Përktheu dhe përgatiti botimin Xhevdet Shehu
(Vijim)
Ambasadat amerikane u mbyllën me rekomandimin tonë ose përforcuan mbrojtjen e tyre. Anijet e Marinës lanë portet e Lindjes së Mesme dhe dolën në det të hapur. Sërish, unë nuk mund të them se çfarë do të ndodhte si rezultat i këtyre paralajmërimeve dhe shkallës së lartë të alarmit që kishim dhënë, por jam i bindur se vera dhe vjeshta e vitit 2001 do të kishin qenë edhe më shumë katastrofike – si dhe shumë më tepër të përgjakshme gjithandej – nëse ne do të ishim tërhequr mënjanë, nëse do t’i kishim shpërfillur, ose do t’i jepnim një pedalim më të butë atyre që dëgjonim.
Më 5 korrik, disa nëpunës të lartë të Qendrës Botërore të Tregtisë shkuan në Departamentin e Drejtësisë për t’u takuar me Prokurorin e Përgjithshëm Xhon Eshkroft lidhur me shqetësimet tona. Ata i thanë atij se ne besonim që një sulm i fortë terrorist ishte i afërt dhe që përgatitjet për të ishin në etapat e fundit ose ishin kompletuar tashmë. Megjithatë, ne vazhduam të besojmë se një sulm kishte më shumë të ngjarë të ndodhte përtej kufijve tanë. Në fund të takimit Prokurori i Përgjithshëm u kthye nga grupi i FBI-së dhe tregoi me gisht punonjësit e pranishëm të CIA-s. “Përse ata po ma tregojnë mua këtë?” pyeti ai. “Përse nuk po e dëgjoj këtë nga ju?” Njerëzit e CIA-s menduan se ky ishte një reagim i çuditshëm.
Më 10 korrik, Kofer Blleku, Riç B., dhe ekipi i tyre i kundërterrorizmit kishin ngritur këtë shkulm ere për të bërë një vlerësim të konsoliduar dhe strategjik. Atë pasdite, Koferi kërkoi të takohej me mua. Takimi me të më bëri t’i mbaja veshët hapur deri në fund. Kur ai ishte nga mesi i bisedës, unë ngrita telefonin e madh të bardhë të sigurisë, në anën e majtë të tryezës sime – atë që lidhej drejtpërdrejt me Kondi Rajsin – dhe i thashë se kisha nevojë të ngutshme të takohesha për t’i dhënë një njoftim të fundit mbi kërcënimet e al-Kaedës. Nuk më kujtohet asnjëherë tjetër në shtatë vitet e mia si Drejtor i CIA-s të kem kërkuar një takim kaq urgjent në Shtëpinë e Bardhë. Kondi caktoi kohën menjëherë dhe, për pesëmbëdhjetë minuta Koferi, Riçi dhe unë përshkuam rrugën deri në Shtëpinë e Bardhë.
Kur mbërritëm në zyrën e Kondit, Dik Klarku dhe Stiv Hadlli ishin duke na pritur. Ndryshe nga herët e tjera, kur ne, zakonisht, në takimet tona të përjavshme, uleshim në divan, pyeta nëse mund të rregulloheshim përreth tryezës së konferencave të Kondit, në mënyrë që gjithkush të mund të ndiqte diagramën e bisedës. Mendova se ishte më zyrtare dhe më e volitshme të rrinim ulur nëpër karrige për t’u përqendruar në ato që do të thuheshin. Riçi shpërndau dengun me harta dhe nisi të fliste. Ai tërhoqi vëmendjen e gjithkujt që në fjalët e para, sepse nuk la vend për mëdyshje: “Do të ketë një sulm të rëndë terrorist në javët apo në muajt e ardhshëm!”.
