Integrimi euroatlantik i Ballkanit në shënjestrën e xhihadit rus
Zhvillimet e kohëve të fundit në Ballkan kanë risjellë në vëmendjen e politikanëve, diplomatëve dhe studiuesve të marrëdhënieve ndërkombëtare çështjen e vendit dhe rolit të Rusisë në këtë rajon, i konsideruar, historikisht, prej saj, si sferë e interesave gjeopolitike dhe gjeostrategjike të veta.
Pas konfliktit në Ukrainë, në vitin 2014 dhe, në vazhdim, duket se vendet ballkanike u gjendën në vijën e parë të frontit midis Rusisë dhe Perëndimit. Ekspertët e njohur të çështjeve ballkanike, Jean-Arnault Derens dhe Laurent Geslin, konstatojnë se Serbia, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia janë në “vijën e zjarrit” që ndan dy kampet.
Stereotipet e stërpërdorura të Moskës në konfliktin e Ukrainës, se gjoja ai erdhi si pasojë e “ndërhyrjes perëndimore”, e “ekspansionit të NATO-s dhe BE-së deri në kufinjtë e Rusisë”, e “eksportimit të demokracisë” nëpërmjet “revolucionit me ngjyra”, e “standarteve të dyfishta” dhe “mbështetjes së puçit antikushtetues” kundër Presidentit Janukoviç, origjinën e kanë 15-20 vite të shkuara, gjatë krizës jugosllave. Thelbi i tyre mbetet i njejtë – përgjegjës për krizat e konfliktet janë SHBA dhe Europa, ndërsa Rusia e “poshtëruar dhe e nëpërkëmbur”, për shkak se nuk u morën në konsideratë mendimi dhe interesat e saj, është viktimë e Perëndimit. Ndryshojnë vetëm emrat e vendeve dhe të aktorëve. Ish Jugosllavia zëvendësohet me Ukrainën dhe Sllobodan Millosheviçi me ish Presidentin Janukoviç.
Megjithatë, ka një ndryshim thelbësor. Rusia e sotme e Putinit nuk e ndjen veten të dobët si Rusia e Jelcinit e viteve ’90- të. Narrativi i “poshtërimit” vazhdon të përsëritet, por tani nga pozita të tjera, jo të viktimës, por të fuqisë së madhe që e ka marrë veten dhe kërkon të hakmerret për “fyerjet” që i janë bërë, duke nëpërkëmbur interesat e saj, midis të tjerash, edhe në Ballkan.
Demagogjia politike nuk njeh kufinj, kur Presidenti Putin dhe Ministri i Jashtëm, Lavrov, me një lehtësi për t’u pasur zili, heqin paralele midis rastit të Kosovës dhe atij të Krimesë, duke harruar një detaj “të vogël”, siç ështe ai që Kosova sot përfaqëson një vend të pavarur dhe sovran, ndërsa Krimeja iu shkëput një shteti fqinj, Ukrainës, për t’iu bashkuar një fqinji tjetër, mbi bazën e “vullnetit të lirë”, të banorëve të saj, por edhe me “pak ndihmë”, nga ana e trupave ruse të bazës ushtarako–detare të dislokuara aty, si dhe të “jeshilorëve”- trupave speciale, të ardhura nga Moska. A ka shkelje më të hapur të parimeve e normave të së drejtës ndërkombëtare mbi mosndryshimin e kufinjve me dhunë apo respektimin e tërësisë territoriale dhe sovranitetit të vendeve të tjera, te cilave Rusia u është referuar aq shpesh në rastin e Kosovës, por që i injoron plotësisht në rastin e Krimesë? A mos kemi të bëjmë me standarte të dyfishta të vetë Rusisë, për të cilat, tash 25 vjet , e akuzon politikën perëndimore, sidomos në drejtim të Ballkanit, por jo vetëm?
Nisur nga mentaliteti tipik i luftës së ftohtë, Moska e konsideron si humbje strategjike çdo hap pozitiv të këtij apo atij vendi ballkanik, në drejtim të integrimit euroatlantik. Dhe e kundërta, çdo vonesë e ngadalësim, çdo stepje apo ngecje e reformave që çojnë drejt integrimeve euroatlantike të rajonit, nga ana e Moskës, perceptohet si avantazh strategjik i saj.
