Veshjet tradicionale janë një ndër komponentet më të fuqishëm të traditës popullore shqiptare, shumica e tyre janë trashëgime të veshjeve të lashta ilire dhe të arbërve të mesjetës, të cilat gjatë zhvillimit historik kanë pësuar modifikime të diktuara nga progreset e shoqërisë shqiptare, por shprehje dhe e marrëdhënieve kulturore mes popujve. Në kompleksitetin e tyre, veshjet popullore shqiptare kanë fituar tipare origjinale, me vlera si tregues etnik, që i dallon nga ato të popujve fqinjë. Vendi ynë shquhet për shumëllojshmëri veshjesh popullore, kësisoj rezulton se janë mbi 500 lloje veshjesh për burra e gra. Në mënyrë të veçantë dallohen veshjet e grave si për shumëllojshmërinë e formave, për ngjyrat e shumta dhe kompozimin me shumë estetikë. Ndër veshjet e grave dhe të vajzave shquhen xhubleta; kostumi me këmishë të gjatë dhe xhokë shajaku, kostumi me fund me pala, me jelek (mitan) dhe me gunë, e cila në disa treva eshtë e bardhë me zbukurime me gajtana, në të tjerat ngjyrë kafe, të kuqe të errët, ose e zezë. Të gjitha tipat e veshjeve të grave shoqërohen me shaminë që vihet mbi kokë e lidhur në gushë me një formë elegante, pa e mbuluar bukurinë e fytyrës, ashtu si shoqërohen me stoli të shumta metalike, të cilat krahas finksioneve estetike përdoreshin dhe me funksione magjike.
XHUBLETA
Xhubleta është veshje tipike e grave dhe e vajzave të malësisë së Shqipërisë Veriore. Prejardhja e emrit është nga latinishtja Iuba (xhiuba) – veshje me xhufka, me jele, e shqipëruar në Xhubleta, emëri i lashtë i kësaj veshje të fisme iliro – arbërore – shqiptare. Xhubleta është veshje me prejardhje të lashtë, çka dëshmohet me ngjashmërinë me veshjen në disa figurina terrakote të gjetura në Bosnje, dikur të banuar nga fiset ilire, si dhe në Kretë dhe vise të tjera të mesdheut, që i përkasin mijëvjeçarit të dytë para K. Studiuesit shqiptarë dhe të huaj, njëzëri theksojnë se xhubleta është veshje me origjinë të lashtë katërmijë vjeçare, e ruajtur nga malësoret e Shqipërisë veriore, të malësisë të Kosovës perëndimore dhe të pjesës verilindore të Malit të zi të banuar nga shqiptarët. Xhubleta vishet nga gratë dhe vajzat e Malësisë së Madhe, Kelmendit, Dukagjinit, Shalës, Shoshit, Nikaj – Mërturit, Pukës, Mirditës, Rugovës dhe nga shqiptaret e Malit e Zi (Plavë, Guci, Hot, Grudë, Tuz etj). Me migrimin e familjeve malësore në trevat fushore shqiptare, gratë dhe vajzat e ruajtën xhubletën kur u vendosën me banim në Bregun e Bunës, në Zadrimë, në Thumanë, ashtu u ruajt edhe nga malësoret që zbritën në qytetin e Shkodrës.
Xhubleta është kryevepra e kostumografisë iliro – arbërore – shqiptare, ështe vepër arti, është histori, është kulturë shekullore, është mit, është sofistikim estetik me zbukurime dhe qendisje floreale dhe gjeometrike me plot mistere të lashta pagane, me simbole antropozoomorfe dhe mistike, është vlerë materiale dhe shoqërore, është punim origjinal shqiptar unikal. Si çdo trashëgimi kulturore dhe etnografike edhe xhubleta ka historinë e saj me zanafillë 2000 vite para K, në lashtësinë proto-ilire dhe ilire, me vazhdimësi në mesjetën arbërore, e ruajtur dhe në 2000 vite pas K, e cila ka arrijt deri në ditët tona me bukurinë dhe vlerat e saj të shumta historike, kulturore, etnografike, antropologjike dhe estetike.
