Presidenti kinez, Xi Jinping e ka mirëpritur në Pekin ish-kryediplomatin amerikan, Henry Kissinger, teksa Shtetet e Bashkuara synojnë përmirësimin e lidhjeve me Kinën.
Udhëtimi i Kissingerit në kryeqytetin kinez vjen në kohën kur Pekinin po e vizitojnë një mori zyrtarësh amerikanë.
Kissinger, ish-Sekretar amerikan i Shtetit, tani 100 vjeç, ka luajtur rol kyç në ofrimin e ndihmës për Kinën që të dalë nga izolimi diplomatik më 1970.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë se Kissinger është duke e realizuar vizitën privatisht dhe nuk e përfaqëson Qeverinë amerikane.
Mirëpo, duke e marrë parasysh ndikimin e tij në Kinë, ai mund të veprojë edhe si kanal komunikimi mes SHBA-së dhe Kinës.
Televizioni shtetëror e ka shfaqur Xi-në duke buzëqeshur, teksa i ka thënë Kissingerit: “Jam shumë i lumtur që po ju shoh zotëri”.
“Ne nuk do t’i harrojmë kurrë miqtë e vjetër, dhe nuk do ta harrojmë kontributin tuaj historik për t’i krijuar lidhjet SHBA-Kinë, dhe miqësinë mes dy vendeve”, ka thënë mes tjerash Xi.
Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, ka thënë këtë javë se janë të njoftuar për udhëtimin e Kissingerit dhe “nuk do të befasoheshin” nëse ai vendos t’i njoftojë ata për vizitën, pasi të kthehet në SHBA.
Në vizitë private, Kissinger mund të jetë më i hapur në diskutimet e tij me Xi-në dhe zyrtarë tjerë, duke pasur më shumë mundësi që t’i prezantojë shqetësimet dhe kërkesat e SHBA-së.
Po ashtu, për të është më e lehtë që të realizojë vizita me zyrtarë kinezë që janë në listën e sanksioneve amerikane.
Në një intervistë të dhënë në dhjetor të vitit të kaluar, Kissinger i ka kritikuar qasjet e administratës së presidentit Joe Biden, edhe të ish-presidentit Donald Trump ndaj Kinës.
Ai ka thënë Qeveria aktuale amerikane e nis dialogun me Kinën duke i vënë në pah “ligësitë kineze”, prandaj diskutimet pengohen. rel