Drejtori i FBI, Christopher Wray ka kryesuar ndoshta skandalin më të rëndë të infiltrimit të brendshëm që kur agjenti i FBI-së, Robert Philip Hanssen u arrestua për spiunazh të brendshëm për Bashkimin Sovjetik (dhe më vonë Rusinë) në vitin 2001.
Por ky është të paktën rasti i tretë i keqmenaxhimit të madh gjatë mandatit të Wray.
Washington Post shkruan: “Ish-kryespiuni i FBI në Nju Jork u akuzua të hënën për marrjen e pagesave sekrete në para prej më shumë se 225 mijë dollarësh, ndërsa mbikëqyrte rastet shumë të ndjeshme, dhe se kishte thyer ligjin duke u përpjekur që të hiqte miliarderin rus, Oleg Deripaska nga lista e sanksioneve të SHBA- akuza që tronditën botën e mbyllur të kolegëve të tij, zyrtarë të lartë të inteligjencës”.
Një aktakuzë e veçantë penale që vjen nga Uashingtoni, e akuzon Charles McGonigal për “fshehjen e pagesave prej 225 mijë dollarësh që ai dyshohet se ka marrë nga një person nga Nju Xhersi, i punësuar dekada më parë nga një agjenci e inteligjencës shqiptare. Aktakuza gjithashtu e akuzon atë se ka vepruar për të avancuar interesat e atij personi”.
Ne duhet të mësojmë gjithçka mundemi për atë që ka bërë McGonigal në FBI nga gushti 2017 deri në daljen në pension në shtator të vitit 2018, periudhë e mbuluar nga aktakuza e parë. Por pa diskutim, prania e një zyrtari të lartë të komprometuar, që vepron në rastet më të ndjeshme kundër terrorizmit, është një turp i madh për Wray.
Por ky padyshim nuk është as gabimi më i madh i Wray. Raporti nga komiteti i përzgjedhur i Dhomës së Përfaqësuesve, që hetonte sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitol, gjeti prova të shumta se FBI kishte informacione të rëndësishme dhe të besueshme për potencialin për dhunë në Kapitol. “Para 6 janarit, shumë agjenci qeveritare morën informacione se ata që do vinin për tubim të organizuar nga presidenti ishin të armatosur dhe kishin si objektiv Kapitolin. Komuniteti i inteligjencës dhe agjencitë e zbatimit të ligjit zbuluan planet për dhunë të mundshme të drejtuar ndaj seancës së përbashkët të Kongresit,” thuhet në raport. E megjithatë, kjo inteligjencë nuk u funksionalizua kurrë nga FBI.
Konkluzioni dërrmues i raportit të komitetit për 6 janarin: “Autoritetet federale dhe lokale të zbatimit të ligjit kishin në posedim informacione të shumta nga inteligjenca që parashikonte dhunën mbi Kapitol përpara 6 janarit. Edhe pse një pjesë e kësaj inteligjence ishte fragmentare, ajo ishte e mjaftueshme për të garantuar përgatitje shumë më të fuqishme për sigurinë e seancës së përbashkët”.
Raporti thekson më tej: “Dështimi për të ndarë këto informacione të inteligjencës dhe për të vepruar, rrezikoi jetën e oficerëve të policisë që mbronin Kapitolin dhe të gjithëve ne”.
Çuditërisht, Wray nuk kreu një vetëvlerësim nga lart-poshtë dhe nuk i ndau gjetjet dhe rekomandimet me publikun. Komiteti i 6 janarit kishte një vështrim të kufizuar mbi dështimet specifike, që çuan në dështimin e FBI-së për t’u përgatitur dhe për të luftuar në mënyrë adekuate një akt të terrorizmit të brendshëm, duke fajësuar në thelb pamundësinë për të parashikuar ‘faktin që presidenti i SHBA do të ishte katalizatori i tërbimit të tyre dhe i lehtësimit të sulmit të paprecedent në historinë amerikane’. Vërtet? Duke pasur parasysh rrjedhjen e informacionit, thirrjen për veprim të Trump, grupet e përfshira dhe fushatën disajavore për të përmbysur zgjedhjet, ky shpjegim- në rastin më të mirë- është i pamjaftueshëm.
Dikush mund të mendojë se një dështim i këtyre përmasave do të nxiste një hetim të brendshëm gjithëpërfshirës me gjetje të hollësishme dhe hapa për të korrigjuar problemet e zbuluara. Por edhe mosrealizimi i kësaj duket se është një dështim i udhëheqjes pothuajse në të njëjtin nivel me vetë dështimin operacional.
Por ka akoma më shumë. Siç kam shkruar, FBI ka dështuar të ndjekë kërkesat ligjore për të gjurmuar terrorizmin e brendshëm, sipas një raporti të Komitetit të Sigurisë Kombëtare dhe Çështjeve Qeveritare të Senatit, të publikuar vitin e kaluar. A ka një neveri institucionale ndaj mbledhjes së informacioneve dhe ndjekjes së terrorizmit të dhunshëm të brendshëm, siç kanë argumentuar disa ish-zyrtarë të lartë të FBI-së?
Problemi nuk është i ri. Në vitin 2019, një raport i Qendrës Brennan, dokumentoi mangësi të rëndësishme në qasjen e departamentit ndaj terrorizmit të brendshëm, duke përfshirë dështimin për t’i dhënë përparësi krimeve të tilla, mungesën e burimeve dhe dështimin për të ndërtuar besimin e komunitetit.
Më pak fjalë, ka arsye të mjaftueshme për të arritur në përfundimin se Wray nuk është njeriu i duhur për këtë punë. Përveç gabimeve të mëdha, atij duket se i mungon vullneti ose kapaciteti për të parë me kujdes departamentin e tij dhe për t’u përshtatur në një mjedis në ndryshim, në të cilin terrorizmi vendas i krahut të djathtë përbën një kërcënim më të rëndë se terrorizmi i huaj.
Drejtorët e FBI-së marrin një mandat 10-vjeçar, por ata shërbejnë në diskrecionin e presidentit (Donald Trump e vendosi Wray në vitin 2017, pasi shkarkoi James B. Comey). Pyetja për presidentin Biden është nëse amerikanët mund të përballojnë ta mbajnë atë për katër vite të tjera.
Sigurisht, ka kandidatë të kualifikuar, republikanë dhe demokratë, të cilët kanë treguar guxim në shqyrtimin e dështimeve të qeverisë dhe vlerësojnë plotësisht kërcënimin e terrorizmit të brendshëm. Ndoshta Liz Cheney është e disponueshme.