Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen, ka nisur vizitën e saj katërditore në Pekin, duke i bërë thirrje ekonomisë së dytë më të madhe në botë që të bëjë reforma të tregut. Ajo paralajmëroi se SHBA-ja dhe aleatët e saj do të luftojnë kundër atyre që ajo i quajti “praktika të padrejta ekonomike” të Kinës.
Yellen i bëri këto komente gjatë takimit me kompani amerikane që veprojnë në Kinë. Paraprakisht, ajo u takua me ish-carin e ekonomisë kineze, Liu He, i cili është njeri i afërt me presidentin kinez, Xi Jinping. Zyrtarja amerikane po ashtu është paraparë të takohet edhe me kryeministrin Li Qiang.
Vizita e Yellen është pjesë e një sërë vizitash që synojnë të ulin tensionet mes Uashingtonit dhe Pekinit pasi ushtria amerikane rrëzoi një balonë kineze që po fluturonte mbi SHBA.
Muajin e kaluar Kinën e vizitoi sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili u pajtua me presidentin kinez Xi se rivaliteti i ndërsjellë nuk duhet të shkojë drejt një konflikti. Po ashtu, më vonë gjatë këtij muaji Pekinin pritet ta vizitojë edhe i dërguari për klimën i Uashingtonit, John Kerry.
Përpjekjet diplomatike amerikane vijnë para një takimi të mundshëm mes presidentit Joe Biden dhe Xi-së në shtator, gjatë takimit të G20-s në Nju Dehli. Dy presidentët po ashtu mund të takohen gjatë mbledhjes së Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor, e planifikuar për nëntor në San Francisko.
Yellen tha se vizita e saj në Kinë synon thellimin e komunikimit dhe punën drejt “një raporti të qëndrueshëm dhe konstruktiv” midis dy shteteve, teksa e bëri të qartë se Uashingtoni do të veprojë për të mbrojtur interesat e tij kombëtare dhe të drejtat e njeriut.
“Ne besojmë se është në interesin më të mirë të të dyja shteteve që të kemi kanale të qarta dhe të drejtpërdrejta komunikimi në nivel të lartë”, tha Yellen.
Ajo shtoi se këmbimet e rregullta mund të ndihmojnë të dyja shtetet që të monitorojnë rreziqet ekonomike dhe financiare, në kohën kur ekonomia globale po përballet me ngjarje “sikurse lufta e Rusisë kundër Ukrainës dhe efektet afatgjata të pandemisë”.
Sekretarja e Thesarit tha se do t’ua bëjë të qartë zyrtarëve kinezë se Uashingtoni nuk po kërkon “ndarje të ekonomive tona”, por do të ngrehë shqetësimet lidhur me subvencionet e mëdha për ndërmarrjet shtetërore, barrierat për qasjen e firmave të huaja në tregun kinez dhe për disa masa ndëshkuese që Kina ka vendosur së fundi ndaj kompanive amerikane.
Gjatë qëndrimit të Yellen në Kinë zyrtarët kinezë pritet të shprehin shqetësimet e tyre lidhur me planet e administratës Biden për të kufizuar investimet e kompanive amerikane në Kinë, në kohën kur ekonomia e Kinës po rimëkëmbet më ngadalë se sa pritej pas heqjeve të kufizimeve për COVID-19.rel