Ish komandanti i lartë i NATO-s, gjenerali Wesley Clark, tha të dielën se Kosova ka shënuar përparim të madh 25 vjet pas çlirimit, ndërsa shprehu besimin për thellimin e lidhjeve të saj me Shtetet e Bashkuara.
Ai i bëri këto komente në Prishtinë, ku është nderuar me dekoratën “Dr. Ibrahim Rugova” nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për rolin historik dhe kontributin e tij për çlirimin e Kosovës.
Ai tha se shpreson që Kosova “do t’i forcojë lidhjet me Shtetet e Bashkuara dhe të shihet si mike e mrekullueshme”, tha gjenerali Clark, i cili përgjatë vizitës është takuar edhe me përfaqësues tjerë politik në Prishtinë.
Kosova këtë muaj shënoi 25 vjetorin e çlirimit. Më 12 qershor të vitit 1999 trupat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja hynë në Kosovë prej nga po largoheshin trupat serbe dhe që atëherë kjo kremtohet si dita e lirisë së Kosovës.
Ish komandanti i lartë i NATO-s, gjenerali Wesley Clark, drejtoi fushatën 78 ditëshe të bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe në vitin 1999.
NATO-ja vlerësohet se ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm jo vetëm në ruajtjen e një mjedisi të sigurt por edhe rindërtimin e Kosovës, e cila doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë e rreth 5 mijë të zhdukur.