Historiani i njohur Pëllumb Xhufi është i mendimit se kampi i Tepelenës nuk ka asnjë ngjashmëri me kampin famëkeq të Aushvicit. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, bazuar në dokumente të CIA-s amerikane, shprehet se trajtimi i të izoluarve në atë kamp ishte më i mirë se në burgjet e Spaçit dhe Burrelit.
Janë pikërisht këto dy burgje që mund të kthehen në muze si simbole të represionit të egër komunist.
Si është historia e kampit të familjeve në Tepelenë? Kur është ndërtuar dhe cili ka qenë qëllimi i tij?
Ky kamp ka dy histori, ka historinë e njerëzve që kanë jetuar dhe e që e kanë vuajtur, pa dyshim, kanë kujtime të dhimbshme dhe të forta, por është dhe historia e historianëve, të cilët janë të ftohtë dhe flasin përmes gjuhës së dokumenteve. Unë kam vënë re që ka pasur një tentativë mistifikimi të historisë së kampit të Tepelenës. Është quajtur Aushvici shqiptar, është quajtur kampi i shfarosjes në masë dhe kjo ka ngjallur reagime dhe jo vetëm mes shqiptarëve.
Në premisë, dua të them se do të kisha dashur shumë dhe do të kisha uruar shumë që për të bërë një pasqyrë dhe një rishikim të historisë së diktaturës, të restauroheshin burgjet e Burrelit dhe të Spaçit, për mua, ata janë dy simbolet e represionit komunist. Në këtë kuptim, më duket se ka një shpërpjesëtim, por edhe një dhunë dhe padrejtësi që u bëhet të gjithë atyre të burgosurve politikë, shumë prej të cilëve edhe kanë vdekur në këto dy burgje. Në raport me ta, kampi i Tepelenës ishte një kamp i ngritur për një kohë të caktuar.
Kur u ngrit ai?
Ishte viti 1948 kur regjimi i Enver Hoxhës prish marrëdhëniet me Jugosllavinë e Titos. Lidhjet me Bashkimin Sovjetik akoma nuk ishin shumë të forta, sepse me Shqipërinë merrej Jugosllavia. Pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, Shqipëria u konsiderua nga Perëndimi si hallka më e dobët e sistemit komunist. Në këtë kohë pati një bashkëpunim me Titon, SHBA, CIA-n, shërbimet angleze, italiane dhe greke për të organizuar të arratisurit politikë, grupet që tashmë ishin nëpër shtete të ndryshme të Europës dhe në SHBA, por dhe të arratisurit që vazhdimisht largoheshin dhe strehoheshin në kampet e pritjes në Prizren, Ulqin, por dhe në jug, në Greqi, në kampin e Lavrios, afër Athinës.
Cili ishte qëllimi i këtij kampi?
Qëllimi i krijimit të tij ishte për të zhvendosur familjet e të arratisurve politikë dhe që futeshin nga Jugosllavia vazhdimisht të armatosur, në mënyrë që të mos shërbenin si bazë për këto banda, të cilët do t’i përdornin këto familje si baza, si strehë për të vazhduar më tej me misionin e tyre.
Këto familje të shpërngulura në këtë kamp ishin kryesisht nga veriu i vendit?
Ishin kryesisht nga Veriu, por kishte dhe nga Jugu, sepse ishte dhe kampi i Lavrios afër Athinës, i cili përgatiste njerëz të armatosur për të hyrë në Shqipëri. Në vitin 1953 kur ky aktivitet i organizuar i CIA-s, UDB-së apo dhe shërbimeve të tjera nuk dha rezultat, ky operacion pushoi menjëherë dhe kampi u shpërnda.
Si ishte jeta dhe trajtimi i këtyre familjeve, grave dhe fëmijëve që mbaheshin në këtë kamp?
Për jetën e familjeve të kampit ka dokumente të CIA-s që vinin nga dorë e parë, që ishin njerëz nga ky kamp të cilët i çonin informacionet në Jugosllavi. Por sipas raportit të CIA-s, kushtet në këtë kamp nuk janë fort të këqija, siç mund të ishte kampi i Maliqit. Thuhet që jetojnë në këto dy kapanone, por kanë qenë kapanone me tulla, ndërtime të kohës italiane, aty më pas u strehua edhe ushtria shqiptare dhe unë i kam parë nga afër. Sigurisht që flinin një numër i madh personash në një kapanon, tregohen oraret e aktivitetit ditor, ushqimi, por dhe orare të zbavitjes, apo çlodhjes.
Personat e kampit dërgoheshin herët në mëngjes në punë, kryesisht në shpyllëzimet e shpateve, pasi Tepelena është një territor si në gropë. Raporti thotë që gjatë natës në kamp kishte 5 policë, ndërsa gjatë ditës vetëm 1 polic. Kur ti i thua Aushvic këtij kampi, krahasoji mirë parametrat. Sigurisht jemi në 1953 dhe kushtet ishin të vështira, kishte zi buke dhe prishja e marrëdhënieve me Jugosllavinë kishte ndikuar negativisht në ekonominë e vendit. Nuk them se nuk ka pasur vdekshmëri të fëmijëve, sigurisht ka pasur dhe në kamp, për këto kushte, por vdekshmëria ka qenë e lartë në rang republike. Sigurisht ai ishte kamp izolimi, nuk ishte kamp pushimi, por t’i thuash ishte kamp i shfarosjes në masë, është t’i dhunosh historinë, por edhe të lëndosh edhe ndjenjat e atyre që kanë vdekur në burgjet e komunizmit.
Ka pasur dhe një kamp të ngjashëm në Maliq të Korçës?