Për të siguruar avantazhe të kësaj natyre, Kremlini përpiqet të shfrytëzojë “lodhjen nga zgjerimi” apo ndjenjat antizgjerim që kanë kapluar BE-në, si dhe forca ultra të djathta e ultra të majta në vende të ndryshme europiane, që janë, jo vetëm kundër zgjerimit, por edhe kundër projektit europian, si ide. Gjithashtu, ajo shfrytëzon pakënaqësitë e vendeve të veçanta ballkanike, që ato i perceptojnë si të shkaktuara nga burokracia e Brukselit (mosliberalizimi i vizave me Kosovën, moshapja e bisedimeve për antarësim në BE me Serbinë dhe Shqipërinë, etj.) për t’i fryrë ato, në mënyrë që të ndikojë në ftohjen, bllokimin apo prishjen e marrëdhënieve të tyre me Bashkimin Europian. Gatishmëria e një pjese të forcave politike dhe elitave pushtetore në vende të veçanta ballkanike, si Serbia, Greqia, Mali i Zi, Maqedonia, Bosnje Hercegovina, për të flirtuar me Rusinë, ia lehtëson edhe më tej punën Moskës.
Si aleatë të saj në Ballkan, Moska preferon forcat anti-europiane, anti-amerikane dhe anti-NATO, pa ndonjë bosht ideologjik, ultra të djathta, ultra të majta, ose thjesht konservatore. Në Serbi ajo mbështet Partinë Radikale Serbe, Lëvizjen për Serbi dhe Dyert Serbe. Në Bosnjë Hercegovinë, Moska mbështet ultranacionalistin serb, Milorad Dodik, në Kosovë, radikalët serbë të Mitrovicës së Veriut, në Maqedoni, Kryeministrin nacionalist, Nikolla Gruevski, në Greqi, të majtët e Sirizës, në Bullgari, Partinë ultra të djathtë “Ataka”, etj.
Çdo boshllëk të lënë nga BE apo NATO në Ballkan, çdo tërheqje të tyre në këtë rajon, Kremlini përpiqet ta shfrytëzojë dhe, mundësisht, ta zëvendësojë me praninë dhe ndikimin e vet. Për këte nuk kursen asnjë mjet. Sepse për Moskën, qëllimi justifikon çdo mjet. Duket se Ballkani i mbushur me kriza, klientelizëm dhe kapje shteti, paraqet terren të favorshëm për realizimin e këtij objektivi, nga ana e Rusisë. Në situata të tilla, mund të bëjnë punë, sidomos, paratë. Rusia ka dëshmuar se është “bujare” në dhënien e parave, kur bëhet fjalë për korruptimin, në favor të saj, të figurave të rëndësishme, në radhët e elitave pushtetore, financiare, por edhe atyre intelektuale. Kur këtë e realizon me sukses në vendet e pasura perëndimore, Moska nuk e ka problem ta bëjë në vendet e varfëra të Ballkanit,me defiçite të theksuara në funksionimin e shtetit ligjor.
Kur nuk bëjnë punë paratë, Rusia nuk i kursen presionet dhe shantazhet. Drejtoresha e Qendrës për Studimin e Krizës Jugosllave, Elena Guskova, kërcënon hapur se “Në rast të anëtarësimit të Serbisë në NATO, Moska do të jetë e detyruar të rishikojë qëndrimin e saj për shumë çështje të bashkëpunimit politik dhe ushtarak që sot duken me perspektivë dhe me interes të ndërsjellë”. Në të njetën linjë është edhe bashkëpunëtorja e Institutit të Sllavistikës të Akademisë së Shkencave të Rusisë, Ana Filimonova, e cila thekson se “Serbia ose duhet të kete partneritet të plotë strategjik me Rusinë, ose do të rrëshqasë në humnerë”. Opozitën maqedonase që, para pak kohësh, organizoi disa protesta masive, kundër kryeministrit Gruevski, Moska e etiketoi si “kukull” të Perëndimit. Ndërsa Bullgarinë që, para disa muajsh, refuzoi ndertimin e gazsjellësit rus, “Rrjedha e Jugut”, Ministri i Jashtëm i Rusise, Sergei Lavrov, nuk nguroi ta akuzojë se, së bashku me Shqipërinë, po përpiqen ta ndajnë Maqedoninë. Rusisë nuk i mungojnë levat për të bërë që disa nga presionet e saj të japin efekt. Ajo ka pozita shumë te forta në energjitikën e shumicës së vendeve ballkanike. Në fushën e gazit,ajo është dominuese.
Kur nuk bëjnë punë paratë, presionet e shantazhet, Rusia aktivizon mjete të tjera shtesë nga arsenali i saj si fuqi e madhe. Në përgjigje të pyetjes së një deputeti, gjatë orës parlamentare, me 20.05.2015, se çfarë po bën Moska për të gjetur antihelmin ndaj metodave të ndryshueshme që po përdoren në luftën për sundim botëror, gjë që nënkupton edhe Ballkanin, si zonë e interesave të drejtpërdrejta të Rusisë, Lavrovi siguroi se, krahas metodave të diplomacisë klasike, u kushtohet vëmendja e duhur edhe luftës ekonomike, punës së shërbimeve sekrete, operacioneve informative speciale, etj.
