Prishtinë, 17 Shkurt, 2023
Të dashur vllëzër e motra, të nderuar miq, pjesëmarrës në këtë tubim festiv të 15-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Është nder dhe privilegj i veçant të jem midis jush. Mirë se u kemi gjetë!
Në këtë ditë të shenjtë të 15-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe të 25-Vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës– të pasqyrimit të vullnetit të lirë të popullit shqiptar për liri, demokraci e pavarësi – kemi ardhur të jemi me ju — një delegacion shqiptaro-amerikanësh, në krye me vëllain tonë, aktivistin, mbështetsin dhe promovuesin e madh të drejtave të njeriut për shqiptarët dhe të çeshtjes shqiptare, në përgjithësi. Kemi ardhur në Kosovë nga Amerika e largët – e largët, gjeografikisht, ndoshta — por jo e largët nga zemra jonë. Larg, por afër për të gjithë ne dhe sidomos për Xhim Xhemën mikun tim dhe të shumë shqiptarëve kudo, me të cilët ai ka punuar e bashkpunuar për një gjysëm shekulli, për një Kosovë të lirë, demokratike e të pavarur, me të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët e saj.
Unë e kam njohur Xhim Xhemën për disa dekada dhe jam i vetdijshëm se atij nuk i pëlqen të flasim për të, për arritjet e tija dhe për rolin që ai ka luajtur dhe vazhdon të luaj në marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Kosovën – përpara dhe pas pavarësisë – por edhe për rolin në lidhjet midis dy popujve tanë, në përgjithësi. Është e pamundur të flasim për Pavarësinë e Kosovës në këtë 15-vjetor dhe të mos flitet për rolin e Xhim Xhemës dhe mikut të tij të vjetër, Senatorit Bob Dole, në këtë histori. Shpresoj që të më kuptojë miku im i nderuar, Xhimi.
“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë…”. Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, 17 Shkurt, 2008 në Prishtinë. Për realizimin e këtij ideali ka punuar gjithë jetën Xhim Xhema – për një Kosovë të pavarur e sovrane, të lirë, me udhëheqës të zgjedhur nga populli, në mënyrë demokratike, siç thekësohet në deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.
Në fillim të këtij muaji, Xhim Xhema organizoi në Washington një ceremoni përkujtimore për mikun e tij të madh, Senatorin Bob Dole, në 1-vjetorin e varrimit të tij. Për Xhim Xhemën Senatori Dole – miku i tij i ngusht në Washington prej disa dekadash, ishte – “Një hero dhe një burr-shtetas i madh amerikan. Senatori Dole ishte një udhëheqës politik i respektuar… Ai ishte një mbështetës i fortë i të drejtave të njeriut, i cili luftoi pa pushim për lirinë e shqiptarëve në Kosovë, për më shumë se 30-vjet. Ai ishte një figurë thelbësore në ngjarjet që çuan në rilindjen e Kosovës si shtet dhe do të mbahet mend gjithmonë për kontributet e tija ndaj kauzës së lirisë dhe drejtësisë. Trashëgimia e Senatorit Bob Dole vazhdon të na frymëzojë. Brezat e ardhëshëm të Kombit shqiptar do të jenë përgjithmonë mirë njohës për punën dhe përpjekjet e tija”, ishin fjalët e Z. Xhema, pranë varrit të mikut të tij të shtrenjtë, por edhe mikut të madh të shqiptarëve, në përvjetorin e parë të varrimit dhe në vigjilje të 15-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Për Bob Dole, bashkpuntorin e tij të ngushtë e të gjithkugjendur në krah të lirive dhe të drejtave të njeriut për të gjithë njerzit anë e mbanë botës, por sidomos, kur vinte puna tek mbrojtja e lirive dhe të drejtave të shqiptarëve në Kosovë dhe në mbarë trojet shqiptare – Bob Dole ishte i drejt për drejt dhe i pa kompromis. Kështuqë, duke e njohur si të tillë, Xhim Xhema kishte bindur mikun e tij Senatorin republikan, Z. Bob Dole që të shkonte në Kosovë dhe të vlerësonte situatën tragjike atje dhe shikonte për veten e tij krimet serbe kundër shqiptarëve. Senatori Dole vizitoi Prishtinën në Shtator të vitit 1990 me 5 senatorë të tjerë amerikanë.
