Istitucioni ku unë punova për shumë vite që prej fillimeve të tij, krahas pedagogëve shqiptarë, juristë të njohur me emër në fushën e drejtësisë, kishte dhe pedagogë të huaj, kryesisht amerikanë. Xhoni, Skoti dhe Robi, ishin tre prej tyre. Këta të tre i mbaj mend mirë, ishin djem të rrinj, moshatarë me bijt e mi. Të gjatë, bjondë dhe të hijshëm. Unë i ngatërroja emrat e tyre ngaqë më dukeshin njësoj, jo vetëm nga pamja e gjatësia, po edhe nga shqiptimi i gjuhës shqipe më bënin të qeshja. Kjo gjë jo vetëm që më argëtonte, po më vinte në një pozitë të vështirë që të flisja anglishten, duke menduar se edhe ata do të qeshnin me mua. Në fakt mua më pëlqente e folura e tyre e gjuhës tonë dhe nuk e di pse dyshoja aq shumë te anglishtja ime e çalë.
E pata fjalën te ngatëresat, që nuk i ndaja dot djemtë sipas emrave. Vetëm Robin e shquaja mirë kur vinte me Almën. Asistentja e tij elegante. Me një finesë femërore të kristaltë, të bënte ta adhuroje. Robert Pulver, nuk kishte gabuar, ai e dashuronte asistenten e tij të mirë, që ndërkohë punonte në Ministrinë e Drejtësisë. Ndërsa Robi me djemtë e tjerë ishin punonjës të organizatës ndërkombëtare ABA CEELI. (Shoqata e Juristeve Amerikanë) Në kuadër të mbështetjes me ekspertizë drejtësinë shqiptare, në ato vite ka qenë shumë aktive në Shqipëri. Të dy bashkë Alma dhe Robi, (siç i thërrisnin Robertit) jepnin lëndën; “Transaksionet e Siguruara dhe Ligji i Falimentimit”.
Ajo që s’do ta harroj kurrë, megjithëse kanë kaluar shumë vite, është një ngjarje e rrallë që la gjurmë të veçantë në memorien time. Ata erdhën në Bibliotekë dhe u ulën të prisnin fillimin e orës së mësimit. Biblioteka ishte vendi jo vetëm ku studionin e punonin studentë e pedagogët e shkollës, por ishte kthyer edhe një sallon pritjeje, për shkak të hapsirës, aredimit të saj të kujdesshëm dhe ambjentit të këndshëm. Librat e vendosur sipas specialiteteve, degëve dhe veçorive të tyre. Skeduar me kujdes sipas programeve bashkëkohore të bibliografisë. Tavolina e madhe mbuluar me gjethet e vjeshtës dhe thënet e L. J. Borges përreth.
U përshëndetëm me përzemërsi. Ç’far isha duke shkruar, me pyeti Alma me delikatesën e saj. Unë, po një fije kashte kisha dashur t’i vija zjarrin revoltës time ndaj anglishtes, që po më “torturonte” prej kohësh. – Uhh, po plas e dashur, mos më pyet më mirë. Kur kam kohë të lirë dhe nuk ka seminare, mundohem të përvetësoj mirë anglishten. E shkruaj njëmijë herë më dorë, e lexoj po aq dhe s’mund, e s’mundem dot të komunikoj. O Zot, kush e shpiku këtë gjuhë, që ndryshe shkruhet dhe ndryshe lexohet. U çmenda fare! Sa e vështirë më duket. Kurrë s’ka për të hyrë në trurin tim. Sa, ndonjëherë më duket vetja thjesht idiote…Dhe vazhdoja të shfreja pa pasur ndroje prej djaloshit Robi, ndjeja një lloj kofidencialiteti, kur ai ishte me Almën e ëmbël. Të gjitha këto ankesa, i thoja me sytë nga librat dhe fletoret e anglishtes. Po kur ngrita vështrimin lart, pashë Robin që fshinte lotët. Ai po qante… E shqetësuar pyes: -Why Robin cry?
-When? – korigjoi ai qetë.
-Why? Pse qan Robi? Vazhdoja unë të këmbëngul duke demostruar anglishten time….”perfekte”.
-No! –Tundi kokën, në shënjë kundërshtie ai. – English- When Robi kry? – Kur çan Robi? Jo si shçip.
-Atëher, kur qan Robi, të lutem më thuaj Alma? Më ardhka shum keq. Mos i ka ndodhur gjë, apo e ka marrë malli për familjen? Ajo buzëqeshi paksa, e me zë të ulët shkëmbyen disa fjalë të dy. Pastaj foli me zë të qetë.
-Kur i shajnë gjuhën!
