Më 11 shtator të këtij viti mbushen 20 vjet nga sulmi terrorist kundër Shteteve të Bashkuara. Është padyshim një nga ngjarjet më tronditëse në fillim të një mijëvjeçari të ri që në të vërtetë ndryshoi gjithë kursin e historisë botërore. Si dhe pse ndodhi ky sulm terrorist, pasojat e të cilit vazhdojnë edhe sot e kësaj dite? Më mirë nga të gjithë këtë e rrëfen ish-shefi i atëhershëm i CIA-s, Xhorxh Tenet në librin e tij me kujtime “Në syrin e ciklonit – Vitet e mia në CIA” të botuar vjet më parë, i cili tashmë ndodhet edhe i botuar në shqip.
Në fragmentin që po botojmë tregohet se CIA e kishte informuar shumë kohë më parë Presidentin e SHBA për sulmin e pritshëm. Ja rrëfimi i Tenetit.
Përktheu dhe përgatiti botimin Xhevdet Shehu
“Ata po vijnë këtu”
Më 12 dhjetor të vitit 2000, Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara vendosi, në të vërtetë me një votim 5-4, që Xhorxh Bushi të ishte presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara. Nëse besoni disa nga kritikët e mi, unë e dija rezultatin thuajse dy vite më parë, kur selia e CIA-s mori emrin “Qendra Xhorxh Bush për Inteligjencën”, sipas babait të Xhorxh W.
Unë pata kënaqësinë të kryesoja ceremoninë më 26 prill të vitit 1999, për të nderuar emnakun tim dhe një nga paraardhësit e mi të selisë, Xhorxh H. W. Bush. Ai është një burrë që kujtohet ende me dashuri për ndihmën që i ka dhënë Agjencisë në një periudhë të vështirë, kur ai ishte Drejtor i CIA-s, dy dekada më parë. Por unë nuk mund të pohoj largpamësinë. Ishte një akt i Kongresit që bëri ndryshimin e emrit, jo unë. Në ceremoni, përmenda fjalët e lamtumirës të Presidentit Bush, kur ai iku nga Agjencia në vitin 1977: “Unë marr me vete shumë kujtime të bukura”, tha ai atëherë. “Unë po iki, por nuk do të harroj. Unë shpresoj se do të mund të gjej disa mënyra në vitet që vijnë për ta bërë popullin amerikan të kuptojë shumë më mirë madhështinë që quhet CIA”.
Ndonëse shërbeu si Drejtor për më pak se një vit, Xhorxh Bush, bashkë me gruan e tij, Barbara, u dhanë punonjësve të Agjencisë një ndjenjë të dashurisë dhe të familjaritetit. Ata i ruajtën lidhjet e tyre edhe pasi ai e kishte përfunduar kohën si Drejtor i CIA-s. Si zëvendëspresident, Xhorxh Bushi kryesoi një komision hetimor për rrezikun e terrorizmit – përfundimet e të cilit çuan në krijimin e Qendrës së Kundërterrorizmit të CIA-s. Si president, ai ishte i angazhuar të lëvizte sistemin e levave të pushtetit të shërbimit inteligjent për ta ndihmuar atë për t’i bërë ballë barrës së detyrës së tij, ndërsa këmbëngulte të ishte vetë i pranishëm në takimet mbi njoftimet më të fundit të shërbimit inteligjent, gjatë gjashtë ditëve në javë, pikërisht ashtu siç do të bënte i biri i tij më vonë.
Gjatë asaj vizite në Agjenci, ai dhe gruaja e tij u përshëndetën si yjet e rokut. Ata ishin tejet të përzemërt gjatë gjithë kohës, shtrëngonin duart, jepnin autografe dhe u rilidhën me një kolektiv të CIA-s, që ishte vërtet i dashur për të dy ata. Barbara Bush foli në një aktivitet të organizuar nga bordi ynë këshillimor familjar në sallën e Agjencisë. Të dy atë ditë ata na lanë një mesazh të fuqishëm drejtimi: Kujdesuni për njerëzit dhe ata do të kujdesen për ju. Gjatë qëndrimit tim si Drejtor, 41-shi (sikurse është njohur fillimisht Presidenti Bush) mbante kontakte të shpeshta me mua, me shënime inkurajuese ose me telefon. Ai ishte gjithmonë mbrojtësi ynë publik më i fortë.
