Kisha ortodokse e Rusisë i dha një dimension të ri tepër të rrezikshëm konfliktit në Siri dhe në Lindjen e Mesme, kur shpalli se lufta e Rusisë në atë rajon kundër terroristëve dhe për mbrojtjen e kristianëve është “luftë e shenjtë”. Në 30 shtator, ditën e nisjes së sulmeve ajrore të avionëve rusë në territorin e Sirisë, përfaqësuesi i Kishës Ortodokse Ruse, arkiprifti Vsevolod Çaplin, deklaroi në emër të saj, se “lufta me terrorizmin është një luftë e shenjtë dhe vendi ynë është ndoshta forca më aktive në botë për ta luftuar atë”. Këtu nuk është çështja vetëm te politizimi i kishës ruse dhe përdorimi i saj si institucion shpirtëror për mbështetjen e strategjisë globale dhe të politikës së jashtme ekspansioniste të Kremlinit. Këtu është çështja për një dimension të ri, dimensionin e luftës fetare, që Kisha Ortodokse Ruse po i jep ndërhyrjes ushtarake ruse në Siri si “luftë e shenjtë”.
Ky është një objektiv dhe një transformim i rrezikshëm, që kërkon të legalizojë dhe të noterizojë ndërhyrjen ushtarake ruse në emër të idealeve të ortodoksisë dhe të rolit ekskluziv të Rusisë si protektore e ortodoksisë nëpër botë. Në këtë kontekst fetar, ndërhyrja ushtarake ruse në Siri merr formën e një kryqëzate fetare. Shpallja e një “lufte të shenjtë” nga kisha ruse është deklarim i një lufte të shenjtë fetare, që përkthehet si luftë e Rusisë për idealin e ortodoksizmit ose më saktë, si luftë fetare e ortodoksëve rusë kundër myslimanëve arabë. Në këtë impostim ideologjiko-nacionalisto-fetar, Kisha Ortodokse Ruse aktualisht shfaqet me të njëjtin pozicion ekstremist si grupi terrorist i “Shtetit Islamik të Sirisë dhe Irakut”, ISIS, i cili gjithashtu veprimtarinë e tij e quan luftë të shenjtë.
Është e kuptueshme se implikimet e kësaj devize të kishës ortodokse ruse për konfliktin në Siri dhe Irak si luftë e shenjtë fetare janë deviacione politike, strategjike dhe etike shumë të thella. Së pari, ato komprometojnë vetë qëllimet e dislokimit dhe të veprimit të forcave ushtarako-ajrore ruse dhe krejt synimet ruse në Siri dhe në Lindjen e Mesme. Qeveria ruse nuk është distancuar deri tani nga qëndrimi i kishës ortodokse për luftën e shenjtë në Siri, ndonëse dihet se Kisha Ortodokse Ruse është instrument i politikës së brendshme dhe të jashtme të presidentit Vladimir Putin. Jo rastësisht, deklarimi i luftës së shenjtë nga Kisha Ortodokse Ruse u bë në të njëjtën ditë, që parlamenti i Rusisë miratoi rezolutën për lejimin e përdorimit të forcave ushtarake ruse jashtë vendit. Nuk duhet harruar se përdorimi i forcave ushtarake ruse për ndërhyrje në Siri po bëhet pas një viti të ndërhyrjes së këtyre forcave për aneksimin e Krimesë dhe ndezjen e luftimeve në Ukrainën Lindore. Në qoftë se përdorimi i forcave ushtarake ruse për ndërhyrje jashtë ishte përdorur për herë të fundit nga udhëheqësi i Kremlinit, Leonid Brezhnjevi, në vitin 1979 me agresionin rus në Afganistan, tani kreu i ri i Kremlinit, Putin, po e përdor çdo vit, edhe në vitin 2014, edhe në vitin 2015.