–Uaaa! Aspak! U preka unë, po më së shumti u habita. Menjëherë fillova të justifikohem. -Të lutem, nuk doja të fyeja anglishten. Unë po shaja veten që nuk po më ngulitet në kokë. S’kam lënë kurs pa bërë dhe se mësoj, që se mësoj dot ashtu si duhet. Thash, se më duket e vështirë, se ndryshe… ndryshe … Jo se, s’është e bukur gjuha juaj … po….
-No! Më ndërpreu Robi. Në universitet ku unë studiova, në hyrje të tij, ka nji tabelë madhe ku shkruhet: “Katër gjuhet me te veshtira në botë, janë- Shçipja, Xhermanisht, Hebraisht dhe … (se mbaj mend mirë të katërtën, unë.)- Anglisht, jo vështirë, gjuhë e bukur shumë kollaj mësuar. Nuk ka shumë gramatika, rasa, e gjera te veshtir. Po edhe gjuha shçipe eshtë e bukur- vazhdoi Robi me sytw ndriçuar nga lotwt.
Më falni, pa dashje ju kam mërzitur… Ke të drejtë Robi. Po t’ia shash një shqiptari gjuhën e tij, kërcet lufta, ku të mund, në tavolinë, në avion, jashtë e brenda vendit. Mos rrënç në ndonjë kokëkrisur, qoftë edhe intelektual. Kurse ti vetëm lotove. Ky është kontrasti.
E indinjuar me veten prej kësaj ngjarjeje, më vinin lloj, llooj mendimesh në kokë. Më dukej vetja kot fare atë çast. S’kam lënë kurse anglishteje pa bërë, kam shpenzuar goxha, e s’mundem që smundem t’a mësoj mirë e aq më keq të komunikoj, e fajin ja hedh anglishtes!! Ndër shkolla kam qenë nxënëse e mirë. Madje në shkollën e mesme Ekonomike në Tiranë, mësuesja më e bukur e matematikës, Drita Hoxha, me thoshte, “gjeni”. Ishte e bukur shumë vertetë, ndryshe nga zyshat e egra të matematikës që e tregonin edhe në portrete vështirësinë e lëndës së tyre. Drita ishte yll, megjithëse kërkuese e rreptë. Ndryshoi puna në shkollën e lartë, me Kujtim Dedein dhe Bashkim Rusetin, ata s’të falnin fare. Mirpo e keqja ishte se, unë nuk dija as të kopjoja fare, po fare dhe e dorzova fletën bosh dhe dola nga provimi. Kështu e lashë Fakultetin ekonomik, megjithëse shkëlqeja në lëndët e tjera. Vite më pas, vazhdova UT, për gjuhë- letërsi. Pasionin tim qysh në fëmijëri. Të keqen e matematikës thashë. “Hyrja në gjyhësi”, ta nxinte jetën. Ja kalonte dhjetra herë, Rami Memushaj, të dyve së bashku profesorëve të matematikës. E kishte shpënë librin nga dyqind, në tetëqind e pesëdhjet faqe. Po, ja që ndodheshin atje ca profesorë të tjerë si Gjovalin Shkurtaj e Valter Memishaj, që merrje kurrajo t’i shkoje deri në krye fakultetit. Madje ky i fundit ishte i vetmi që pa e njohur fare, me dukej sikur me vlerësonte më tepër se sa dija në lëndën e vështirë. Dhe kur ja shpreha këtë shqetësim në shënjë falenderimi, mu përgjigj: “një njëri që shkruan bukur, meriton një notë më tepër.” I’u përgjigj ai shqetësimeve të mia. Ndërsa professor Gjovalini, na inkurajonte, duke cituar shpesh; “Gjuha ruhet, atje ku shkruhet.”
Po me anglishten s’po ja dilja dot mbanë. Vendosa më në fund. Kërkova një mjeke të mirë psikatre që ishte dhe psikologe e dëgjuar, nga më të mirat. I tregoj e shqetësuar problemin tim. Mjekja qeshte herë pas here, më pa në sy dhe filloi: -Mos u shqetësoni, ka shumë si ju. Duhet të dini se: njeriu, ka dy lloj memorie, mekanike dhe intuitive. E mira është që këto të jenë pesëdhjet me pesëdhjetë. Por tek disa njerëz, është më e madhe memorja mekanike, që i ndihmon njerzit në gjuhët e huaja. Dhe tek disa të tjerë është memorja intuitive, si në rastin tuaj. Ndoshta dhe përgjegjësia juaj për ti thënë dhe bërë gjërat mirë… Si pjesë e artit, jeni emocionale dhe këto ju pengojnë. Duhet të përqëndroheni më tepër kur mësoni gjuhën e huaj. Mos u shpërndani me lexime e studime të tjera. Po vetëm te anglishtja.