Një ditë e saktë ishte e pamundur të gjendej: “Nga sulmet e kaluara, ne dimë që UBL-ja (Usama Bin Laden) nuk është nga ata që sulmon në data të veçanta”, shpjegoi Riçi. “Bin Ladeni paralajmëroi për një sulm të afërt në maj të vitit 1998, por sulmet kundër ambasadave nuk ndodhën para gushtit. UBL-ja do të sulmojë kur ai të besojë se goditja do të jetë më e suksesshme”. Gjithsesi, shenjat janë të pagabueshme. Udhëheqësi kryesor terrorist islamik çeçen Ibn Katabi (Ibn Kattab) u ka premtuar trupave të tij disa “lajme shumë të mëdha”, tha Riçi. Një diagramë tregonte shtatë elemente specifike të shërbimit inteligjent të mbledhura gjatë njëzetekatër orëve të fundit dhe të gjitha ato parashikonin një sulm të afërt. Më troç: një numër i madh ekstremistësh islamikë ishin duke udhëtuar për në Afganistan, ndërkohë që kishte ikje të konsiderueshme familjesh ekstremiste nga Jemeni. Të tjera shenja flisnin për kërcënime të reja kundër interesave të Shteteve të Bashkuara në Liban, Marok dhe Mauritani.
Diagrama tjetër e Riçit përmbante atë që ne në punën tonë e quajmë “esenca”, një përmbledhje e formulimeve më të freskëta që kishim në zotërim përmes njoftimeve sekrete:
* Një deklaratë e mesit të qershorit nga UBL-ja për të rekrutuar ata që do të ishin në sulm në një të ardhme të afërt.
* Informacioni që fliste për lëvizje drejt akteve vendimtare.
* Informacioni i gjysmës së dytë të qershorit që citonte një “ngjarje të madhe”, e cila do të ndodhte së shpejti.
* Dy copëra të ndara të informacionit të mbledhur vetëm pak ditë para takimit tonë, në të cilat në javët e ardhshme njerëzit parashikonin një kthesë tronditëse të ngjarjeve.
Sulmi do të jetë “spektakolar,” i tha Riçi Kondit dhe të tjerëve, dhe ai do të jetë i projektuar për të shkaktuar dëme masive kundër objekteve dhe interesave të Shteteve të Bashkuara. “Përgatitjet për sulmet janë bërë”, tha ai. “Sulmet e shumëfishta dhe të njëkohshme janë të mundshme, dhe ato do të ndodhin me pak ose pa paralajmërim. Al-Kaeda është duke pritur me shpresë që ne të shfaqim dobësi”.
Riçi vazhdoi të tregonte përmbledhtaz përpjekjet tona për të prerë lidhjet e objekteve specifike të Bin Ladenit. Synimi ynë, shpjegoi ai, nuk është vetëm të trembim dhe të ndalim njerëzit veçanërisht të këqij. Ne donim të përhapnim fjalën se planet e Bin Ladenit për objektet e shenjuara kishin qenë të komprometuara. Shpresa jonë ishte që të paktën të mund ta detyronim të shtynte sulmet, por që kurrë nuk mund të ishte diçka më shumë se një aksion i ngecur. Në fund të këtij përshkrimi, fjalët që u theksuan ishin: “Përçarja vetëm e vonon një sulm terrorist. Ajo nuk e ndal një kërcënim terrorist”.
Siç ishim marrë vesh, Riçi u hodh tek ajo pikë për të argumentuar se duhej të bëhej kujdes për të lëvizur menjëherë nga një qëndrim mbrojtës në një qëndrim sulmues vis-à-vis me al-Kaedën dhe Bin Ladenin. “Ne kemi prishur ose kemi shtyrë sulmin aktual, por rreziku UBL do të vazhdojë të ekzistojë”, tha ai. “Qëllimi i UBL-së është shkatërrimi i Shteteve të Bashkuara. Ne mund të shqyrtojmë një qasje proaktive, në vend të një qasjeje kundërvepruese ndaj UBL-së. Duke e goditur sërish me raketa kruiz pas këtij sulmi të ri terrorist, do të duket se ne vetëm do luajmë me strategjinë e tij. Ne duhet t’i hyjmë betejës me UBL-në në Afganistan. Ne duhet t’i japim përparësi rritjes së pakënaqësisë së disa fiseve afgane në lidhje me talebanët. Duhet t’i japim përparësi kundërshtimit të armatosur afgan”.
