Megjithëse popullsia në Konfederatën Helvetike i ka respektuar të gjitha masat e këshilluar si nga Këshilli Federal dhe nga kantonet, nga 52 shtete që ka Europa, Zvicra, sipas statistikave nga statista.com, datë 11 dhjetor 2020, e ka incidencën 332.2 dhe rradhitet në vendin e 40.1)
Gjermania që ka shpallur Lockdown prej 16 dhjetorit deri më 10 janar e ka incidencën 170.8 dhe zë vendin e 16.
Në krahasim me Gjermaninë, Zvicra e ka incidencën gati dy herë më të lartë.
Kancelarja Angela Merkel dje në konferencën për shtyp nga Berlini tha se kjo incidencë është shumë e lartë, prandaj synohet që incidenca të zbresë në 50, kësisoj u ra dokard që Gjermania të shkojë në lockdown pasi numri i vdekshmërisë është tepër i lartë dhe sistemi mjekësor është i lodhur dhe gati të shkojë në kolaps.
Për kolapsin e sistemit mjekësor gjerman foli kryeministri i Bavarisë Markus Söder, i cili tha se në disa vende po përdoret sistemi triazhë, pra po vendosin mjekët se kush do të intubohet dhe kush jo. “Bergamo është shumë afër nesh”, i ra kambanës së alarmit Markus Söder.2)
Më 25 tetor të këtij viti, ANSA botoi një lajm që preku ndjeshmërinë e publikut, ku, që në titull, lajmëronte se “Zvicra do të përjashtojë nga terapitë intensive të moshuarit, nëse mungojnë shtretërit” 3) ndërsa si nëntitull kish se ” Këto udhëzime janë botuar më 20 Mars por asnjëherë nuk janë zbatuar deri tani”.
ANSA e merrte këtë lajm nga La Stampa e Italisë, që kishte botuar një protokoll prej tetë faqesh nga Akademia Zvicerane e Shkencave me titull ‘Pandemia Covid-19: triage dhe trajtimet e kujdesit intensiv në rast të mungesës së burimeve’, por që nuk ishte aplikuar kurrë në Zvicër, çka e vinte në dukje edhe La Stampa edhe ANSA.
Duke krahasuar statistikat midis Gjermanisë dhe Zvicrës shihet qartë se situata në Zvicër është dy herë më alarmante se në Gjermani, ndërkohë që Zvicra ka ndërmarrë masa shumë më të zbutura se Gjermania.
Infektimi ka qenë edhe në Gjermani edhe në Zvicër me rritje eksponenciale, në Zvicër rritja ka qenë edhe më e lartë, siç e tregon edhe incidenca.
Ndërsa në gjithë Valën e Parë të Pandemisë Covid 19 që kaloi Zvicra, numri i viktimave nuk arriti 2000, në Valën e Dytë deri sot numri i viktimave ka shkuar rreth 4200 , ndërkohë që është duke u paralajmëruar edhe Vala e Tretë, shumë më e egër se Vala e Dyt,ë ndërsa sistemi mjekësor është i cfilitur dhe gati në kolaps.
Reto Ceschi, gazetar i mirënjohur i RSI.CH në një redaksionale të disa ditëve më parë, botuar edhe në portalin e këtij televizioni, shkruan se “Federalizmi zviceran është nën stres” 4) prej një “braccio di ferro” midis Konfederatës dhe kantoneve mbi masat kundër pandemisë.” “Shtatë ditë të jetuara rrezikshëm”, shkruan Ceschi. “Koronavirusi ka hyrë në vrimat e federalizmit zviceran dhe ka lënë gjurmët e tij. Ai e kishte bërë këtë tashmë në pranverë, por antitrupat e kishin mbrojtur sistemin atëherë. Jo tani. Tani kaosi po afrohet në një grindje të paparë midis Bernës dhe kantoneve. Federalizmi funksionon mirë në Zvicër, historia e dëshmon atë, nëse të gjithë luajnë rolin e tyre në mënyrë të përsosur, nëse askush nuk bën dinakun”, vë pikat mbi “i” Reto Ceschi.
