërkon të drejtat e pakicës shqiptare në Serbi!
A nuk duket ad absurdum që meqë Vuçiçi, Dodiku e Vulin janë miqtë dhe aleatët e Putinit, Albini i meriton shkopinjtë ndërsa Vuçiç & Co karrotat!
***
Në fakt, asgjë e jashtëzakonshme nuk ndodhi më 29 maj 2023. Zyrtarët komunalë të zgjedhur të katër komunave serbe shkuan në objektet komunale. Por kaq mjaftoi që Vuçiçi të urdhëronte bandat të rinisnin dhunën, duke mos kursyer as 25 ushtarë të KFOR-it e duke dislokuar ushtrinë me armë të blera në Rusi e Kinë në kufi!
Dhe fajin e paska Albini e jo Vuçiçi, i cili, nga Beogradi, i dikton pakicës serbe të Kosovës, një shtet i pavarur dhe sovran, me legjitimitet të sanksionuar në qershorin e 1999 dhe në 22 korrikun e 2010 me vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që deklaroi se ” Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008 nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.”
***
Me një grup gazetarësh në prag të festimit të 15 vjetorit të Pavarësisë vizituam Kosovën. Shkuam edhe në Mitrovicë. Qe muaji shkurt, as tre muaj pas barrikadave të nëntorit të organizuara nga dora vetë presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç. Me preteksin e “targave”. Imagjinoni: Vuçiçi iu dikton kosovarëve serbë të mos përdorin targat e shtetit të tyre! “Reciprociteti i targave” është një nga pikat e marrëveshjeve midis Kosovës e Serbisë të firmosura në Bruksel që pala e Beogradit nuk i përmbush.
Në vend që SHBA dhe përfaqësuesit e BE-së të detyrojnë Serbinë të përmbushë obligimet, i është kërkuar Albin Kurtit ta shtyjë e ta shtyjë reciprocitetin e targave me muaj e muaj, e nëse Albin Kurti do të pyesë se deri kur duhet të shtyjë përmbushjen e një marrëveshjeje të firmosur, do të dilet me konkluzionet se pyetjet e Albinit qenkan provokative!!!
Kur e vizituam shkurtin që shkoi, Mitrovica dukej një qytet si gjithë të tjerët, përveç blloqeve të betonit mbi urë që nuk lejonin kalimin e automjeteve dhe karabinierët italianë me xhipa në gatishmëri. Kolegët tanë joshqiptarë kaluan urën dhe pinë kafe në anën nga varen flamujt serbë, dmth në veriun e Mitrovicës ku, bashkë me komunitetin serb, jeton edhe nje komunitet shqiptarësh prej rreth 8 mije nga 25 mije sa ka qenë para luftës.
Mbi urën mbi Lumin Ibër imagjinova të ardhmen e afërt, me jetë të normalizuar të qytetarëve, me Urën pa blloqe gurësh e të gjallëruar nga lëvizjet e banorëve të qytetit pa ndarje e ndasi. KFOR-i dhe EULEX-i duhet të mbeten aty deri sa Kosova të anëtarësohet në NATO. Baza Amerikane në Bonstill duhet të jetë gjithmonë si faktor paqeje dhe stabiliteti. I vetmi shtet në Ballkan që e ka hedhur poshtë ftesën për t’u anëtarësuar në NATO është Serbia, shkaktarja e aq konflikteve në ish-Jugosllavi, që, sikur të mos kenë mjaftuar ato tragjedi, fut hundët për të destabilizuar Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën.
Në Mitrovicë na thanë se qetësia në pjesën veriore mund të prishet menjëherë mjafton një shkelje syri e Aleksandër Vuçiçit. Në Prishtinë u takuam edhe me ministrin serb të pakicave Nenad Rashiq që vuri në dukje se Lista Serbe është mekanizëm i Vuçiçit, i cili e quan Nenad Rashiqin “llum”, vetëm sepse ai nuk i është bindur despotit për ta refuzuar postin ministror në qeverinë Kurti. Nenad Rashiq e ka mbajtur këtë post edhe prej 2007 deri më 2014.
Në kontaktin që patëm si grup gazetarësh me Ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla tha se në pjesën veriore të Mitrovicës ka persona të sanksionuar nga SHBA që nuk ua prish terezinë askush, pa marrë para sysh praninë e EULEX-it apo KFOR-it. Edhe tek EULEX-i nuk e kundërshtuan këtë fakt.