Një instrument tjetër, që Rusia po e përdor me sukses në luftë për rikthimin e peshës së saj të dikurshmë në Ballkan, është e drejta e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Eshtë vetoja ruse ajo që bllokoi miratimin e planit Ahtisari në KS. Është vetoja ruse, që tash 7 vjet, po bllokon anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Është vetoja ruse që bllokoi me 8 korrik 2015, miratimin e projektit të rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që dënonte genocidin serb në Srebrenicë. Gjithë bota e di se masakrimi i tetë mijë muslimanëve boshnjakë, në vitin 1995, ishte një akt i qartë genocidi dhe si të tillë e ka klasifikuar edhe Tribunali i Hagës. Vetëm propagandistët rusë që janë kundër pajtimit të popujve ballkanikë e quajnë atë një mit informativ ndërkombëtar.
Me politikën aktuale ballkanike, e cila për nga qëllimet dhe instrumentet që përdoren ngjason më shumë me një xhihad modern të një lloji të ri, Moska kërkon që ta kthejë këtë rajon në të kaluarën e vet të errët, me grindje, konflikte, luftëra e gjakderdhje. Është në dorën e popujve ballkanikë të vendosin, nëse është në interes të tyre apo të faktorëve të tjerë destruktive, që paqen e stabilitetin relativ të tanishëm t’i zëvendësojnë me alternativën që ofron xhihadi rus.
Xhihadi rus kundër shejtanit shqiptar
Shqiptarët janë populli më i sulmuar në Ballkan, nga ana e Rusisë. Në shënjestrën e saj janë qeveritë, shtetet dhe elitat e tyre, të gjithë shqiptarët, të marrë së bashku, si popull e si komb. Në këndvështrimin rus, shqiptarët jane mishërim i së keqes dhe së ligës në Ballkan. Ata kanë bërë shkollën e djallit dhe ia kalojnë edhe atij vetë. Jo vetëm kaq, por ata nuk kanë asnjë shans për t’u përmirësuar. Sepse janë të pandryshueshëm në natyrën e tyre të egër dhe barbare. Ata i përkasin një civilizimi tjetër, joeuropian. Civilizimi i tyre, sipas profesoreshës ruse, Elena Guskova, është i njejtë me atë të Irakut e Afganistanit, me te cilin ballafaqohen sot amerikanët. Bashkpunëtori i vjetër shkencor i Institutit të Sllavistikës, Peter Iskanderov “zbulon” se konsolidimi i brendshëm i shqiptarëve nuk është bërë në bazë të “rilindjes kombëtare”, siç ka ndodhur me serbët dhe bullgarët, por në bazë të mohimit total të të gjitha normave e parimeve civilizuese. Sipas tij, shqiptarët i “bashkon” gjakmarrja, mbyllja në vetvete, organizimi fisnor. Për ta çuar absurditetin e tij deri në fund, Iskanderov shkruan se motoja “feja e shqiptarit është shqiptaria”, në thelbin e vet, ështe ide e antikrishterë. Dhe së qëllimi përfundimtar i shqiptarëve është ndërtimi i “Shqipërisë së Madhe” dhe i “kalifatit euroaziatik”.
Se si shqiptarizmi, si ide kombëtare, mund te jetë kundër një feje dhe pro një tjetre, predikuesit e Institutit të Sllavistikës, nuk e shpjegojnë. Angazhimi i tyre ndaj xhihadit rus i bën ata që të humbasin fare logjikën. Projekti i “Shqipërisë së Madhe”, të paktën, siç e paraqesin rusët dhe bashkësajuesit serbë të këtij termi, presupozon të jetë një projekt i qartë kombëtar, që synon bashkimin e shqiptarëve dhe të territoreve të tyre në një shtet unik, mbi bazën e parimit të kombësisë. Projekti tjetër, ai i kalifatit, që Iskanderov e konsideron si shqiptar, është një projekt mbikombëtar, i cili synon bashkimin e njerëzve mbi baza fetare. Ai nuk i njeh shtetet kombëtare, nuk i njeh kombet, për të ekziston vetëm një kriter- feja muslimane, edhe ajo, jo në diversitetin e vet, por vetëm në variantin, si rregull, radikal, që mbrojnë pretendentët për kalif dhe bashkëluftëtarët e tyre. Shteti islamik që, aktualisht, mban nën kontroll territore të konsiderueshme të Sirisë dhe Irakut, është shembulli më i qartë se çfarë synon Kalifati. Sipas logjikës së pseudoshkencëtarëve rusë, shqiptarët luftojnë, njëkohësisht, për shtetin e tyre të madh, të bazuar mbi kombësinë, për “Shqipërinë e Madhe” dhe për rrënimin e tij, me anë të kalifatit botëtor, i cili nuk e njeh kombësinë.