Shumë i shqetësuar për gjendjen që kishte parë në Kosovë, me të kthyer në Washington nga vizita e delegaconit të lartë amerikanë, Senatori Bob Dole alarmoi Washingtonin zyrtar dhe bindi botën mbarë se diçka e tmershme dhe kriminale po ndodhte kundër shqiptarëve në Kosovë. “Tmeri i Kosovës” e kishte cilësuar ai gjëndjen këtu në atë kohë. Aty për aty, Senatori Dole, ka kërkuar veprimtari të menjëhershme dhe lëvizje serioze diplomatike nga ana e Washingtonit zyrtar, nga aleatët perendimorë të Amerikës dhe nga mbarë bota, për të ndaluar tragjedinë dhe masakrat në rritje e sipër.
“Tani është koha për të vepruar. Tani është koha për të marrë një qendrim të fortë në mbështetje të drejtave të njeriut dhe demokracisë në Jugosllavi. Tani është koha për të marrë një qendrim vendimtar – jo kundër ndonjërit prej kombeve që përbejnë Jugosllavinë – por kundër një tiranie komuniste”, është shprehur Senatori Bob Dole me të kthyer në Washington nga vizita në Prishtinë, Shtatorin e vitit 1990.
Sipas shumë analistëve, atëherë dhe sot, me vizitën e tij në Kosovë, të kërkuar me këmbngulje nga miku i tij Xhim Xhema, Senatori Dole zgjoi ndërgjegjen amerikane dhe botërore ndaj tmerit që po ndodhte në Kosovë. Ndërkohë që ai, paralajmëroi edhe fundin e Jugosllavisë si një shtet federativ. Ishte mesazhi i Senatorit Dole, me atë rast, që bindi Washingtonin zyrtar të shikonte, me një sy dhe qendrim tjetër abuzimet kundër shqiptarëve dhe të fliste hapur dhe me vendosmëri për tragjedinë që po ndodhte në Kosovë.
Në dhjetor 1992, George H. W. Bush nxori të ashtuquajturin “paralajmërim të Krishtlindjeve”, një letër drejtur diktatorit të Serbisë Sllobodan Millosheviç, në të cilën thuhej se në rast të një konflikti në Kosovë të shkaktuar nga veprimi serb, SHBA do të jenë gati të përdorin forcën ushtarake. Historia do shënojë rolin, në këtë histori, të ushtruar nga Xhim Xhema dhe Senatori Dole.
Ështe e pa imagjinueshme influenca e Senatorit Dole që më vonë atë dekadë, i siguroi Presidentit Bill Clinton mbështetjen dypartiake për ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara, ushtarakisht, për çlirimin e Kosovës në 1999, që në Kosovë të mos “përsëritej ajo që ndodhi në Bosnje”. Senatori roli ka luajtur një rol kritik edhe në Rambuje, ka rrëfyer Sekretarja e Shtetit Madeline Albright. Kur serbët refuzuan marrëveshjen në Rambouillet, Dole me Xhim Xhemën siguruan në Senatin Amerikan, mbështetjen e Senatorëve John McCain, John Warner, Joseph Lieberman, Christopher Dodd e të tjerë për siguruar mbështetjen nga të dy partitë politike amerikane për ndërhyrjen e NATO-s. Kjo mbështetje nga Kongresi e bindi Presidentin Clinton që të jepte urdhërin për çlirimin e Kosovës. Xhima Xhema dhe Senatori Dole kanë vazhduar mbështetjen për Kosovën edhe pas Çlirimit, duke kundërshtuar deri në fund ndarjen e Kosovës. Jam i bindur se Senatori Dole po të ishte gjallë do të kundërshtonte edhe krijimin e të ashtuquajturave “zajednica serbe”.
Për të pakën 4 dekada, Xhim Xhema, përveç me Senatorin Dole, ka bashkpunuar me një numër të madh zyrtarësh amerikanë e ndërkombëtarë, të niveleve të ndryshme, sidomos në Washington dhe në Nju Jork, për të mbajtur të gjallë dhe aktual interesimin e zyrtarëve më të lartë amerikanë për çeshtjen e Kosovës. Vinte aq shpesh në Washington gjatë 1980-ave dhe 1990-ave sa që me shaka e pyesja nëse e kishin dëbuar nga Nju Jorku dhe po kërkonte strehim në Washington. Por e dinim se lidhjet dhe miqësia, veçanërisht, me Senatorin Dole kanë qenë të veçanta dhe të pakrahasueshme me asnjë politikan tjetër amerikan, gjatë atyre viteve
Xhim Xhema dhe Senatori Robert Dole, por edhe të tjerë udhëheqës amerikanë me të cilët ka bashkpunuar ngusht Z. Xhema, por edhe komuniteti shqiptaro-amerikan në përgjithësi, vepronin nga një këndveshtrim i përbashkët që përmbante idenë kryesore të drejtave të njeriut, lirisë dhe demokracisë, bazuar në lirinë konstitucionale amerikane dhe të drejtat e natyrshme që duhet të kenë njerzit kudo dhe pa dallim.