Atë ditë pranvere të vitit 1999, unë nuk isha i shqetësuar se kush do ta zinte Zyrën Ovale afro dy vjet më vonë. Në CIA ne i kushtonim vëmendje se kush mund të fitonte në zgjedhjet e jashtme, por nuk interesoheshim kushedi se çfarë për politikën e brendshme amerikane. Në të vërtetë, kushdo që mund të ishte presidenti i ri, do të kishte një ndikim të dukshëm mbi jetën time.
***
Gjatë pranverës së vitit 2001, në një nga takimet e panumërta me zëvendësit, Xhon Meklaflin shprehu shqetësimin për mungesën e aksionit. “Unë mendoj që ne duhet t’i japim një ultimatum talebanëve”, tha ai. “Ata ose të dorëzojnë Bin Ladenin, ose ne do të hedhim ferrin mbi ta.” Pasoi një heshtje e çuditshme. U duk se askush nuk e pëlqeu idenë. Riçard Ermitejxhi, zëvendëssekretar i shtetit, i thirri Xhonit pas takimit dhe i dha një këshillë miqësore: “Në qoftë se do të ndiqni rekomandimet e bëra nga politika, do të kapni të dyshuarit tuaj kryesorë. Ajo tjetra nuk është roli juaj”.
Gjatë qëndrimit tim si Drejtor i Qendrës së Inteligjencës, në të dyja administratat kisha një takim privat të përjavshëm me këshilltarin e Sigurisë Kombëtare. Duke parë tani shënimet e takimeve të atëhershme, gjej se pothuajse në çdo takim, terrorizmi ishte pika kryesore e programit, por kurrë më shumë se në pranverën dhe në verën e vitit 2001.
Për takimin tim të rregullt të planifikuar me Kondi Rajsin, më 30 maj, solla me vete Xhon Meklaflinin, Kofer Bllekun dhe një nga ndihmësit kryesorë të Koferit, Riç B. (Riçi nuk mund të identifikohet më shumë këtu.) Bashkë me Kondin ishin Dik Klarku dhe Meri Mekarti.
Riçi foli për shtimin e shenjave paralajmëruese të një sulmi të ardhshëm. Ato ishin vërtet të frikshme. Midis të tjerash, ne i thamë Kondit që një operativ famëkeq i al-Kaedës, i quajtur Abu Zubajdah, ishte duke punuar për planet e sulmit.
Disa punonjës të shërbimit sekret thoshin se këto plane ishin gati të viheshin në zbatim; disa të tjerë thoshin se ato nuk do të ishin gati për gjashtë muaj. Objekti kryesor i shenjuar dukej se ishte në Izrael, por edhe pasuri të tjera të Shteteve të Bashkuara anembanë botës ishin në rrezik.
Kondi na pyeti për ndërmarrjen e një sulmi kundër al-Kaedës. Koferi i tregoi asaj mbi përpjekjet tona për të punuar me shërbimet e tjera inteligjente, depërtimin në organizatat terroriste dhe të tjera si këto.
“Sa i rëndë mendoni se është ai?”, pyeti Kondi. Koferi i tha se gjatë kapërcyellit të mijëvjeçarit situata e kërcënimit terrorist ishte “tetë në dhjetë shkallë”. Kurse tani, tha ai, ne jemi rreth “shtatës”. Klarku i tha se njoftimet e tanishme kërcënuese ishin lëshuar ndaj entiteteve të rëndësishme amerikane.
FAA lëshoi njoftime paralajmëruese, sigurimi i ambasadave u përforcua në gjithë botën, njësitë ushtarake në Lindjen e Mesme u vunë në nivele të larta alarmi. Ne ishim duke kërkuar takim me anëtarë të tjerë të kabinetit. U kthyem në selinë e CIA-s me shpresën që mesazhi ynë ishte marrë.