Edhe trupat serbe të Policisë së Kosovës u dorëhoqën me urdhër të Aleksandër Vuçiçit. Ata i zhveshën uniformat në mënyrë demostrative përpara kamerave të televizioneve, të cilët pastaj presidenti i Serbisë i dekoroi po në mënyrë demonstrative po përpara kamerave të televizioneve në Beograd.
A nuk ishte ky një provokim i pacipë i Presidentit të Serbisë ndaj shtetit sovran të Kosovës!
Po me diktatin e Vuçiçit, nga frika, pakica serbe bojkotoi zgjedhjet vendore!
Pakica serbe në Kosovë nuk ka frikë nga Albin Kurti, as nga Vjosa Osmani, as nga populli i Kosovës, por nga Aleksandër Vuçiçi!
Pra, nga Beogradi Vuçiç bën gjithçka për të shkatërruar jetën e komunitetit serb në Kosovë, duke e mbajtur gjithmonë alarmin në portokalli! Ndërsa gatishmëra e ndërkombëtarëve fokusohet tek Albin Kurti se mos po provokon Vuçiçin!
Populli i Kosovës, më proAmerikani në botë, ai që ka përjetuar krimet e Milosheviçit mbi shpinë dhe që e njeh shumë mirë zëdhënësin e tij, sheh, dëgjon dhe voton!
Shumë agresiv kundër Albin Kurtit është edhe Richard Grenell, që lobon për interesat e Beogradit, prandaj Presidenti Aleksandër Vuçiç e dekoroi me Urdhërin e Parë të Flamurit Kombëtar si avokat i Serbisë me të njëjtën dekoratë si Vitaly Churchin dhe Sergei Lavrov.
Richard Grenell kërkon arbitrarisht rrëzimin e Albin Kurtit dhe po bën gjithçka të nxjerrë nga Haga Hashim Thaçin!
Edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e vizitoi në mënyrë provokative Hashim Thaçin në Hagë, ndërsa, pak kohë më parë, priti Richard Grenellin, tashmë një qytetar privat, i cili si lobbyst i Serbisë u prit edhe nga Beogradi zyrtar! Pyes çfarë të ketë gatuar treshja Edi Rama, Richard Grenell dhe Aleksandër Vuçiç! Asgjë të mirë!
Këtej duan të nxjerrin nga Haga Hashim Thaçin, andej duan të rrëzojnë Albin Kurtin! Nga burgu i Shqipërisë pa mbaruar dënimin nxjerrin edhe ish Ministrin e Brendshëm të Edi Ramës, Sajmir Tahirin, i lidhur me mafien, ndërsa sapo u prangos një tjetër bashkëpunëtor i ngushtë i kryeministrit, burgosja e të cilit ishte lajmëruar pesë ditë përpara arrestimit!!!! Ambasadorja Amerikane në largim Yuri Kim u alarmua e zhgënjyer në Twitter duke parë mënyrat e vjetra të mosndëshkimit dhe privilegjimit e duke nënvizuar se “SHBA e konsiderojnë korrupsionin kërcënim thelbësor të sigurisë kombëtare.”
Edhe lidërshipi i vjetër në Kosovë është akuzuar për korrupsion, prandaj populli i Kosovës e pa si rrezik për sigurinë kombëtare dhe e nxori në opozitë duke votuar Albin Kurtin e Vjosa Osmanin, të cilët respektojnë ligjshmërinë dhe kushtetueshmërinë e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës!
Qeveria e parë e Albin Kurtit është rrëzuar me urdhër dhe rishtas po shihet si “problemi”, çka e egzalton Beogradin dhe opozitën në Kosovë, që i sheh Albinin dhe Vjosën si pengesa të pakapërcyeshme për t’u kthyer në pushtet.
***
Ballkani qeveriset nga elita të korruptuara. Këto elita, shterrshëm të komprometuara, komprometojnë zyrtarë të lartë si për shembull ish shefin e kundërzbulimit të FBI- së së New Yorkut Charles McGonigal. Elitat e korruptuara janë të gatshme për çdo lloj koncesioni, si shkëmbim për të qendruar në pushtet e për t’i shpëtuar drejtësisë. Ata janë të gatshëm të bëjnë lëshime me kosto për të gjithë stabilitetin, paqen dhe sigurinë e Ballkanit dhe Europës, mjafton që t’i nxjerrin të larë nga Haga apo që Perëndimi të mbylli sytë përpara korrupsionit galopant në Shqipëri dhe varrosjes aty të sistemit demokratik përmes manipulimit total të zgjedhjeve dhe uzurpimit despotiko-sovjetik të të gjitha shtyllave të shtetit nga një njeri i vetëm me një maxhorancë fiktive që ka eleminuar pluralizmin dhe opozitën.