Me sa duket, Kremlinit i vjen për shtat nxjerrja e një flamuri fetar të ortodoksisë për t’i prirë kryqëzatës së sapofilluar të ndërhyrjes së gjithanshme në Lindjen e Mesme. Deputeti i Dumës Ruse, Semjon Bagdasarov, deklaroi në 2 tetor se “Siria i takon Rusisë, sepse është toka jonë e shenjtë”. Në këtë linjë, duhet menduar se objektivi i dërgimit të forcave ushtarako-ajrore të Rusisë në territorin e Sirisë ka qëllime shumë më të gjëra, sesa pretendimi i Kremlinit se forcat ajrore ruse do të godasin grupin terrorist të ISIS-it. Që në sinjalet e para të vendimit rus për të dërguar forcat e veta ushtarake në Siri, kemi theksuar në rubrikën tonë se ato dërgohen për të mbrojtur regjimin e Bashar al-Asadit dhe për të vendosur kontrollin rus. Është naive të mendohet se qëllimi i Moskës është për të goditur vërtet organizatën terroriste të ISIS-it. Faktet e komprometuan shumë shpejt pretendimin propagandistik të Kremlinit. Gjatë 24 orëve të para të sulmeve ajrore ruse të datës 30 shtator, asnjë nga objektivat e goditur prej tyre nuk kishte lidhje me ISIS-in. Aviacioni ushtarak rus në mënyrë selektive goditi pozicionet e grupeve të opozitës demokratike siriane, që lufton kundër regjimit të Asadit, dhe nuk goditi fare forcat e ISIS-it. Sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Xhon Ernest, deklaroi në 2 tetor se avionët rusë po godasin rajonet, në të cilat nuk është e njohur për ndonjë prani të forcave të ISIS-it, por për prani të kundërshtarëve të armatosur të presidentit Asad. Koloneli Stiv Uorren, përfaqësues i forcave amerikane në Irak, deklaroi se nga 12 objektivat e goditur nga avionët rusë në Siri gjatë 24 orëve, asnjë prej tyre nuk kishte lidhje me ISIS-in. Shqetësimin për këtë strategji ushtarake ruse në Siri, shprehu edhe ministri i Jashtëm turk, i cili deklaroi se “ne jemi seriozisht të shqetësuar nga informacioni që sulmet ajrore të Rusisë në Siri kanë synuar pozicionet e opozitës, në vend të ISIS-it, dhe si rezultat shumë civilë kanë humbur jetët e tyre”.
A po ndërmerr Rusia një “luftë të shenjtë” apo një kryqëzatë fetare në Lindjen e Mesme? Kjo nuk duket larg së vërtetës, kur konstaton se Moska ka përfshirë priftërinjtë në forcat ushtarake ruse, që bekojnë raketat e tanket, kur sheh se Moska po përpiqet intensivisht të krijojë një aleancë botërore të shteteve ortodokse etj. Moska po mban në pushtet me forcën e armëve regjimin prorus të Asadit, që është përfaqësues i një pakice alavite, e cila ka shtypur dhe masakruar shumicën e popullsisë siriane, të cilët janë sunitë. Sepse nuk mund të mos bëhet pyetja, se përse avionët rusë në objektivat e tyre të sulmeve ajrore në 30 shtator futën edhe bombardimet mbi xhami.
Kremlinit i duket se, duke veshur me raso ndërhyrjen ushtarake ruse në Siri dhe në Lindjen e Mesme, mund ta shesë këtë ndërhyrje në opinionin botëror si një mision salvetik fetar, dhe kjo do të rrisë peshën e Rusisë në vendimmarrjet botërore. Përfaqësuesi i kishës ortodokse ruse, Çaplin, deklaroi se vendimi për veprime ushtarake ruse në Siri “përputhet me mentalitetin e popullit tonë dhe me rolin special, që vendi ynë ka lozur gjithmonë në Lindjen e Mesme”. Kjo do të thotë që Rusia ka të drejtë të ndërhyjë në emër të ortodoksizmit dhe si protektorja e ortodoksëve në rajonet e ndryshme të botës. Sepse, vështirë të kuptohet se çfarë përputhjeje ka një ndërhyrje ushtarake ruse me mentalitetin e popullit rus, përveç kredos fetare.