Informacioni për Zubajdahun na mbante në gatishmëri, në pjesë të ndryshme të shërbimit inteligjent. Në qershor të vitit 2001, ne ishim informuar nga britanikët se Abu Zubajdahu ishte duke planifikuar nga fundi i muajit sulme vetëvrasëse me makina-bomba kundër objekteve ushtarake amerikane në Arabinë Saudite. Ne mësuam, për shembull, nga një raportim që i kishte bërë FBI-së bombarduesi i kapur në tentativë i mijëvjeçarit, Ahmed Resam, se Abu Zubajdahu kishte kërkuar pasaportë kanadeze të cilësisë së lartë për trafikimin e operativëve brenda Shteteve të Bashkuara. Si pjesë e ujdisë për një dënim të reduktuar, Resami i tha FBI-së se Zubajdahu ishte duke shqyrtuar sulmet në disa qytete amerikane. Resami nuk dha hollësira mbi vendngjarjet specifike, por tha se Zubajdahu kishte kohë që merrej me këtë – se ai ishte i gatshëm të harxhonte një vit ose më shumë me përgatitjet, nëse kjo do të çonte në një sulm të suksesshëm.
(Kur ne e kapëm Zubajdahun në Pakistan në mars të vitit 2002, disa media flisnin se ai nuk ishte një lojtar aq i rëndësishëm. Këto përshtypje ishin krejtësisht të gabuara. Edhe më keq, në to flitej se administrata e Bushit e rriste rëndësinë e tij me komentet nëpër media – sërish kryekëput gabim. Unë besoj se në atë kohë Abu Zubajdahu ishte një lojtar i rëndësishëm në operacionet e al-Kaedës).
Informacionet kërcënuese vazhduan të vinin thuajse nga çdo cep dhe vrimë e planetit. Ja disa shembuj me të cilët u përballëm unë dhe njerëzit e mi kryesorë në mënyrë të përditshme, gjatë muajve para 11 Shtatorit:
* Terroristët jemenas ishin duke planifikuar një sulm në Jordani.
* Një grup pakistanezësh ishin duke planifikuar të bombardonin bashkësinë amerikane në Xhedah, me gjasa shkollat amerikane ose britanike atje.
* Njoftohej se FARC, një grup terrorist në Kolumbi, njoftohej se po planifikonte sulme me makina-bombë në disa vende në Bogotá, përfshi ambasadën amerikane dhe një qendër tregtare që frekuentohej nga punonjësit e ambasadës.
* Hezbollahu ishte duke u bërë gati për operacione terroriste në shkallë të gjerë, në Azinë Juglindore.
* Një grup ekstremist ishte duke planifikuar një sulm kundër ambasadës amerikane në Sana, kryeqytet i Jemenit.
* Katër nacionalistë sauditë ishin duke shkuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Kuvajt për të goditur interesat amerikane.
* Tre të dyshuar u arrestuan në maj, në Malajzi, në përpjekje për të grabitur pajisjet amerikane dhe avionët e Marinës së Shteteve të Bashkuara në përgatitje për një sulm.
* Një celulë terroriste me bazë në Algjeri, përgjegjëse për planifikimin e një sulmi kundër ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Romë ose në Vatikan, u shkatërrua nga italianët në korrik dhe anëtarët e saj u dëbuan.
* Ndërkaq, operativët kryesorë të al-Kaedës të përfshirë në bombardimin e Cole-s ishin në Afganistan dhe po planifikonin sulme të reja kundër Shteteve të Bashkuara.
Sa për Ejman al-Zauahirin, ish-kreu i xhihadistëve islamikë egjiptianë, që kishte për t’u bërë zëvendësi kryesor i Bin Ladenit, ishte thuaje e pamundur të lëvizje gjëkundi dhe të mos e gjeje të mpleksur në intriga vrastare, duke planifikuar operacione të reja terroriste anembanë Europës. Al-Kaeda ishte duke vlerësuar operacione të përparuara për një sulm madhor në Izrael kundër objekteve amerikane dhe izraelite, i cili do të drejtohej nga Zauahiri. Ne mësuam se Zauahiri ishte duke koordinuar terroristët në Arabinë Saudite dhe në Lindjen e Mesme.
Njoftime të tjera të shërbimit të fshehtë vazhdonin të pikturonin një tablo të një komploti për të rrëmbyer amerikanët në Indi, Turqi dhe Indonezi. Kjo thuhej se ishte vepër e një figure ekstremiste renegate egjiptiane, Rifat Taha Musait, që atëherë jetonte në Damask. Musai ishte kaq i përçmuar anembanë botës myslimane, saqë ai madje ishte përzënë edhe nga Irani. Siria e kishte lejuar, pasi disa vende të tjera arabe e kishin denoncuar atë, pastaj e arrestuan në një qoshk që ua treguam ne. Musai kishte bërë shumë të këqija kundër Shteteve të Bashkuara në muajt para arrestimit të tij. Ai ishte, gjithashtu, i afërt me Sheikun e Verbër, Omar Abdel Rahmanin, i cili ishte i lidhur me bombardimin e vitit 1993 në Qendrën Botërore të Tregtisë. Përveç kësaj, Musai kishte ndarë një vend në podium me Bin Ladenin dhe Zauahirin në Afganistan, gjatë verës së vitit 2000. Ne kishim një fotografi të tij ulur midis tyre. Flitej për një Treshe Helmuese.
