Ish-kryeprokurori i Task Forcës Hetimore Speciale Clint Williamson që kishte kryer hetimet për pretendimet e raportit e Dick Martyt për dyshimet e pretenduara për krime të kryera nga UÇK-ja ka folur për aktakuzën e ngritur nga Prokurori Special kundër Presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK’së Kadri Veseli. Prokurori amerikan, ka thënë se beson që në aktakuzën e tanishme që është bërë publike nga Prokurori Special mund të ketë edhe dëshmitarë të rinj në proces për dallim nga dëshmitarët e vitit 2014, kur ai kishte dalur me të gjeturat nga hetimet e pretendimeve të raportit të Dick Martyt.
Williamson, ka thënë se aktakuzat ndaj Thaçit dhe Veselit janë akuza ndaj individëve dhe jo ndaj UÇK’së si organizatë. Ish-kryeprokurori Williamson ka thënë se i gjithë kuptimi i Gjykatës Ndërkombëtare është që të mos mbahen përgjegjës një grup i tërë njerëzish për krimet që kanë kryer individët e caktuar.
Ai në një intervistë për Syri TV ka folur edhe për pretendimet e senatorit Dick Marty për trafikun e organeve gjatë luftës në Kosovë. Williamson tha se në vitin 2014 kur ka publikuar gjetjet nuk ka besuar se ka pasur prova të mjaftueshme për të ndjekur penalisht pretendimet e raportit të Dick Martyt.
A janë ngritur këto aktakuza kundër Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit apo kundër luftës së UÇK’së?
Clint Williamson: Nuk kam patur mundësinë të shoh aktakuzën, nuk mund të flas për specifikat e akuzave por çdo aktakuzë që do të vinte nga Gjykata Speciale e Kosovës, siç ka ndodhur në çdo tribunal tjetër do të ngriteshin kundër individit jo organziatës.
Thaçi dhe Veseli kanë qenë udhëheqësit kryesor të UÇK’së, a hedhin dritëhije këto akuza mbi luftën që zhvilloi UÇK’ja gjatë konfliktit?
Clint Williamson: Jo, ky është i gjithë kuptimi i Gjykatës Ndërkombëtare, si në rastin e Tribunalit të Jugosllavisë dhe Hagës, përpjekje që ndodhën në Gjykatën Shtetërore të Bosnjës, janë për të mbajtur përgjegjësi individët në mënyrë që ti të mos fajsosh një grup të tërë njerëzish për krimet që kanë kryer individët, pra nuk është një çështje ku të gjithë serbët mbahen përgjegjës, apo të gjithë shqiptarët janë përgjegjës, ose të gjithë kroatët apo boshnjakët. Është për individët që kanë luftuar në ushtri në grupe paramilitare, apo në polici apo në lidershipin politik të këtyre vendeve apo subjekteve të ndryshme të cilat janë përgjegjës të drejtpërdrejtë për krime të ndryshme, besoj që kjo është një veçantim i rëndësishmë që duhet bërë, ky është edhe kuptimi i këtij procesi.
Ju keni qenë edhe drejtor i departamentit të drejtësisië në kosovën e pasluftës, çfarë njohurish keni ju për aktakuzat e ngritura ndaj Thaçit dhe Veselit, kohë më parë në Bruksel ju keni folur për natyrën e akuzave se cilat ishin ato, për cfarë e kishit fjalën?
Clint Williamson: Ka qenë në vitin 2014 kur unë publikova gjetjet tona paraprake të hetimit, realiteti është se kanë kaluar gjashtë vjet që nga ajo kohë dhe nuk kam njohuri se cila është aktakuza aktuale që është dorëzuar për konfirmim. Besoj që ajo që është e rëndësishme për të thënë është se këto aktakuza nuk janë konfirmuar ende, ndaj nuk është ende zyrtare derisa në momentin ky proces të ketë përfunduar në gjykatë. Ajo për cfarë unë fola në atë kohë ishte se cilat ishin provat që ne kishim në dispozicion në 2014. Unë kam qenë në kontakt me pasardhësit e mi gjatë këtyre viteve, por nuk kam folur për specifikat që ata kanë në dorë momentalisht, cilët janë dëshmitarët dhe cilat janë akuzat që ata po nxjerrin, ajo çka mund të them unë për provat e 2014 është se ato mund të kenë ndryshuar në mënyrë drastike këto gjashtë vjet.