Veç qëllimeve djallëzore, sipas agjitatorëve të Institutit të Sllavistikës, shqiptarët, edhe metodat e luftës së tyre i kanë djallëzore. Metoda kryesore për arritjen e qëllimeve që i kanë vënë vetes, që nga lidhja e Prizrenit, më 1878, është terrorizmi. Nga ky këndvështrim, për xhihadistët rusë, shqiptarët janë njëlloj si çeçenët. Pikërisht nëpërmjet terrorizmit, sipas tyre, ata arritën të krijojnë shtetin e tyre të dytë në Ballkan, një “shtet ekstremist islamik”, “bandit”, “pirat”, “satelitor”, “mafioz”, “terrorist”, një “enklavë etnokriminale”, “gjendër kanceroze në trupin e Europës”– Republikën e Kosovës. Dhe ky është një mëkat i pafalshëm.
Të frymëzuar nga qëllime të antikrishtera dhe zbatues të metodave djallëzore, sipas predikuesve të Institutit të Sllavistikës, shqiptarët nuk mund të kenë aleatë të tjerë, veç atyre nga radhët e islamikëve dhe strukturave kriminale.
Si shejtanë që janë, në bashkëpunim me aleatët e tyre radikalë, sipas predikuesve ruse, shqiptarët nuk ngurojnë të inskenojnë me gra e fëmijë, me pleq e plaka, me të gjymtuar e të sëmurë, lëvizje të përmasave biblike, si eksodin masiv, në pranverën e vitit 1999, me qëllim që të sjellin në Kosovë një aleat tjetër të tyre, satanain e madh, SHBA-në, për t’i shkëputur nga Serbia. Për profesoreshën, Elena Guskova, dëshmi e këtij inskenimi është fakti që, në një intervistë në mjetet e informimit masiv, në vitin 1999, një nënë shqiptare me fëmijë, po fliste në anglisht. Sipas Guskovës, ajo nuk mund të dinte anglisht, duke qenë edhe shqiptare, edhe me fëmijë. Ndaj intervista e saj ishte thjesht një montazh.
Për Ministrin e Jashtëm, Lavrov, as masakra e Reçakut, e njohur nga e gjithë bota si e tillë, nuk ka qenë e vërtetë, por inskenim i organizuar nga shqiptarët me trupa “terroristësh”, të vrarë në pjesë të ndryshme të Kosovës dhe të veshur enkas si civil, për t’ia mbushur mendjen NATO-s që të ndërhyjë ushtarakisht.
Por “zbulimi” shkencor bombë, lidhur me aftësitë dhe talentin inskenues të shqiptarëve, erdhi para pak ditësh. Pas studimeve të “thella”, të bëra edhe në terren, “shkencëtaret” ruse, E.Guskova dhe A.Filimonova, arritën në përfundimin se “zhvendosja e madhe e shqiptarëve” nga Kosova dhe Shqipëria ka prapavijë të qartë politike. Për më tepër, refugjatët shqiptarë i koordinojnë planet e tyre me refugjatët që vijnë nga Lindja e Afërt. Në shkrimin e saj “Përse ikin shqiptarët e Kosovës”, Filimonova thekson se ikja është “një aksion shqiptar”, i organizuar me paramendim, për t’u përqëndruar në veri të Serbisë. Ndërsa Guskova, në shkrimin e saj “Shteti islamik në Ballkan”, botuar më 6 korrik 2015, zbulon se “aksioni shqiptar” qënkërka pjesë e “skenarit ballkanik”, që do të realizohet nga xhihadistët e ardhur nga Lindja e Afërt, nën petkun e refugjatëve, në bashkëpunim me “vëllezërit muslimanë ballkanikë”. Sipas këtij skenari, parashikohet që, njëkohësisht, të ngrihen me armë në dorë shqiptarët e Maqedonisë dhe të Luginës së Preshevës, pastaj, të gjithë islamikët e Serbisë, Maqedonisë, Bosnje-Hercegovinës rrëmbejnë armët dhe me veprime luftarake i pushtojnë vendet me kulturë ortodokse. Guskova pretendon se din edhe kohën e realizimit të “skenarit ballkanik” dhe që, sipas saj, është fundi i gushtit apo fillimi i shtatorit të ardhshëm.