Në fund të takimit, Kondi u kthye nga Klarku dhe tha: “Dik, pajtohesh me këtë? Është kjo e vërtetë?”. Klarku vendosi bërrylat e tij mbi gjunjë dhe, me kokën midis dy duarve, tha një po pezmatuese.
Kondi pa nga Koferi dhe pyeti: “Çfarë duhet të bëjmë?”.
Koferi u përgjigj: “Ky vend tani duhet të përgatitet dhe të përballojë një luftë”.
“Po çfarë mund të bëjmë ne për të ndërmarrë një ofensivë tani?” pyeti Kondi. Nuk më kujtohet se kush iu përgjigj kësaj pyetjeje, Koferi apo unë. “Ne kemi nevojë për kompentencat që kemi paraqitur në muajin mars”, tha një nga ne. Unë i përmenda Kondit sërish që, përpara se kompentencat të mund të miratoheshin, presidenti duhej të përshtaste politikën e tij me realitetin e ri, dhe ajo më siguroi se kjo gjë do të ndodhte. Ky ishte përfundimi që unë prisja dhe shpresoja kur lamë Langlejin për të shkuar në Shtëpinë e Bardhë, ndoshta një orë më përpara, por tragjedia ishte se e gjithë kjo mund të ishte vënë në vijë që prej katër muajsh, nëse kërkesa jonë fillestare për zgjerimin e kompentencave të mos ishte futur me aq vrazhdësi në sirtar.
Ndërkohë që ishim duke u larguar nga zyra e Kondit, Riçi dhe Koferi përgëzuan njëri-tjetrin. Ata e ndienin se, të paktën, kishim fituar gjithë vëmendjen e administratës.
Kur në vjeshtën e vitit 2006 shtypi nxori në dritë takimin e 10 korrikut të vitit 2001, disa zyrtarë të Komisionit të 11 Shtatorit thanë se ne nuk u kishim folur kurrë atyre për takimin. Zbardhja e dëshmisë sime të klasifikuar në fillim të vitit 2004 tregon se unë e kam diskutuar atë takim në Komision. Por, se pse ata nuk arritën ta përmendin atë në raportin final, për mua është një mister.
Fillimisht disa zyrtarë të administratës sugjeruan që takimi mund të mos kishte ndodhur, por më vonë i përmirësuan komentet e tyre duke thënë se, ndërsa ai ka ndodhur, në të vërtetë nuk kishte ndonjë informacion të ri ose urgjent. Me sa duket, ata nuk e kishin menduar se takimi mund të merrej vesh, sidomos atë që kishte të bënte me shtatë njoftimet sekrete, të mbledhura në njëzet e katër orët e mëparshme, që parashikonin sulmet e afërta terroriste.
Riçi e kishte garantuar grupin e mbledhur atë ditë në zyrën e Kondit që NSA e zvogëlonte fuqishëm mundësinë e keqinformimit. “Anembanë botës arabe”, tha ai, “kërcënimet e UBL-së janë të njohura për publikun. Do të ketë një fshehje të pamjes, fondeve dhe të popullaritetit sikur sulmet e UBL-së të mos ndodhin”. Megjithatë, gjithkush deri atëherë nuk ishte i bindur. Pak kohë më vonë, Stiv Kembon, nënsekretar i Mbrojtjes për shërbimin informativ, erdhi të më takonte dhe më pyeti nëse e kisha shqyrtuar mundësinë që kërcënimet e al-Kaedës ishin vetëm një mashtrim i madh, një marifet i zgjuar për të bllokuar burimet tona dhe për t’i harxhuar energjitë tona duke u marrë me një armik fantazmë, që nuk kishte as fuqitë dhe as dëshirën të matej me ne.