Sa për Këshilltarin Federal Alain Berset, për të kanë mbaruar ditët kur gjithë opinioni zviceran e kishte shpallur gati dhe hero duke i mbajtur sloganët e tij nëpër TShirte “Duhet vepruar sa më shpejt që të jetë e mundur, por edhe ngadalë sa është e nevojshme”.
Tani Alain Berset duket se po ec me vrapin e breshkës, duke ia lënë topin në derë kantoneve, të cilat nuk janë mësuar që në gjendje pandemie të jenë të pavarura, përveç kantonit të Tiçinos në Valën e Parë, që ndërmori një veprim guximtar duke mos iu bindur Këshillit Federal, veprim që nuk e lejoi situatën e Bergamos të penetronte në Zvicër, pasi kantoni i Tiçinos është në kufi me rajonin e Lombardisë.
Kur Gjermania vë alarmin sa i përket kolapsit shëndetësor në Gjermani, le të kujtojmë një situatë dramatike në kantonin e Friburgut në Zvicër, kur mjeku Nicolas Blondel, një specialist në mjekësinë e përgjithshme në HFR – Spitalin Kantonal të Friburgut doli në Twitter më 3 nëntor duke vënë alarmin ““Ne jemi në prag të një katastrofe shëndetësore”.5)
Kolaps të shëndetësisë lajmëron edhe Gjermania, e cila renditet në vendet me përqindje më të lartë të shtretërve të terapisë intensive për frymë, me mesatare për 38.7 për çdo 100 mijë banorë, ndërsa Zvicra e ka mesataren 11 shtretër për çdo 100 mijë banorë sipas të dhënave nga Wikipedia (List of countries by hospital beds).
Të dhënat e sontme nga BAG – Zyra Federale e Shëndetit Publik nuk janë shpresëdhënëse – janë pak a shumë konstante 10726 mijë të infektuar për tre ditë me 193 viktima, pra që tregojnë qartë se infektimi vijon të jetë eksponencial.
Alarmin për të shmangur këtë situatë në Zvicër e kanë dhënë të parët epidemiologët zviceranë, Task Forca zvicerane. Por në një intervistë dhënë për NZZ, më 30 tetor 2020,6) kur gazetari u fokusua tek orientimet që kishte dhënë Task Force e Zvicrës për të parandaluar përshkallëzimin, Këshilltari Federal tha se: “Shkencëtarët nuk mund të sundojnë Zvicrën”, duke nënvizuar se “Zvicra nuk është në prag të katastrofës” dhe se “Paniku nuk funksionon”.
Tani kur situata është rënduar, sepse për një muaj ka 4000 viktima, lind pyetja: Z.Berset, po tani Zvicra a është në prag të Katastrofës?!
Nisur nga situata në Gjermani, kur të dhënat epidemiologjike atje janë dy herë më të ulta se këtu në Zvicër, a duhet që të futet e gjithë Zvicra në Lockdown?
Qytetarët zviceranë i kanë respektuar të gjitha këshillat e ardhura si nga Këshilli Federal dhe si nga kantonet, por siç duket qartë kjo gjë nuk ka mjaftuar.
———————–
1.https://de.statista.com/statistik/daten/studie/1180169/umfrage/laender-mit-den-meisten-coronainfektionen-in-der-letzten-woche-in-europa/
2.https://www.bild.de/politik/inland/politik-inland/nach-soeder-aeusserung-von-einer-triage-sind-wir-sehr-weit-entfernt-74450730.bild.html
3.https://www.ansa.it/sito/notizie/mondo/europa/2020/10/24/svizzerafuori-anziani-da-terapie-intensive-se-mancano-posti_074a9352-a389-4b50-be64-febff8b49962.html
4.https://www.rsi.ch/news/svizzera/Federalismo-sotto-stress-13674133.html
5.https://www.24heures.ch/nous-nous-trouvons-a-laube-dune-catastrophe-sanitaire-560045852497
6.https://www.nzz.ch/schweiz/berset-zu-einem-erneuten-corona-lockdown-ld.1584359?reduced=true
Komentet