-Kot fare-i them- këtë se bëj dot. – Unë edhe shkruaj- i them psikiatres- merrem dhe me filmin dokumentar. Po këto gjuhët e huaja nuk më kanë hyrë në tru fare, sikur kam lajthitur. Më kishte hypur inati, të shaja veten mesa mund. Këto mbaj mend, të tjerat i kam harruar, po më gëzoi fakti që nuk kisha probleme me trurin dhe nuk do të pija ilaçe. Megjithëse mirë do të ishte të kishte dhe medikamente të tilla, për të futur në kokë, ca gjera të rëndësishme, si gjuhët e huaja përshëmbull.
Do thoni ju? Po si ja dilja unë me punët e shumta të Bibliotekës, ku shumica e librave ishte nw gjuhë të huaja. Po, ja, kisha ca dhunti të tjera. Kuptoja dhe lexoja aq sa për të bërë punën mirë, mjaftonte që studentët të më thonin temën dhe unë u’a rekomandoja literaturën menjëherë, përveç programit të zbatuar, ku për çdo libër kishte shtatëmbëdhjetë rekorde të hedhura në internet. Ahhh! Pjesën e komunikimit? Pika e dobët, tepër e rëndësishme për mua, si ja bëja thoni ju? Po, ja, i kisha titullaret, perfekte në gjithçka edhe në gjuhët e huaja. –Mos e lodh shumë mendjen me gjuhët”- me thoshin. Pastaaaj, Doooriii! Dori ishte djal flori, me detyrën e drejtorit të departamentit të mardhënieve me jashtë.
– Just a sekond! -U thoja me nxitim të huajve dhe vrap te Dori. Aq shpesh e thërrisja Dorin, sa u ngatërroja emrin edhe djemve të mi në shtëpi. Po mos ndodhej Dori aty, thoni ju? Po ishin vajzat e sekretarisë, Eva, Genta, Erjola, Sava, mrekulli në gjuhët e huaja. Më mbanin pak me hatër të them të drejtën, si njeri të artit që punonte në një institucion drejtësie. Nuk flisja shumë për art atje sepse nuk premtonte koha për vetë ngarkesën e madhe që kishte institucioni, ku bëhet një punë shumë e madhe në edukimin për drejtësi. Askush nuk mund t’a marrë me mend nëse s’ka punuar atje. Punën e lavdërueshme e shkruanin në të gjitha raportet të gjithë kryetarët e Komisionit Europian, Këshillit të Europës. Ambasadorët e OSCE, e të tjera organizma ndërkombëtare, që kishin të bënin me drejtësinë. Në intervistat që ata më dhanë, për realizimin e një dokumentari në 100 Vjetorin e Drejtësisë Shqiptare, u shprehën si gjithmonë me fjalët më superiore për institucionin tonë. Ndaj më erdhi ndërmend pyetja. –Zoti, Ambasador, ju thoni kaq shumë fjalë të mira për Shkollën e Magjistraturës. Ndërkohë që drejtësia poshtë kritikohet vazhdimisht. Ambasadori, konseguent në përgjigjen e tij, tha se shkolla dhe edukimi për drejtësi është tjetër gjë, tjetër përgjegjësi. Drejtësia poshtë në bazë është “System”. Dhe në këtë mosmbarëvajtje, fajin e ka sistemi dhe jo përgatitja e njerëzve të cilët e bëjnë atë… Ej, dreq e punë, po sistemin njerëzit e bëjnë, kush tjetër? Po nuk e thashë këtë pyetje. Besoj se ata e dinin më mirë.
Në fakt, kishin të drejtë. Gjatë viteve të gjata që punova atje, njoha pedagogë të përgatitur e të gjithanshëm në dituri, jo vetëm profesionalisht. Më pati rënë rasti të bisedoja e dëgjoja gjëra të mençura sa në asnjë ambient tjetër. Gjithashtu, njoha studentë, djem dhe vajza që përgatiteshin në prefeksion brenda dhe jashtë vendit, në instutucionet ndërkombëtare të niveleve të larta, në Strasburg, Gjenevë, Amsterdam, Romë e shumë vende të tjera me drejtësi të përparuar. Me shpresë, se jo vetëm drejtësinë dhe Shqipërinë, po këta studentë do të bënin dhe botën. Fatkeqësisht, pas dy-tre vitesh kur zbrisnin atje poshtë në “System”- “çmendeshin” disa syresh. Po pse i lane të çmenden? Sa keq më vjen, me vjen të plas kur mendoj se disa prej tyre, madje jo pak, nuk janë më. Shpenzoi aq shumë shteti dhe bota për t’i përgatitur. Një bursë të mirë tre vjeçare, shumë më të madhe se pagat tona, eksperienca pune dhe seminare të shumta. Kur fap, i përlau reforma, midis tyre edhe më të mirët. E tmerrshme kjo reforma, që na gëzoi në fillim të gjithëve, ka paralizuar gjithçka. Duket sikur asgjë nuk funksionon. Dhe larg qoftë, po që se të bie rasti të kesh punë me gjykatat dhe prokuroritë. Luan mendsh! Vërtet çmëndesh. Shpesh nga, “Mizoria e vetë Ligjeve, e cila nuk të lë ti zbatosh ato”- kështu thotë, vetë Montesquieu, sikur të jetonte edhe sot mes nesh.