Çka e konturon ndërhyrjen e Rusisë në Siri si një kryqëzatë fetare, është edhe fakti se ajo bëhet në emër të fesë ortodokse dhe se atë rol udhëheqës në këtë luftë të shenjtë mund ta luajë vetëm Rusia, si shteti më i madh dhe më i fuqishëm ortodoks. Është një megalomani tepër dogmatike, edhe nga pikëpamja politike, edhe nga pikëpamja diplomatike, edhe nga pikëpamja fetare. E ashtuquajtura luftë e shenjtë e kishës ortodokse ruse në Lindjen e Mesme është deviacion fondamentalist dhe një përligjje e terrorizmit ndërkombëtar, sepse i jep konfliktit një ngjyrë dhe përmbajtje fetare. Nga terrorizmi ndërkombëtar kërcënohen të gjithë popujt dhe grupet nacionale, shoqërore dhe fetare. Për hir të së vërtetës, duhet theksuar se shumica dërrmuese e viktimave të terrorit të ISIS-it janë myslimanët, dhe pastaj vijnë grupet e tjera fetare në rajon. Lufta kundër terrorizmit nuk mund të marrë ngjyrime dhe ngarkesa fetare, sepse e ashtuquajtura luftë e shenjtë e devijon objektivin dhe saboton koalicionin ndërkombëtar antiterrorist, dhe nga ana tjetër bëhet njësoj si lufta e terroristëve kundër njerëzimit.
Qëndrimi i rrezikshëm dhe obskurantist i kishës ruse duket edhe më qartë kur e krahason me qëndrimin e drejtë parimor, që po mban bota demokratike, SHBA, BE, dhe forcat demokratike në Europë dhe në botë kundër organizatës terroriste të ISIS-it. Ata kanë krijuar edhe koalicionin ndërkombëtar antiterrorist, dhe në këtë koalicion bëjnë pjesë edhe shumë shtete me shumicë myslimane, si dhe Shqipëria. Koalicioni ndërkombëtar i luftës kundër terrorizmit kurrë nuk e ka ngatërruar luftën e tij të drejtë me ndjenjat apo me përkatësinë fetare, pavarësisht se shtetet më të fuqishme të këtij koalicioni nuk janë myslimanë, por katolikë dhe protestantë. Ata e kanë të qartë, se çdo përpjekje për etiketime fetare apo për kundërvënie fetare do të largonte arritjen e objektivave për shkatërrimin e organizatave terroriste.
Shpallja e një kredoje fetare të luftës së Rusisë në Siri dhe në Lindjen e Mesme mund të ketë efekte negative tepër të rrezikshme. Së pari, duke dalë me devizë fetare, automatikisht mund të krijojë çarje të mëdha brenda koalicionit ndërkombëtar të luftës kundër terrorizmit. Sepse, asnjë shtet demokratik, katolik, protestant apo mysliman, nuk mund të pranojë që misionet e tij në Siri dhe në Lindjen e Mesme kanë karakter fetar. Së dyti, duke shpallur se Rusia po bën një luftë të shenjtë fetare, automatikisht krijohen kundëreaksione dhe lufta e shenjtë ortodokse do të zgjojë orekset dhe reaksion zinxhir për luftë të shenjtë fetare jo vetëm në radhët e ISIS-it, por shumë më gjerë, në popuj e shtete të rajonit. Kjo do ta komplikojë më shumë situatën, jo vetëm në Siri, por në krejt Lindjen e Mesme. Së treti, duke paraqitur kredo fetare dhe Rusinë si mbrojtëse të ortodoksisë në shkallë botërore, kjo mund të çojë në tensione dhe konflikte të reja me vulë fetare në disa rajone të botës. Ajo mund të ketë efekte negative edhe në Ballkan, ku Rusia po punon prej disa vitesh të organizojë një aleancë të shteteve ortodokse kundër kombit shqiptar, kundër NATO-s, kundër SHBA-ve dhe kundër Vatikanit. Agjencia bullgare “Fokus”, në 1 tetor i referohej një televizioni maqedonas, i cili njoftonte për planet “për krijimin e një aleance ortodokse midis