Vetëm një mendje e sëmurë si ajo e Guskovës arrin t’i bashkojë në qëllime e veprime radikale mijëra refugjatë që ikin nga lufta e përgjakshme në Siri, me mijëra të tjerë nga Shqipëria dhe Kosova, që largohen nga vendet e tyre, kryesisht, për shkaqe ekonomiko-shoqërore. Natyrisht, nuk përjashtohet që ndonjë ekstremist islamik të depërtojë në Ballkan dhe Europë, nën petkun e refugjatit dhe këtë, shërbimet e sigurisë dhe organet e tjera përkatëse duhet ta mbajnë mirë parasysh. Por t’i klasifikosh si ekstremistë islamikë mijëra civilë që ikin nga lufta siriane për të shpëtuar kokën apo hallexhinjtë shqiptarë që kërkojnë të largohen drejt perëndimit për një jetë më të mirë, do të thotë se ndërgjegja shkencore të ka braktisur përfundimisht dhe vetë je kthyer në xhihadist të një besimi tjetër, në rastin konkret, ortodoks, që kudo sheh veç kundërshtarë-xhihadistë islamikë.
Për xhihadistët e Institutit të Sllavistikës, prirjet e etnosit shqiptar drejt radikalizmit musliman janë shtuar shumë, sidomos, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008. Sipas tyre, në vend të flamurit kombëtar, tani ata po ngrenë, gjithnjë e më lart, flamurin e zi të vahabizmit.
Nuk janë larg këtyre vlerësimeve për shqiptarët as ato të kryediplomatit rus, Sergei Lavrov, apo komentet e Drejtorisë së Informacionit dhe Shtypit të dikasterit që ai drejton. Në to flitet për shfrytëzimin e faktorit shqiptar për veprimtari terroriste në Maqedoni, për ekstremistë shqiptarë që përdoren si vegla nga amerikanët, për përkeqësim të situatës në Ballkan,“ për shkak të defiçicitit serioz në zbatimin e ligjit dhe sigurisë në Kosovë-pasojë e dukshme e problemit të pazgjidhur kosovar, në tërësi”.
Xhihadi rus kundër shqiptarëve, duket se shpjegohet me atë që, ndryshe nga disa popuj të tjerë, ata nuk kanë shfaqur as nuk po shfaqin ndonjë mëdyshje në rrugën e tyre drejt integrimit euro-atlantik. Si Shqipëria, ashtu edhe Kosova kanë dënuar ashpër aneksimin e Krimesë nga Rusia dhe u janë bashkuar sanksioneve perëndimore ndaj Moskës. Të dyja janë treguar dhe po tregohen refraktare ndaj projekteve ruse në fushën energjitike apo fusha të tjera. Por mëkati më i madh i shqiptarëve, siç pohon profesoresha Guskova, është se ata, së bashku më SHBA-në “duan t’i japin fund ndikimit të Rusisë në Ballkan”. Për këtë arsye, duket se një ndër drejtimet kryesore të goditjes së xhihadit rus në Ballkan është dhe do të jetë, edhe më tej, kundër shqiptarëve.
Sllavizmi dhe ortodoksia si instrumente të xhihadit rus në Ballkan
Sllavizmi dhe ortodoksia në politikën e jashtme të Rusisë janë aktivizuar, sa here, që këtë e kanë kërkuar interesat e saj shtetërore si fuqi e madhe. Kjo ka ndodhur, krysisht, në periudha kur këto interesa kanë qenë të lidhura me Europën Qëndrore dhe Juglindore. E tillë është periudha e tanishme. Në cilësinë e “fuqisë së butë”, Rusia po riaktivizon lidhjet sllavo-ortodokse me Ballkanin. Përbërësit e ngjashëm etno-kulturorë të popullit rus me disa nga popujt e këtij rajoni po përdoren si mbulesë e interesave egoiste të Moskës për rikthimin e peshës dhe të ndikimit të dikurshëm në këtë pjesë të Europës. Në këtë kontekst, po flitet rishtas për “solidaritet sllav e ortodoks”, për “dashuri” të përjetshme midis popujve të Ballkanit dhe popullit rus, gjoja,e rrënjosur në genin e tyre sllavo-ortodoks, ose siç shprehet predikuesja Guskova, në shkrimin e saj “Serbia para sfidave vendimtare”, datë 18 qershor 2015, me natyrë “irracionale”.
“Ekspertët” ruse të çështjeve ballkanike kanë arritur në përfundimin se është pikërisht kjo lidhje e dashuri e ndërsjellë arsyeja pse vuan Serbia dhe serbët, të cilët konsiderohen nga perëndimorët si “ruse ballkanikë”. Ashtu siç vuajnë të gjitha ato vende që duan miqësi me Rusinë, si për shembull Maqedonia, Greqia, Qipro etj.