“Ne besojmë se këto të drejta janë të natyrshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se Krijuesi u ka dhënë atyre disa të drejta të patjetërsueshme, si jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë. Ne besojmë se për të siguruar këto të drejta njerëzit krijojnë qeveri, të cilat i marrin fuqitë e tyre me pëlqimin e të qeverisurve, se sa herë që një formë qeverisjeje i minon këto qëllime, është e drejta e popullit ta ndryshojë, apo ta heqë atë”.
Ky ishte edhe mesazhi i Xhim Xhemës dhe Senatorit Bob Dole që resononte në zyrat dhe nepër korridoret e Kongresit dhe dikastereve të tjera të qeverisë federale të Shteteve të Bashkuara dhe jo vetëm.
Miq të nderuar, është e pamundur të flitet për frytet e bashkpunimit të Xhim Xhemës, jo vetëm me Senatorin Dole, por dhe me Washingtonin zyrtar në përgjithësi, pa përmendur mikun e tyre të përbashkët dhe mikun e gjithë neve, Presidentin historik të Republikës së Kosovës, Dr Ibrahim Rugovën.
Z. Xhim Xhema dhe Dr. Ibrahim Rugova kanë bashkëpunuar ngusht me njëri tjetrin për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës gjatë viteve 90-a dhe më vonë, jo vetëm këtu në Amerikë, por edhe anë e mbanë botës. “Presidenti Rugova”, ka thënë Xhim Xhema, për Zërin e Amerikës disa vite me parë, “ishte një udhëheqës largpamës, një njeri, që mbronte idenë e mjeteve paqësore, por edhe i vendosur në udhëheqjen e shqiptarëve drejt pavarësisë. Është vërtetë një tragjedi”, ka shtuar ai, “që Presidenti Rugova nuk jetoi të gëzonte pavarësinë e Kosovës”. Presidenti Rugova na mungon shumë edhe sot — të gjithë ne që e kemi njohur — në këtë ditë të shenjtë të 15-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Zonja e Zotëri, Kosova është sot 15-vjet shtet i pavarur dhe për jetë, falë sakrificave të mëdha të këtij populli këtu – një histori kjo më shumë e shkruar me gjak se me penë — por nuk guxojmë të anashkalojmë edhe rolin si përfundim i punës së madhe dhe bashkpunimit të Xhim Xhemës me mikun e tij të ngusht, Senatorin Bob Dole dhe shumë bashkpuntorëve të tjerë amerikanë dhe të diasporës shqiptaro-amerikane, gjatë dekadave.
Siç duket, Beogradi dhe Moska mund të endërrojnë gjithnjë se Kosova dhe Mali i Zi, sipas tyre, janë një “projekt i përkohëshëm” në këtë rajon, por realiteti është, “një dhe i vetëm”, siç është shprehur gjatë vizitës së fundit në Podgoricë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, e cila ka theksuar se Kosova dhe (Mali i Zi) janë, “shtete sovrane, të pavarura, demokratike, liridashëse dhe të përkushtuara për paqe të qëndrueshme, me të ardhme të qartë në Bashkimin Evropian, e të tilla kanë për të qenë përherë”, ka thenë e para e shtetit të Kosovës.
Prandaj, në këtë 15-vjetor të Pavarësisë së Republikës së Kosovës – megjithë arritjet e shumta të këtij vendi mbrenda një kohe të shkurtë, na mbetet të urojmë, të shpresojmë, por edhe të lutemi për suksese të reja, për një, “Kosovë në NATO e në BE dhe në miqësi të përherëshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Kjo ishte edhe dëshira e të ndjerit Presidentit historik të Kosovës, Dr Ibrahim Rugovës. Njëkohësisht, kjo mbetet edhe një prej idealeve madhore i të gjithë neve dhe i mbarë Kombit shqiptar. Për ta parë shtetin e Kosovës si anëtar të denjë, me të drejta dhe përgjegjësi të barabarta, në të gjitha organizatat euro-atlantike. Kjo ishte e mbetet edhe ideali i Xhim Xhemës për Kosovën, sepse ai dhe të gjithë ne e dimë se, “Shtëpia pa miq nuk mbahet”, ka pas thënë dikur Ibrahim Rugova.