Xhubleta është një veshje komplekse e grave e përbërë nga pjesa kryesore fundi i shajakut ngjyrë të zezë, i qepur në formë këmbane, me buzën e poshtëme të valëzuar, sidomos në pjesën e pasme. Fundi i xhubletës varet në supe me dy rrypa të gjërë shajaku. Të gjitha llojet e xhubletës, në buzën e poshtëme të palave të fundit kanë një shirit të ngushtë shajaku ngjyrë të bardhë. Fundi me ngjyrë të zezë, me me praninë e simboleve të ndryshme. prezanton misteret e kësaj veshje unikale, madje shkëlqen nga të gjitha pikpamjet, si nga pamja monumentale, nga teknika e endjes në tezgjah e stofës së shajakut, nga zbukurimet e shumta që kompletojnë estetikën e saj dhe bashkëshoqërimi me stolitë.
Një lloj tjetër xhublete, është ajo e vajzave – çikave, e thurur me mbizotërim të shiritave shajaku të bardhë dhe me shirita shajaku ngjyrë të zezë.
Fundi prej shajaku kompletohet me anekset e tjera, që janë xhoka me xhufka thekësh me ngjyra, këmisha e bardhë, rizja (shamia e bardhe me thekë e grave, me ngjyra e vajzave), kraholina, përparsja, kallmat, çorapet e gjata të thurur me penjë shumëngjyrëshe, shputat, brezi i gjërë i zbukuruar me rruaza dhe gajtanë, i quajtur kërdhokla, guna treçerekshe me kapuç, që vishet ditët me shi dhe në periudhën e dimrit, si dhe opingat elegante me lëkurë lope, të thurura me lidhëse lëkure etj.
Fundi i xhubletës dhe veshjet e tjera plotësuese zbukurohen me motive magjepse me karakter natyror, hyjnor dhe fisnor, të shprehura me figura floreale dhe gjeometrike, me simbole atropozoomorfe dhe magjie, të gjitha të qëndisura me penjë shumëngjyrëshe; madje në zbukurimet integrohet dhe pema e fisit dhe e familjes, një kod misterioz i trashëguar nga lashtësia, i pasqyruar me simbole të ndryshme, ndër të cilët mbizotëron shqiponja. Në misterin e xhubletës pasqyrohen një seri simbolesh pagane, që kanë ekzistuar para besimeve monoteiste dhe ndër më të përdorurit janë simbolet e diellit, të hënës, të yjeve, të gjarpërit, të shqiponjës, të dragoit dhe simboli i lashtë magjiko – fetar i svastikës (në gjuhë sanskrite do të thotë fat, lumturi, mirëqenie), ndërsa sipas J. Dechelette svastika karakterizon diellin në lëvizje, andaj quhet dhe dielli svastik.
Në kompleksin e veshjeve me xhubletë janë dhe varëse ari, ose argjendi, ose bakri, bronxi etj, gjerdanët me rruaza, pafta të vogla filigrane, shirita me fije ari, shogëza në vend të rrypit të mezit, që në bashkësinë e tyre plotësojnë kostumin hirosh të xhubletës, si pjesë plotësuese e bukurisë natyrale të vajzave dhe grave shqiptare. Kësisoj e kombinuar, xhubleta përfaqëson një institucion të lashtë kulture matriarkale, që ka arrijt deri në ditët tona me bukurinë dhe vlerat e saj historike dhe kulturore.
Karahas karakteristikave kostumografike unike, që e njësojnë si kostum me funksionet dhe me bukurinë e saj, xhubletat kanë veçori dalluese njera nga tjetra, të shprehura me variacione sipas moshës, funksionit dhe në kompozimin e zbukurimeve me penjë me ngjyra të ndryshme, në qendisjen e figurave floreale, gjeometrike dhe atropozoomorfe, me praninë e simboleve të ndryshme, në mesazhet dhe në prezantimin e kodit misterioz të pemës së fisit dhe të familjes. Në këto aspekte, pavarësisht nga struktura standarte, xhubletat kanë veçori individuale, pra kanë dallime njëra nga tjetra, janë prodhime të personalizuara.
Etnografët, kostumografët theksojnë se xhubleta është veshje e veçantë, komplekse dhe ndër më të vështirat në punim, madje nuk gjen paralele me asnjë nga tipat e tjera të veshjeve për vajzat dhe gratë në Shqipëri, në Ballkan dhe me gjërë.
