Në Shqipëri, ministri i Brendshëm i emëruar javën e shkuar në këtë post, hodhi sot poshtë akuzat se gjatë ushtrimit të detyrës si hetues në prokurorinë e Krujës ka ushtruar dhunë dhe ka torturuar dy shtetas, lidhur me një çështje me sfond politik. Të dy personat që kanë akuzuar zotin Xhafaj përmes deklarimeve mediatike, janë shprehur se dhuna ndaj tyre është ushtruar në vitin 1986. Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, zoti Xhafaj saktëson se ai është shkëputur nga sistemi i Drejtësisë i kohës që në fund të vitit 1985, pra përpara ngjarjeve për të cilat akuzohet, duke nënvizuar gjithashtu se “asnjë ditë të jetës sime, nuk kam shërbyer në strukturat e sistemit të Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme të asaj kohe, dhe as në organet e hetimit që ishin pjesë e Ministrisë së Brendshme. Gjithçka ëshë thënë e komentuar këto ditë, janë thjesht shpifje të ulëta në funksion të fushatës politike të ndërmarrë kundër meje”.
Pas dëshmive mediatike, opozita e cila prej më shumë se katër javësh po vazhdon protestat poshtë zyrës së kryeministrit Edi Rama, reagoi me ashpërsi duke e quajtur emërimin e zotit Xhafaj “një provokim”, dhe “një akt luftë ndaj opozitës”, duke kërcënuar se nuk do të lejonte hyrjen e tij në zyrën e Ministrit të Brendshëm. Ne deklaratën e tij zoti Xhafaj shprehet se “jam i befasuar edhe nga mënyra që opozita ka zgjedhur për të përdorur historitë e dy emigrantëve, të cilët i ka kthyer në dëshmitarë të rremë, për të provuar një akuzë të rremë, në sallën e gjyqit të rremë të organizuar në selinë e re të Partisë Demokratike”.
Kjo çështje u përmend dje si argument dhe nga presidenti Bujar Nishani, se përse ai e cilësonte “të papërshtatshme” kandidaturën e zotit Xhafaj. Kreu i Shtetit saktësoi se po kryente dekretimin e tij vetëm sepse Kushtetuta nuk i linte hapësirë për të refuzuar propozimet e kryeministrit, ndërsa kërkoi që parlamenti të mund të mbante qëndrim për rastin.
Zoti Xhafaj u propozua nga kryeministri Edi Rama në vend të zotit Saimir Tahiri, si pjesë e disa lëvizjeve që ai bëri në kabinetin e tij duke ndryshuar dhe tre ministra të tjerë. Në një deklaratë për Zërin e Amerikës, ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu u shpreh se “nëse zoti Xhafaj punon në mënyrë agresive kundër narkotikëve dhe krimit të organizuar, ai do të ketë mbështetjen tonë të plotë”, duke nënvizuar dhe bashkëpunimn e ngushtë që ka patur me të dhe gjatë procesit të Reformës në Drejtësi.
Komentet