Në përmbyllje të nderuar Zonja e Zotëri – megjithë sfidat serioze me të cilat përballet sot Kosova dhe Kombi shqiptar – kemi shumë arsye që sot të festojmë dhe të falënderojmë Perëndinë, pikëspari, për sukseset e deritanishme, por edhe të kujtojmë të gjithë ata heronjë që benë sakrificën sublime duke dhënë jetën e tyre për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Por, njëkohësisht, të iu jemi gjithashtu mirënjohës edhe patriotëve aktivistë si miku ynë, shqiptaro-amerikani i shquar, Xhim Xhema – bir i këtij trolli. Ai nuk harroi kurrë se ku i ka rrënjët dhe origjinën – por që dijti të bëjë miqë për Kosovën, për komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara dhe anë e mbanë botës – ndoshta në periudhën më të vështirë të ekzistencës historike të trojeve Dardane.
Kjo pritje madhështore që po i bën këto ditë Republika e Kosovës, birit të saj Xhim Xhemës, është një testament se ky popull nuk e harroi kurrë birin e vet, as mundin as djersën, as përpjekjet e mëdha të tija për Atdheun e vet — nga Amerika e largët. Kuvendi Komunal i Prishtinës ka vendosur që rrugën kryesore A të kryeqytetit ta emërtojë me emrin e Heroit të gjallë të shqiptarisë, Z. Xhim Xhema – të këtij “Heroi Kombëtar të kohërave moderne” siç e cilësoi Kryetari i Prishtinës, Z. Përparim Rama në njoftimi e tij për të emërtuar rrugën A në nderim të Xhim Xhemës, duke përjetësuar përgjithmonë emrin e tij në historinë e këtyre anëve dhe trojeve dardane: “Xhim Xhema një patrioti i yni që me punën e palodhshme la gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë moderne. Ai dha kontribut të madh për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Emri i tij është Xhemajl Xhema, por për shkak se jetoi në Amerikë u njoft si Xhim Xhema. Rruga “A” është një projekt i madh dhe në mendimin tonë, ky është një mesazh për t’ua përcjell brezave të reja se njeriut tonë ja sigurojmë përjetësinë në historinë tonë”. Ky propozim i Kryetarit të Prishtinës është miratuar me 45 vota në favor dhe asnjë kundër nga Kuvendi Komunal i kryeqytetit të Republikës së Kosovës. Është me vend që të zhvillojmë këtë ceremoni për një individ, i cili ka kontribuar aq shumë, jo vetëm për komunitetin tonë, por dhe për Shtetet e Bashkuara dhe për Atdheun tonë”, ka thenë i pari i Prishtinës, Z. Përparim Rama.
Me të drejtë, se shkurt me i ra muhabetit:c “Pa Senatorin Dole, Kosova nuk do të ishte e pavarur sot”. Dhe pa Xhim Xhemën nuk do ta kishim patur as ndihmën e Senatorit Dole e të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Frank Shkreli
Prishtinë, 17 Shkurt, 2023
Z. Xhim Xhema para statujës së Senatorit Robert Dole — mikut të tij të ngusht prej dekadash dhe mikut të madh të Kosovës dhe shqiptarëve – Prishtinë, 17 shkurt, 2023
Fjala e përgatitur e autorit mbi rolin e diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në krijimin e shtetit shqiptar dhe në shpalljen e pavarësisë së Kosovës –Konferencë e cila mblodhi përfaqësues nga institucione të ndryshme publike e private nga Kosova, Shqipëria dhe nga diaspora, u organizua nga UBT dhe Federata Panshqiptare në Amerikë “VATRA”.
Kryetari i Prishtinës, Z. Pëprarim Rama duke iu drejtuar të pranishëmve
Aktivisti i çeshtjes kombëtare – për më se katër dekada — në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Z. Xhim Xhema duke mbajtur fjalën e rastit në Konferencë. Z. Xhema mori pjesë në festimin e 15-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, 17 shkurt, 2023 në Prishtinë.
Z. Xhim Xhema me Prof. Edmond Hajrizin, CEO e President i Universitetit për Biznes e Teknologji në Prishtinë duke u përshëndetur para se të fillonin punimet e konferencës mbi rolin e diasporës shqiptare në shpalljen e Pavarësisë së Kosovës,