Presidenti rus pret homologun e tij kinez dhe shpreh interes për propozimin e Pekinit për zgjidhjen e krizës – SHBA: “Ne do t’i thonim jo një kërkese kineze për armëpushim tani”
VOAL- Presidenti kinez Xi Jinping e përshkroi homologun e tij rus Vladimir Putin si një “mik të dashur” në takimin e Kremlinit. “Vendet tona duhet të kenë lidhje të ngushta,” tha Xi, siç raportohet nga RIA Novosti.
Kina paraqiti një propozim gjithëpërfshirës prej 12 pikash për të zgjidhur krizën ukrainase duke forcuar marrëdhëniet me Moskën.
Pekini ka hedhur poshtë vazhdimisht akuzat perëndimore se dëshiron të armatosë Rusinë, por thotë se dëshiron një partneritet më të ngushtë energjetik pasi rriti importet e qymyrit, gazit dhe naftës ruse.
Xi është lideri i parë që takohet me presidentin rus që kur Gjykata Ndërkombëtare Kriminale (ICC) lëshoi një urdhër arresti kundër tij të premten për deportimin e fëmijëve ukrainas në Rusi në mes të pushtimit njëvjeçar të vendit. Moska, nga ana e saj, tha se akuza ishte një nga shumë “manifestime qartazi armiqësore” dhe hapi një çështje penale kundër prokurorit dhe gjyqtarëve të ICC. Pekini tha se urdhër-arresti pasqyron standarde të dyfishta.
Rusia e paraqet udhëtimin e Xi-t (i pari i tij që kur fitoi mandatin e tretë presidencial këtë muaj) si dëshmi se ka një mik të fuqishëm në ngërçin në të cilin ndodhet përballë një Perëndimi armiqësor.
Në takimin në Moskë, pasi u përshëndetën me njëri-tjetrin si “miq të dashur”, Putin i tha Xi se ai respektonte propozimet kineze për zgjidhjen e konfliktit ukrainas dhe gjithashtu ishte “pak ziliqar” për zhvillimin e shpejtë të Kinës në dekadat e fundit.
“Kina ka krijuar një sistem shumë efektiv për zhvillimin e ekonomisë dhe forcimin e shtetit. Është shumë më efektiv se ai i shumë vendeve të tjera,” tha Putin.
SHBA kundërshton propozimin kinez për paqe
Shtetet e Bashkuara, ndërkohë, kanë thënë se do të refuzojnë një kërkesë kineze për armëpushim tani. Nëse Kina bën thirrje për një armëpushim gjatë vizitës së Xi në Moskë, Kievi do të duhet ta refuzojë atë, “gjë që do ta bëjmë edhe ne”, sepse “në thelb do të ratifikonte atë që (rusët) ishin në gjendje të pushtonin brenda Ukrainës dhe do t’u jepte atyre kohë dhe mundësi për t’u përgatitur”, ka përsëritur në CNN zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby. rsi-eb