Pas shumë vitesh, me poetin Xhevahir Spahiu, u këmbyem në panairin e librit. “Ti je ai i Lushnjes?”, ndali pak, më dha dorën dhe u largua. Më erdhi mirë, që më mbajti mend. Pas goditjes së madhe, kur e emëruan libretist në “Opera dhe Baleti” do më thoshte: “Tani përpiqu të shkëlqesh sa më pak, më këshilloi një mik.” E keqja i kishte ardhur pikërisht prej shkëlqimit. Mburreshin me elektrifikimin e vendit, duke mos duruar shkëlqimin e askujt. Në vitet `60, në debatin e ashpër midis anakronikëve dhe të rinjëve, Enver Hoxha, mbajti anën e Kadaresë e të Driteroit me shokë. Në vitet 70` Fadil Paçrami, duke dashur të imitojë E. Hoxhën, e pëson keq: “Unë këtu gabova sepse mora anën e të rinjve.” Një prej tyre ishte dhe Xhevahir Spahiu. Ka kritikë, që brezin e viteve `60 e quajnë “të rusifikuar”, duke mos i qendruar plotësisht së vërtetës.
Në kohën e Hoxhës, Shehut, Haxhiut e të Myftiut, poeti Spahiu shkroi poezinë “Jetë”, e cila u kritikua për ndikime nga Sartëri, i cili refuzoi çmimin Nobël, duke pranuar atë Lenin?! (Komunisti Spahiu s`kish lexuar asgjë prej komunistit francez, Sartër. “Gjyshja, kujton Xhevahiri, më mbante kokën në prehër dhe qante për 50 vitet me radhë të motrën që e kishte në Francë”, atje, ku Kadaresë iu ndihu fati.) “Pemë po të isha e të mbija ndanë lumit/Do të gjelbëronin shpresat, do të binin prej meje fletët e trishtimit/Mbi degët e përkulura do të thithej bora e do të ulërinte era/Degët do të ëndërronin/Të vinte pranvera.”-janë vargjet e para të poezisë, që i hapi aq shumë telashe. Me sa duket, poeti, kishte ndërmarr një protagonizëm, që i lejohej vetëm atyre lart. “Trungun tim druvarët le të vinë e ta presin/…Me drurin tim le të bëjnë gjithçka,/Por jo arkivole”, pa i shkuar në mend se sëpata e diktaturës do binte mbi të, për fat, duke ia kursyer fundin tragjik. “Jam ai që s’kam qenë/Ai që do të jem nuk jam.”, janë vargjet me gjasa i influencuar nga filozofia ekzistencialiste e Sartrit, që Hoxha do t`i interpretonte me gjuhën e djallit: “Spahiu në këtë poezi është ndikuar nga Sartri, i cili, nga ana e tij, ishte maoist. Si i tillë, ai ishte materialist metafizik. Spahiu bie në pozitat e tij kur thotë “Jam ai që s’kam qenë”. Kjo nuk është e vërtetë, pasi e sotmja ka një këmbë tek e djeshmja. Nuk është e vërtetë se “ai që do të jem nuk jam”, sepse e nesërmja e ka një këmbë tek e sotmja.” Njihet prirja e e liderëve për të projektuar veten tek të tjerët. Duke mos qenë nesër ky që jam, humbet dhe varësia për të qenë ndjekës i tij, kur kërkohej vazhdimësia. Poetin e ndjek fati i personazhit të Kunderës në romanin “Shakaja”, i cili në kartolinën e viti të ri i shkruan së dashurës: “Optimizmi është opium për popullin.” Gjatë kontrollit në shtëpinë e një zyrtareje të arrestuar, në një fletë të shkruar gjejnë “simpozium për rakinë”, ku parashtroheshin temat e diskutimit: “Çfarë kanë thënë klasikët e marksizëm-leninizmit për rakinë?”, “Lufta kundër ideologjisë borgjeze, që nënvleftëson rolin e rakisë në revolucion?”, etj. Rezultoi se autori i kësaj shakaje ishte Xhevahiri. (Fidel Kastro e pëlqente rakinë e Skraparit dhe ia dërgonin shpesh.) Në vitin 1979 botoi vëllimin “Zgjim i thellësive”, i cili pas disa ditësh hiqet nga qarkullimi dhe kthehet në karton, pavarësisht se vlerësohej nga kritika për partishmëri.
