Sot në veriun e Mitrovicës u vra në mënyrë kriminale lideri i pakicës serbe Oliver Ivanoviç;
kjo ngjarje tragjike ngjau dy dekada pas përfundimit të konfliktit të Kosovës dhe dhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë,
vrasja e Oliver Ivanoviçit, kryetari i Iniciativës Qytetare SDP ka bërë bujë, sepse lideri i pakicës serbe ka qenë shumë i përfshirë në politikë këta njëzet vjet,
ai gjithashtu e fliste shqipen në mënyrë perfekte.
Oliver Ivanoviçi ishte dënuar përpara dy vitesh në Gjykatën Themelore të Mitrovicës me 9 vjet burg për kryerjen e krimeve të luftës ndaj popullatës civilëve gjatë viteve 1999 dhe 2000.
Pastaj ishte liruar pasi e njëjta gjykatë kish vendosur që Oliver Ivanoviq të mbrohet në liri.
Në një intervistë që kishte dhënë në shtator të vitit të kaluar për gazetën e njohur serbe “Vreme”, ai e kish përshkruar situatën në veriun e Mitrovicës si “tejet të tensionuar”, duke theksuar se popullata serbe “nuk frikohet nga shqiptarët, por nga serbët”!
Por, menjëherë pas vrasjes së Oliver Ivanoviçit, Serbia ngriti gishtin dhe fajësoi shqiptarët e Kosovës si vrasës.
Si vrasës kolektiv!
Ky qëndrim absurd i Serbisë vjen pasi Beogradi nuk ka hequr dorë nga synimet territoriale ndaj Kosovës që mbrohet nga KFOR-i, sepse Kosova nuk ka ushtrinë e saj.
Veriu i Mitrovicës ka mbetur gjithmonë problematik, pasi aty ka funksionuar sistemi paralel dhe kjo zonë vijon të mbetet nën kontrollin e Beogradit, bandave dhe trafikantëve të të gjitha ngjyrave.
Vrasja e Oliver Ivanoviçit i fryn erës së dhunës, sepse u instrumentalizua menjëherë nga Beogradi.
Sapo u dha lajmi i vrasjes, Beogradi menjëherë ka ndërprerë dialogun me Kosovën në Bruksel!
Kësisoj në mënyrë a priori Beogradi paragjykoi se vrasësi ishte shqiptar.
Kur asnjë organ i policisë apo drejtësisë në veriun e Mitrovicës nuk e ka zbuluar ende se kush e kreu aktin kriminal,
Beogradi i ndërpreu bisedimet duke i inkriminuar a priori shqiptarët si killera, terroristë dhe vrasës.
Ndërprerja e dialogut nga Serbia në Bruksel ishte brutal,
sepse për një vrasje ende pa autor, Serbia fajësoi kolektivisht gjithë shqiptarët e Kosovës!
Do të ishte njëlloj sikur për krimet e Milosheviçit, shqiptarët të fajësonin gjithë serbët!
Shqiptarët e Kosovës nuk duan konflikt.
Trajtimi i pakicës serbe në Kosovë është shembullor për rajonin dhe gjithë BE!
Kosova është krenare për mënyrën se si i trajton pakicat.
Sikur Kosova trajton pakicën serbe, ashtu do të duhet të trajtojë edhe Serbia pakicën shqiptare!
Dialogu ka në themel barazinë e interesit bilateral.
Serbia nuk duhet të luajë rolin e viktimës.
Nuk ishte Serbia në konfliktin 1998-1999 viktimë e Kosovës, por Kosova ishte viktimë e regjimit të Milosheviçit.
Kosova është për paqe dhe integrime të përbashkëta me Serbinë në BE, ndërsa sovraniteti territorial i Kosovës është i panegociueshëm.
Mjerisht midis Milosheviçit të 1998-1999 dhe Beogradit të sotshëm nuk ka ndryshuar asgjë në raport me Kosovën.
Beogradi vijon të mos e njohë Kosovën si shtet të pavarur.
Beogradi vijon ta shohë Kosovën si pjesë të Serbisë.
Atë që Milosheviçi synonte ta realizonte me spastrim etnik dhe genocid, Beogradi ka 20 vjet që synon ta realizojë përmes diplomacisë.
Beogradi ka filluar një fushatë diplomatike me shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta anullojnë njohjen e tyre.
Ky akt i paprecedent i Serbisët duhej të mos pranohej nga BE dhe SHBA, sepse është kthim prapa kur pavarësia territoriale e Kosovës është e patjetërsueshme.
Strategjia e kthimit pas të Serbisë bie ndesh me sigurinë dhe paqen afatgjatë në rajon, bie ndesh edhe me dialogun që udhëheq Brukseli!
Brukseli po ashtu duhej të reagonte ashpër menjëherë kur Beogradi instrumentalizoi vrasjen e Ivanoviqit për të ndërprerë bisedimet me Kosovën.
Vrasja e Oliver Ivanoviqit është kriminale! Por nuk janë kriminelë shqiptarët e Kosovës!
Emergjente është kapja dhe dënimi i vrasësit!
Beogradi që e kontrollon Veriun e Mitrovicës i ka të gjitha mundësitë që ta kapë vrasësin,
por nga ana tjetër Beogradi nuk mund të bëjë përgjegjës në mënyrë kolektive si fajtor të gjithë shqiptarët e Kosovës!
Sikur nuk e kanë vrarë shqiptarët Zoran Xhinxhiçin!
As Oliver Ivanoviçin nuk e kanë vrarë shqiptarët!
Të kapet menjëherë vrasësi dhe të ndërpritet menjëherë fushata për të instrumentalizuar vrasjen!
Komentet