Në qershor morëm vesh se disa kampe terroriste arabe ishin duke u mbyllur në Afganistan. Al Xhazira (Al Jazeera) njoftonte (gabimisht, me sa duket) se Bin Ladeni ishte duke u larguar nga vendi, nga frika e një sulmi amerikan kundër tij. Kanali satelit arab MBC transmetoi një intervistë me Bin Ladenin dhe zëvendësit e tij kryesorë, ku thoshte se do të kishte një “të papritur të madhe” në javët e ardhshme dhe “një goditje të fortë kundër interesave amerikane dhe izraelite”. MBC njoftonte, gjithashtu, se forcat e Bin Ladenit ishin në një gjendje të lartë alarmi. Raporte të tjera flisnin për sulme të shpejta vetëvrasëse në Gji. Operativët e al-Kaedës ishin duke u larguar nga Arabia Saudite për t’u rikthyer në Afganistan, dhe ky ishte një shqetësim për ne sepse, sikurse morëm vesh pas sulmit të Cole-s dhe bombardimeve në Afrikën Lindore, këta ishin përgjegjësit që kishin përplasur këmbët, pak para se të ndodhnin sulmet. Në Afganistan thuhej se arabët ishin duke parashikuar edhe tetë kremtime të tjera. Operativët thoshin se prisnin lajmet e rëndësishme brenda pak ditëve. Zauahiri po paralajmëronte kolegët në Jemen të prisnin një masë energjike dhe i këshillonte t’ia mbathnin. Për trishtimin tonë të madh, sauditët, të cilët me gjasa mbanin, më shumë se çdo shërbim tjetër zbulimi, kyçet për të zbuluar rrjetet e brendshme të al-Kaedës, ishin duke na treguar tepër ngadalë për çështjet që kishim në shqyrtim. Më në fund, me kërkesën tonë, Dik Çeneji i telefonoi princit saudit të kurorës të thyente këtë bllokim.
Më 28 qershor të vitit 2001 – më kujtohet me saktësi data dhe ngjarja – Kofer Blleku dhe unë ishim hequr mënjanë për një diskutim të shkurtër mbi gjendjen e kërcënimit të terrorizmit global. Koferi kishte sjellë sërish Riç B. me vete. Ishte Riçi që fliste më shumë. Ne tashmë kemi më shumë se dhjetë elementë të veçantë të shërbimit inteligjent mbi sulmet e afërta, tha ai. Analistët e Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Qendrës Botërore të Tregtisë, që kishin vëzhguar për vite me radhë Bin Ladenin dhe al-Kaedën, besonin se njoftimet sekrete ishin të pashembullta dhe virtualisht njëqind për qind të sigurta. Gjatë tre deri në pesë muajt e fundit ne ishim dëshmitarë të përpjekjeve të papara ndonjëherë të Ejmen al-Zauahirit për të përgatitur operacionet terroriste. Abd al-Rahim al-Nashiri, organizatori i sulmit të Cole-s, ishte zhdukur. Njoftohej se drejtuesi i një kampi të rëndësishëm afgan qante nga gëzimi, ngaqë besonte se mund t’i shihte rekrutët e tij në parajsë. Gjithandej, në botën myslimane, operativë të rëndësishëm ishin duke u zhdukur, ndërsa të tjerë ishin duke u përgatitur për therorinë. Ligjërata e përmbledhur e 28 qershorit e Riçit përfundoi me një rrëshqitje në pikën kryesore, duke thënë: “Mbështetur në një shqyrtim të të gjitha njoftimeve burimore, ne besojmë se Usama bin Ladeni do të nisë një sulm të fortë terrorist kundër interesave amerikane dhe/ose izraelite në javët që vijnë”. Pesë ditë më vonë, më 3 korrik, morëm vesh nga një burim i fshehtë se Bin Ladeni u kishte premtuar kolegëve se një sulm ishte afër.