Serbisë, Greqisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë kundër projektit të Shqipërisë së Madhe”. Analisti Vit Klima shkruante para pak kohësh në “aktualne.cz” se, “nëse rusët do të arrinin të krijonin perandorinë ortodokse në Europën Lindore dhe Jugore, ata do të ndryshonin rrotën e historisë. Nuk duket rastësi që presidenti rus V. Putin ka folur për ndikimin dhe vlerat e ortodoksisë dhe bile për familjen e popujve ortodoksë”. Instrumentalizimin e ortodoksizmit si flamur të ambicieve globale të Rusisë e denoncoi në 4 maj të vitit të kaluar ministri i Jashtëm suedez, Karl Bildt, një nga personalitetet më të shquara të diplomacisë europiane, kur duke analizuar dhe paralajmëruar rreziqet dhe format, me të cilat po shfaqet kërcënimi i një Rusie agresive, pas aneksimit me dhunë të Krimesë, formuloi paralajmërimin e madh: “Linja e re antiperëndimore e Vladimir Putinit bazohet në konservatorizmin e thellë të ideve ortodokse. Ortodoksia është rreziku kryesor për civilizimin perëndimor”.
Duke pasur parasysh se Kisha Ortodokse Ruse është një nga institucionet bazë të shtetit rus dhe të politikës së jashtme ruse, mendohet se nuk ndodh rastësisht shpallja e luftës së shenjtë fetare të Rusisë nëpër botë. Kjo lidhet me faktin se, Rusia në aksionin e vet ndërkombëtar dhe në ambicien e saj globale e ndjen mungesën e një kredoje ideologjike apo morale, që ta ligjërojë strategjinë e saj botërore. Në kohën e Bashkimit Sovjetik, Moska kishte ideologjinë komuniste dhe mitin e vendosjes së diktaturës së proletariatit në shkallë ndërkombëtare. Në kohën e tanishme Moska nuk ka as një bazë ideologjike dhe as një bazë etiko-morale. Rusia nuk ofron dot as një model ideologjiko-shoqëror e as një model moral. Perëndimi dhe shtetet perëndimore e kanë bazën e tyre të politikës së jashtme të mbështetur në vlerat e demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Rusia nuk e ka dhe nuk mund ta vërë këtë. Këtë vakum ideologjik e moral Kremlini mendon ta mbushë nëpërmjet kredos fetare dhe rolit të protektorit të ortodoksizmit, besim që nuk është në botën perëndimore. Por kjo kredo fetare vështirë se mund ta ndihmojë politikën e jashtme ruse të imponohet si fuqi botërore. Kjo, nga fakti se numri i shteteve me popullsi ortodokse është i kufizuar dhe sepse shumica e shteteve ortodokse kanë zgjedhur të integrohen në BE dhe në vlerat europiane. Nga ana tjetër, bota demokratike ka si një nga themelet e saj sekularizmin, ndarjen ligjore të shtetit nga feja. Një nga kontributet madhore të Perëndimit në historinë e njerëzimit është sekularizimi i marrëdhënieve ndërkombëtare, ndarja e shtetit nga feja, jo vetëm në politikën e brendshme, por edhe në politikën e jashtme. Në këtë kuptim, përbën një nonsens historik kredoja fetare dhe pretendimi fetar i Rusisë si protektore e ortodoksëve në shtete e rajone të ndryshme të botës.
Shpallja e operacioneve ushtarake ruse në Siri si luftë e shenjtë është një rrugë e rrezikshme, e cila mund të provokojë konflikte shumë më të mëdha, jo vetëm nacionale, ekonomike e politike, por edhe fetare. Ndaj, xhihadi ortodoks i kishës ruse meriton analiza të thella, për pasojat që mund të ketë, siç kërkon edhe një distancim të fuqishëm diplomatik, politik dhe fetar, nga të gjitha shtetet që i përkasin apo duan të hyjnë në familjen demokratike perëndimore.
Komentet