Është kjo arsyeja, vazhdojnë më tej “argumentet” e këtyre “ekspertëve” e orientimit aktual gjeo-strategjik perëndimor drejt “enklavave muslimane” në Ballkan, që e ka zanafillën, që në mesjetë, kur Europa katolike e protestane, duke shkatërruar Bizantin ortodoks “i hapi rrugë depërtimit të muslimanëve te eksituar”. Ish kryeministri i Bashkimit Sovjetik, Nikolai Rizhkov, i mëshon tezës se Vatikani, historikisht, ka luajtur rol ogurzi në përçarjen e sllavëve.
Pasojë e komplotit dhe konspiracionit perëndimor, të vjetër (Konstandinopojë) dhe të ri (ish Jugosllavi dhe Ukrainë), sipas agjitatorëve rusë, është vazhdimi i proçesit të copëzimit të civilizimit sllavo-ortodoks, që rrezikon të çojë në dobësimin e skajshëm e, mbase, në vdekjen e civilizimit të sllavëve të jugut. E gjithë kjo, argumentojnë ata, për shkak se amerikanët duan të kontrollojnë korridoret energjitike, si dhe rrugët e tranzitit të trafikimit të drogave të forta, të armëve dhe të mishit të bardhë. Popujt sllavo-ortodoksë, sipas tyre, janë të vetmit që mund ta ruajnë Europën nga këto të zeza. Dhe nga shqiptarët.
Atëhere, çfarë duhet bërë? Të ringrihet e të konsolidohet bota sllavo-ortodokse. Ringritja duhet të fillojë nga Kosova-djepi i shtetësisë serbe dhe ortodoksisë ballkanike, – propozon “studiuesi” Peter Iskanderov. Aty “mund të fillojë rilindja e Serbisë dhe serbëve, si dhe e shtetit rus në Ballkan.
Elena Guskova e shtron më gjerë problemin dhe e formulon politikën e re të ringritjes së Rusisë dhe botës sllavo-ortodokse në Ballkan, si më poshtë: të mos lejohet përhapja e kontrollit të NATO-s në territorin e të gjithë ish-Jugosllavise; të mos lejohet krijimi i bazave ushtarake në territorin e Serbisë dhe Malit te Zi; të luftohet “amerikanizimi” dhe “vatikanizimi” i hapësirës historiko-kulturore, të populluar nga sllavët ortodoksë të jugut, me pasojë ndezjen e rusofobisë; të punohet për rilindjen dhe zhvillimin e traditave historike, që kultivojnë idetë e reciprocitetit dhe të frymës ortodokse.
I spikatur prej vitesh për ide “origjinale”,pa bukë, Peter Iskanderov, i ka sugjeruar Presidentit Putin që, ashtu si Presidenti Willson, para gati 100 vjetësh, të dalë me 14 pika për Ballkanin, për të hyrë në histori si “arkitekt i Ballkanit të ri”.
Se cilat do të ishin shtyllat, ku do të mbështetej projekti arkitekturor rus i Ballkanit të ri, nuk është e vështirë të merret me mend, aq më tepër që Kremlini ka një “baze teoriko-shkencore”, ku të mbështetet. A nuk ishte profesori amerikan Samuel Hutington ai që pati vlerësuar si civilizim të veçantë atë ortodoks? A nuk ishte Hutingtoni, ai që pati sugjeruar njohjen e Rusisë si shtet bërthamë të ortodoksisë? Rusia nuk kërkon asgjë më shumë, sesa t’i njihet pozita e saj dominuese mbi këtë civilizim. Që do të thotë, dominim mbi Ukrainën, Bjellorusinë, Armeninë, Gjeorgjinë, mbi popujt sllavo-ortodoksë të Europës Qendrore dhe asaj Juglindore.
Sipas projektit arkitekturor rus, proçeset integruese Lindje-Perëndim janë jo produktive, ato që duhen nxitur e mbështetur janë integrimet sipas boshtit veri-jug, më konkretisht, Moskë-Athinë, Moskë-Beograd, Moskë-Shkup, Moskë-Sofie.
Gjenerali rus, Leonid Ivashov, flet hapur për përleshje midis civilizimeve në fazën aktuale dhe shpreh bindjen se fitorja do t’i takojë atij që ka rrënjë më të thella historike, kulturë më të lartë dhe themele shpirtërore më të qëndrueshme. Për të, pa pikë dyshimi, është civilizimi sllavo-ortodoks që i zotëron këto cilësi, ndaj ai është i destinuar të fitojë mbi civilizimin e kalbur e të degjeneruar perëndimor, epokës së të cilit, edhe sipas Moskës zyrtare, i ka ardhur fundi.