“Jo”, i thashë Stivit, “ky nuk është një mashtrim dhe, jo, ne nuk na duhej një opinion tjetër. Unë kam jetuar me këtë shqetësim prej katër vjetësh. Ky rrezik është real”. Stivit i thashë se do të ishte një gabim i tmerrshëm të largonim nga vëmendja atë që përvoja jonë na thoshte se ishte e pashmangshme. “Ne do të goditemi”, i thashë. “Është vetëm çështje kohe.” Stivi nuk ishte i vetmi që mendonte kështu. Pol Volfovic ngrinte të njëjtën pyetje. Besimi i Stivit mbi të vërtetën, pas 11 Shtatorit, bëri që ai të dilte nga natyra e tij duke më thënë se e kishte pasur gabim.
Ne kishim shpresuar se takimi i 10 korrikut, më në fund, do të na fuste në binarë ose të paktën do të na tregonte rrugën e duhur. Tri ditë më vonë u mbajt një mbledhje e Komisionit të Përfaqësuesve për të diskutuar kompentencat për aksionet e maskuara, që kishim kërkuar fillimisht në muajin mars.
Ndërkohë kishin ardhur njoftime të tjera sekrete. Më 13 korrik ne morëm një njoftim të fshehtë mbi Abu Musab al-Zarkauin, i cili ishte duke u kërkuar nga jordanezët për përzierjen e tij në komplotet e mijëvjeçarit (dhe që do të ishte organizatori i një numri të parrëfyer rrëmbimesh, prerje kokash dhe bombardimesh në Irak, përpara se të vritej në një sulm bombardues amerikan në qershor të vitit 2006). Ne morëm vesh se Zarkaui donte të organizonte një takim në Iran për planifikimin e operacioneve të përvijuara.
Në një nga takimet e mia të përditshme, mora vesh nga palestinezët rreth një plani për të goditur ambasadën amerikane në Bejrut. Mësova se policia turke iu ishte përgjigjur thirrjeve të mia dhe kishte filluar operacionet për identifikimin e sa më shumë objekteve të Bin Ladenit në Stamboll. Ndërkohë, lëndët eksplozive që do të përdoreshin kundër objekteve të shenjuara ushtarake amerikane ishin trafikuar nga Jemeni në Arabinë Saudite, më 6 korrik. Sauditët, më në fund, iu përgjigjën njoftimeve sekrete që ne u kishim dhënë në janar, padyshim si rezultat i telefonatës që zëvendëspresidenti i kishte bërë Princit të Kurorës Abdullah, ku i kërkonte bashkëpunim. Ne u thamë sauditëve se na duhej të punonim në harmoni me ta, na nevojitej bashkëpunimi i tyre, dhe se ishim të interesuar t’i shtynim ata drejt një bashkëveprimi më në kohë me ne – të njëjtin mesazh unë do t’ia përcillja personalisht Princit të Kurorës dy vjet më vonë, pas sulmeve të al-Kaedës brenda mbretërisë.
Në mes të korrikut mësuam se operativët e lartë të al-Kaedës mund të ishin duke iu kthyer kontigjentit të Pakistanit kudo dhe kurdo ndodhte një ngjarje e sigurt. Informacionet tona tregonin se disa ishin duke pyetur nëse trysnia e paqartë kishte ndaluar planet për sulme terroriste. Kjo na dha njëfarë shprese se përpjekjet tona përçarëse mund të kishin pasur një lloj ndikimi.