Ndërsa njoftimet kërcënuese shtoheshin, kështu bëmë edhe ne me përpjekjet tona në vendet e tjera. Në gjysmën e dytë të qershorit, në bashkëpunim me partnerët tanë të huaj, kishim filluar përpjekjet tona përçarëse në më shumë se njëzet vende. Thuajse njëzet depërtimeve tona më të mira të njëanshme ekstremiste terroriste përreth botës u ishte thënë të mblidhnin informacion mbi sulmet e afërta sa më shumë të ishte e mundur. Unë ose krerët e ekipeve tona kundërterroriste, ishim në kontakt të drejtpërdrejtë me tetëmbëdhjetë shefat e shërbimeve të huaja inteligjente, duke kërkuar mbështetjen e tyre. Ne folëm rreth përçapjeve specifike ndaj pakistanezëve, për të mbyllur kufirin pakistano-afgan, si dhe kufirin e tyre me Iranin, zgjedhja e pëlqyer për kalim e operativëve të al-Kaedës, të cilët dilnin nga Afganistani për të shkuar në Gji. Një kabëll mbarëbotëror i stacioneve dhe i bazave tona kërkonte veprim të menjëhershëm për të shtypur të gjithë krerët ekstremistë. Ne në Shtetet e Bashkuara ishim duke punuar me zell me FBI-në që të siguronim dhe të shfrytëzonim sa më shumë komunikime terroriste të ishte e mundur. Kjo donte të thoshte të kalonim nga Gjykata e Akteve të Mbikëqyrjes së Shërbimeve të huaja Inteligjente (Foreign Intelligence Surveillance Act Court – FISA Court), e cila shqyrtonte kërkesat e qeverisë për të autorizuar mbikëqyrjen e agjentëve të huaj të dyshuar brenda Shteteve të Bashkuara. Gjykata në fjalë qe tej mase e gjindshme, pasi nga fillimi i korrikut të vitit 2001 ishte bërë gjithnjë e më shumë e qartë se përmirësimet e mëtejshme legjislative ishin të domosdoshme, ngaqë ligjet ekzistuese nuk na jepnin elasticitetin që na duhej për të arritur te koka e një rrjeti terrorist, gjithnjë e më tepër i sofistikuar.
(Vijon)
Ambasadat amerikane u mbyllën me rekomandimin tonë ose përforcuan mbrojtjen e tyre. Anijet e Marinës lanë portet e Lindjes së Mesme dhe dolën në det të hapur. Sërish, unë nuk mund të them se çfarë do të ndodhte si rezultat i këtyre paralajmërimeve dhe shkallës së lartë të alarmit që kishim dhënë, por jam i bindur se vera dhe vjeshta e vitit 2001 do të kishin qenë edhe më shumë katastrofike – si dhe shumë më tepër të përgjakshme gjithandej – nëse ne do të ishim tërhequr mënjanë, nëse do t’i kishim shpërfillur, ose do t’i jepnim një pedalim më të butë atyre që dëgjonim.
Më 5 korrik, disa nëpunës të lartë të Qendrës Botërore të Tregtisë shkuan në Departamentin e Drejtësisë për t’u takuar me Prokurorin e Përgjithshëm Xhon Eshkroft lidhur me shqetësimet tona. Ata i thanë atij se ne besonim që një sulm i fortë terrorist ishte i afërt dhe që përgatitjet për të ishin në etapat e fundit ose ishin kompletuar tashmë. Megjithatë, ne vazhduam të besojmë se një sulm kishte më shumë të ngjarë të ndodhte përtej kufijve tanë. Në fund të takimit Prokurori i Përgjithshëm u kthye nga grupi i FBI-së dhe tregoi me gisht punonjësit e pranishëm të CIA-s. “Përse ata po ma tregojnë mua këtë?” pyeti ai. “Përse nuk po e dëgjoj këtë nga ju?” Njerëzit e CIA-s menduan se ky ishte një reagim i çuditshëm.