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani mbajnë të njëjtin qendrim me Presidentin George H.W. Bush, i cili i vuri Milosheviçit vijën e kuqe, përmes Paralajmërimit të Krishtlindjeve në 25 dhjetorin e vitit 1992. Kjo është Amerika.
Presidenti Bush Senior i shkroi troç Milosheviçit se, po ta shkelte Paralajmërimin e Krishtlindjeve, do të kishte pasoja. Milosheviçi nuk ia vuri veshin dhe, gjashtë vite më vonë ndërmori genocidin e spastrimin etnik kundër shqiptarëve civilë të Kosovës. Do të ishte Presidenti Bill Clinton, Demokrat, që do t’ia vërtetonte kasapit të Ballkanit paralajmërimin e Bushit, Republikan. No matter Republican or Democrat. Kjo është Amerika. Kjo do të jetë! S’ka alternativë tjetër. Prandaj shqiptarët janë populli më proAmerikan në botë.
“America is great because America is good. If America ever stops being good, it will stop being great.” “Amerika është e madhe sepse është e mirë. Nëse pushon së qëni e mirë, pushon së qëni e madhe”. “E mirë” është në kuptimin “e drejtë”. Kjo është thënia lapidare e një njeriu të dashuruar me Amerikën si francezi Alexis de Tocqueville! Prandaj janë të dashuruar shqiptarët me Amerikën. Me Woodrow Wilson, Ronald Reagan, George H.W Bush, George W.Bush, Bill Clinton, Madeleine Albright, Senatori Joe Biden, John Mc Cain, Bob Dole, Tom Lantos, Ben Gillman, Bob Mendendez, Joe DioGuardi etj.etj.etj. Kjo është Amerika.
Vijën e kuqe Serbisë ia ka vendosur Presidenti George H.W.Bush dhe nuk mund t’ia vendosi sot Kosovës ministri i Mbrojtjes së Serbisë Millosh Vuçeviq. Sepse Kosova nuk është vend agresor, nuk e shkel Kosova territorin e Serbisë, nuk e vret Kosova Zoran Xhinxhiçin, Oliver Ivanoviçin. Përkundrazi, sovraniteti i Kosovës cënohet nga bandat që i sjell Serbia, që sulmojnë trupat e KFOR-it dhe që kërcënon me ushtrinë serbe të dislokuar në kufi me armatime të blera nga Rusia, Kina.
Si mendoni ju, z.Escobar, se, meqë po luftohet në Ukrainë, t’i bëhen lëshime Aleksandër Vuçiçit ndaj pretendimeve të tij territoriale për ta kthyer Kosovën një Republika Sërbska të dytë!
Presidenti Clinton kërkoi ndjesë pse, në vitin 1994, e bindi Ukrainën të çarmatosej si fuqi bërthamore, sepse nuk e kishte imagjinuar ardhjen imperializmit rus me në krye e Putinin.
Si mendoni ju, z.Escobar, se Amerika mund ta ndryshojë strategjinë ndaj Kosovës sa herë të ndryshohen Presidentët e SHBA, Sekretarët dhe nënsekretarët e shtetit?
SHBA mund ta afrojë Serbinë, por ky afrim nuk mund të bëhet duke ia plotësuar orekset mitomane ndaj Kosovës, as kur Serbia vazhdon të jetë shtet aleat me Putinin, as duke kërkuar ndjesë si Ambasadori Chris Hill për bombardimet e NATO-s, se NATO nuk bombardoi popullin serb, por makinerinë ushtarake të një krimineli që vrau popullsi civile e fëmijë e që e kalli në luftë, flakë e zjarr gjithë Jugosllavinë dhe, prej 1989 e deri sot, Ballkani mbetet “fuçi baruti” jo për fajin e Albin Kurtit apo Vjosa Osmanit, por sepse Serbia udhëhiqet nga trashëgimtarë të Milosheviçit, ndërsa SHBA dhe Perëndimi në vend se të synojnë demokratizimin e Serbisë, drejtojnë gishtin në objektivin e gabuar tek dy liderë të rinj pa skeletë në sirtarë që duan një Kosovë të lirë dhe demokratike për çdo kosovar, qoftë serb a shqiptar.