Shërbimi egjiptian na tha se një operativ i lartë nga Islamija Xhemahiane (Jemaah Islamiya), një organizatë terroriste e Azisë Juglindore, aleate me al-Kaedën, ishte duke planifikuar një sulm mbi interesat amerikane dhe izraelite, me qëllim për të ndihmuar lirimin e Sheikut të Verbër. Katër kamionë të mbushur me lëndë eksplozive C-4 ishin sjellë nga Kampala në Uganda, ndërsa operativët e atjeshëm kishin filluar të studionin ambasadën amerikane. Ne u lidhëm menjëherë me ugandanët dhe, gjithashtu, ua bëmë të ditur tanzanianëve dhe kenianëve. Al-Kaeda kishte provuar tashmë se sa efektive mund të ishte në goditjen e interesave amerikane në Afrikë.
Një shërbim inteligjent europian na paralajmëroi mbi një kërcënim “konkret dhe serioz”, i cili zinte fill nga një rrjet Muxhahidin, i shtrirë në Afganistan dhe Pakistan. Operativët e al-Kaedës ishin rrugës për në Europë, thanë ata, por objekti i shenjuar dhe koha e sulmit nuk diheshin. Ditën tjetër, i njëjti shërbim dha informacione specifike mbi aktivitetin e një operativi të huaj të mirënjohur nga ne. Në të njëjtën ditë, më 17 korrik, burimet brenda rrjetit të Zauahirit na informuan për një sulm që do të ndodhte brenda pak ditësh në Arabinë Saudite. Ne menjëherë informuam sauditët. Jemenasit arrestuan një falsifikues të rëndësishëm pasaportash të Bin Ladenit i cili ishte përfshirë në një kërcënim kundër ambasadës amerikane në Sana, ndërsa ne u siguruam atyre kërkesa të përmbledhura. Pak ditë më vonë morëm gjashtë raporte të veçanta për një narkotrafikant me bazë në Afganistan i cili ishte duke ndihmuar operativët e al-Kaedës në Jemen për ngarkesat e eksplozivit dhe pajisjet për ndërtimin e bombave, të cilat do të përdoreshin kundër interesave amerikane dhe britanike atje. Pesë anëtarë të grupit kishin takuar Bin Ladenin në Kandahar. Nga Afganistani erdhën fjalë që shefi i shërbimit informativ taleban, Kari Amadullah, ishte interesuar për vendosjen e kontakteve sekrete jashtë vendit dhe pa dijeninë e Mullah Omarit, “për të shpëtuar Afganistanin”. Nga Aleanca Veriore, Ahmed Shah Mesud na tha se Bin Ladeni ishte duke dërguar njëzet e pesë operativë në Europë për veprimtari terroriste. Operativët, tha ai, do të udhëtonin përmes Iranit dhe Bosnjes.
E gjithë bota dukej se ishte në prag të shpërthimit.
Në një takim që pata më 24 korrik, mora vesh se Mbreti i Jordanisë Abdullah kishte dërguar fjalë se, sipas tij, Bin Ladeni dhe strukturat komanduese të tij në Afganistan duheshin trajtuar me një qëndrim të vendosur dhe ushtarakisht. Në fund, ai ofroi dërgimin e dy batalioneve të Forcave Speciale jordaneze për të shkuar derë më derë në Afganistan, nëse ishte e nevojshme, për t’u marrë vesh me al-Kaedën. Oferta ishte një gjest i mrekullueshëm, por do të kishte për të qenë pjesë e një strategjie të madhe gjithëpërfshirëse për t’ia dalë mbanë. Për Mbretin Abdullah, Bin Ladeni ishte kërcënimi më i madh në botë për sigurinë e tij kombëtare dhe ai donte të na bënte të ditur se Jordania ishte gati të vepronte si maja e mprehtë e shtizës. Si i ati dhe i biri, mendova. Molla kishte rënë nën mollë. Në këto rrethana, në ç’mënyrë mund të ndihmonte ndonjë tjetër përveç konsideratës që shprehte Mbreti i respektuar i Jordanisë dhe familja e tij?
(Vijon)
Komentet