Ashtu si dikur kundër Perandorisë Osmane, edhe sot, Rusia hiqet si misionare, këtë radhë, jo për çlirimin e popujve sllavo-ortodoksë nga turqit, por nga zgjedha e kapitalit dhe civilizimit perëndimor që, gjoja, për ta, janë krejtësisht të huaj.
Por misioni i vërtetë i Rusisë nuk është konsolidimi i botës sllavo-ortodokse. Misioni i saj i vërtetë është kthimi i ndikimit të saj në Ballkan. Nuk ka patur, historikisht, nuk ka as sot, sllavofili, serbofili apo grekofili ruse. Ka patur, ka dhe, me gjasë, edhe në të ardhmen, do të ketë interesa ruse në Ballkan. Solidariteti dhe uniteti sllavo-ortodoks, aktualisht është më shumë një shfaqje e fantazisë, sesa një fakt real. Siç konstaton me keqardhje ish drejtori i ndjerë i Institutit të Sllavistikës, V. Vollkov, sot kemi të bëjmë me entropi të botës sllave. Aneksimi i Krimesë nga Rusia dhe ndërhyrja e saj në Ukrainën Lindore ishte gozhda e fundit në arkivolin e atij që dikur njihej si uniteti dhe solidariteti sllavo-ortodoks.
Gjithsesi, xhihadi rus nuk shkurajohet. Rikthimi i peshës dhe ndikimit të Rusisë në Ballkan, të rënë dukshëm, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, sipas xhihadistëve të Moskës, është në rendin e ditës dhe i mundshëm për t’u realizuar. Duke shfrytëzuar si maskë dhe si instrument,midis te tjerash,edhe lidhjet sllavo-ortodokse. Për të treguar se lidhjet e Ballkanit me Europën nuk janë aq të qëndrueshme sa duken dhe se vetë Rusia nuk është aq e izoluar sa thuhet.
Front unik kundër radikalizmit dhe ekstremizmit të çdo lloj forme
Trajtimi i problematikës aktuale ballkanike në kategoritë civilizuese, klasifikimi i popujve në të mirë (sllavo-ortodokset, në përgjihësi, serbët në veçanti) dhe të këqinj (popujt ballkanikë të besimit musliman, në përgjithësi, shqiptarët në veçanti) shkencërisht është i paqëndrueshëm, politikisht i rrezikshëm. Çdo civilizim dhe çdo popull ka vlerat e veta që duhen respektuar. Natyrisht, po të qëmtohet në mënyrë të qëllimshme dhe me zellin e paepur të pseudostudiuesve të Institutit të Sllavistikës, në çdo civilizim e popull mund të gjesh ndonjë “njollë”. As civilizimi i popullit, të cilit i përkasin Guskova, Iskanderov, Filimonova, Lavrovi dhe Putini, nuk është i imunizuar prej tyre, përfshirë njollën e radikalizmit dhe ekstremizmit që ata përpiqen t’ua veshin vetëm të tjerëve.
Jo më larg se në fillim të këtij muaji, në mjetet e informimit masiv, u njoftua për pogrome të vërteta në Rusi si, rrahja e vajzave të “Pussy Riot” në Soçi, sulmi i lëzivjes pro regjimit “StopHam” mbi kalimtarët e rastit që pinin duhan apo alkool në sheshin “Bolotnaya” (03.07.2015), prishja e dhunshme e koncertit festiv të radios “Serebryanyi Dozhd” (04.07.2015). Ekzekutuesit e dhunës së lartpërmendur u quajtën “talebanë ortodoksë”.
Vitin e kaluar, nga forcat separatiste të mbështetura nga Rusia, u vranë 4 protestanë në Sllaviansk. Ekzekutuesit e tyre, gjithashtu, u quajtën “xhihadistë ortodoksë”.
Po rrëzimi i avionit Boeing 777, vitin e kaluar, ku gjetën vdekjen 298 vetë, a nuk ishte terrorizëm? Po furnizimi i forcave separatiste ukrainase me mercenarë, me armë të sofistikuara, çfarë është?
Sergei Lavrovi, me të drejtë, shpreh shqetësimin e tij për rritjen e ndikimit të Shtetit Islamik në Ballkan, por ai harron se në radhët e ISIS-it janë, deri në 2000 luftëtarë, shtetas rusë, pa folur për mijëra të tjerë nga hapësira ish sovjetike. Duke qenë një kërcënim global, ISIS-i nuk ka si të mos jetë kërcënim edhe për Rusinë. Lavrovi, me siguri duhet ta dijë se, Abu Bakër al-Bagdadi ka kërcënuar drejtpërdrejt shefin e tij, Presidentin Putin, për mbështetjen që Rusia i jep regjimit sirian të Asadit. Dhe kërcënimi i tij është shumë serioz për Rusinë: tërheqjen në luftën e shenjtë të Shtetit Islamik, të Kaukazit të Veriut.
