Mediat britanike kanë publikuar pamje të rezidencës së yllit të kombëtares franceze dhe Manchester City, Benjamin Mendy ku “predatori” përdhunoi viktima të moshës 17 dhe 18 vjeç në dhoma të mbyllura paniku.
Juristët në sallën e gjyqit panë pamje nga kamerat e policisë nga brenda rezidencës “së izoluar” ku 28-vjeçari Mendy, akuzohet se kreu përdhunimin e shumë grave.
Pamjet ishin regjistruar me dron nga lart në Cheshire, 17 milje në jug të Mançesterit qendror dhe Prokurori Timothy Cray tha se fshati më i afërt ishte 15 minuta në këmbë.
“Ishte i izoluar aq shumë nga dëshmitarët dhe sapo viktimat ishin atje me portat e mbyllura pas tyre, ndiheshin menjëherë të pambrojtura”, theksoi prokurori.
Madje sipas hetuesve shumë prej grave iu ishin marrë telefonat kur mbërrinin në rezidencë, duke i lënë ato të ndiheshin si “pre” e Mendy.
Jurisë iu shfaq gjithashtu një filmim i kamerës së trupit të policisë “duke ecur” brenda shtëpisë. Pamjet tregojnë katin e parë, ku përfshihet një pishinë, xhakuzi dhe dhomë kinemaje.
Sipas Gjykatës së Lartë në Chester, rezidenca ishte “pjesë e pandarë” e mënyrës sesi mbrojtësi i majtë i Manchester Cityt dhe bashkë i pandehuri i tij Louis Saha Matturie, 40 vjeç, ishin në gjendje të abuzonin me viktimat e tyre.
Mendy akuzohet për 10 vepra të abuzimit seksual kundër shtatë grave midis tetorit 2018 dhe gushtit 2021, por ai i mohon këto ngjarje. Konkretisht, ylli i City mohon 8 akuza për përdhunim, një akuzë për sulm seksual dhe një akuzë për tentativë përdhunimi.
Ndërkohë, Saha akuzohet për tetë akuza për përdhunim dhe katër akuza për sulme seksuale në lidhje me tetë gra, të cilat ai gjithashtu i mohon.
Prokurori Cray tha se kishte pesë takime midis tetorit 2018 dhe gushtit 2021 kur nëntë gra të reja mbërritën në adresën e Mendy. Më pas, ato të gjitha u ankuan për përdhunim ose sulm seksual nga Mendy dhe Saha.
Mendy akuzohet për përdhunimin e pesë prej femrave, më e reja prej tyre vetëm 17 vjeç.
Gjykata dëgjoi se si Mendy dhe Saha mbyllën disa nga viktimat e tyre në dhomat e rezidencës. Gratë dyshohet se janë futur në dhomën e gjumit, që ka “dyer speciale me kyçje”.
Mekanizmi i mbylljes krijonte një “dhomë paniku” në rast vjedhjeje e cila mund të hapet vetëm nga brenda dhe jo nga jashtë.
Cray u tha juristëve se vetëm dikush që dinte të hapte dyert mund ta bënte këtë, duke shtuar: “Dy dëshmitarë pretendojnë përdhunime në ato dhoma dhe menduan se ishin të mbyllura përgjithmonë”.
Më herët, juria dëgjoi sesi Mendy i tha një prej viktimave të tij “mos lëviz”, ndërsa ai i mbante krahët pas shpine dhe e përdhunoi.
Komentet