Më 10 korrik, Kofer Blleku, Riç B., dhe ekipi i tyre i kundërterrorizmit kishin ngritur këtë shkulm ere për të bërë një vlerësim të konsoliduar dhe strategjik. Atë pasdite, Koferi kërkoi të takohej me mua. Takimi me të më bëri t’i mbaja veshët hapur deri në fund. Kur ai ishte nga mesi i bisedës, unë ngrita telefonin e madh të bardhë të sigurisë, në anën e majtë të tryezës sime – atë që lidhej drejtpërdrejt me Kondi Rajsin – dhe i thashë se kisha nevojë të ngutshme të takohesha për t’i dhënë një njoftim të fundit mbi kërcënimet e al-Kaedës. Nuk më kujtohet asnjëherë tjetër në shtatë vitet e mia si Drejtor i CIA-s të kem kërkuar një takim kaq urgjent në Shtëpinë e Bardhë. Kondi caktoi kohën menjëherë dhe, për pesëmbëdhjetë minuta Koferi, Riçi dhe unë përshkuam rrugën deri në Shtëpinë e Bardhë.
Kur mbërritëm në zyrën e Kondit, Dik Klarku dhe Stiv Hadlli ishin duke na pritur. Ndryshe nga herët e tjera, kur ne, zakonisht, në takimet tona të përjavshme, uleshim në divan, pyeta nëse mund të rregulloheshim përreth tryezës së konferencave të Kondit, në mënyrë që gjithkush të mund të ndiqte diagramën e bisedës. Mendova se ishte më zyrtare dhe më e volitshme të rrinim ulur nëpër karrige për t’u përqendruar në ato që do të thuheshin. Riçi shpërndau dengun me harta dhe nisi të fliste. Ai tërhoqi vëmendjen e gjithkujt që në fjalët e para, sepse nuk la vend për mëdyshje: “Do të ketë një sulm të rëndë terrorist në javët apo në muajt e ardhshëm!”.
Një ditë e saktë ishte e pamundur të gjendej: “Nga sulmet e kaluara, ne dimë që UBL-ja nuk është nga ata që sulmon në data të veçanta”, shpjegoi Riçi. “Bin Ladeni paralajmëroi për një sulm të afërt në maj të vitit 1998, por sulmet kundër ambasadave nuk ndodhën para gushtit. UBL-ja do të sulmojë kur ai të besojë se goditja do të jetë më e suksesshme”. Gjithsesi, shenjat janë të pagabueshme. Udhëheqësi kryesor terrorist islamik çeçen Ibn Katabi (Ibn Kattab) u ka premtuar trupave të tij disa “lajme shumë të mëdha”, tha Riçi. Një diagramë tregonte shtatë elemente specifike të shërbimit inteligjent të mbledhura gjatë njëzetekatër orëve të fundit dhe të gjitha ato parashikonin një sulm të afërt. Më troç: një numër i madh ekstremistësh islamikë ishin duke udhëtuar për në Afganistan, ndërkohë që kishte ikje të konsiderueshme familjesh ekstremiste nga Jemeni. Të tjera shenja flisnin për kërcënime të reja kundër interesave të Shteteve të Bashkuara në Liban, Marok dhe Mauritani.
Diagrama tjetër e Riçit përmbante atë që ne në punën tonë e quajmë “esenca”, një përmbledhje e formulimeve më të freskëta që kishim në zotërim përmes njoftimeve sekrete:
* Një deklaratë e mesit të qershorit nga UBL-ja për të rekrutuar ata që do të ishin në sulm në një të ardhme të afërt.
* Informacioni që fliste për lëvizje drejt akteve vendimtare.
* Informacioni i gjysmës së dytë të qershorit që citonte një “ngjarje të madhe”, e cila do të ndodhte së shpejti.
* Dy copëra të ndara të informacionit të mbledhur vetëm pak ditë para takimit tonë, në të cilat në javët e ardhshme njerëzit parashikonin një kthesë tronditëse të ngjarjeve.
Sulmi do të jetë “spektakolar,” i tha Riçi Kondit dhe të tjerëve, dhe ai do të jetë i projektuar për të shkaktuar dëme masive kundër objekteve dhe interesave të Shteteve të Bashkuara. “Përgatitjet për sulmet janë bërë”, tha ai. “Sulmet e shumëfishta dhe të njëkohshme janë të mundshme, dhe ato do të ndodhin me pak ose pa paralajmërim. Al-Kaeda është duke pritur me shpresë që ne të shfaqim dobësi”.