As ata, për të cilët Rusia tregon kujdes “të veçantë”, sllavo-ortodoksët e Ballkanit, nuk janë të çliruar nga shfaqjet e ekstremizmit dhe radikalizmit. Dihet se sa gjakderdhje i shkaktoi gadishullit ballkanik nacionalizmi radikal serb, në vitet ’90-të, kur terrori ndaj popullsisë se pafajshme civile në Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë, u ushtrua nga vetë shteti serb.
Ndërsa këto ditë, Kryetari i këtij shteti, Tomisllav Nikoliç, duke marrë pjesë në inaugurimin e statujës së Gavril Principit, vrasësit të trashëgimtarit austro-hungarez, akt që shërbeu si pretekst për fillimin e Luftës së Parë Botërore, e quajti atë hero kombëtar.
Nga ana tjetër, as shejtanët shqiptarë, nuk janë aq të zinj, sa i bëjnë predikuesit e Institutit të Sllavistikës apo ata të Kremlinit zyrtar.
Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, vitin e kaluar, Papa Françesku, ngriti lart ”vëllazërinë fetare” midis shqiptarëve. Autoriteti i Përkujtimit të Martirëve dhe Heronjve të Holokaustit, Yad Vashem, në Jeruzalem, ka njohur me kohë kontributin e shqiptarëve për shpëtimin e hebrenjve, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shqiptarët, përgjithësisht, janë të prirur drejt ekumenzimit. Në Tiranë, ka qendrën e vet Kryegjyshata Botërore e bektashizmit, që njihet si varianti më liberal i muslimanizmit. Jo Sheriati, por kanunet e ndryshme vendore kanë rregulluar jetën e përditshme të shqiptarëve ne shekuj.
Si Shqipëria, ashtu edhe Kosova janë angazhuar seriozisht në luftën kundër terrorizmit, në plan kombëtar dhe ndërkombëtar. Në të dy vendet është miratuar legjislacioni përkatës që penalizon pjesëmarrjen e shtetasve të tyre në konflikte jashtë vendit. Në të dy këto shtete, janë arrestuar individë, të dyshuar, se janë marrë me rekrutim të qytetarëve shqiptarë për konfliktin sirian.
Natyrisht, ashtu si dhe popujt e tjerë, as shqiptarët nuk janë të imunizuar nga radikalizmi dhe ekstremizmi. Është fakt se, vitet e fundit, ka patur nje gjallërim të këtyre dukurive. Megjithë masat e marra, numri i shqiptarëve që luftojnë në krah të Shtetit Islamik, në raport me popullsinë, është relativisht i lartë. Gjithashtu, vërehet aktivizimi i disa elementeve që kërkojnë largimin e shqiptarëve nga islami tradicional.
Këto shqetësime janë bërë, por duhet të bëhen akoma më mirë në të ardhmen, objekt i punës së institucioneve të specializuara shtetërore, sherbimeve sekrete, policive, komiteteve apo agjencive shtetërore të kulteve, shkollës, institucioneve fetare, OJQ-ve, në përgjithësi, të gjithë shoqërisë. Veprimtaria shumëplanëshe, brenda vendit, kundër shfaqjeve të ekstremizimit, radikalizmit dhe terrorizmit nuk mund të jetë efikase, jashtë bashkëpunimit me fqinjët dhe partnerët ndërkombëtarë, në radhe të parë, me SHBA dhe BE, por edhe me të gjitha shtetet dhe faktorët e tjerë të interesuar, në përballimin e këtyre sfidave të rënda, përfshirë Rusinë.
Këto dukuri të rrezikshme nuk kanë fe, kombësi, as atdhe. Ato bëjnë pjesë në kategorinë e dukurive të sotme globale, transnacionale, “pa pasaportë”, ndaj të cilave duhet luftuar bashkërisht, në front unik dhe në mënyrë të organizuar. Sfidat globale kërkojnë përgjegjësi dhe bashkëpunim global për t’u përballuar me sukses. Alternativa që ofrojnë propagandistët e Institutit të Sllavistikës në Moskë, për të luftuar një xhihad, nëpërmjet një xhihadi tjetër, është alternativë që çon në ndezjen e zjarrit etnik dhe fetar mes popujve. Ajo është me pasoja tepër të rrezikshme për Ballkanin, për vetë Rusinë, për paqen dhe stabilitetin në Europë dhe botë dhe, si e tillë, duhet refuzuar kategorikisht, në planin shkencor, kulturor, politik dhe diplomatik.
Prishtinë, më 27.07.2015
Komentet