Vjersha “Poezia”, e nisur si një ngacmim shoqëror ndaj Teodor Laços, i kthehet në telash. “Zogj kini një armik për vdekje/Do t’ju shkulë pendët dhe do t’ju thyejë krahët/Do t’ju kthejë në gur të palëvizshëm e pa zë.” Kjo hata do ndodhte në Plenumin IV. “Zogj kini një armik për vdekje/…Ai u turret poetëve/Armiku juaj është armiku ynë/E do pa krahë poezinë./Zogj të dashur/Me një sinqeritet prej fëmije me ju po flas:/Para se ai të na nxjerrë sytë,/Ata sy që shohin lart dhe larg,/Nxirriani sytë me sqepat tuaj.” Ai që shihte lart e larg dihej: largpamësi. Realisht poezia i drejtohej redaktorëve apo aparatçikut burokrat. Driteroi në një poezi i drejtohet redaktorit asket, të cilit i vë mbi varr lule, që, ai ia kishte hequr nga poezitë, sikurse në kinostudjo priteshin sekuencat me të puthura. Poezitë që bënin jehonë poshtë, shiheshin me lupë lart. Thuhet se bashkëshortja e diktatorit e mori si një insinuatë ndaj të shoqit. “Unë s’jam i vdekur që të mos gaboj”, reagon poeti ndaj censorëve, redaktorëve, të cilët jetonim me frikën se mos po bëhej gabimi. Për të mbuluar fajet e tyre merreshin me gabimet tona. “Thyeji syzet, Miçooo,/kuptoje bujarinë time të pafund./E ç’do të ishe ti, o mor i gjorë,/po të mos gaboja unë?” (1972) Të gjithë ata që i hapën luftë burokracisë, përfunduan të mundur prej aparatçikëve. “Është e vërtetë:/ai burrë që çapitet asnjëherë s’ka gabuar./Po më duket harrove të pyesësh:/a ka jetuar?/Të vërtetën përgjysmë mos e ndaj,/gjysma tjetër komploton kundër saj.” Vargje që duhen shkruar në hyrje të parlamentit apo të paneleve ku bëhen debate. Në vitin 1985, jo pa aludime, do shkruaj: “Qeni im, kush të vrau,/…Një histori dhelprash është varrosur me ty.”, ngaqë vrasësit fshihen. Zemërimi i poetit ia kalon dhe Akilit vetë: “Ju prisnit trëndafilë, u hodha hithra,/me thikat e sarkazmave ju rashë/…një ditë gjithçka mund të ma merrni,/po penën kurrë nuk ma merrni dot!” (Gusht 1977) Me gjasa se po shkruante për Migjenin, bëhet dhe më luftarak: “Nuk është sëmundja që ma bren mushkrinë;/as brengë e dashurisë. As dhe fati,/Jo, mos ma shkulni heshtën që në brinjë/Ma nguli koha me sa fuqi që pati.”
Poeti s`harron, ndaj u kujton se konti i Monte Kristos, është ende gjallë tek ai: “M’i morën shokët zyrat, aeroportet,/simpoziumet ndërkombëtare,/…të tjera fytyra e kanë zënë vendin tim;/a thua të ketë mbetur ndonjë humbëtirë për mua/në këtë marramendje harrimi?/M’i morën shokët pa mëshirë,/shihemi rrallë,/rrallë e më rrallë piqemi;/më buzëqeshin maturisht prej tribunave,/më përshëndesin fluturimthi pas xhamave të makinave/…E bukur kujtesa,/po më i bukur harrimi.”(1989) Edhe në një takim intim mungon gëzimi: “Në pritjen e së dashurës akrepat thyen si dy krahët e një zogu, që s’ekziston./Unë mora pikëllimin për dore/dhe ika.” Këto vargje të shpërndara, kur i bën bashkë, të japin mundësinë të njohësh dramën e poetit. Dhe sa më lirik të ishe aq edhe më i zymtë binte sipari. Pyetjes: pse nuk u burgos Xhevahir Spahiu, Arshin Xhezo i përgjigjet: “Ata e mbrojti talenti.”, duke mos e dëgjuar këshillën e mikut, që, të shkëlqente sa më pak.