Xhubleta realizohet nga gratë malësore, mjeshtre të shquara për aftësi në krehjen e leshit të dhenëve, në tjerrjen perit të leshit dhe ngjyrosjen me ngjyrë të zezë me gjethe arre, në thurjen në tezgjah të shajakut, në larjen dhe kompaktësimin e stofit në valanicë, në prerjen dhe qepjen e pjesëve të fundit, sidomos të palave të fundit, për t’i dhënë formën e këmbonës, në qepjen e xhokës estetike, në thurjen e çorapeve, të përparseve dhe në realzimin e zbukurimeve në raporte harmonike mes tyre.
Gratë mjeshtre në prodhimin e xhubletës i përmbahen traditës të prodhimit të kësaj veshje komplekse, i pasqyrojnë me saktësi dhe besnikëri elementet përbërës, punojnë me fantazi në kombinim estetik të zbukuri-meve, por shquhen dhe për novatorizëm në kombinimin e të vjetrës së tashëguar me të rejat që i dikton koha.
Kësisoj gratë malësore mjeshtërisht realizojnë xhubletën, këtë veshje unikale me vlera estetike dhe vepër arti.
Fundi i xhubletës formohet me qepjen e rripave të shajakut, konkretisht duhen 25 deri në 30 copa shirita shajaku të prera me gjërësi të ndryshme. Këto shirita për gratë janë me ngjyrë të zezë, ndërsa për vajzat të kombinuara shiritat me ngjyrë të bardhë dhe ngjyrë të zezë. Gjithashtu përdoren dhjetra metra spik të përgatitur në shtëpi me teknologji artizanale, duhen penjë të fortë leshi për qepjen e shiritave të shajakut, ashtu si dhe shumë lloje penjësh me ngjyra të ndryshme për qendisjen e zbukurimeve dhe të simboleve.
Konfeksionimi i xhubletës është padyshim një provë e vërtetë aftësie profesionale, sepse duhen njohuri, shkathtësi dhe teknika të veçanta për tjerrjen e fijes, thurjen në tezgjah të shajakut, për t’i montuar së bashku të gjitha ato copa, aq më tepër ka vështirësi të bashkohen njëra me tjetrën kordonat e shajakut, bashkim që nuk bëhet midis gjatësishë të barabarta, sepse disa janë më të shkurtëra, sidomos ato të pjesës së belit dhe më të gjata ato të pjesës së poshtëme të fundit të xhubletës. Kështu një rrogzinë e gjatë 180 cm, duhet të bashkohet me një tjetër të gjatë 200 cm dhe kjo të formoi valëzimet e pjesës së poshtëme të fundit. Po kështu rasti i xhokës, për të cilën copa e stofit të zi për gratë dhe e stofit të bardhë për vajzat, që formon pjesën e poshtme, duhet të mblidhet me pala të dendura dhe me estetikë, për t’ia përshtatur perimetrit të belit të gruas apo të vajzës, një proçedurë teknike e vështirë, por e realizuar me mjeshtëri të admirueshme nga gratë malësore duararta. Në xhubletë, të gjithë komponentët janë kombinuar në perfeksion teknik dhe estetik.
Xhubletat e grave e Malësisë së Madhe
Fundi i xhubletës, xhoka, përparësja e xhubletës; çorapet plotësohen me një sistem të veçantë zbukurimesh, me figura floreale, gjeometrike dhe antropozoomorfe, me simbole, shumica të lashta pagane, madje vendoset dhe kodi i pemës së familjes dhe i fisit. Këto zbukurime mbizotërojnë në xhubletat e grave, ndërsa në xhubletat e vajzave janë më të pakta, madje dhe mund të mungojnë, pasi bukuria e xhubletave të çikave, shprehet me kombinim estetik të shiritave të shajakut të bardhë me shiritat e zi dhe me bukurinë natyrale të vajzave.