***
Jam shqiptare e natyralizuar në Zvicër. Zvicra është Atdheu im i ri. Si SHBA për komunitetin Shqiptaro-Amerikan. Në pasaportën time zvicerane nuk ka asnjë shenjë dalluese nga zviceranët autoktonë me qindra e qindra vjet banorë të Konfederatës Helvetike. Kjo është barazia më e madhe. Në asnjë vend të BE, as në Zvicër, pakicat nuk kanë statuse politike të veçanta, ndërsa gëzojnë liri të plotë të organizohen si komunitete në mbrojtje të identitetit të tyre kulturor, gjuhës e traditave. Djemtë e mi kanë shokë serbë. Nuk ka logjikë dhe është dështimi i plotë i diplomacisë Perëndimore, nëse rinia shqiptare dhe serbe do të vazhdojë të vuajë nga idetë e çmendura të Milosheviçit, që jetojnë në kokat e nxehta të zëdhënësve të tij në Beograd.
E rëndësishme është që, midis shqiptarëve të Kosovës dhe pakicës serbe, nuk ka konflikte me bazë etnike. Kanë bashkëjetuar gjithmonë. Ndasitë etnike në Kosovë përmes Asosacionit nuk justifikojnë Kosovën multietnike, ku pakicat janë vetëm 8 %. Pra, pakica serbe në Kosovë do të jetojë normalisht nëse SHBA dhe BE, EULEX dhe KFOR-i nuk do ta lejojnë Aleksandër Vuçiçin të cënojë sovranitetin territorial e të ndërhyjë në punët e brendshme të Kosovës. Populli i Kosovës ka zgjedhur me votë legjitime përfaqësuesit e saj.
Prej qershorit 1989, kur Milosheviçi shpalli politikën flakvënëse, Ballkani nuk po qetësohet, sepse Aleksandër Vuçiçi po e vazhdon të njëjtën strategji si ideologu dhe mentori i tij.
Edhe unë do ta kritikoja për një gjë Albin Kurtin, që për çdo veprim legjitim, duhet të konkordojë me Quintin, trupat e KFOR-it dhe EULEX-it, por SHBA, BE duhet të jenë energjikë për të mbrojtur, mbështetur dhe legjitimuar liderë me integritet si Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, sepse kështu mbrohet paqja dhe stabiliteti afatgjatë dhe Ballkanit i hiqet njolla e zezë e konotacionit “fuçi baruti”.
***
Tani Kosovës po i kërkohet që të mbahen zgjedhjet lokale rishtas. Presidentja e Kosovës edhe kryeministri nuk kanë asgjë kundër, përkundrazi, janë pro, mjafton që të jenë konform ligjshmërisë dhe kushtetueshmërisë të shtetit të tyre.
Por problemi mbetet presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç.
Më lejoni të bëj një parashikim. Nëse SHBA, BE, Quinti dhe gjithë diplomacia Euro-Atlantike së bashku nuk do të marrin rolin që u takon, pakica serbe nga frika e Vuçiçit do t’i bojkotojë prapë zgjedhjet. Pra, që të shmangen rishtas trazirat, që të shmangen përfundimisht trazirat dhe provokimet e Vuçiçit në Kosovë, SHBA, BE, Quinti dhe gjithë diplomacia Euro-Atlantike së bashku duhet të ushtrojnë plotfuqishmërinë e tyre. Kosova është Aleate e SHBA dhe BE.
SHBA dhe BE duhet t’ja bëjnë të qartë Vuçiçit që t’i mbajë duart larg Kosovës. Asnjë shtet demokratik nuk sulmon një shtet sovran, asnjë shtet demokratik nuk ndërhyn në punët e brendshme të një shteti fqinj. Serbia nuk është shtet demokratik. Prej 10 qershorit 1989 e deri sot, Ballkani është i kërcënuar nga dy rreziqe: nga Serbia me aleatët e saj dhe nga liderët e korruptuar.
Ballkanit, sot më tepër se kurrë, i duhet të udhëhiqet nga elita me duart të pastra dhe liderë me integritet si Vjosa Osmani e Albin Kurti, të dy liderë Perëndimorë, aleatë të vërtetë të SHBA dhe BE-së.
——–