Po, ka pasur dhe një kamp në Maliq, por kushtet aty ishin shumë më të këqija se kampi i Tepelenës, gjithmonë sipas raportit të CIA-s. Në Maliq ishin strehuar familje kryesisht nga Jugu, nga zona e Korçës që kishte dhe aty shumë të arratisur dhe ktheheshin me grupe të armatosura, që në atë kohë i quanim diversantë. Qëllimi i tyre ishte që të ngrinin dhe të inkurajonin rezistencën kundër regjimit në popull, të ngrinin pakënaqësi popullore dhe të krijohej një kryengritje e brendshme, sepse këto grupe ishin të vogla dhe të izoluara dhe nuk mund të arrinin të bënin aksione të shkallë të gjerë.
Por qëllimi ishte të nxisnin popullin, por kur u pa që kjo praktikë nuk pati jehonë, madje shkaktoi dhe reaksion të brendshëm, sepse këto grupe të armatosura kanë bërë dhe krime, që në ditët e sotme mund të cilësohen si terrorizëm, sepse janë vrarë ushtarakë, oficerë, punëtorë partie, zyrtarë, por janë vrarë dhe njerëz të thjeshtë, vajza që shkonin në shkollë dhe gra që punonin në ara. Cuca e Maleve nuk ka qenë një krijim artistik, por realisht ka folur.
Pra, ju mendoni se nuk është ky kampi simbol për të kujtuar represionin e egër komunist?
E kam thënë dhe e them se simboli i represionit komunist në Shqipëri është burgu i Spaçit dhe Burrelit. Këmbëngul që ato dy burgje duhet të rindërtohen siç kanë qenë, duke i kthyer në muze dhe aty të çohen me patjetër nxënësit e shkollave në radhë të parë, sepse nuk jemi ne 60-vjeçarët t’i tregojmë njëri-tjetrit, t’i tregojmë se cili ka qenë dhe cili është. E rëndësishme është që atje të shkojnë shkollat, të njihen me pjesën më të egër të regjimit komunist dhe aty të bëhet edukimi i tyre real me historinë dhe jo të krijojmë mite që më kujtojnë mitet që u krijuan pas çlirimit nga udhëheqja komuniste, që tregonte heroizmat e saj për rreth 45 vjet.
Në ç’kuptim e thoni këtë?
Ka një popull që është shumë i ndjeshëm, kur ti i zë në gojë Aushvicin, duke e transferuar Aushvicin edhe në Shqipëri, ti e thyen atë popull. Pra, është e padrejtë që të krijohet një mit i paqenë. Aushvici, Mathausen apo Birkinau, nuk kanë të ngjashëm as në Shqipëri e as në ndonjë vend tjetër të Europës për mizorinë që është ushtruar aty ndaj racës njerëzore. Ndaj, çdo krahasim i realiteteve te tjera represive, siç është edhe kampi i Tepelenës, me kampet e mësipërme të shfarosjes në masë, është antihistorik e spekulativ!
Unë kam gjithë respektin e duhur për të gjithë ata njerëz që kanë vuajtur aty, ku kanë kaluar një jetë të vështirë, por ta kapërcesh masën dhe ta kthesh kampin e Tepelenës në një kamp shfarosjeje, në një kohë kur nëse donin t’i shfarosnin, i vrisnin pa gjyqe siç edhe ka ndodhur. Por ne nuk duhet të fyejmë popujt e tjerë duke larë hesapet me njëri-tjetrin se kjo është dhe për përdorim të brendshëm. Unë dyshoj që ka dhe një arsye nga iniciatorët që e kanë marrë përsipër. Mund të them se ndonjëri prej tyre nuk është njeriu i duhur.
Cilët janë iniciatorët e këtij projekti?
Është Autoriteti i Hapjes së Dosjeve, i cili ka një detyrë shumë specifike dhe të rëndësishme, që duhet ta bëjë mirë. Janë ish-të përndjekurit politikë, që kanë qenë dhe duhet ta kërkojnë këtë, por duhet të ketë një filtër.
Është dhe Bashkia Tepelenë?
Bashkia e Tepelenës dhe kryetari i saj e ka përqafuar me shumë dashuri këtë nismë, por për fat të keq është vështrim shumë miop, për ta parë si destinacion historiko-turistik. Nëpërmjet gazetës suaj, kryetarit të Bashkisë së Tepelenës do të doja t’i thosha se këmbëngulja për të bërë në mes të Tepelenës një memorial për kujtimin e viktimave dhe të izoluarve në kampin e Tepelenës, ka dhe një risk tjetër dhe më duket se ka dhe një paragjykim, sepse dikush kërkon që ta identifikojë Tepelenën se ka njerëz me prapamendime qoftë fetare, qoftë krahinore, do ta bëjë Tepelenën si simbol të represionit komunist.
Kryetarit të Bashkisë së Tepelenës dua t’i them se para se të angazhohet për kampin e Tepelenës, duhet të angazhohet në shumë punë të tjera. Sepse Tepelena ka qenë vatra e kryengritjeve dhe luftërave për liri dhe demokraci të popullit shqiptar dhe kjo që nga kohët e para të Skënderbeut dhe nuk ka përfillur organizimin e një konference shkencore për këtë histori të pasur. Ja ku jam unë që kam bërë një libër me 1500 faqe për historinë e vjetër të Shqipërisë dhe nuk kujtohet të bëjë një konferencë shkencore për luftëra që na kanë bashkuar ne shqiptarëve dhe përqafon një projekt që është një realitet, ai kamp, por është mistifikuar.
Komentet