A mund të jenë mbledhur më shumë akuza apo mund të jenë shkatërruar ato, pra cilat janë pritshmëritë tuaja?
Clint Williamson: Mbase të dyja bashkë, natyrisht që në periudhë gjashtë vjeçare mund të ketë dëshmitarë të cilët nuk gëzojnë më shëndet të mirë, mbase janë ndarë nga jeta, ke njerëz të cilët vendosin të mos jenë më pjesë e procesit. Jam i sigurt që disa dëshmitarë që ne kishim në 2014 nuk janë më pjesë e procesit në të njëjtën kohë besoj që kanë marrë dëshmitarë të rinjë të cilët kanë informacione shtesë që ne nuk i kishim në atë kohë. Kur ti heton kur ti flet me një dëshmitar ata mund të tregojnë historinë e tyre dhe shpeshherë ata mund të identifikojnë persona të tjerë të cilët mund të kenë informacione të ngjashme, më pas ti nis e flet me ata persona. Pra provat ndërtohen gjatë kohës, pra ashtu sic thashë shumë prova që ekzistojnë tani jam i sigurt që është ndryshe çfarë ka qenë në 2014.
Në njohuritë e tua si drejtori i drejtësisë pas luftës në Kosovë, aktakuzat kundër Thaçit dhe Veselit janë ngritur për veprimet e tyre gjatë apo pas luftës?
Clint Williamson: Sërish nuk mund të flas për aktakuzën aktuale, prioriteti në hetimet tona ishin ato të kryera pas konfliktit, pra sërish bazuar në provat e 2014, shumica e tyre janë pas 12 qershorit 1999 dhe pse mendoj se ka pasur incidente edhe para kësaj periudhe, por nuk mund të them se çfarë ka në aktakuzën aktuale.
A mendoni se gjykata ndërkombëtare po e trajton Kosovën në të njëjtën mënyrë si Serbinë, kur kujtojmë se Kosova ishte viktima ndërsa Serbia ishte agresori?
Clint Williamson: Jam i vetdijshëm për këtë, e kam thënë edhe në deklaratën e gjetjeve, kam qenë në Kosovë në 1999 kam parë se çfarë ka ndodhur aty, kam udhëhequr hetimet e Gjykatës Ndërkombëtare të ish-Jugosllavisë për krimet e kryera kundër shqiptarëve të Kosovës. Kam qenduar në Tiranë gjatë shumicës së bombardimeve duke drejtuar zyrën e Gjykatës Ndërkombëtare t ëish-Jugosllavisë në Tiranë, duke folur me refugjatë nga Kosova duke marrë deklarata të dëshmitarëve, mbledhje provash. Kam qenë aty përgjatë gjithë asaj vere, duke marrë pjesë në ekzaminimin e varreve masive pra e di shumë mirë se cfarë ka ndodhur, nuk ka asnjë dyshim mbi faktet që kanë ndodhur gjatë asaj periudhe, edhe pse mund të themi që Kosova ka qenë viktimë e agresionit serb, kjo nuk i justifikon krimet e kryera nga ata individë të cilët janë në shkelje të ligjit ndërkombëtar mbi luftën. Edhe nëse vendi yt sulmohet dhe je duke e mbrojtur vendin, kjo nuk të jep një licencë për të vrarë një civil apo të ekzekutosh të burgosur lufte, këto janë gjëra të ndaluara qoftë vendi yt agresori apo mbrojtësi i agresionit.
Cila është e vërteta mbi deklaratën e fundit të senatorit zviceran Dick Marty për trafikun e organeve njerëzore gjatë luftës në Kosovë, ju e keni përmendur një fakt të tillë edhe në konferencën tuaj në Bruksel
Clint Williamson: Po e kam thënë ato ishin gjetjet tona të 2014, gjetjet tona në 2014 përbeheshin gjerësisht me gjetjet e Dick Martyt gjatë pyetjeve të tij për Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Bashkimit Evropian. Por ashtu siç e thashë gjatë asaj kohe në 2014, nuk besoja se kisha prova të mjaftueshme për të ndjekur penalisht. Ka patur prova që ato gjëra kanë ndodhur, por niveli i provave ishte i pamjaftueshëm për t’i ndjekur penalisht, nuk mund të them se mbi cilat baza qëndrojnë provat aktuale sepse nuk e kam atë informacion, mirëpo pozicioni im është i njëjtë me deklaratën që kam bërë në atë kohë./GazetaExpress/
Komentet