Riçi vazhdoi të tregonte përmbledhtaz përpjekjet tona për të prerë lidhjet e objekteve specifike të Bin Ladenit. Synimi ynë, shpjegoi ai, nuk është vetëm të trembim dhe të ndalim njerëzit veçanërisht të këqij. Ne donim të përhapnim fjalën se planet e Bin Ladenit për objektet e shenjuara kishin qenë të komprometuara. Shpresa jonë ishte që të paktën të mund ta detyronim të shtynte sulmet, por që kurrë nuk mund të ishte diçka më shumë se një aksion i ngecur. Në fund të këtij përshkrimi, fjalët që u theksuan ishin: “Përçarja vetëm e vonon një sulm terrorist. Ajo nuk e ndal një kërcënim terrorist”.
Siç ishim marrë vesh, Riçi u hodh tek ajo pikë për të argumentuar se duhej të bëhej kujdes për të lëvizur menjëherë nga një qëndrim mbrojtës në një qëndrim sulmues vis-à-vis me al-Kaedën dhe Bin Ladenin. “Ne kemi prishur ose kemi shtyrë sulmin aktual, por rreziku UBL do të vazhdojë të ekzistojë”, tha ai. “Qëllimi i UBL-së është shkatërrimi i Shteteve të Bashkuara. Ne mund të shqyrtojmë një qasje proaktive, në vend të një qasjeje kundërvepruese ndaj UBL-së. Duke e goditur sërish me raketa kruiz pas këtij sulmi të ri terrorist, do të duket se ne vetëm do luajmë me strategjinë e tij. Ne duhet t’i hyjmë betejës me UBL-në në Afganistan. Ne duhet t’i japim përparësi rritjes së pakënaqësisë së disa fiseve afgane në lidhje me talebanët. Duhet t’i japim përparësi kundërshtimit të armatosur afgan”.
Në fund të takimit, Kondi u kthye nga Klarku dhe tha: “Dik, pajtohesh me këtë? Është kjo e vërtetë?”. Klarku vendosi bërrylat e tij mbi gjunjë dhe, me kokën midis dy duarve, tha një po pezmatuese.
Kondi pa nga Koferi dhe pyeti: “Çfarë duhet të bëjmë?”.
Koferi u përgjigj: “Ky vend tani duhet të përgatitet dhe të përballojë një luftë”.
“Po çfarë mund të bëjmë ne për të ndërmarrë një ofensivë tani?” pyeti Kondi. Nuk më kujtohet se kush iu përgjigj kësaj pyetjeje, Koferi apo unë. “Ne kemi nevojë për kompentencat që kemi paraqitur në muajin mars”, tha një nga ne. Unë i përmenda Kondit sërish që, përpara se kompentencat të mund të miratoheshin, presidenti duhej të përshtaste politikën e tij me realitetin e ri, dhe ajo më siguroi se kjo gjë do të ndodhte. Ky ishte përfundimi që unë prisja dhe shpresoja kur lamë Langlejin për të shkuar në Shtëpinë e Bardhë, ndoshta një orë më përpara, por tragjedia ishte se e gjithë kjo mund të ishte vënë në vijë që prej katër muajsh, nëse kërkesa jonë fillestare për zgjerimin e kompentencave të mos ishte futur me aq vrazhdësi në sirtar.
Ndërkohë që ishim duke u larguar nga zyra e Kondit, Riçi dhe Koferi përgëzuan njëri-tjetrin. Ata e ndienin se, të paktën, kishim fituar gjithë vëmendjen e administratës.
Kur në vjeshtën e vitit 2006 shtypi nxori në dritë takimin e 10 korrikut të vitit 2001, disa zyrtarë të Komisionit të 11 Shtatorit thanë se ne nuk u kishim folur kurrë atyre për takimin. Zbardhja e dëshmisë sime të klasifikuar në fillim të vitit 2004 tregon se unë e kam diskutuar atë takim në Komision. Por, se pse ata nuk arritën ta përmendin atë në raportin final, për mua është një mister.
Fillimisht disa zyrtarë të administratës sugjeruan që takimi mund të mos kishte ndodhur, por më vonë i përmirësuan komentet e tyre duke thënë se, ndërsa ai ka ndodhur, në të vërtetë nuk kishte ndonjë informacion të ri ose urgjent. Me sa duket, ata nuk e kishin menduar se takimi mund të merrej vesh, sidomos atë që kishte të bënte me shtatë njoftimet sekrete, të mbledhura në njëzet e katër orët e mëparshme, që parashikonin sulmet e afërta terroriste.
Komentet