Gratë malësore pasi e qepin fundin me shajak të zi të xhubletës, e zbukurojnë duke shtuar figura floreale, gjeometrike, antropozoomorfe dhe simbole të ndryshëm, të prezantuara me spektër shumëngjyrash si ngjyrë të kuqe (shpreh energji, vitalitet, kurajo, entusiazëm), shumica realizohen me ngjyrë të verdhë (simbolizon hyjnoren, shpresën, optimizmin), të tjerat me ngjyrë rozë (simbol i shpresës), të gjelbër (harmoni, ekuilibër), blu (qetësi, paqe); ngjyrë lejla aristokratike, e cila shpreh mistere e magji; ngjyrë të bardhë (shpreh pastërtinë, lealitetin dhe virgjërinë e vajzave, andaj në xhubletat e vajzave mbizotëron ngjyra e bardhë) si dhe me ngjyrën e zezë të shajakut të xhubletës, të xhokës, të përparëses, të gunës, të brezit etj. Ngjyra e zezë, krahas mistereve të territ e të panjohurës, shpreh elegancë, seriozitet, prestigj, pavarësi, energji të brendëshme, autoritet, siguri dhe impulse krijuese. Sfondi i zi i xhubletës dhe i anekseve kompletohet me elemente shumëngjyrash, kësisoj realizohet veshja unikale iliro-arbërore – shqiptare me bukuri të rrallë magjepse, që bashkëshoqëron bukurin natyrale të vajzave dhe grave malësore.
Në aspektin kostumografik xhubleta është model veshje e standartizuar dhe e personalizuar sipas moshave, funksioneve, andaj prodhohen disa lloje me veçori në përmasa, në ngjyra dhe me variacione në zbukurimet e fundit dhe të anekseve.
Në vartësi të permasave të trupit të grave xhubleta peshon 15 – 20 kg, kësisoj për nga përmasat dhe pesha, nuk vishet si rrobat e tjera, andaj gratë e veshin me një proçedutë praktike, e varin dhe e ngrejnë lart xhubletën dhe futen nga poshtë, deri sa dy rrypat e gjera të shajakut mbështeten mbi supet e grave.
Xhubletat e vajzave.
Xhubletat mund të prezantohen në katër grupe:
1. Xhubleta e vajzave – e çikave. Vishet kur vajza mbush moshën 10 vjeç. Fundi i xhubletës qepet me mbizotërim të shiritave të shajakut të bardhë, dhe më pak shirita të zi më të ngushtë. Buza e fundit të shajakut është gjithomnë me ngjyrë të bardhë, më e gjërë në pjesën e poshtëme të ngrirë me formë këmbane, pra është xhubletë më e thjeshtuar, por hyjnore e me bukuri tërheqëse.
Edith Durham, në veprën “The struggle for Scutari. London Edward Arnold, 1904, f, 35 shkruan: “Vajzat vishen me një rrobë të trashë, të ngrirë prej leshi të bardhë me shirita horizontal me ngjyra të bardha e të zeza. Fundi vjen e bashkohet me pjesën e sipërme të rrobës, e cila është e kapur anash. Çorapet e gjata janë të thurura me figura me fantazi, me kompozime gjeometrike me kombinim ngjyrash të bardha, të zeza, të kuqe etj … “
Xhubletën e çikave, ose xhubletën e bardhë, poetja dhe koleksionistja Luljeta Dano e cilëson një veshje e jashtëzakonshme dhe mrekullisht e bukur për cilësitë e punimit dhe të qëndisjes dhe që dallohet në shprehjen e simboleve të fertilitetit. Vajza e vishte këtë tip xhublete, deri në ditën e dasmës të martesës.
2. Xhubleta e grave të martuara. Vishej ditën e dasmës dhe më pas kjo xhubletë ruhej në arkë druri. Në varësi të gjendjes ekonomike dhe marrëveshjeve mes dy familjeve për martesën, gruaja malësore merrte në pajë 5 – 7 xhubleta, të prodhuara me shajak ngjyrë të zezë dhe me zbukurime të shumta. Edith Durham rrëfen: “Gratë e martuara mbajnë veshur një fund në formë këmbane prej leshi të rëndë dhe të ngrirë, me shirita ngjyrë kërmizi të shuar (të lyera vetë), ose me ngjyrë të purpurt”.
Këtë xhubletë gratë e ruanin në arkë dhe mes palave vendosnin gjethe duhani që të mos dëmtohej nga tenja dhe borzilok mali, për t’i dhënë aromë të pëlqyeshme. Xhubletën e nusërisë që e vishnin ditën e dasmës, gratë e ruanin me vite me fanatizëm dhe besnikëri të jetës bashkëshortore, madje kjo xhubletë nuk dhurohej, nuk shitej, nuk prishej, por do të përdorej vetëm në varrimin kur gratë vdisnin. Etnografia Afërdita Onuzi, tipat e xhubletave të grave të moshuara i klasifikon në dy kategori: a. xhubleta e parakeqe,
b. xhubleta e keqe. Ky cilësim në fakt nuk i referohet xhubletës, por moshës të grave në fazën e pleqërisë dhe në prag dhe në fund të jetës, sepse kur vdisnin, gratë varroseshin me xhubletën e martesës, me atë që kishin veshur ditët e dasmës.