Dhe duhet të ulërish sa zë ke në kokë dhe të thërasësh ashtu si Shekspiri, tek Henri i IV-të, në pjesën e dytë të tragjedisë: “Le t’i vraaasim të gjithë Juristëëët”. Mirpo, laaarg qoftë, mendo për një moment, sikur edhe vetëm një ditë të ishim pa ata. Imagjinoni!… Mashtruesit, hajdutët, fallsifikatorët dhe kriminilët, do të bënin akoma më keq kërdinë mbi ne të pafajshmit. Dhe hajde, ti gjeje ditën tjetër, se ku ishin futur, në drejtimin e paditur… Po, midis nesh janë, ku tjetër S’thotë kot populli, “frrika e ruan vreshtin”. Kështu dhe s’po ja dalim dot, e jo pa ata. Jo vetëm kaq, po ashtu siç ju thashë, për kolegët dhe profesorët, e mi të nderuar, me të cilët kam punuar dhe studentët ekselentë, për të cilët jam avokatja më e zjarrtë. Nuk do ta lija Shekspirin kurrë, të tragjedizonte më…
Do pyesni ju përsëri. Po ç’mu kujtuan pikërisht tani këto gjëra të shkuara ndër vite.
Robi me Almën u martuan, prindërit e Almës si bijë të vetme që e kishin u dëshpëruan pak. Po Alma dhe Robi, i morën edhe ata në Amerikë. Jetojnë bukur në Neë York. Ata punonin të dy në Selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila ndodhet në New York City, në lagjen Turtle Bay të Manhatanit. Tani se di. Ndoshta edhe më lart, diku në Departamentin e Shtetit.
Shpesh e kujtoj këtë ngjarje, prej debateve të shumta, për gjuhën dhe standarded, po sot vendosa ta shkruaj, e dini pse?
Takoj një ditë rastësisht mikun tim G. Leka. U ulëm të pinim një kafe dhe si zakonisht tema e ditës Covid 19 e plot bishta pas, i cili na largoi disi nga jeta shoqërore. Jo vetëm Covid që na mori shokun më të mire artist e plot të njohur- vazhdoi ai, po këto ditë kam qenë shumë i mërzitur, pasi kam debatuar fort, me ca miq të mirë, për Gjuhën Shqipe.
– O lere ç’po na bëni ju, me këto broçkulla për gjuhën. -më tha gjith ironi- Jo po ka thënë Thoti, jo po tha ky e jo, po ay. Lerini ore Naim Frashërin, Lasgush Poradecin, e Kutelin me poemat e tyre, ka lezet. Ja ajo është gjuha shqipe. Po, ju po na çudisni mendjen me këto hamendësira…
-E po, punë e madhe. Për këtë je mërzitur- ndërhyj unë, gjoja si e fortë. – Më erdhi shum keq, se nuk ishte njeri dosido, ishte akotori im i preferuar, R. Ndrenika. I thashë të kishte qënë dikush tjetër e dija unë si do t’i përgjigjesha, po për ty kam respekt, se jam rritur me rolet e tua. Po një gjë duhet ta dish, se e ke gabim. Çdo shqiptar e ka për detyrë të mbrojë… Më ftuan në disa TV, ku dhashë mendimet e mia… të cilat …
– Kot je revoltuar, – e ndërpres unë, në fund të fundit, kudo të shkosh në botë dhe cilindo shtetas të huaj të takosh, thotë se gjuha e tij është më e mira e më e bukura, më e lashta dhe më e pasura, në botë. Përgjigjen më të mirë na e jep Kadareja. “Gjuha, më mirë se gjithçka tjetër, jep shpesh dritën ose mjerimin e një kohe.”
– Sigurisht, unë nuk flas kot, kam argumenta…në bibliotekën timë kam libra që tregojnë se…
– Të gjithë kështu thonë, grekët, italianët, anglezët, arabët, bullgarët. Dhe kanë njëmijë e një argumenta dhe kur s’i kanë, i shpikin. Për ta shkëputur, G. Lekën nga labirinthet e Bibliotekës së tij, nga ku s’del dot as ai vetë, i tregova historinë time me Robin. I pëlqeu shumë, qeshi fort dhe më tha: -Shkruaje pra, pse s’e shkruan!
–Ja, do e shkruaj tani i thashë. “Lapsi është gjuha e mendjes”- thosh Horaci. Dhe këtu u mbyll biseda. When Robi cry?
Nadire BUZO