Kohët ndryshojnë, por poeti mbetet njësoj. “I thanë fjalës: tani je e lirë./Po fjala s’kish fuqi t’u thosh: nuk më duhet./E ç’më duhet/kur s’u thashë atëherë kur duhet?/…Vështirë, tha fjala, sa vështirë/të besosh se je e lirë;/pasi ke ngrënë rrokjet e tua,/pasi ke mbetur cung/dhe liria bëhet burg.” E shkruar më 21 shkurt 1986, do i shkonte titulli: “Vdiq fjala e pa thënë”. “Ç’mënxyrë ia ul kokën/asaj pishe që s’tundet?/Çdo ditë mbi të një sorrë shkon e ulet.” (1981) Koha tregoi se sorrat ndollën më shumë gjëma nga korbat. “Ju mund të pyesni; pse kaq dhembje, Pse në çdo fjalë pikon trishtim? Marr penën, nis t’ja them një kënge/ Kënga del britmë rebelimi.” Sepse: “Vija të bardha majtas,/vija të bardha djathtas,/vija të bardha para,/vija të bardha mbrapa,/vija të bardha,/vija të bardha,/vija të bardha, ma nxitë jetën.” (Ai shkroi dhe për “Vdekjen e perëndive” me bindjen se shtëpia e zotit duhet pastruar prej demonëve. E ceka poezinë e “indroktrinuar”, ngaqë më çudit fakti, se vetëm Ismail Kadaresë s`i lënë rast pa ia vënë në dukje “flirtet” me regjimin. Një poeti modern, që shkroi në kohën kur ndalohej moda, partishmëria apo të qenit komunist, s`është një gjyle që i rri nëpër këmbë, por një shashkë në duart e keqdashësve.) “Unë, duke qenë pak i pa mbledhur, si të them i pa lidhur, por i lidhur fort me karakterin tim.”-shpjegon veten poeti në një rrëfim, që të mos e ngatërrosh me mëzin lidhur pas karrocës së pushtetit. “Shikoja trungjet e ullinjve me ato gropat si plagë, si sytë e një të verbëri.”-perceptim poetik i lindur, ndaj poezia e tij është burimore. “Me që po ngrysej, Haxhi Bektash Veliu i tha diellit: “Mos lëviz!” dhe ai s`lëvizi, deri sa varrosën të vdekurin.”-kujton rrëfimin e gjyshes. Në vendlindjen e Xhevahirit vjershat e Naimit i këndonin dhe barinjtë. “Nuk duhet të kërkojmë në çdo gjë logjikën, sepse jeta ndonjëherë ikën kundër logjikës.”-vazhdon ai të shpjegojë veten dhe ti kupton se ngjizja e poeti është më e hershme nga koha, kur ai mësoi rregullat dhe parimet se si shkruhet poezia. “Do të vdes,/do të vdes i mbytur në borxhe,/s’është asgjë mbytja në lum a në dhomat e gazit/I kam borxhe nënës, që s’ia ngrita varrin,/…I kam borxhe dashurisë që ia vodha të dielën,/I kam borxhe krimit që s’i vura emër.”-ndërkohë që xhambazët vazhdojnë të sillen në atë mënyrë, sikur i detyrohemi. “Pse qielli i pasqyruar në pellg është më i bukur se i vërteti?-pyet mikun e tij Çapajev Gjokutajn dhe po vetë përgjigjet:-e pëlqejmë qiellin e pellgut se e kemi nën këmbë, na bën të ndihemi zot, ai sipër na bën të ndihemi rob.” S`është e lehtë, që në kohën kur këshillohej nënshtrimi, t`i të këmbesh robin me zotin.
Fatbardh Amursi