Në ditët e zakonëshme, gratë përdornin xhubletata “rezervë”, që zevendësonin atë që konsumohej tepër.
3. Xhubleta cubele. Vishej nga gratë gjatë punëve të ndryshme shtëpiake, pra ishte xhubletë pune, natyrisht me më pak zbukurime, më e shkurtër dhe më e lehtë se sa xhubletat tipike.
4. Xhubleta për festat. Me xhubleten më të bukur, me më shumë zbukurime, gratë e vishnin në ditë festash, në gëzime familjare dhe fisi, në dasma dhe në vizita në familjet e miqëve. Në Malësinë e Madhe, xhubletën më të bukur, gratë dhe vajzat e vishnin më 26 korrik në ditën e Shen Prendës, kur organizohej dhe festa e Logut të Bjeshkëve një festë tradicionale që zhvillohej në Lëpushë të Kelmendit. Pas argëtimeve me këngë, me valle, me lojra popullore dhe garave me kuaj, pjesëmarrësit mblidheshin në pjesën qendrore të livadheve dhe ndiqnin paradën e grave e të vajzave të veshura me xhubletat më të bukura. Një mrekulli dhe paradoks i rrallë i malësisë shqiptare, kur mendojmë sa i egër dhe i mbyllur ishte Kanuni ndaj të drejtave dhe lirisë të gruas malësore, nga ana tjetër, ky Kanun dhe ajo pleqësi konservatore, na shfaqen liberalë, sa pranonin një manifestim të tillë të femrave. Në festën e Logut të Bjeshkëve, të gjithë pjesëmarrësit përqëndrohen në zhvillimin e paradës të grave dhe çikave të veshura me xhubletën e bukur të malësisë dhe në përfundim, zgjidhnin çikën me xhubletën ma të bukur, e thënë thjeshtë, zgjidhnin “Miss malësia”, ose si e quajnë malësorët, atë ditë zgjidhej “Miss bukuria”.
Festa e Logut të Bjeshkëve eshte manifestim imponent dhe madhështor i malësoreve, e cila organizohej në vite të shkuara, shumë kohë më herët, aq sa nuk mbahet mend, por është ruajtur ndër shekuj dhe pasi u ndalu padrejtësisht nga regjimi komunist, nga viti 1992 u ripërtëri me të gjithë vlerat dhe forcën e shpirtit të malësoreve, duke u bërë protagoniste e shprehjes të vlerave kulturore, artistike, shpirtërore dhe qytetare të grave dhe të vajzave të Malësisë së Madhe.
Malësori nuk është përpjekur ta fshehë bukurinë e femrës, përkundrazi ka dashur që nëpërmjet saj të shprehë vlerat fizike dhe shpirtërore të grave dhe vajzave, sigurisht brenda normave dhe kufizimeve të kohës.
Xhubleta është studiuar nga etnologë, albanologë, historianë, arkeologë, antropologë, sociologë vendas e të huaj, të cilët kanë shkruar për historinë, teknikën e punimit, për bukurinë, për figurat, simbolet, kodet dhe mesazhet që shpreh xhubleta. Ndër studiuesit shqiptarë janë shquar Bernardin Palaj, Rrok Zojzi, Andromaqi Gjergji, Mark Tirta, Abaz Dojaka, Afërdita Onuzi, Yllka Selimi, S. Shkurti, Agim Bido, Luljeta Dano, Aleksender Stipçeviç, Fahri Xharra, Ikbale Kalaja, Sokol P. Lulgjuraj, Flamur Doli etj, etj, ashtu si dhe studiues të huaj ndër të cilët po rendis Daniel Kornidez, George von Hahn, Franz Nopcha, Rosel de Fontanes, Edith Durham, J. Dechelette, Hoernes, Wide, Evans, Vasits, Edwin E Jacques etj.
Vijon